E premte, 19.04.2024, 09:17 AM (GMT+1)

Kulturë

Mazllum Saneja: Poeti dhe Shoqëria

E shtune, 13.12.2008, 02:00 PM


ESE

MAZLLUM SANEJA

POETI DHE SHOQËRIA

Poeti është një qenie që jeton brenda në shoqëri, në gjirin e saj, jeton dhe krijon për të, për problemet, fenomenet, dukuritë e raportet e saj të përditshme. Pra, poeti është një qenie e pashkëputur e shoqërisë të cilin e shquan, e ajgëton një prirje e posacme, specifike,  i cili përmes fjalëve e simboleve shpreh apo shfaq ndjesitë jetësore të njeriut në shoqëri, kohën me kontradiktat e saja.
Është e vërtetë se gjithherë poetët përmes veprave të tyre kanë shprehur gëzimin e pikëllimin, dashurinë e urrejtjen, vajin dhe qeshjen, dhembjen dhe vuajtjen, gjakimin e përmallimin dhe, tërë atë mori emocionesh njerëzore. Poeti duke njohur brengat e shoqërisë, duke njohur brengat dhe shqetësimet, ngritjet e rënjet, dhe tërë atë realitet të gjallë të kohës në të cilën jeton e krijon, në krijimet e tij poetike është vëzhgues i lidhur  shpirtërisht e emocionalisht me shoqërinë.
Ndërkaq, "është kuptimplotë fakti që artistët e shkëputur nga jeta, që jetuan si soditës, pa u përzier në mënyrë aktive me ambientin, edhe kur e patën një talent të shkëlqyer, dhanë vepra anemike, pa regëtitjen e mjaftueshme jetësore dhe për rrjedhim, vepra që jetuan një kohë të shkurtër. E kundërta artistë që morën pjesë aktiv në jetë dhe veprat e tyre nuk bënë gjë tjetër veçse reflektuan përvojën e tyre të pasur jetësore, të gjallë e plot kontradikta, dhanë kurdoherë krijime të fuqishme, që jetojnë sot e kësaj dite" pohon me të drejtë Gjergj Zheji.

Së këndejmi, poeti nuk do të mund ta mendojë vetveten pa shoqërinë. "Gjersa shkruan, çdo shkrimtar ka parasysh një publik të caktuar" (Robet Eskarpi) apo "Njeriu që krijon veprat letrare për të cilat kurrkush nuk kujdeset ose është diletant jo i talentuar ose një i sëmurë shpirtëror" (Zdenko Shkreb).
Prandaj, poeti duhet gjithnjë që përmes veprës së vet jo vetëm të kënaqë, të përmbushë e të zgjerojë jetën shpirtërore e intelektuale të njeriut, të lexuesit, por ai njëherazi duhet medoeomos që përmes imagjinatës së tij krijuese e të fuqisë shprehëse të gjuhës së gjallë artistike - të ndërtojë e të ngrisë një botë të re, një vizion të ri, një jetë të re e një ideal të ri.
Dhe me plot të drejtë ka theksuar para njëqind vjetëve filozofi frëng Hipolit Ten se "në fund të çdo, krijim madje edhe të një vjershe më të shkurtër, është e tërë filozofia e natyrës dhe jetës".
Thashë se poeti me veprën e vet vepron duke hedhur dritë shkëlqimi mbi të ngjarat e kohës e të shoqërisë, përmes një simbolike ekspresive, duke paraqitur e pasqyruar qartazi realitetin e njeriut në shoqëri, psikologjinë,  mentalitetin, temparamentin, dhe një mori gjërash të tjera, të cilat duhet t’i pikturojë me vërtetësi, forcë e ndërgjegje të zgjuar prej njeriu e poeti. Dhe, së këndejmi, poeti do të zbulojë shumë gjëra të jetës: shëmtitë e bukuritë e saja, të mirat e të këqijat, të vërtetat e gënjeshtrat, pasurinë e skamjen, shëndetin e sëmundjen etj.
Poetët e vërtetë të mëdhenj të kohëve kanë krijuar, me flijime të mëdha, në vuajtje të pareshtur e të mundimshme jetësore. Ata i kanë qendruar besnik idealeve të tyre, të devotshëm deri në vdekje, duke duruar të vetëdishëm dhembjet e tmerrshme të jetës krijuese dhe, ngaherë i kanë shëruar plagët e njerëzisë, sëmundjet e të tjerëve, nga të cilat vetë kanë vdekur. Ata gjithmonë në shpirtrat e tyre kanë bartur mendimet dhe ndjenjat e popullit e të shoqërisë. Me respekt, në heshtje kujtoj: Homerin,   Dante Aligierin, Miguel de Servantesin, Xhakomo Leopardin, Adam Mickievicin, Heinric Heinen,  George GordonByronin, Sergiej Jeseninin, Federico Garcia Lorken, Naim Frashërin, Lasgush Poradecin, Migjenin, Zbignjew Herbertin, Octavio Pazin, Ali Podrimjen….Tëra veprat e tyre shpirtësore janë të përshkruara nga indi i dhembjes së bukur që djeg, nga indi i protestës që pëlcet, nga indi i revoltës kryengritëse... Ata janë fëmijët më të dashur, më të mirë, më të vërtetë, më të përgjakur të popullit të tyre. Dhe jo vetëm këta janë artistë të mëdhenj..., që jetuan e krijuan gjithëherë në skamje, dhembje, vuajtje dhe mospërfillje nga shoqëria e tyre,nga pushtetmbajtësit e aparateve shtetërore ,që shtypën dhe ndiqen mendimin e  lirë.
 Ndërkaq , nuk ka se  si  të mos e shqetësojë shpirtin e  poetit të sotëm  katastrofa shpirtërore  e  epokës sonë, që është një përfundim i trishtueshëm  i  ndrydhjes së forcave inkoshiente në shoqërinë bashkëkohore .Kjo katastrofë  plot  trauma  e tmerre në  kozmosin  tonë  të shthurur , na shpie  drejt  një shpërthimi tmerrues  psikologjik  e shpirtëror, që do të shprehet  më pastaj  në valë vetvrasjesh e skenash  histerie e cmendurie kolektive.
Po, poeti në veprën e vet duhet të paraqet ndodhitë e veta, botëkuptimet e njerëzve të vet, të shoqërisë, opinionet e gjykimet e veta. Mirëpo, vepra e poetit nuk do të ketë karaktarin dhe rëndësinë e saj letrare, poqese aty nuk do të shprehen interesat dhe kërkesat e shoqërisë, të masës së gjërë popullore.
S'do mend, poetët gjithmonë e kanë çmuar vlerësuar e nderuar gjenin krijuese të popullit, ngase poetët më të mëdhenj kanë dalë nga gjiri i tij.
"Populli ynë - shkruan në një ese të tij Frederiko Garsia Lorka i këndon vargjet e thurura nga poetë të ndryshëm, mirëpo sa fort dallohen këto vargje nga ato që i thur vetë populli! Si trëndafilja artificiale prej kartoni prej asaj të vërtetës! Poetët i thurin  këngët popullore,  i turbullojnë ujërat e kthjellëta të shpirtit të njeriut..."
Ndërkaq, kompozitori gjenial Eduard Grig, duke folur për mënyrën e kompozimit të vet dhe elementet e folklorit me të drejtë thotë se "Artistët, sikundër janë Bahu e Betoveni kanë ngritur tempujt në lartësitë më të larta, derisa unë kam dashur të ngris shtëpiza ku njerëzit do të ndjenin veten ngrohtë e këndshëm. Unë kam shënuar muzikën popullore. Nëse ndonjë kritiku rigorioz, muzika ime do t’i duket e thjeshtë dhe aq më pak e pavlershme, atëherë le të kujtohet se populli këngët e veta i ka krijuar me zemër e jo me arësye..." Dhe duke shfrytëzuar gjenin krijues të popullit, duke shprehur interesat dhe kërkesat e shoqërisë dhe të popullit, poetët janë bërë të mëdhenj, rreth vetes kanë krijuar një masë të gjërë lexuesish. Sepse, siç pohon edhe kritiku ynë i mirënjohur  Rexhep Qosja, "poetët janë zëri më i artikulluar i një populli, i ndjenjave dhe i mendimeve të tij më të thella, i mundësive të tij shpirtërore dhe intelektuale”.
Një poet, i cili i ka shërbyer interesave dhe kërkesave të shoqërisë, i cili ka mbetur i patundur deri në vdekjen tragjike është, s’ka dyshim, poeti revolucionar i Spanjës, i Granadës –Federico Garcia Lorka, "Bilbili i Andaluzisë", siç e quajtën për të gjallë të tij. Ai derisa qe gjallë, e këndoi këngën e vuajtjes dhe të durimit, këngën e popullit të tij magjinë e fshehur poetike:
Erë, e lindjes
Një kandil
Dhe një thikë
Në zemër.
Rruga
Është bërë
Si tel
I nder
Si krahët
E një anëze
Nga çdo anë
Shoh
Thika
Në zemër
Të ngulura.
(I mbërthyer)

Vargjet e lartëshënuara flasin sheshazi për një poet të madh popullor, poezia e të cilit është e përmbushor përplot me metafora, krahasime, simbole e figura tjera. Poezia e tij lindi nga gjiri i popullit spanjoll, lindi natyrshëm e pazori ashtu siç lindin nëpër drunjtë e blertë gjethet. Poezitë e tija, nuk kapin vetëm një dimension kohor e një momente të jetës së poetit, por shumë dimensione e momente të shumë popujve. Aq më tepër në vjershat e tij nuk është krijuar simboli i jetës

Migjeni
njerëzore, dhe, së këndejmi, poezia e tij nuk është më subjektive, por është objektive. Nuk do mend se F. G. Lorka është një poet i madh që i takon tërë  botës, tërë njerëzimit, për më tepër është shumë i afërt me lexuesit shqiptarë, për shkak se nuk këndoi  vetëm për jetën, dashurinë, vdekjen ,peisazhet madhore të Andaluzisë, ëndrrat e andaluzianëve dhe të jevgëve, por ai diti të këndojë thellë me një talent mahnitës e pushtues edhe për Lirinë, hakmarrjen, doket, pasionet dhe gjakun. Pikërisht këto janë tematika dhe motivet që i kemi të trajtuara dhe të pranishme dhe  në letërsinë tonë. Duke lexuar poezinë e Lorkës, lexuesi shqiptar do të mishërohet me të, me ndjenjat dhe mendimet e tija, do ta ndjejë atë poezi si të veten. I këtillë është poeti ynë social, poeti ynë i vuajtjes dhe i dhembjes njerëzore - Migjeni, poezia e të cilit është kudo aktuale dhe e gjallë, në çdo mjedis shoqëror ku ekzistojnë kontradiktat e rrepta shoqërore. Migjeni ynë. megjithë jetën e tij të shkurtër, derisa qe gjallë pikturoi me forcë të vërtetë artistike problemet më shqetësuese të shoqërisë - jo vetëm shqiptare, indeferentizmin e shoqërisë së kalbur në një kohë të krimbur e të brejtur... Heronjt e tij janë fëmijët e mjerimit e të skamjes, janë shpirtra të shtypur e të vuajtur, lypsa e ushtarë të papërkulur.. "Vargjet e lira" të tij, të shkruara në një kohë të errët të fatit tonë historik, janë akuzë e rëndë dhe e hidhur e marrëdhënieve shoqërore në vitet e tridhjetë të këtij shekulli, këlthitje e një shpirti të ndjeshëm e kryengritës, që kërkon liri, dritë, drejtësi dhe jetë. Migjeni kryengritës shkruan me pezëm, dhembje, zjarr, ironi e me përbuzje:
"Mjerimi s'ka gëzim, por ka vetëm dhimba, dhimba paduruese që të bajnë të çmendesh, që t'apin litarin të shkojsh fill" e të varesh ose bahesh fli e mjerë e paragrafesh.
Mjerimi s'do mëshirë por do vetëm të drejt!
Mshirë? Bije bastardhe e etënvet dinakë, të cilt në mnyrë pompoze po si farisejt i bijnë lodërtinës me ndjet dhelprak tu'ja lëshue lypsit nji grosh të holl'në shuplak".
(Poema e mjerimit)

Migjeni qëndroi gjithnjë pranë popullit, diti të nuhasë kërkesat dhe interesat e shoqërisë shqiptare . Ai ishte një vëzhgues i thellë i lidhur shpirtërisht me shoqërinë me tërë realitetin e saj, së bashku me shërbëtorët, lypsat, fëmijët, që sapo lindin qanin si shpirt i keq, gratë e bukura që shitnin vetveten për të marrë do franga.
Vepra poetike e Migjenit, edhe pse ishte një pasqyrë reale e shoqërisë shqiptare më të gjitha të këqijat dhe të mirat e saja, ajo mbetet për atë kohë këngë që s'kuptohet nga mbretëria e regjimit zogollian. Së sprasmi, poeti do të mund të luajë një rol të rëndësishëm, relevant e utilitar brenda në shoqëri, vetëm atëherë kur të shprehë jetën në përgjithësi me të gjitha dëshirat, mundësitë, botëkuptimet dhe idealet e shoqërisë apo sikundër  theksoi kritiku i njohur rus Anatolij Lunacarski: ..Nëse
Duam ta kuptojmë shkrimtarin, dendur do të duhej që në veprat e tij të kërkohen tendencat e disa klasëve".



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora