E merkure, 07.12.2022, 01:50 PM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Kur Andon Zako Çajupi paraprinte kohët, me përshkrimin therës të Klubit të Selanikut

E diele, 23.01.2022, 07:22 PM


Kur Andon Zako Çajupi paraprinte kohët, me përshkrimin therës të Klubit të Selanikut

Nga Elvi Sidheri

Andon Zako Çajupin e mbajmë mend dhe kujtojmë për një mori arsyesh të mirëfillta, dhe sidomos qëndrimet e tij përparimtare, kundër dokeve prapanike që patën pllakosur mes shqiptarëve të ndryrë në mugëtirën pesëshekullore osmane, si në vargjet e tij të paharruara:

“Burrat nën hije,

lozin, kuvendojnë,

pika që s’u bie,

se nga gratë rrojnë!”

Orientalizmi anadollak i shqiptarit të pagdhendur halldup të kohës së Çajupit, që rri të shullehet në hije, teksa gruas së vet të ngratë i këputet bretku nga sfilitjet, sidoqoftë, tejkalohet në përshkrimet e poetit të madh, në përshkrimin që gëlon nga sarkazma e tij therëse, kur ai merr përsipër të shpartallojë me portretizimin e vet, Klubin e Selanikut, ku në vend të luftohet me mish, mendje, dhe shpirt, për çështjen shqiptare, më tepër gjindja përdëllehen të murrëtyer për fatet e Turqisë që dergjet në grahmat e saj të fundit perandorake.

Ky përshkrim mjeshtëror i Çajupit, gjithsesi, ka meritën e veçantë, së pari, ngaqë u çjerr maskën këtyre njerëzve, që nën petkat e patriotizmit të rremë, mendojnë vetëm për mirëqenien e Perandorisë Osmane, teksa trojet shqiptare janë gati të shqyhen e copëtohen nga fqinjët e ndërsyer, dhe gjithashtu, fjalët sëmbuese të poetit të paharruar, na tregojnë haptas edhe për mendësinë e prapambetur të shumëkujt në këtë klub, që bashkëkombasit shqiptarë të fesë tjetër, i sheh akoma si të nënshtruar.

Për këtë arsye, ky përshkrim do lexuar, kuptuar dhe analizuar vazhdimisht, për ta njohur të shkuarën tonë historike, veçanërisht në momente kaq të rëndësishme, sikundër patën qenë ditët e fundit përpara shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, por edhe epokën tonë bashkëkohore, kur njerëz të tillë që vetëshpallen botërisht si patriotë, duke menduar dhe vepruar si halldupë, nuk mungojnë sërish.

Lexim të këndshëm:

Klub' i Selanikut

“Që kur thanë se prunë konstituçi (si ta themi shqip këtë fjalë?), shqiptarët po ngrenë klub ndë çdo anë, ndë çdo qytet, ndë çdo katund, brenda ndë Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë.

Mbase shumë shqiptarë nukë dinë se ç'domethënë kjo fjalë klub (Club). Meqënëqë dhe unë jam nga këta shqipëtarë të paditur, mora një ditë një fjalor dhe pashë se kjo fjalë qënka përdorur ndë ballë fare nga englezët dhe rrëfeka një mbledhje miqsh për të ngrën' e për të pirë, duke paguar gjithkush pes' e nga pesë. Klub qënka pra një gosti, një drek' a një darkë me refene.

Një doktor Johnson paska thënë se një klub është një shumicë burrash që mirren vesh dhe paguajnë që të kënaqen duke ngrën' e duke pirë bashkë. Prandaj nd'Anglëterë paska patur një klub me emër «Klub i kokës demit» dhe, që t'u qëndrontej e lirë, e bënin refene. Njëqint vjet më parë, paska qenë edhe një klub i quajtur "Klub i të liqve". Që të bënëshej anëtar, duhej të jeshe fort i shëmtuar, me fytyrë të ndyrë, i çalë, i verbër, dorac, i belbër, memec, kurrisdalë, veshgjatë etj, Një mbret, Karlua II paska qenë kryetar i këtij klubi.

Më vonë u vendosnë klube dhe për punë të pulitikës, domethënë njerëz që kanë një palë mend a një qëllim të bashkët, mblidhen e mirren vesh, paguajnë nga pes' e nga pesë, punojnë dhe lakmojnë për këtë e për atë qëllim për të cilin bahkohen bënen shokë.

Ahere pra, pse t'i thomi këtij bashkimi klub dhe jo shoqëri, q'është fjalë shqip?

Kur kupëtova mirë se ç'na tregon fjala klub, desha të kupëtoj dhe qëllimin e klubeve   që vendosnin sot shqipëtarët. Ky qëllim është i bashkët a i veçantë?

I atdhetartë, i vlertë, a i dëmçim? Punë fort e rëndë dhe, duke ndenjur këtu ndë Misir, ndë mes   t'arapëve e t'arapkave, ndë pikë të vapës, kupëtova që s'i apij dot funt kurrë. Vërtet keshe kënduar te fleta «Liria»1) se Klub' i Selanikut mpron të drejtat e kombit shqipëtar.

Vërtet keshe msuar se Klub' i Manastirit paskej bërë një Kongres2) (ç'domethënë prapë kjo fjalë?) për punë të abetit^) dhe paskej gjetur për mbarë të përdoren dy soje shkronja për gjuhën tonë.

Po këto lajme s'ishnë mjaft për të gjetur mirë qëllimin e klubeve. Për këtë shkak, u menduaç të bëj një udhëtim, që të shoh me syt' e mi dhe të ndëgjoj me vesht' e mi ç'punë bëjnë dhe ç'dobi kanë për atdhenë.

U ngresh, pra, dhe ika nga Misiri dhe vajta ndreq ndë Selanik, ku me vrap kërkova dhe gjeta vendin tek gjendet Klub' i Shqipëtarëvet. Ndë të dukur,   klubi dukej mos më keq o zot,... po do të ketë ndofta anëtarë me kokë të fortë! Gjeta brenda gjer 40 vetë, të tërë myslimanë, asnjë të krishterë! Asnjë, s'ma vari torbën, se mjerisht nukë dije turçe dhe këndonin gazeta ndë këtë gjuhë. Shtiva sytë më të katër anët e klubit mos shohë nonjë librë a nonjë gazetë shqip.

Asnjë për zonë!

Desha t'ikij, se pandeva se u gabova e hyra në nje Klub turqsh. Atë çast arriti kryetar i Klubit, Midat beu, me një bej tjetër. Guxova e thashë:

— Zoti bej, jam aksekush, u falem me nder, turçen, besa, nuk e di!...

— Prit, pakëzë, më thotë, se kam një çi-çi-çikë punë me bejnë.

Prita. Atje ku presë, pashë një djalosh të veshur alldupçe.

— Jam shqipëtar, thashë. Turçen s'e di. Të lutem tregomë Klubin e Shqipëtarëve, se një hamall më gënjeu e më solli këtu.

— Këtu, më thotë, është klubi tonë. Nga të kemi?

— Nga lumi që të më marrë...

— Sonte kemi mbledhje, se kushëriri i presidentit, që vete mutesarif në Seres ... do të flasë për Shqipërinë gjer' e gjatë, se është njeri fort i ditur. Vallahi, të rrish ta ndëgjosh.

Ndënja ndë një bri, me zemër të gëzuar, se do të ndëgjojë dhe unë një bej shqipëtar, nga der' e Frashërit, të na flasë shqip për më-më-më-dhenë. Pas pak erdhi beu: duart e anëtarëve u përpoqnë me një të madhe trokëllimë...

Beu qënkej i thatë, i verdhë, me një fytyrë fort të shëmtuar e të dobët, ndofta nga dituria e madhe. M'erth ndë mënt Klub' i të Liqve në Londrë, që kish për kryetar Karlon II.

Beu tundi kratë, u koll pakëzë, fshiu buzët, hapi gojën dhe tha... Mos pritni t'u them se ç'tha. Për zonë s'kupëtova dot mirë, se fjalët rrokulliseshin si dhëntë njëra pas tjetërs, ca të bardha, ca të zeza, ca syska, ca bejka, ca ruda, ca kaleshe, ca shyta, ca me brirë, po të të gjitha plaka të shkuara e të vjetëra.

Ne foli për Shqipërinë! Jo, besa! Foli vetëm për Turqinë.

— Alldupi ka qenë kështu, ka qenë ashtu, ka bere ketë, atë,.,. .sa dhe sot gjëndet një xhami ndë Vjenë! Ç'është Evropa përpara Turqisë?... Ata që lëvdojnë të krishtërimnë, janë te marë! Besa jonë është e vërtetë. Turqia duhet të rrojë, që të lulëzojë faq' e dheut! Që të rrojë Turqia ndë mes t'Evropës, duhet të mbanë vetë fuqinë ndë duar të tyre, domethënë ata vetëm të jenë ministorë, valinj, komandanë, ushtarë e gjykatës!... Të krishterët duhet të punojnë, se janë lindur vetëm për punë, për mjeshtëri e për bujqësi... Dhe kështu, me këtë mënyrë, turqit (thotë)

mundin të mbanë fuqinë, të kenë ndë dorë guvernën... dhe kështu do të rrojë me jetë!

Këto qenë fjalët e fundit të beut mut-e-sari.f të Seresit! Duartë u përpoqnë fort, anëtarët u lëshuanë të ngjatjetojnë bejnë... Zëmëra më qante dhe thashë me vehten time:

— T'u thaftë goja, more beu ynë! Të plastë koka more beu ynë! Të paskan lënë mëntë, more beu ynë!

Qënke veshgjatë, more beu ynë! Qënke turk, more beu ynë! Qënke xhonturk, more beu ynë! Ndë Klub të Shqiptarëvet na the si duhet të sillet Turqia që të shpëtojë nga rreziku i sotmë dhe të rrojë përjetë. Pse s'fole një fjalë dhe për Shqipërinë? Pse? Apo s'keshe se ç'të thoshe? Apo t'erth frikë nga xhonturqit, që të dërguan mut-e-sarif ndë Seres, që të shaç kaurët? Pse s'tu tha gjuha ndë gojë?...

Mos na thuani tjetër herë se ini shqipëtarë, mos na çani kryet me gënjeshtra, se u kemi kupëtuar se ç'ini ndë zemër tuaj! Ju punoni për Turqinë e jo për Shqipërinë. Fanatizma u ka verbuar. Duani t'u mbesojmë për shqipëtarë? Dilni nga buk' e turkut, hani bukën me djersë si neve e jo duke rrjepur, duke vjedhur. Hiqni dorë nga fanatizma e turqëve,   mirrni qytetërimin t'Evropit, që ndriçon botën, zbukuron mendjen, zbut zakonet. Nukë them ndëroni besën jo!

Po të ndërroni mendjen, të mejtoni  dhe të silli sperndimasit (evropasit) në dojni të rroni ndë mes t’Evropësë.

Besa jo, shqipëtarët myslimanë, s'janë të tërë si ky faqezi i çmendur, që lëpin, me far' e me fis, çanakët e xhonturqëvet dhe për këtë shkak i falet zotit të rrojë Turqia përjetë ndë Shqipëri. Zoti mos ndëgjoftë të tillë njerz të poshtër e këpucëgrisur!

Rroftë Shqipëria e lirë! U shoftë Klub' i Selanikut se qënka i xhonturqëve e, jo i shqipëtarëve! U shofshin të tërë klubet e Shqipërisë, në punojnë për xhonturqit dhe në kanë për qëllim çarje dhe armiqësi ndimes të shqiptarëve myslimanë e të krishterë!

Rroftë dashuria! Rroftë bashkimi!”

*) Botuar te gazeta «Rrufeja» e Egjyptit, gusht 1909, që e drejtonte Jani Vruho.



(Vota: 13 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Elvi Sidheri: Thadeus Benediktoviç Bulgarin, letrari i shquar kundërthënës ruso-polak, me origjinë të largët shqiptare Elvi Sidheri: Ati i 'Maqedonizmës' me rrënjë të panjohura shqiptare Elvi Sidheri: Letra e fundit para rënies heroike e Kristo Bagerit drejtuar të atit, Josif Bageri Elvi Sidheri: Një botim i çmuar për historiografinë shqiptare Elvi Sidheri: Aventurieri arbëror i shekullit XVI që sundoi brigjet e largëta të Indisë Elvi Sidheri: Anton Nikë Berisha - Krijues i mirëfilltë i letrave, që jeton me letërsinë dhe për letërsinë Elvi Sidheri: Vargjet e para në spanjishten mesjetare kushtuar Gjergj Kastriotit Elvi Sidheri: Gjenerali me origjinë shqiptare nga Shkupi që shpëtoi të krishterët e Stambollit Elvi Sidheri: Botohet “Qasje Artit Poetik” të Aristotelit, me shqipërim nga profesor Anton Nikë Berisha Elvi Sidheri: Dy Pjetër Bogdanët e mesjetës së arbërorëve dhe bullgarëve Elvi Sidheri: Familja Radovani dhe krerët shqiptarë të Kishës Katolike në Bullgarinë mesjetare Elvi Sidheri: Komitët shqiptarë në foto dhe dëshmi të panjohura të fillimshekullit XX Elvi Sidheri: E vërteta e munguar e vrasjes e mitropolitit të Korçës, Foti Kalpidis në vitin 1906 Elvi Sidheri: Intervistë me Entela Binjakun Elvi Sidheri: Intervistë me artistin Zoran Kardula Elvi Sidheri: Intervistë me gazetarin sportiv dhe shkrimtarin spanjoll José Manuel Puertas García Elvi Sidheri: Komitët e harruar shqiptarë të luftës për Maqedoninë Elvi Sidheri: “Jehu i Përjetësisë”, ose përçimi i trashëgimisë më thelbësore të veprës dhe jetës së At Zef Pllumit Elvi Sidheri: Rrush e dhelpra (metaforike e jo vetëm) Elvi Sidheri: Vlora, dikur qendër e hebraizmit në Mesdhe

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora