E premte, 29.03.2024, 08:04 AM (GMT)

Kulturë

Pikaso në syrin e Gjon Milit

E enjte, 06.07.2006, 11:12 PM


“Pikaso duke vizatuar me dritë”, në albumet me fotografi të zgjedhura nga gjithë bota.

"Pikaso duke vizatuar me dritë", 1949
Në një album të shtëpisë botuese “Phaidon” të Londrës, me titull “The Photo Book” të vitit 2000, janë përmbledhur 500 foto nga gjithë bota realizuar gjatë 150 viteve të ekzistencës së artit fotografik. Në këtë album janë përfshirë edhe fotot “Kapiteni Mark Raka dhe bajraktari i Shales”(*) e shqiptarit Kel Marubi, si dhe ajo me titull “Pikaso” e shqiptaro-amerikanit Gjon Mili. Në këtë shkrim do flasim për këtë të dytën.
‘Pikaso i famshëm’ duke vizatuar në dritë” siç e quan foton kritiku i njohur Michel Frizot në librin e tij “New History of Photography”, (Historia e re e fotografisë) Këln, 1998, është bërë në Francën e Jugut me piktorin e madh Pablo Pikaso. Vet Mili në monografinë e tij “Mili-Photographs and Recolections, Boston, 1980” (Mili – Fotografi dhe kujtime) shkruan për njohjen me piktorin.
“Kur unë pyeta se si mund të takoja Pablo Pikason, kushdo që e njihte jepte një përgjigje, “shko në plazh”. Rrugës për në Rivierë kalova një natë në Paris me nipin e Pikasos, Javier Vilato, një piktor i ri. Diçka më përmendi e që më tingëllon gjithmonë. “Xhaxhai thoshte se “në qoftë se doni të vizatoni, ju duhet të mbyllni sytë tuaj dhe të këndoni”. Konkludova - pse të mos e fotografoj në errësirë, duke vizatuar me një dritë në vend të lapsit?
Ulur afër plazhit, ku Pikaso lahej çdo ditë, e vëzhgova atë së largu gjithë mëngjesin. Ditën tjetër kur ai po bëhej gati të linte plazhin u ndodha përball tij (koha nuk pret - thashë) - Më falni, jam fotograf, do të doja të bëja portretin tuaj. - Oh! Vazhdoni - u përgjegj ai me ngërdheshje. - Jo, seriozisht, seriozisht.
Në këtë pikë unë i vura përpara një fotografi të marrë në errësirë, që tregonte një patinator në lëvizje, me një dritëz të bashkuar të patinave. Pikaso reagoi menjëherë dhe i nxitur nga kjo filloi të vizatojë në ajër me gisht”.
Kështu, pas këmbënguljes së Milit, piktori i madh u dorëzua, pranoi të fotografohej duke u vënë në një farë mënyre në rolin e modelit, ai para të cilit kishin pozuar dhjetra njerëz. Këtu filloi të ngjizej miqësia e tyre e gjatë. Fotografia është bërë brenda poçerisë Madura në Vallori të Francës jugore. Ajo është e studjuar mire, pra jo e atypëratyshme, dhe e bërë me dy shpejtësi drite.

Piktori ka vizatuar në ajër me një llambushkë një centaur, veprim i bërë në errësirë të plotë (dritaret mbyllur mirë) me obturatorin e aparatit hapur, gjithmon me kohëzgjatje sa vazhdonte pikturimi. Pastaj pa lëvizur aparati dhe pa xhiruar bobina e filmit është mbyllur obturatori, është ndriçuar mjedisi (hapur dritarja në të djathtë të figurës) dhe me kohëzgjatje tepër të shkurtër, është bërë ngrirja në të njëjtën kuadër filmi (pozë) edhe e personit me mjedisin. Nga kjo ndërthurje e fantazisë artistike dhe e teknikës së fotografit doli fotoja shumë e njohur me titullin e thjeshtë “Pikaso”, e riprodhuar vazhdimisht në albume nga e gjithë bota.
Fotografi dhe studiuesi i njohur amerikan Andreas Feininger shprehet për foton se “megjithë fokusimin e përsosur, jep idenë e lëvizjes” (La nuova tecnica della fotografia, Milano, 1965). Po të vërejmë me vëmendje foton, do të shohim lëvizjen edhe në pozicionin tejet kalimtar të qëndrimit të piktorit. Syri është fiksuar në një gjendje të themi shpërthyese, në përputhje me mjedisin shumë heterogjen e sidomos me figurën e centaurit.
Kjo fotografi e Pikasos, duke vizatuar centaurin, i cili në mitologjinë e lashtë greke ishte një përmbindësh gjysmë-njeri (gjoksi dhe koka), e gjysmë kal (trupi dhe 4 këmbët), që simbolizonte pasionet e egra dhe të papërmbajtura, është bërë afërsisht në të njëjtën kohë kur një pullumb i bardhë i pikturuar nga ai ishte kthyer në “pullumbin e paqes” si simbol i propagandës kundër luftës që zhvillonin forcat e majta në Europë të udhëhequra nga Bashkimi Sovjetik. Natyrat e dy artistëve, Pikaso e Mili, ishin pothuaj të kundërta dhe zgjedhja nga piktori për tu fotografuar me centaurin, duhet ti ketë pëlqyer shumë mjeshtrit të aparatit. Piktori, siç është përmendur më sipër jepet “i mbërthyer” në lëvizje, por dhe centauri nuk është “ngrirë” në prehje. Këmba e parë e majtë e ngritur nga toka flet për ecje apo fillim goditje. Nëse foto do shihej si një kuadër filmi kinematografik lehtë mund të imagjinoheshin sekuencat paraardhëse dhe pasardhëse. Siç është përmendur më sipër drita në foto është natyrore. Ajo futet në mjedis nga një dritare që nuk duket në të djathtë të personazhit dhe ndonse nuk është e drejpërdrejtë nga dielli, ajo jep një ndriçim me kontraste dhe hije të forta. Të mos harrojmë se jemi në një vend mesdhetar e në një stinë të nxehtë. Ky ndriçim me efektet e tij bën që në foto të dallohet vetëm gjysma e djathtë e trupit të piktorit, fytyra, krahu dhe këmba. Syri është fiksuar në një çast që e bën atë të flasi më tepër se shumë elemente të fotografisë. Figura e centaurit mbase nuk është zgjedhur rastësishtë nga piktori ose edhe nga vetë fotografi.
Në foto shihen edhe tri shtylla vertikale të ndriçuara mirë që i japin asaj një farë elegance duke shtuar kështu vlerat grafike. Këtë mund ta vrejmë mirë nëse e vështrojmë foton me pjesën e kollonave të mbuluar me një letër. Ndonëse edhe pa to fotoja nuk do të shpërfaqte qetësi, prania e tyre shton ndjeshëm natyrshmërinë e bashkëveprimit të tri elementeve kryesorë të saj, që janë njeriu, centauri dhe mjedisi.
Nga vështrimi ngultas lind natyrshëm pyetja: A është kjo foto një farë biografie sintetike pamore e piktorit? Në një këndvështrim të thjeshtë përgjigjja nuk mund të jetë kundërshtuese. Fotografia e ngërthen atë në dy veprimtaritë kryesore artistike të tij (jo të barabarta nga ana cilësore dhe sasiore), pikturë, plani i parë i fotos, dhe skulpturë, plani i tretë. Ndërmjet këtyre dy planeve, figura e piktorit jepet mrekullisht përngjashëm me natyrën ekscentrike (siç e përshkruajnë atë disa biografë mendjeftohtë), që shpërfaqet edhe me qëndrimin e tij as në këmbë e as ulur. Përpos këtyre, e gjithë fotografia, si për të fokusuar jetën e piktorit me kthesa, përplasje, andralla në marrëdhënie me të tjerët, familjarë apo kolegë, është mjaft e shqetësuar si nga ana grafike e po ashtu edhe tonale.
Fotoja është në hullin e të ashtuquajturave “portrete mjedisor” (portraits environnemental) që arritën kulme artistike me krijimet e fotografit bashkohor amerikan Arnold Newman (Arnold Njuman). Një fotoportret që i ka bërë ky Pikasos në një çast persiatje të thellë, ka të përbashkët me foton e Milit qendrën e rëndesës, sytë, në të parin atë të majtë, ndërsa në këtë që po analizojmë, syrin e djathtë. Eshtë po ai vështrim, diç me tejshpues ai i Newmanit, ndonse është “ngrirë” në qetësi të plotë mekanike.
Mili ynë, mbase pa patur qëllimin e vetdijshëm që të bëjë “portrete mjedisore”, që kolegu i tij që cekëm më sipër, metonte me ngulm t’u bënte njerëzve të shquar, ka mbritur tek “Pikaso duke vizatuar me dritë”, që pa mëdyshje është një ekzemplar shumë i dalluar në këtë fushë. Pikason e kanë fotografuar shumë mjeshtra të fotoaparatit si R.Capa, Brassai, Doisneau, Cartier-Bresson etj, por mendoj se dy fotot e mësipërme janë më brenda shpirtit dhe natyrës së piktorit.
Vërtetë figura e piktorit të madh Pikaso krijon një “fushë manjetike” të veçantë për fotografinë, por nuk duhet lënë pa përmendur fakti se Gjon Mili ka realizuar fotoportrete të shumë njerëzve të shquar të botës në arte pamore, kinematografi, politikë, letërsi, muzikë, vallzim e deri në sporte.
Fotoja e mësipërme e Gjon Milit, botohet me tituj të ndryshëm si “Pikaso”, “Pikaso duke vizatuar me dritë”, “Pikaso duke vizatuar centaurin”, “Pikaso i famshëm duke vizatuar me dritë” etj. Kjo foto po zë përherë e më shumë vend në albumet me fotografi të zgjedhura nga gjithë bota.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora