E shtune, 20.04.2024, 02:43 PM (GMT+1)

Kulturë

Hektor Veshi: 50 librat e Viron Konës, gjerësi e pamatë e humanizmit

E marte, 25.01.2022, 09:00 PM


PESËDHJETË LIBRAT LETRARE TË VIRON KONËS, GJERËSI E PAMATË E HUMANIZMIT

Nga Hektor Veshi

Sa e gëzon autorin dalja nga shtypi e marrja në dorë e një libri? Përgjigjet si vlerësime janë të shumta ose të shumëllojshme. Por të gjitha janë forma të shprehjes së gëzimit nga autori.

Personalisht më ka ndodhur të shoh e të dëgjoj si kanë reaguar dy njerëz, dy krijues të mëdhenj shqiptarë. I pari, profesor doktor Shefik Osmani, shkencëtar i njohur i pedagogjisë dhe i historisë së arsimit shqiptar, me mbi shtatëdhjetë tituj librash të tij ose së bashku me të shoqen, tha për librin më të rëndësishëm të tij “Fjalor i Pedagogjisë”: “Nuk kam fëmijë, por kam djalë fjalorin”… Kush i ka njohur ata të dy si çift mësues, studiues e krijues të pandarë për mbi 65 vjet, prof. Shefikun “Mësues i merituar” dhe zonjën Urti Osmani “Mësuese e Popullit”, lehtësisht kupton e vlerëson madhështinë e shpirtit të tyre, rrezatimin dritërues në dijet e fëmijëve të Shqipërisë përmbi 65 vjet e më tej…

Krijuesi tjetër i madh i letërsisë për fëmijë e të rritur, për të cilin dua të flas këtu më poshtë, është Viron Kona, i mirënjohuri në mbarë vendin, madje edhe në shumë vende të Evropës deri në Skandinavi. E takova rastësisht më 31 dhjetor 2021. Ai si gjithnjë me atë buzagazin e pashterur dhe të qeshurin e thellë burrëror:

-Po këto libra? - e pyes për librat që mbante në dorë?

-Tani sapo mora kopjet e para nga shtypshkronja. Më vjen mirë që njërën nga këto kopje po ta dhuroj ty, - më tha.

Lexova titullun: “Pulëbardha e veriut të largët”, prozë.

-Edhe për mua është dhuratë, - vijoi Vironi, - pasi ma kanë shtypur miqësisht ata të shtëpisë botuese, ku kam botuar edhe një varg librash të tjerë...”

Pas kafes e urimeve të përzemërta edhe për vitin e ri 2022, këtij njeriu e shoku të dashur për të gjithë sa e njohin(!), me padurim lexova në autobuzin urban titujt e librave të botuar nga Vironi dhe u entuziazmova. Pesëdhjetë libra të botuar! - thashë me vete. Natyrisht, unë shumë nga ato libra i kisha lexuar. Jo të gjitha se Vironin, për nga ritmi i krijimtarisë, nuk arrin t’ia lexosh të gjitha me ritmin tonë tradicional, pshm. kur autori shkruan e boton një deri dy libra në vit...

Viron Kona dhe një pamje e disa prej librave të shkruara nga ai. Edhe përmes atyre 50 fjalëve e fjalive-tituj librash, truri i njeriut detyrohet të “ziejë” i turbulluar fort, për të arritur të rrokë e sjellë në mend tërësinë e tematikës së trajtuar e sidomos detet e mëdhenj të dijeve biologjike, historike, morale, pedagogjike, zakonore etj, etj, të pasqyruara herë shkurtimisht e herë gjatë në botë të shkuara, të mbitokës e të nëntokës, të jetës së njerëzve e të kafshëve, duke vënë në lëvizje mendje ëndërrimtare e mjete, me të cilat njeriu ndeshet, vepron, fiton apo edhe humbet si psh “turrja verbazi në det me anijepër të arritur…ku?!” - Atje ku nuk kthehesh dot kurrë më!

Natyrisht kjo sjellje apo veprim i pamatur i disave përshkruhet me dhimbje të thellë, pa britma për mentalitetin e disa njerëzve shqiptarë ose jo. Dhe përsëri sulet përpara për të çarë qiejt, të arrijë edhe planete të tjerë, “fqinj me tokën” apo larg, pambarimisht larg tokës sonë, ku njeriu në shekullin e ri XXII, ëndërron të arrijë!

Shumica e librave të shkruara nga Viron Kona janë tregime. Tregimet e tij nuk thuren mbi ngjarje të mëdha, me bujë apo të papritura e gjëmime. Ato e marrin temën që nga sjelljet fëmijërore, nga sjellja e prindërve, sjellja e veprimet e mësuesve në shkolla etj dhe me dëshirën e pashtershme krijuese të tij, tërheqin lexuesit në kuptime e mësime të thella për jetën, përvojën dhe dijet që përfiton njeriu.

Në dy drejtime e përqëndron objektivin Vironi, për të nxjerrë bukuritë e shkrimeve. Njeri është njeriu jo shqiptar, me të cilin është njohur nga afër për një kohë të shkurtër, apo relativisht të gjatë (ditë, javë, muaj), veprimtaria e gjithfarllojshme dhe gjurmët e lëna nga shqiptarët në kulturë, histori, arkeologji, gjeografi, në jetën shoqërore e kulturore pafundësisht të larmishme!

Dhe librat ndjekin njeri-tjetrin: konceptohen e shkruhen, p.sh.m. edhe pasi kthehet nga Turqia, ku kryesoi një ansambël artistik-kulturor; edhe pasi kalon një rrezik jete dhe operohet në Budapest të Hungarisë; edhe pasi “demokracia” e le pa punë e bukë për fëmijët dhe detyrohet të shkojë për të kryer punë krahu në Greqi; edhe pasi bëhet mik me popujt skandinavë si autor i librit të pëlqyer për fëmijë të përkthyer atje e duke i shpërndarë vetë disa kopje të tij. E, personazhi, djalë shkollar i etur për dije, Bubulino, bëhet hero kryesor i një vargu librash, i ngjashëm me Hari Poter, por ndofta edhe më i gjerë si shqiptar, që rritet përmes zgjerimit të dijeve e edukimit në Shqipëri për t’u bërë dikur, diku, një “kozmonaut ndërplanetar” bashkë me shokë e miq nga vende të përparuara të botës.

Sagë librash, shumë të pëlqyer e të vyer, përbëjnë ato kushtuar një personazhi plot vlera e lavdi veprash e krijimtarie letrare artistike e kostumesh kombëtare, të qëndisura prej saj, që falas ua shpërndan fëmijëve në shkolla në dy shtetet skandinave e mjaft vende të tjera, “Marigoja” shqiptare në Norvegji, zonja Emine R. Hoti. Ajo, përmes librave të redakuara nga shkrimtari Viron Kona, iu tregon shqiptarëve gjithçka të vyer në trojet ku ka shqiptarë dhe ata duan të shkojnë si turistë apo të mësojnë për historinë, gjeografinë e vlerat e pafundme natyrore e pasurore të trojeve ku kanë jetuar shqiptarët në shekuj. Sa libra mbajnë emrin e saj? Mua më dalin së paku njëmbëdhjetë. Përfshi edhe ato për njerëzit e vendeve skandinave ku shqiptarët kanë gjetur mikpritje e kulturë gati prindërore e zhvillojnë veprimtari krijuese të larmishme e të vazhdueshme, me emrat frymëzues të shqiptarëve të mëdhenj, Papa Klementi XI, Albani, ‘Nënë Tereza”, “Migjeni” etj.

I frymëzuar apo i revoltuar thellë, z. Viron ka krijuar edhe “Sagën” qytetare me problematikën e krijuar në vend, siç është ky tranzicioni ynë i pafund, për edukimin qytetar me personazh Papagallin Çate. A nuk tingëllon fuqishëm emri “Papagall”, për lojërat tragjikomike të shqiptarëve në këtë tranzicion të çorientuar, ku “papagajtë” na drejtojnë si në marramendje? E ne, i pranojmë, i durojmë, sado të shëmtuar që janë.

Faktet dhe arsyetimet e krijuesit Viron Kona, e nxitin atë të sjellë për ne, lexuesit e tij, shumë mësime për të kuptuar sa shumë kemi për të bërë në edukimin e gjithanshëm të njeriut, sjell fakte si, të dijë të mbrojë veten, të dojë e të mbrojë pronën, deri, të zbukurojë me sjellje e zakone edhe kafshët e bimët në natyrë…, për të emancipuar sa më shumë e në çdo aspekt njeriun tonë, si rruga e begatimit të jetës së secilit e të gjithëve bashkë. Jo me bashkim imponues organizimesh, por me bashkim vlerësimesh e qëndrimesh, edhe kur dikush ndodhet i vetëm e nuk e sheh askush, në mes të pyllit! Edhe atje nuk i vë zjarrin, as e pret me çfarë të ketë fidanin që nesër do të bëhet pemë kurorëmadhe e rrënjëfortë, që nesër do të bëhet aq e fortë sa do të tërheqë shiun e do të ruaj tokën nga çarja e gërryerja, do ruaj gjallesat në të e zogjtë mbi kurorë… Që në fund të fundit, do të jetë mburojë për ty o njeri, për pasardhësit e tu në breza, që do të jetojnë të shëndetshëm e të mbrojtur nga fatkeqësitë si erozioni, stuhitë e pabesa, etj, etj…

I uroj përzemërsisht mikut të të gjithëve, Viron Kona, këtij evropiani të njohur e të vlerësuar si krijues në shumë vende, që është nderuar edhe me shumë çmime për krijimtarinë e larmishme e cilësore letrare, siç i kujton i vlerëson e i citon ai personalitetet krijues nga ato vende ku shkruan, duke i dhënë ndonjëherë jetë edhe miqësisë së lashtë siç ka qenë ajo mes Skënderbeut e Huniadit hungarez..

I bashkohem Vironit, me ndjenjat e mëdha humaniste të publicist hungarez Julius Fuçik që, kur po e arrestonin nazistët lëshoi thirrjen e pavdekshme: “Njerëz, ju kam dashur! Jini vigjilentë!! Vigjilentë nga armiku me armë”, - tha ai, të cilës guxoj t’i ndryshoj paksa kahjen dhe gjerësinë kuptimore, bashkë me zërin e Vironit krijues: “Vigjilentë ndaj vehtes”! Se, kjo po bëhet gradualisht e më e rrezikshme në rrjedhë të këtyre kohëve tona moderne!

Hektor Veshi

Tiranë. 2022.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora