E marte, 23.04.2024, 12:47 PM (GMT+1)

Mendime

Nuri Dragoi: Debati për Skënderbeun është antishqiptar dhe antievropian

E premte, 12.12.2008, 09:28 PM


Nuri Dragoi
Debati për Skënderbeun është antishqiptar dhe antievropian

Historia e shqiptarëve është përshkuar nga atdhedashuria e brezave, por nuk ka munguar edhe cinizmi e ambiciet e renegatëve.

Nga Nuri Dragoi

Po t’i thërrasim kujtesës historike, doemos, do të jemi të detyruar të pranojmë dhe mangësitë tona, të cilat klasifikohen në dy grupime të veçanta. Disa prej tyre kanë të bëjnë me natyrën njerëzore dhe kanë si autorësi, emrat e Evës e Adamit, në kontekstin teologjik me “mëkatin”, por të parë më realisht, burojnë nga defekte specifike të mjedisit tonë të brendshëm, dhe konkretizohen me shembullin e Hamza Kastriotit, sozia e të cilit qarkullon edhe në ditët e sotme. Sami Frashëri, duke folur për çështjet e atdheut, thoshte se “shqiptar i vërtetë është ai që ka mendjen dhe zemrën shqiptare, që përpiqet për të mbrojtur gjuhën dhe atdheun e vet. Kur të bëhen të gjithë shqiptarët apo më të shumtit e tyre shqiptarë të vërtetë, Shqipëria atëherë është e bërë dhe e shpëtuar nga çdo rrezik”. Sipas këtij burri të madh, secili duhet të bëhet vet shqiptar dhe pas kësaj të përpiqet të bëjë dhe shokë të tjerë, që pak nga pak të bëhen shqiptarë dhe gjithë të tjerët. Duke qenë të bashkuar, mund ta bëjmë më lehtë Shqipërinë, pasi “bashkimi bën të mundshme gjërat e pamundshme, përçarja bën të pamundshme dhe gjërat e mundshme.”

Gjergj Kastrioti Skënderbeu është jo vetëm heroi ynë, por dhe burri që kërkoi të hapte dyert drejt Evropës. Ka një përpjekje të ethshme për të shuar kujtesën kombëtare. Në Përmet është hequr emri i “At Stath Melanit” nga shkolla e Petranit. Diku hiqet emri i Papa Kristo Negovanit. Shmanget portreti i Fan S. Nolit nga Kisha Ortodokse, në një kohë që ai është themeluesi i saj. Goditen rilindësit dhe tentohet të errësohet periudha e tyre. Kjo bëhet me qëllim, që në kujtesën tonë kombëtare, të mos mbetet asgjë, pasi kështu është me e lehtë shuarja e kombit. Një komb pa kujtesë historike është i destinuar të shuhet. Arrihet deri aty sa të fyhet Skënderbeu, miti i kombit shqiptar. Dhe kjo bëhet nga njerëzit tanë. Ben Blushi, në librin e tij, “Të jetosh në ishull”, merr në dorë bisturinë kirurgjikale dhe nëse do të flisnim me terma mjekësorë, duhet thënë se ai, gjatë operacionit të tij, në vend që të hiqte apandesitin, përkundrazi, ka hequr stomakun dhe ka prekur zemrën e historisë. Pra, i nisur nga fama e shumë shkrimtarëve botërorë, që janë marrë kohët e fundit me deheroizimin e heronjve apo me çmitizimin e miteve, Blushi ka synuar një vend të rëndësishëm në panteonin e letërsisë moderne shqipe. Por e vërteta është se shumë shpejt, në vend të panteonit, ky libër do të përfundojë në bodrumin e krijimeve letrare, për shkak të spekulimeve në lidhje me faktet historike. Të gjithë e dimë se spekulantët e letërsisë hapin një debat momental, por librat e tyre harrohen shpejt, për shkak të mesazheve regresive që mbartin, kur fyejnë personat historikë, simbolet kombëtare apo elementët fetare.

Pyetja e parë që shtron lexuesi ka të bëjë me dilemën, nëse libri i Blushit është një roman historik apo një vepër e thjeshtë letrare. Vetë autori është shprehur disa herë, që vepra e tij është një krijim letrar, me personazhe të stisura, prandaj Blushi ka kërkuar që ky libër të gjykohet vetëm për vlerat artistike dhe jo për të vërtetat historike. Këtu duhet sqaruar që, nëse libri i Blushit është thjesht një vepër letrare, atëherë asnjë lexues nuk do diskutonte për vlerat e tij, ngaqë këto vlera janë në nivelin mesatar, njëlloj si tek qindra libra të tjerë që botohen çdo ditë në Shqipëri. Mirëpo, debati për librin e Blushit është hapur për shkak se në këtë vepër letrare janë stigmatizuar personazhet reale të historisë sonë, duke filluar që nga Skënderbeu e deri tek denigrimi i elementëve kombëtarë apo riteve fetare. Autori në fjalë justifikohet me shprehjen se “këto janë thënie të personazheve dhe jo të miat”, me mendimin se të gjithë në këtë botë janë naivë, përveç atij. Ai harron se tërë vepra është përpunuar në laboratorin e shkrimtarit dhe ka dalë e përçudnuar në aspektin historik, për shkak se i tillë është dhe vet shpirti i shkrimtarit, i formuar me urrejtje fetare dhe politike për myslimanët, i deformuar me ideologjinë komunisto-bizantine. Ka dy arsye që sqarojnë përse Blushi e ka bërë këtë “By-pass” kirurgjikal në pjesët organike të historisë. Shkaku i parë mund të jetë nga naiviteti dhe papjekuria e shkrimtarit të ri, i cili nuk di t’i ndajë siç duhet kategorizimet e procesit të krijimtarisë, ku rregulli i parë është ky: Analizoje historinë, por mos spekulo me faktet reale, të vërtetuara katërcipërisht nga burimet arkivore. Ose e thënë më shkurt, ky postulat përkthehet: “zbukuro, por mos gënje”. Megjithatë, ka pak mundësi që Blushi të ketë rënë në këtë kurth thjesht nga naiviteti, sepse atij nuk i mungon pjekuria profesionale letraro-politike për të kuptuar një gjë kaq të thjeshtë. Pra, mbetet varianti i dytë, që Blushi ta ketë ndërtuar këtë panoramë historike me vetëdije të plotë, natyrisht, duke u fshehur pas shprehjes standarde se “unë kam bërë thjesht një vepër letrare”.

Pyetja që lind është e natyrshme: Përderisa ti merresh me personazhe të shpikura prej teje, përse përzihesh me figurën e Skënderbeut? Dhe nëse flet për figurën e Gjergj Kastriotit, atëherë përse ke dëshirë të hedhësh kaq shumë baltë mbi të?

Ndërsa Blushi e quan atë “të pabesë”, Tajar Zavalani shkruan: “Ai imponohej gjithnjë me forcën e karakterit të tij, me gjykimin e pagabueshëm, me aftësinë e tij si mjeshtër në artin e luftës dhe me shembullin që jepte duke dalë gjithmonë përpara. Por Gjergj Kastrioti nuk përbuzte kurrë mendimin e prijësve të tjerë të luftës kombëtare.”

Këtë e pohojnë dhe shumë të huaj. Piu II thotë: “Ai e kaloi gjithë jetën e tij duke luftuar për kauzën kristiane. Është zor me gjet një prijës kryqëzate, që mund të krahasohet me të”. Ndërsa për Papa Kalikst III, Skënderbeu “si një pendë e patundshme, ndaloi furinë turke dhe i pengoi të zaptonin Evropën Kristiane”.

Ka në botë shtete të tilla që nuk kanë figura historike me përmasa monumentale dhe përsëri u ka lindur nevoja t’i shpikin këto figura për t’i bërë të besueshme në opinion, në mënyrë që të ilustrojnë identitetin e tyre kombëtar me shembuj historikë. Ndërsa ne, për fat, kemi figurën reale të Skënderbeut dhe në vend që ta shenjtërojmë atë, po i hedhim baltë, për shkak të idiotësisë sonë.

Skënderbeu nuk është figurë e thjeshtë, pasi u përket të gjithë brezave të shqiptarëve që kanë jetuar këta shekuj. Shqiptarët nuk kanë pasur asnjë figurë tjetër më të përshtatshme e më të çmuar. Të shkruhet për Skënderbeun diçka që shmanget nga ky pëlqim masiv në shekuj, nuk është normale. Veprimtaria e Skënderbeut është ajo e një burri të madh, i cili duhej të mendonte për të gjitha çështjet e frymëmarrjes së një shteti të sapokrijuar në kushtet e zhvillimit të një lufte reale, konkrete, praktike, me një superfuqi agresive të kohës, luftë që e shoqëroi nga dita e parë e sundimit deri në ditën e fundit të jetës. Monumentin e tij e gjen në disa vende të Evropës. Në një shesh të Romës, ku ndodhet një përmendore kushtuar tij, shkruhet: “Gjergj Kastrioti Skënderbeu, mbrojtësi i qytetërimit Evropian”.

Monument i tij ngrihet në Vjenë, në Beograd, Bukuresht dhe gjetkë, ku ka emra sheshesh e rrugësh që mbajnë emrin e tij. Ai nuk është figurë e thjeshtë, për arsye se rajoni ynë u intereson faktorëve jashtëballkanikë, të cilët në përputhje me interesat e tyre ndikojnë në vlerësimet që popujt e këtij rajoni, kur ndërtojnë historinë e tyre dhe arsyetojnë rreth saj, të kenë parasysh aleancat strategjike që duhet të lidhin me këta faktorë.

Blushi, në këtë vepër, duke tentuar ta fyejë e zvogëlojë maksimalisht mitin e shqiptarëve, nuk ka bërë gjë tjetër, veçse e ka lartësuar atë.

Pra, ne po i përzëmë heronjtë njëlloj si në vjershën e Dritëro Agollit, ku shkruhet: “S’ka më heronj, heronjtë i përzumë”, etj, etj. Dhe në fund vjersha mbaron: “Tani ka shkurre dhe drurë/heronjtë i zumë me gurë.”

Duket që Blushi nuk e ka ditur thënien e Zef Valentinit, i cili vë në dukje: “Mos t’i shkojë kujt ndër mend ta ulë personalitetin e shkëlqyeshëm të Skënderbeut në nivelin e një heroi vendor mendjeshkurtër, se do ishte jo vetëm mëkat, po dhe një gjë e pamundshme. Skënderbeun e ka gjithë Evropa, e ka bota të vetin e përmes tij, e vetëm përmes shpirtit të tij, ajo ia njeh vlerën e meritat e hershme edhe Shqipërisë”.

Pas botimit të monografisë së austriakut Oliver Schmit për Skënderbeun, sjell në shqip nga Ardian Klosi, shpërtheu një valë iluzionesh dhe dyshimesh rreth figurës së këtij gjiganti të kombit shqiptar. Deri aty sa u vu në dyshim kombësia e tij, duke e kthyer në serb, me argumentin se emri i tij ka qenë Ivan. Emri i tij ka qenë Gjon dhe më vonë ai e ktheu emrin në Ivan, pasi nuk gjeti asnjë mbështetje nga katolikët e Venedikut dhe kur u mund nga turqit, të cilët i morën katër fëmijët peng, ai u kthye në mysliman, me emrin Hamza. Këto nuk kanë shumë rëndësi. Ajo që të tërheq vëmendjen është përpjekja që bëhet për destabilizim të brendshëm të vendit. Kërkohet që kombi shqiptar të mos ketë asnjë mit. Po punohet me një program të qartë. Sulmohen rilindësit, për bashkëpunim me të huajt dhe se nuk ishin të zot të krijonin shtet. Sulmohet Ismail Qemali, për lidhje të afërta me Greqinë dhe Turqinë dhe së fundi kërkohet heqja e emrit të tij nga Universiteti i Vlorës. Goditet Naim Frashëri, mohohet roli i Abdyl Frashërit në mbrojtjen e interesave kombëtare. Noli nxirret jashtë kishe dhe veprat e përkthyera prej tij nuk dihet ku janë, në vend që të shërbenin në liturgjinë kishtare shqiptare. Tani na qortojnë Skënderbeun se paska bërë gabim që tradhtoi Turqinë. Ka të tjerë që kërkojnë heqjen e tij nga historia e Shqipërisë, duke bërë një veprim edhe më të shëmtuar.

Ka pasur shumë tentativa për ta bërë grekë figurën tonë kombëtare. Tani disa thonë se babai i tij ka qenë serb. Me të drejtë Kadareja thotë:“Skënderbeu ka këto dy alternativa, që i lejohen tani nga renegatët tanë… Ose ta hedhim si figurë negative, që paska tradhtuar Perandorinë Osmane, ose, nëse do ta mbajmë, do ta mbajmë si serb”. Pra nëse e pranojmë që është serb, mund të qëndrojë, edhe pse ka tradhtuar Perandorinë.

Dhe të gjitha këto bëhen në një kohë që diskutohet çështja e pavarësisë së Kosovës. “Të ngresh tezën se një popull e ndryshon identitetin e tij pas një pushtimi është një gjë e turpshme”,- thotë Ismail Kadare. Duke u njohur me tendencat për të përbaltur Skënderbeun, shkrimtari i madh është shprehur: “Ka disa autorë që janë përpjekur ta bëjnë këtë gjë në mënyrën më të pafytyrë. Problemi është shumë i thellë dhe themelor për kombin shqiptar. Të çmitizosh figurën e Gjergj Kastriotit, do të thotë të bësh sulm kundër konceptit të lirisë”. (Gazeta “Panorama”, 17 nëntor 2008)

Ka shumë njerëz, brenda dhe jashtë vendit, që punojnë pa reshtur për të shuar kujtesën kombëtare, nën pretekstin se tani po shkojmë në Evropë dhe identitetet nuk kanë vlerë. Në këtë kuadër, gjoja për t’u larguar nga mitet, duan të na mbushin mendjen se Gjergj Kastrioti ka qenë një figurë negative e historisë shqiptare. Teza e parë për këtë çështje është krijuar nga fqinjët tanë, rreth tri shekuj më parë. Para tyre, këtë tezë e kishin ngritur turqit, se për ta Gjergj Kastrioti është një renegat, tradhtar dhe armik. “Të jesh kundër Gjergj Kastriotit, do të thotë të parapëlqesh robërinë para lirisë”,- thotë Kadareja. Nëse do të pranonim një gjë të tillë si komb, vijon më tej ai, Shqipëria do të ishte i pari vend në kontinent “që do t’i vinte një njollë të madhe dhe të shëmtuar historisë, që nuk do t’i hiqej në shekuj. Njerëz perversë, me shpirt pseudo-intelektuali, janë bashkuar në këtë fushatë, kur Gjergj Kastrioti është figura që simbolizon bashkimin e Shqipërisë me Evropën. Fushatë më të turpshme në histori nuk ka për të pasur dhe nëse e pranojmë, do të jemi kombi më pa dinjitet në Evropë”. (Gazeta “Panorama”, 17 nëntor 2008)

I të njëjtit mendim është dhe Sabri Godo, i cili në një intervistë dhënë për “Gazetën Shqiptare”, datë 26 nëntor 2008, lidhur me ndërrimin e emrit të Gjon Kastriotit, duke përdorur shprehjen e Çabejt, thotë: “Shqiptari e përdorte fenë si gunën për t’u mbrojtur nga erërat dhe ndodhte shpesh që sundimtarët e asaj kohe, të kalonin nga një besim në tjetrin”. Ai shpreh keqardhjen për këto sulme ndaj figurës së Skënderbeut, i cili ka qenë faktor kaq i rëndësishëm në atë kohë, sa ngjall debat ende në ditët tona. Për të janë shkruar qindra libra dhe ndonëse kanë kaluar 6 shekuj, shkruhen ende libra të tjerë, kushtuar kësaj figure interesante. Por nuk shihen me vend tendencat për ta fyer figurën e tij, për ta minimizuar, madje dhe për ta bërë “fajtor” në zhvillimin e ngjarjeve të shekujve që pasuan. Ndaj Godo vijon: “Skënderbeu është kthyer në një legjendë dhe me kohë legjendat bëhen mite… Ai shkriu jetën në luftën kundër invazionit turk dhe bëri çmos që këtë ta kthente në një luftë të gjithë popujve të Ballkanit dhe më gjerë. Dhe po të mos ishte kjo rezistencë e madhe e tij, shqiptarët do të qenë kthyer në një popull të robëruar”.

Austriaku Oliver Schmitt, në monografinë e tij për Skënderbeun, e konsideron luftën e tij si shkatërrimtare. Lidhur me këtë çështje, Godo shtron pyetjen: “A mos duhej pranuar më mirë skllavëria apo duhej luftuar për trojet dhe për lirinë? Shqiptarët me atë që bënë nën udhëheqjen e Skënderbeut, fituan të drejtën historike të quhen një popull që është i gatshëm të bëjë sakrificat më ekstreme, në mbrojtje të të drejtave të tyre. Ky është trashëgimi më i madh që na mbeti nga koha e Skënderbeut”.

Duke qenë një çështje që ka shqetësuar shqiptarët, në datën 28 Nëntor 2008, gjatë një interviste në stacionin televiziv “Alsat”, Kadare i rikthehet temës së Skënderbeut. Ai tha: “Debati është krejtësisht i gabuar, turpërues për Shqipërinë, për kombin shqiptar për dinjitetin e kombit shqiptar. Do të kujtohet si një gjë e neveritshme më vonë, siç kujtohen barbaritë e Haxhi Qamilit ose të Esat Toptanit. Skënderbeu është një figurë që nuk ka për çfarë të qortohet. Komuniteti Evropian ka qenë i pamëshirshëm me figurat që ndonëse kanë kryer një rol heroik, nga ana e jashtme kanë qenë të papranueshëm, saqë janë mohuar”.

Kjo tymnajë u shërben gjithë atyre duan ta shohin të përmbysur kombin shqiptar dhe jashtë Evropës. Është debat antishqiptar dhe antievropian.

Në gazetën “Dielli”, 16 shtator 1915, Mithat Frashëri tërhiqte vëmendjen e disa mangësive që kemi ne si komb, të cilat duhen shmangur me qëllim që të mbijetojë dhe zhvillohet Shqipëria. Mangësitë tona, në radhë të parë, ai i shihte te mungesa e bashkimit, te tendenca e mohimit të gjithçkaje. “Zilia dhe egoizmi janë dy sëmundje të mëdha dhe fort të dëmshme e të rrezikshme të racës sonë, dy sëmundje që burojnë nga mungesa e jetës politike dhe patriotike, që nuk kemi një gjykim të shëndoshë dhe të vërtetë për interesat tona, interesa lëndore ose morale. Kjo zili dhe ky egoizëm “pse të jetë ai e të mos jem unë”, na bën që shumë herë të themi “…më mirë të mos ketë fare Shqipëri”. Këto vese janë dhe premisë e moskuptimit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora