E enjte, 28.03.2024, 04:50 PM (GMT)

Kulturë

Emin Azemi: Thellësia e vëzhgimit - rrjedhojë e leximit të vëmendshëm

E diele, 23.01.2022, 04:47 PM


THELLËSIA E VËZHGIMIT – RRJEDHOJË E LEXIMIT TË VËMENDSHËM

Për librin me shkrime kritike letrare të Sabit Rrustemit, “Vepra letrare, një grishje e përhershme”, e cila këto ditë doli prej shtypit përmes Shtëpisë botuese, “Beqir Musliu”.

“[…] të shkruarit është gjithmonë eksplorim i vetes dhe i botës

njëkohësisht; eksplorim i qenies individuale dhe kolektive” - NADINE GORDIMER/1

Nga Emin AZEMI

Libri i Sabit Rrustemit “Vepra letrare grishje e përhershme” ndriçon një fushëveprimtari tjetër përballë poetit dhe tregimtarit, që e kemi njohur deri  më tani. Punimet që janë përfshirë në këtë vëllim dëshmojnë për një vokacion tjetër, ku autori përpiqet ta “destilojë” shijen e leximit deri në kufij të skajshëm, deri atje ku ndodhen pranë e pranë procesi i të shkruarit me aktin e vëmendshëm të leximit.

Pra, me parimet që zbaton në këtë vepër, autori na i rikujton disa nga këshillat e Senekës, sipas të cilit “nuk duhet as vetëm të shkruajmë e as vetëm të lexojmë: sepse, ajo e para e brengos më tepër njeriun dhe ia rraskapit forcën, meqë duhet të shkruajë, kurse e dyta e dobëson dhe shkakton cektësinë dhe hutimin e shpirtit.

Duhet kaluar shkëmbyerazi prej njërës dhe njërën me tjetrën duhet vënë në relacion të drejtë, kështu që pena në tërësi ta përpunojë tërë atë që kemi mbledhur duke  lexuar….”/2

Ky lexim i vëmendshëm i Sabit Rrustemit e shmang interpretimin e thjeshtëzuar, pra mundëson ta përjetojmë letërsinë si një “krijimtari” e rëndësishme, ku secili mund ta gjejë veten, pa frikën më të vogël se mund të humbas në xhunglën e madhe të formulimeve teorike-estetike.

Për këtë arsye veprat që vëzhgohen në këtë libër, vënë komunikim më të mirëfilltë dhe i vërejmë vlerat në mënyrë më të lehtë dhe krejtësisht të liruar nga barra e një lexuesi që paraprakisht (s’) duhet të pajiset me fjalor shpjegues letrar.

Këtë barrë na e heq Sabit Rrustemi, shkrimtar me një shije të hollë për “menynë” e përzgjedhur të vlerave letrare dhe me nivelin e lartë të kompetencës së gjykimit për veprën letrare; shkrimtar i cili me këmbëngulje arriti të ndërtojë konturat e veta prej krijuesi autentik, ku, siç thotë Borges-i, “[…] është e rëndësishme që libri ta takojë lexuesin e tij, sepse nëse nuk e takon këtë lexues, ai është shkruar kot/ 3”.

Për rrjedhojë, pesha e gjykimit të tij ka dyfish vlerë: në njërën anë, veprën letrare e vështron nga brenda, si një organizëm të cilit ia di çdo pjesë, mu si  një mjeshtër që i njeh edhe imtësitë, që për bazë ka gjykimin e veprave të kolegëve shkrimtarë.

Sabit Rrustemi e ka në ADN-në kulturën e refuzimit të animit të shpifur letrar, prandaj edhe ky libër i tij na vjen mu në kohën kur recensionet afirmative më shumë shkruhen me porosi, e më pak me bindje që buron nga ndërgjegjja e pastër krijuese.

Në kohën kur të shkruarit mbi letërsinë, në përgjithësi dhe, mbi poezinë në veçanti, ndjek njëfarë gjedhi, ku vlerat dhe jovlerat futen në një thes, duke i atribuuar poezisë edhe misione krejt të paqena, ndonëse një fenomen i tillë ishte stigmatizuar që herët nga korifenjtë e mendimit botëror letrar.

Hugo Friedrich theksonte: “Poezia nuk dëshiron të matet me atë që zakonisht quhet realitet, ndonëse atë e përdor si trampolinë për lirinë e saj […]

Realiteti është i ndarë nga rendi hapësinor, kohor, real dhe shpirtëror; ai mënjanon të gjitha ato dallime që janë të nevojshme për orientimin normal në botë: midis së bukurës dhe të shëmtuarës, afërsisë dhe largësisë, dritës dhe hijes, dhimbjes dhe gëzimit, tokës dhe qiellit. Nga tre llojet e mundshme të të kënduarit lirik – ndjenjat, vëzhgimet, shndërrimet – kjo e fundit dominon në modernitet, si në pikëpamje mbi botën ashtu edhe mbi gjuhën/4”.

I ndodhur mes harresës dhe kujtesës, njeriu ynë sot harron dy herë nëse nuk i kthehet letërsisë së mirë, siç vepron një shtegtarë i largët që natën vonë gjen rehatinë e çastit në një bujtinë të harruar, të cilën e vizitojnë vetëm të pasionuarit e rrugëtimeve të gjata.

Sabit Rrustemi ka vendosur të shkruajë për  autorë e tij të preferuar vetëm atëherë kur e ka kuptuar se nuk mjaftojnë vetëm tribunat, promovimet e diskutimet letrare që organizoheshin shpesh edhe nga ai vetë.

Me këtë libër, ai jo vetëm që kontribuon në afirmimin e një plejade autorësh të shquar, por me këtë bëhet edhe dëshmitar i një procesi letrar që u zhvillua natyrshëm në kuadër të një sistemi të organizuar aktivitetesh botuese e krijuese në qytetin e Gjilanit, ndonëse jo edhe pa ballafaqime e vështirësi, sepse siç e thoshte Bertolt Breht “[…] ai që është i vendosur sot t’i përvishet luftës kundër gënjeshtrës dhe padijes, për të shkruar të vërtetën, duhet të dijë të kapërcejë të paktën pesë vështirësi. Duhet të ketë kurajën për të shkruar të vërtetën, atëherë kur atë e kanë mbytur kudo; zgjuarsinë për ta njohur, sepse ajo është fshehur kudo, mjeshtërinë për ta shndërruar atë në një armë të përshtatshme; mprehtësinë për të zgjedhur pikërisht ata njerëz në duart e të cilëve ajo bëhet e efektshme dhe dinakërinëpër ta përhapur atë në mes njerëzve të tillë/5”.

Në letrat shqipe s’janë të panjohur autorët që lëvrojnë disa zhanre letrare, por të paktë janë ata, që kanë arritur të jenë gjithëpërfshirës në pikëpamje të vokacionit krijues dhe të ruajnë drejtpeshimin në mes të krijimtarisë dhe kritikës letrare.

Kjo mbase do të ketë qenë edhe arsyeja pse Sabit Rrustemi deri më tani ka hezituar të shkruajë mbi çështje teorike – estetike të letërsisë, duke e gjetur te vetvetja zërin e brendshëm krijues, ku edhe dha prova serioze në lëvrimin e zhanreve të shumta letrare, sidomos të poezisë dhe prozës.

Pa dashur të duket si një autor me prirje eklektike mbi letërsinë, Sabit Rrustemi megjithatë i rreket punës të përmbushë një detyrim intelektual e qytetar ndaj disa autorëve që kishin ndikuar në dinamizimin e jetës kulturore-letrare në rrethin e Gjilanit, prej nga vjen edhe brumi i këtij libri, të ndarë në katër pjesë, ku secila pjesë sjell natyrshëm veçantitë e prurjeve krijuese të disa autorëve në zhanre të ndryshme: poezi, prozë, dramë e kritikë letrare.

Qoftë si burim informacionesh letrare mbi vepra dhe autorë të ndryshëm, qoftë si referencë vlerësimi mbi specifikat dhe kahet e zhvillimittë letërsisë sonë, ky libër është një udhërrëfyes i dobishëm që na ndihmon të qartësojmë gjykimin tonë mbi prodhimin letrar që aktualisht gati nuk vërehet nga kritika letrare, sidomos kur kemi të bëjmë me autorë, bie fjala, si Agim Gjakova, Ibrahim Kadriu, Anton Nikë Berisha, Prend Buzhala, Albinë Idrizi, Linditë Ramushi, Muhamet Halili e ndonjë tjetër, të cilët janë aktivë dhe imponues me vlerat e tyre krijuese.

Si çdo vepër e arrirë, edhe ky libër me vështrime letrare i Sabit Rrustemit, do ta gjejë rrugën për të depërtuar në horizontet e pritjeve letrare, ndonëse kjo rrugë vazhdon të jetë e vështirë në kohën kur globalizmi dhe transformimi teknologjik mediatik i ka zhvendosur disa përbërës në hierarkinë e vlerave krijuese e humane, aq më tepër kur “në rrugën e njeriut, arti është paraqitur si pantera misterioze e Dantes.

Duke ecur para njerëzimit, në këtë rrugë ende djallëzore të ngjarjeve njerëzore, arti mes lëvizjes zigzage të egërsirës, orientohet nën yje dhe midis vullkaneve”/6

(Shkup, janar 2022)

_________________

Fusnotat:

1 . Shkëputje nga fjala e mbajtur me rastin e nderimit me çmimin

Nobel për letërsi më 1999.

2. Seneka, Letra Lucilit. “Rilindja”, Prishtinë 1983, f. 88.

3. Jorge L. Borges, Biseda. Tirana Times, f. 231-232.

4. Hugo Friedrich, Struktura moderne lirike. “Stvarnost”, Zagreb,

1969. f. 6-7.

5. Bertolt Breht, Pesë vështirës për të shkruar të vërtetën. Shih “Studime

kritike”. Shtëpia botuese “Naim Frashëri“, Tiranë, 1982, f. 33

6. Mirosllav Kërlezha, Kuptimi i poezisë. Shkëputur nga libri “Ese”.

Botoi “Rilindja”, 1982, f. 54.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora