E premte, 29.03.2024, 10:02 AM (GMT)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Ligji i lashtë i Lekës kishte bërë mrekulli në mes të ferrit nazist

E shtune, 29.01.2022, 07:47 PM


Blerim Latifi:

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Holokaustit

Shqiptarët e Kosovës nuk e pritën me pushkë pushtimin fashist. Jo se e donin fashizmin, sepse, në fund të fundit, ata as që e dinin se çfarë ishte fashizmi. Ata e dinin vetëm një gjë që Serbia zullumçare, e cila nga viti 1912 deri në vitim 1941 ua kishte bërë jetën ferr, ishte zhdukur krejt papritur.

Shqiptarët e Kosovës nuk u bënë fashistë, as atëherë kur fashizmi-kuptohet për qëllime të veta- ua ktheu flamurin kombëtar dhe ua hapi shkollat në gjuhën shqipe. Nuk pati shqiptarë që shkuan për të luftuar përkrah nazistëve në Stalingrad e Leningrad. Ata refuzuan thirrjet e Muftiut të Madh të Jerusalemit, të cilin Hitleri e solli në Sarajevë për t'i mobilizuar muslimanët e Ballkanit në projektin e Holokaustit. Përkundrazi, ata e bënë të kundërtën duke i strehuar hebrenjtë që po iknin nga makineria shfarosëse e Hitlerit. Komandanti nazist që mbikqyrte Divizionin "Skanderbeg", ankohej në Berlin se shqiptarët nuk po duan të luftojnë, se janë të padisiplinuar dhe vetëm duan të kthehen në shtëpitë e tyre. Pas luftës Xhafer Deva dhe Rexhep Mitrovica e vazhduan të qetë jetën e tyre, deri në vdekje. I pari në SHBA, i dyti në Stamboll. Askush nuk kërkoi të nxirreshin para drejtësisë, sepse ishte e qartë se nuk ishin përfshirë në krime kundër hebrenjve.

Ligji i lashtë i Lekës kishte bërë mrekulli në mes të ferrit nazist: -

Ndera e shqiptarit kërkon me marrë n'besë atë që t'bjen n'dorë!

-Ndera e shqiptarit kërkon me mbrojtë të dobëtin e të pafajshmin, që të troket n'derë e të flet: N'DORËN TANE, BURRË!

__________

PSD i ka premisat për t'u bërë një parti serioze në skenën politike kosovare, edhe pse tani duket më shumë si një klub i folësve të talentuar publikë.

Por, që t'ia arrijnë kësaj, u duhen paraprakisht dy gjëra: çlirimi nga politika e inatit dhe çlirimi nga anakronizmi ideologjik, të cilin e bartin që nga periudha e hershme e Vetëvendosjes. Çlirimi i parë ka të bëj me heqjen dorë nga angazhimi politik i motivuar nga inatet personale që kanë me Kurtin. Duhet të heqin dorë për të treguar se nuk vazhdojnë të vuajnë nga trauma e ndarjes me Kurtin. Trauma dhe inati nuk të mundësojnë politikë kreative. Ato të dënojnë të mbetesh rob i të kaluarës dhe i ndjenjave të revanshit e hakmarrjes. Ato të shpërfaqin si njeri që politikën e bën për egon tënde të lënduar, e jo për çështjet publike. Ato të dënojnë ta shohësh realitetin nga një persepektivë e ngushtë, nga ngushtësia e shpellës tënde personale. Njerëzit nuk do të të vijnë pas për të kënaqur ndjenjat tua të hakmarrjes.

Çlirimi i dytë ka të bëj me heqjen dorë nga megalomania boshe e diskursit neomarksist, me të cilin PSD e kishte mbushur Manifestin e saj politik. Nuk mund të kuptohet realiteti kosovar me koncepte të tilla si "providenca", "domosdoshmëria historike", "hegjemonia gramshiane", "lufta e klasave", "tjetërsimi e tejdeterminimi",  "lufta kundër korporatave multinacionale dhe kapitalizmit financiar", "kapitali që ia bën varrin vetes", "mungesa e qasjes internacionaliste, si shkak i krizës brenda të majtës", e broçkulla të tjera nga koha e debateve ideologjike të KOMINTERN-it. E vetmja fushë ku për këto koncepte mund të flitet seriozisht është historia e ideve politike. T'i marrësh seriozisht ato në rrafshin e politikës praktike të një vendi të vogël, siç është Kosova, është thjesht budallallëk, në kuptimin e plotë të fjalës.

__________

Meqë po flitet shumë për Ukrainën këto ditë, ja një historike tragjike shqiptare.

Në gjysmën e dytë të shekullit 18 një revoltë e madhe kishte shpërthyer në mesin e shqiptarëve ortodoksë në jugun e Shqipërisë. Reagimi osman ndaj saj ishte i pamëshirshëm. Diku rreth 2000 kryengritës, që nuk pranuan të dorëzoheshin, morën familjet dhe u nisën në një eksod gati biblik nëpër malet e Ballkanit. Pas muajsh të tërë, ata arritën në Ukrainë. Prej tyre u themelua komuniteti i shqiptarëve të Ukrainës. Të shkëputur dhe pa raporte me atdheun e tyre, ata nuk e kishin përjetuar zgjimin kombëtar, i cili kishte ndodhur në Shqipëri më shumë se një shekull më pas, por edhe përkundër kësaj, ata ia kishin dalë ta ruanin gjuhën shqipe dhe traditat e tyre etnike. Diku, me sa di, në vitin 1910 një grup i tyre u takua me Fan Nolin, i cili u foli për shqiptarizmin, u dhuroi një portret të Skënderbeut dhe i porositi që në çdo 6 maj të festonin ditëlindjen e heroit kombëtar si festën e tyre kryesore. Dhe ata nuk e harruan porosinë e shqiptarit të madh.

Sot mendohet se komuniteti i tyre është zvogëluar në rreth 4 mijë vetë. Nga presioni asimilues ka gjasë që në të ardhmen e afërt të humbin fare identitetin etnik dhe të mbesin thjesht një faqe tragjike në kujtesën historike të atdheut të tyre, të cilin e braktisën në një kohë të egër, për të mos e parë kurrë më.

__________

Ekziston një mit ndër ne që thotë se manastiret ortodokse, si ky i Deçanit, i kanë ruajtur shqiptarët gjatë sundimit osman. A përnjëmend mendoni se një shqiptar i leckosur, me një pushkë të ndryshkur, që bën roje pranë një manastiri, ka mundur ta mbrojë atë nga rrënimi?

Pastaj shtrohet pyetja: Nëse shqipet kishin aq vullnet për t'i ruajtur manastiret ortodokse, pse nuk i ruajtën edhe kishat katolike, të cilat pas vitit 1689 masivisht u rrënuan?

Përtej miteve e legjendave, e vërteta flet ndryshe: kishat katolike u rrënuan, sepse Perandoria Osmane vazhdimisht ishte në luftë me shtetet katolike europiane dhe, në këtë kontekst, kishat katolike shiheshin si kërcënime të brendshme, ndërsa manastiret ortodokse u ruajtën prej saj, sepse kishat ortodokse të Ballkanit, duke filluar nga Patriarkana e Stambollit, ishin aleate të Perandorisë Osmane, deri në fillimin e shekullit të 19. Bile paprekshmërinë e manastireve ortodokse në Kosovë e gjetiu e ka bërë ligj osman serbi Mehmet Pashë Sokoloviqi, veziri i madh i Sulltan Sulejmanit.

Leni përrallat, e shikojeni në sy historinë!

__________

Çfarë lajmi tragjik nga Shqipnia!

Një grua e moshuar, e braktisur nga të gjithë, paska vdekur nga të ftohtit në shtëpinë e saj të rrënuar. Tre fëmijë i paska rritur, por ata paskan ikur në Perëndim, duke e lënë të shkretë dhe pa mbështetje në vetminë e saj mizore. Duke mos pasur lekë të paguaj faturat e energjisë, poreznikët e pashpirtë të shtetit ia paskan ndalë energjinë. Duke jetuar midis një shoqërie të shurdhër, që qysh moti ka lënë prapa edhe ndjenjat më themelore të solidaritetit njerëzor, pra duke mos pasur ku të kërkojë ndihmë, ajo i qenka dorëzuar fatit të saj tragjik, fat të cilin ia sollën dy acare : acari i dimrit natyror dhe acari në zemrat e njerëzve rreth saj.

Sot dhe nesër storia për vdekjen e saj mizore do të qarkullojë nëpër media, pastaj shpejtë gjithçka do të harrohet në zhurmën e përditshme shurdhuese që bën Shqipëria virtuale në facebook-un e Edi Ramës dhe në zhurmën e çakejve të politikës shqiptare, të cilët e kalojnë gjithë motin duke ëndërruar që një ditë të kenë fatin e tij politik.

__________

A po nerth?

Në këto ditë shumë të ftohta janari, një nga pyetjet më të shpeshta që ia bëjmë njëri tjetrit është: A po nerth?

Të gjithëve na kujtohet kur Hashim Thaçi ia kishte bërë këtë pyetje Edi Ramës shumë vite më parë dhe Rama kishte reaguar i habitur, shkaku se nuk e kishte kuptuar fjalën “nerth”. Sigurisht ai nuk mund ta kuptonte këtë fjalë, e cila është hequr nga fjalori i shqipes standarte, me të cilën është rritur Rama. Ne patëm qeshur aso kohe me Thaçin, por në fakt kjo fjalë është një thesar që dëshmon rrënjët e lashta indo-europiane të shqipes. Fjala “nerth” është e lidhur me fjalët “north” të anglishtes dhe “nord “ e “nurtha” të gjermanishtës së vjetër, e “norte” të spanjishtes. Nerth, north, nurtha, nord e norte i bashkon rrënja indo-europiane “ner”, që ka kuptimin “majtas”, e që lidhet me faktin se kur e shikojmë diellin në lindje, veriu mbetet në anën tonë të majtë. Për më tepër, nëse i krahasojmë me fjalët si motra të gjuhëve tjera, rrënja e lashtë indo-europiane “ner” brenda shqipes është ruajtuar në formën e saj primordiale.

Me kohë “nerth” është bashkuar semantikisht me veriun dhe të ftohtin që vjen prej tij dhe me këtë kuptim ka mbijetuar në shqipen gegnishte. Pra le të vazhdojmë të pyesim njëri tjetrin: A po nerth? Sepse kështu e nderojmë vetë lashtësinë indo-europiane të gjuhës tonë.

__________

E pashë protestën e kuksjanëve në Morinë. Është aq e turpshme t'u ndalohet hyrja në Kosovë! Aq ma tepër që kjo bëhet në emër të disa masave kundër Covid, krejtësisht të paefektshme.

Hiqeni atë ndalesë turpi ndaj vllezërve tanë, të cilët me 1999 i strehuan në shtëpitë e tyre të varfëra qindra mijëra kosovarë të përzënë me dhunë nga ushtria serbe!

__________

Edhe Homeri, themeluesi i letërsisë botërore, ka qenë i verbër. Edhe Galileo Galilei, themeluesi i shkencës moderne. Edhe Jorge Luis Borges, njëri ndër më të mëdhenjt e letërsisë së shekullit XX. Edhe Louis Braille, njeriu që shpiku Alfabetin “Braille”. Edhe... Edhe... Është aq e gjatë, shumë e gjatë lista e atyre që patin fatin e keq të humbin dritën e syve, por me dritën e mendjes së tyre ndihmuan që njerëzimi të shoh më mirë në terrin e shkaktuar nga budallenjtë e zuzarët e të gjitha llojeve.

__________

Jean Jaures-in, liderin e socialistëve francezë në fillim të shekullit XX, e pyeti njëherë një gazetar: Ju socialistët flisni vazhdimisht për ndryshimin e botës! Çka nëse nuk ia dilni ta ndryshoni botën? Jaures ia ktheu aty për aty: Atëherë do t'i ndryshojmë fjalët!

__________

Të shetisësh dimrit në natyrë, i ke dy të mira: dimri ta mundëson njëlloj përjetimi gotik të natyrës dhe, sipas të gjitha gjasave, nuk do të takosh ndonjë njeri i cili, në bisedë e sipër me ty, ta bën atë pyetjen e sikletshme që kërkon përgjegje profetike: Kur do t'bahet mirë?



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora