E enjte, 28.03.2024, 09:59 PM (GMT)

Vërtetësi

Kastriot Dervishi: Ahmet Hoxha u ndalua nga forcat vullnetare

E merkure, 02.02.2022, 07:16 PM


Ahmet Hoxha u ndalua nga forcat vullnetare

Nga Kastriot Dervishi

Më 10.10.1978 të dënuarit Sali Çako dhe Ahmet Hoxha u arratisën nga Spaçi dhe u kapën 5 ditë më vonë, të ndarë nga njëri tjetri. Kapja e tyre u bë nga forcat vullnetare të fshatit Venisht. Sekretari i partisë së fshatit dëshmonte se pas njoftimit ata bënin shërbim çdo natë dhe ishin të pajisur me parullën e kundërparullën, me synim kapjen e dy të arratisurve. Forcat vullnetare ishin formatimi më i mirë i “njeriut të ri”, i cili vuante si gjithë të tjerët mjerimin ekonomik, por që kujtonte se bota ishte edhe më e keqe se ka. Ata kontribuuan në vdekjen e një njeriu dhe ridënimin e një tjetri. Zetorist Selimi, ishte pjesëtar i forcave vullnetare, e shpjegonte kështu çastin e ndalimit të Ahmet Hoxhës:

“Më ka njoftuar kushëriri im Xhelil (përgjegjësi i pushkatarëve). Unë mora pushkën dhe dola. Shkova te prita ime. Atje gjeta Haxhiun (sekretari i partisë së fshatit-shënim). Rrugës takova dhe Rabijen dhe në kohën kur Xhelili po i shpërndante detyrat pushkatarëve më tha mua të merrja edhe këtë nusen me vete. Unë pastaj bashkë me Rabijen shkuam në pozicion dhe atje ndamë detyrat bashkë me Haxhiun. Të tre u ulëm në pozicione të ndryshme e po rrinim në përgjim. Pas pak kohe pashë një hije të zezë nëpër dushk. Mbasi pashë një njeri, i fola Haxhiut se po vinte një njeri lart. Ne kthyem pushkët nga drejtimi që po vinte njeriu dhe po rrinim në pritje pasi njeriu po vinte në drejtimin tonë. Ai vinte nga drejtimi i rrugës që vjen nga Fushë Çidhna për në Shumbat dhe po merrte drejtimin për nga kufiri. Haxhiu i thirri “ndal”. Pastaj i thirra dhe unë. Në fillim ai na tha “çfarë ke”. Haxhiu i tha të mos lëvizte, i kërkoi parullën. Ai tha se nuk dinte parullë. I thamë të ngrinte duart lart dhe të lëshonte çfarë kishte në dorë. Ai lëshoi sqeparin dhe ca misra të pjekura”.

Fotografia bashkëlidhur është ilustrative për forcat vullnetare dhe nuk ka lidhje me ngjarjen e sipërtreguar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora