E premte, 29.03.2024, 02:30 PM (GMT)

Kulturë

Bisedë me Qerim Vrionin

E marte, 06.09.2005, 11:06 PM


...të parin studjues dhe kritik të fotografisë artistike ndër ne...

Nga Bajram Sefaj

Bisedë me zotëri Qerim Vrionin, të parin studjues dhe kritik të fotografisë artistike ndër ne

Që në fillim të kësaj bisede, z. Vrionin e lutëm që, për lexuesit e gazetës sonë, të ngre dy paralele përnjëherësh, mbi dy vonesa: sa vjet është më e moçme paraqitja e fotografisë në botë, në krahasim me shfaqjen e saj në Shqipëri, e para, dhe, e dyta: pas çfarë kohe fotografia, thënë kushtimisht, fitoi “statusin” si krijim(tari) artistike?

z. Qerim Vrioni: Fotografia fillimisht si një shpikje teknike e, më vonë e vazhdimisht art, ka një vecanti në fillesat e saj. Kjo sepse ndonëse fotografia e parë ( “Prona në Gras” e Nisefor Nipse) daton vitin 1826, shpikjen e saj zyrtarisht Akademia Franceze e njohu më 19 gusht 1839, datë kjo që mbahet ditlindja e fotografise. Fotografia e parë në Shqipëri është e vitit 1858 me autor italianin e shqiptarizuar Pjetër Marubi, të cilën e ndajnë 32 vjetë nga fotoja e parë dhe 19 vjetë nga njohja zyrtare, që gjithsesi janë shumë pak. Duke menduar se 20-30 vjetë në historinë e zhvillimit të shoqërisë njerëzore janë të papërfillëshme, mund të themi se fotgrafia në botë dhe tek ne kanë pasur përafërsisht të njëjtin fillim.
Ndërsa për statusin e fotografisë artistike, nuk ka e nuk mund të ketë një datë të përcaktuar prerë. Gjurmët e para të artit në fotografi gjënden në merakun dhe kujdesin e fotografëve të parë në histori për të kuadruar pamje sa më të pëlqyeshme për syrin, dmth, shfaqje e sensit të të bukurës, e me ndryshe stërpikjet e para të fotove me art. Më vonë përparimi i teknologjisë së fotografimit shtoi kërkesat artistike.

Cilët janë të parët autorë, në botë dhe ndër ne, që fotografinë e thjeshtë e ngritën në shkallë arti?
Z. Qerim Vrioni: Fotografët e parë në histori janë N.Nipse, Lui Zhak-Mane Dager, Uiliam Foks-Talbot, Bajar, Zhiro de Pranguej, Draper, Hubert etj e sic e shpreha edhe më lart, qysh prej fotove të tyre gjejmë gjurmë të të bukurës. Futjes së artit në fotografi i dhanë zhvillim vecanërisht fotoportretistët, të cilët kuptuan se fotografia mund të shpërfaqë edhe tipare të karakterit , temperamentit dhe gjendjes psikologjike të subjektit (njeriut) duke nxjerrë në pah me mjetet shprehëse të saj si dritë-hija, kuadrimi, linjat, sfondi etj, ato pjesë të fizionomisë që plotësonin qëllimin e fotografit. Nga të paret që u dalluan nga mezi i shekulli XIX, ishin David Octavius Hill dhe Julia Margaret Cameron ( kjo me arritje të vecanta ne kendeveshtrimin psikologjik) e po ashtu bashkekohes me keta shkëlqeu Nadar ( Feliks Touranchon) i cili “arshivoi” fytyrat e njerëzve më të mëdhenjë të artit dhe kulturës së kohës së tij. Nga fotoportreti dalngadalë, u kalua tek pejsazhi piktorik, më pas tek kompozimi, fotomontazhi e duke u shtuar numuri i fotografëve artistë u rrit edhe kërkesa për të zgjedhur, gjë që natyrëshëm rriti edhe cilësinë dhe sasinë e artit ne fotografi. Fillimi i shekullit XX, sidomos 2-3 dhjetvjecarët e parë, me daljen e revistave të specializuara vetëm për fotografinë, i dha një shtysë të madhe fotografisë artistike. Ndërsa tek ne, përvec Marubëve, duhet të përmendim Idromenon në kapërcyell të shek.XIX-XX, si dhe Kristaq Sotiri i cili ka lënë një fond të vyer me foto të realizuara me kërkesa të larta artistike, kjo e ndihmuar tërthorazi edhe nga miqësia e madhe me piktorin e njohur Vangjush Mio.

Si në rastet e para ashtu edhe në këtë, as fotografia, pra artistike nuk vjen te ne me vonesë aq të madhe, pas asaj në Europë dhe në botë?
Z. Qerim Vrioni: Pikërisht ashtu është, fotoja artistike nuk vjen me vonesë tek ne. Përmendim këtu fotografinë “Lypës në rrethinat e Shkodrës” të Pjeter Marubit e vitit 1885 që, për nga vlerat artistike, qëndron si e barabartë me shume foto klasike bashkëkohese me të, tjetër gjë se ndër ne nuk bëhet publiciteti i duhur sic bëjnë të huajt. Pra edhe në cilësi nuk jemi kronologjikisht të mëvonëshëm. Por duhet theksuar se sot e gjithë ditës fotografisë fatëkeqësisht nuk po i kushtohet rëndësia e duhur. P.sh. ndodh që në ekspozitën vjetore Marubi të mos blihet asnjë foto, gjë që tregon interesin e dobët të konsumatorit të kulturës së fotografisë. Një pjesë të shkakut duhet ta kërkojme tek kritika e fotografisë që nuk nxjer në pah vlerat e tyre.

Po studimi dhe kritika mbi fotografisë artistike e ç’moshe dhe e ç’niveli profesional është ajo në trojet shqiptare, përgjithësisht?
Z. Qerim Vrioni: Unë kam lexuar c’është shkrojtur për fotografinë shqiptare në shtypin e vendit (në Bibliotekën Kombëtare) nga viti 1912 deri ne vitin 2000, rreth 200 materiale e nuk kam gjetur ndonjë kritikë apo analizë për një fotografi ose autor fotografish e këtë e them me keqardhje. Artikujt kryesisht janë marrë me anën historike të zhvillimit të fotografisë , me jetën dhe me informacione për krijmtarinë e fotografëve të traditës, gjë e mirë kjo, por e pamjaftueshme. Dicka më ndryshe në Kosove, por gjithmonë me studimin e fotgrafisë janë marrë kritikë pikture apo skulpture.

Kohë më parë, keni botuar librin (të dashur, them unë), me titull “Fotografia – një grusht diell”, i pari i kësaj gjinie që lexuesit (gjith)shqiptar i sjell artikuj dhe studime mbi fotografinë. Ç’thesar librash të tillë ka sot në libraritë dhe në bibliotekat tona?
Z. Qerim Vrioni: Duke qënë libri im i pari, hë për hë është i vetmi, shpresoj të pasohet nga të tjerë, ndërsa nga përkthimet prej 4-5 vjetësh është botuar vetëm “Fotografia”, një libër “ikonë” do thosha unë i studiuses së madhe Suzan Sontag, e ndarë nga jeta rreth një vit më parë. Ndërsa në biblioteka nuk gjen libra për fotografinë më të rinj se 25-30 vjeçarë.

Ç’status gëzon, përnjëmend, në hapësirën shqiptare, fotografia, në përgjithësi, e ajo artisitke, në veçanti?
Z. Qerim Vrioni: Fotografia në përgjithësi, e ajo artistike në vecanti , nuk gëzojnë ndonjë status për t’u pasur zili. Përvec dy organizimeve vjetore shtetërorere, “Marubi” në Tiranë (në pranverë) dhe “Gjon Mili” në Prishtinë (në fillim të shtatorit), për fotografinë nuk ka veprimtari tjetër periodike. Aty këtu , në Tiranë hapet ndonjë ekspozitë vetiake me një numur të kufizur punësh që nuk lënë shumë vragë.. Ekspozita më serioze është celur në vitin 2003, nga fotografi prishtinas Fahredin Spahija në Muzeun Historik Kombëtar këtu, që përvec numurit të kënaqëshëm të punëve (rreth 80), shquhesh edhe për nivel të lartë artistik të fotografive. Ekspozitat përgjithësisht vizitohen ditën e përurimit në prani të mediave , pastaj frekuentimi thahet. Të meremi vesh , nuk është se këtu nuk krijohen foto artistike dhe nuk ka fotografë pasionantë me kërkesa të larta estetike, madje edhe me prirje të kënaqëshme për fotografinë e kohës, por problemi qëndron në menazhimin e dobët të këtij brezi fotografësh. Psh. mund të organizohen ekspozita me pjesmarje të përcaktuar moshe, me tematikë të vecantë, si vetëm me portete ose me peizazhe, ose edhe me bazë teknikën. Këtu më i rëndësishëm është publiciteti që u duhet bërë ekspozitave para, gjatë dhe sidomos pas mbylljes kur lipset të organizohen biseda ku te analizohen arritjet, por edhe problemet që dalin përpara fotografisë shqiptare në këtë fillimshekulli. Në fotografinë shqiptare ka figura dinjitoze, ku përvec Marubëve, për të cilët janë botuar 2-3 albume me foto, për fotografë të tjerë si Idromeno, K.Sotiri, V.Burda, Manaki etj, të viteve të para të 1900-tës, nuk është shtypur asnjë katalog qoftë vetjak apo kolektiv. Ky konstatim qëndron edhe për figura të mëvonëshme të fotografisë shqiptare si vëllezërit Ristani, Pici, Bali etj e deri tek të rinjtë me prurje shumë interesante. Tjetër, qysh para më se tre vjetësh kam ngritur në shtyp domosdoshmërinë e pavionit të fotografisë artistike në Galerinë Kombëtare të Arteve (gazeta Shekulli, 26 korrik 2002), e deri tani nuk është bërë asgjë në këtë drejtim.

Po plasnimi (plasmani) i fotografisë artistike, përmes faqeve të shtypit të ditës, të periodikut, përmes monografive dhe mënyrave të tjera, i çfarë niveli, sasie e cilësie është ai sipas vlerësimit tuaj?
Z. Qerim Vrioni: Shumë rrallë gjen vend në shtyp fotoja artistike me këtë status, e kjo është për të ardhur keq se shumë të përditëshme këtu kanë fotografë të talentuar që mund të vecojnë një qoshe të faqes së gazetës të cilësuar “Foto artistike” në të cilën të zenë vend punë të tyre, të bashkëkombasve dhe të të huajve. E këta fotografë, e përsëris të talentuar, përcjellin në faqet e shtypit ngjarjet e një apo dy ditëve më parë. Nganjëherë shohim në gazeta foto të stërzmadhuara me qartësi shumë të dobët, e po ashtu vërej raste kur fotot zgjidhen me shije e sidomos vendosen bukur, dhe kjo vendosje të përgatit psikologjikisht për përmbajtjen e shkrimit. Në gazetat tona shume rrallë gjënden foto të shoqëruara me diciturën “botohet për herë të parë” që do të shtonte interesin për fotografinë. Sa për monografi për fotografë ose periudha të caktuara në histori të fotografisë shqiptare, tani për tani as që bëhet fjalë.

Çmoheni si studjuesi dhe njohtësi më i çiltër i artit marubian e, sidomos, i atij të opusit të Gjon Milit. Me kompetencë mund të thoni se sa e njeh Evropa dhe bota artin e tyre dhe si e çmon (vlerëson) atë?
Z. Qerim Vrioni: Fototeka “Marubi” është vërtetë një thesar kombëtar dhe shumë studiues të huaj e vizitojnë vazhdimisht. Puna është tek menazhimi si duhet i këtij thesari, gjë që kërkon përvec zellit e përkushtimit, edhe fantazi në gjallërimin e ekspozimit të herëpasherëshme të krijimtarisë me tematikë të caktuar nga fondi marubian. Ndërsa Gjon Mili, është një fotograf shumë i njohur amerikan me origjinë të fortë shqiptare, kështu që emri i tij është shumë i njohur për botën e fotografisë. Ka disa vite që Shtëpia Botuese e Londrës “Phaidon”, e specializuar për artet pamore nxjer një album me titull “The Photo Book” me 500 foto të përzgjedhura nga historia e fotografisë botërore nga një komision i posacëm. E në këtë album përfshihet fotoja “Kapiteni Mark Raka dhe bajraktari i Shales” e Kel Marubit (1922) dhe “Pikaso duke vizatuar me dritë” e Gjon Milit (1949). Në këtë album që rishtypet vazhdimisht, ka shumë vende të Europës që nuk përfaqësohen fare. Përfshirja jonë është dinjitoze përkrah emrave më të shquar të fotografisë botërore. Shtëpia Botuese “Phaidon” boton edhe albume të tjera për artet pamore, gjithmonë me nga 500 punime, por në asnjërën prej tyre nuk përfaqesohet arti shqiptar përveçse me fotografinë. Edhe ky është një fakt i pakundërshtueshëm për vlerësimin e botës për fotografinë tonë, sidomos për atë të traditës.

Në Tiranë organizohet ekspozita vjetore “Marubi”, kurse në Prishtinë ajo me emrin “Gjon Mili”, çfarë mendoni në lidhje me këto dy zhvillime, mbi nivelin e tyre artistik, tash në fillim të rrugës dhe mbi përspektivën e tyre për t’u zhvilluar në manifestime të njëmendta artistike, në këto dy kryeqendra tona administrative dhe kulturore?
Z. Qerim Vrioni: Po, në Tiranë organizohet prej disa vjetësh ekspozita-konkurs e përvitëshme e fotografisë artistike “Marubi” me një statut të aprovuar nga ministri i atëhershëm i kulturës, Edi Rama. Paraprakisht duhet thënë se kjo ekspozitë është një gjë shumë e mirë për zhvillimin e fotografisë shqiptare në përgjithësi, si dhe për nxitjen e forcave të reja krijuese në këtë fushë të arteve pamore. Por fatëkeqësisht këto 2-3 vjetët e fundit organizimi i saj është nënvlerësuar duke shkelur haptas nenet e statutit që normon punën e tij. Psh. kuratori caktohet pa konkurs, ky cakton tamatikë, kur sipas statutit ekspozita është e hapur, e kjo tematikë njoftohet një muaj para celjes së saj, nganjëherë nuk caktohet fare juri e katalogu, si regull del 10-12 muaj pas organizimit të ekspozitës, ndonjherë nuk jepen fare cmime etj. Kjo ka bërë që në të të mos marin pjesë emra të njohur të fotografisë bashkëkohore shqiptare. Megjithatë pjesemarja ne ekspozitë është shumë masive, e rrjedhimisht në të ekspozohen edhe foto me nivel artistik. Mendoj se do të kishte më shumë sukses dhe do të ishte më i vlefshëm nëse do të trajtohej më seriozisht nga organizatorët. Ndërsa për ekspozitën-konkurs “Gjon Mili” edhe kjo për foton artistike, që hapet në Prishtinë, mendoj se është më serioze dhe iu nënshtrohet disa rregullave të përcaktuara dhe është me afër përcaktimit “manifestim i njëmendët artistik”. Të dy veprimtaritë kanë mangësi organizimin e diskutimeve krijuese në fund të manifestimit, gjë që do tja u rriste vlerat dhe do ti bënte më të efekteshëm për paraqitjen sa më dinjitoze të fotografëve shqiptarë. Shpresoj se në të ardhmen këto veprimtari do të organizohen më seriozisht në mënyrë që fotografia shqiptare në të dy anët e kufirit të përhapet sa më shume, e njëkohësisht të bëhet estetikisht sa me cilësore.

I pari libër që hedh dritë në artin 150 vjeçar

Dhurata Hamzai

Me qëllimin e begatë për të nisur një traditë të re në fushën e arteve figurative, pak ditë më parë artisti i njohur Qerim Vrioni promovoi një libër me artikuj e studime mbi fotografinë artistike në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Në këtë promovim ishin të pranishëm mjaft shkrimtarë, studiues dhe artistë për ta përshëndetur autorin, sepse ky është edhe libri i parë që botohet te ne me problematikën e fotografisë artistike. Megjithëse fotografia artistike shqiptare është një traditë që shtrihet në një periudhë kohore prej 150 vitesh, askush më parë nuk e ka marrë mundimin që të analizojë dhe të ndërtoj koncepte estetike për fotografinë dhe fatin e saj si art në zhvillim, ashtu si Qerim Vrioni e konsideron imazhin fotografik. “Është në dobi të zhvillimit të fotografisë sonë artistike dhe të gjykimit estetik të saj që kjo nismë të vazhdojë dhe të thellohet më tej. Librin e sapodalë në dritë nga botimet “Logoreci” dhe që titullohet “Fotografia-një grusht diell” e ka përshëndetuar edhe një nga zërat më të njohur të kritikës në Shqipëri Prof.Ramadan Sokoli, etnomuzikolog. Ai ka thënë: “Me shkoqitje të thukëta rreth potreteve, peisazheve, kompozimeve, e madje dhe kumteve, autori i librit zbërthen me mjeshtëri e kulturë profesionale thelbin e fotografisë artistike”. Po kështu daljen në dritë të këtij libri e ka përshëndetur edhe Viktor Gjika, kinoregjisor (Artist i Popullit). Gjika thotë se “libri është shkruar me dashuri e preokupim te veçantë dhe dëshmon përgatitjen e nevojshme profesionale të autorit si dhe shijen e tij të lartë artistike që e vërteton para së gjithash përzgjedhja dhe analizat serioze të fotografive më të shquara dhe autorëve të tyre. Nga mjeshtëria e analizave në mënyrë të veçantë do të përfitojnë fotografët tanë”. Ndërkohë fotografi artist nga Prishtina, Fahredin Spahia ka shkruar në kopertinën e librit se “autori i librit është ndër njohësit më të mirë të fotografisë artistike në botën shqiptare. Analizat e tij esteike për një sërë fotografish të Marubëve dhe të Gjon Milit, na lirojnë nga ankthi gati shekullor i mungesës së kritikës së mirëfilltëtë fotografisë artistike shqiptare”. Pra, libri që shenjon fillimin e kritikës së fotografisë artistike nis me titullin “Fotogarfia-një grusht diell” dhe brenda tij gjenden artikujt dhe studimet e para mbi fotografinë. Autori Qerim Vrioni thotë për “TemA” se nxitje për këtë libër ka qenë terreni i virgjër. “Në bazë të bibliografive unë kam shfletuar shumë arkiva, por më ka ardhur keq që nuk ka pasur as një vështrim kritik mbi fotografinë artistike. Kështu Qerim Vrioni ka hedhur tek ky libër disa vështrime studimore mbi legjendat e fotografisë shqiptare si Marubi, Gjon Mili e Kel Marubit. Po ashtu ai ka hedhur vështrimin edhe mbi legjendat e fotografisë botërore si Nadar-i që quhet “Ticiani i fotografisë” dhe autorë të tjerë si Dorotea Lenxh, e lindur në Nju Xhersi (bijë emigrantësh gjermanë) dhe francezi Anri Kartje-Breson, miti i fotografisë botërore. Libri është shoqëruar me ilustrime dhe analiza të spikatura studimore. Sipas autorit që ka shkruar parathënien e këtij libri, Aleksandër Babes; “Në dy shekujt e fundit, fotografia, kjo fushë e veçantë e veprimtarisë intelektuale dhe shpirtërore e njeriut na vë shpesh në mendime dhe na bën të pyesim: Si ta kuptojmë atë?. Ç’vend zë ajo në thesarin e krijuar nga njeriu, është prodhim teknik apo vepër arti”. Pra, në librin e parë që bie si një grusht diell mbi fotografinë artistike ka një informacion të begatë dhe interesant.
 
Vlerësime për librin e Qerim Vrionit mbi fotografinë

Prof.Dr. Kudret Velça

Libri “ Fotografia një grusht diell” i Qerim Vrionit, përmbledh shkrime të tija mbi fotografine shqiptare dhe botërore dhe përbën një risi në këtë fushë të krijimtarisë sonë artistike, duke iu qasur problematikës së fotografisë artistike nga një këndvështrim mjaft modern bashkëkohor. Ky është libri i parë që botohet tek ne me problematiken e fotografise artistike dhe kjo është meritë e autorit që duhet përgëzuar. Me këtë libër, krahas paraqitjes së zhvillimit historik të fotografisë shqiptare dhe botërore dhe përfshirjes së korifejve të kesaj fushe artistike, ai çel shtigje të reja në mënyrën sesi duhet gjykuar e analizuar një foto artistike. Këtë ai e bën duke harmonizuar dhe shkrirë në të vetme analizën sociologjike me atë artistike. Një rrugë e tillë të ndihmon të depërtosh në gjykimin artistik, duke ndihmuar kështu në zhvillimin e gjykimit estetik dhe në kënaqesinë artistike që të jep një foto e tillë artistike. Ky qëndrimi i tij është rezultat i konceptit estetik që ka ai për fotografitë artistike, koncept modern dhe bashkëkohor. Merita e autorit është se ai, duke u mbështetur në këto koncepte estetike bën analizat e veprave që merr në shqyrtim, duke treguar vlerat e tyre të vërteta artistike. Këto analiza bazohen edhe në të dhënat historike, politike e shoqërore të kohes kur eshte realizuar fotoja, duke gërshetuar analizat artistike me ato shkencore. Nje rruge e tillë te ndihmon te zbulosh vlerat artistike e shoqerore te veprës dhe te meson se si duhet pare e vleresuar nje fotografi artistike që nuk është një kartolinë e thjeshte, por një vepër arti. Autori ka ndertuar strukturën e brendëshme të veprës dhe ka përzgjedhur materialin e domosdoshëm fotografik per argumentimin e estetikës së tij për foton artistike.
Zhvillimi modern, bashkëkohor i artit ka treguar konkretikisht përafrimin e artit me teknikën. Është kuptimplotë mendimi i Pikasos, kur pa fotot e Gjon Milit, se “edhe me teknikë krijohen vepra artistike”, sidomos duke pasur parasysh fotografinë e Milit “Pikaso duke vizatuar me dritë”. Pra në gjykimin e fotografisë artistike autori mbështetet fort në parimet e estetikës bashkeëkohore. I mbështetur në këto parime ai vazhdon punën e tij studimore edhe në kapitujt e tjerë....Duke lexuar librin më tërhoqi vemendjen një rastësi, mbase edhe e qëllimshme, por që fiton, sipas meje, një kuptim të thellë simbolik. Libri në drejtim të analizave konkrete të fotografive, çelet me fotografine artistike të Pjetër Marubit “Lypës në rrethinat e Shkodrës” bërë në vitin 1885 dhe mbyllet me foton artistike të Dorote Lenxh “Nënë e shpërngulur” e vitit 1936, të cilën diku autori e quan me të drejtë “Nënë e shpërngulur” shqiptare edhe pse fotografia është bërë në Amerikë. Ne analizën artistike që i bëhet lypsit plak, nga autori hidhet sentenca “Dinjitet në varferi”, kjo përsëritet edhe te “Nënë e shpërngulur”. Dy fate të njëjta që nuk i ndahen popullit tonë: varfëria dhe mërgimi. Dy vepra me një domethenie të madhe jo vetem shoqerore, por në radhë të parë njerëzore. “Syri i dhembshur” i tyre, jo vetëm që fotografoi varfërinë tek ata, por në të njëjten kohë edhe dinjitetin e tyre njerëzor... Fotografia nuk eshte e atyperatyshme, por e kompozuar si nje pikture me nje subjekt te caktuar. Ky kompozim tregon per aftesite regjizoriale e skenografike te fotografit, por ne radhe te pare per konceptin e tij artistik ne paraqitje e atij momenti te rendesishem politiko-shoqeror. Ai i vendos personazhet ne menyre te atille qe te dale sa qarte ky moment historik... Shkrimet që Qerim Vrioni ka përfshire në vëllim për Gjon Milin na japin një portret pak a shumë të plotë në dy drejtime kryesore: si shqiptar dhe si artist i madh. Është një fenomen i rrallë që një fëmijë 5-vjeçar të ruajë gjuhën shqipe si në të folur dhe në të shkruar, të lidhet me shqiptarët më të shquar si Faik Konica, Fan Noli e të tjerë, gjë që tregon atdhetarizmin e tij. Si artist ai radhitet në pleiaden e fotografëve-artistë më të mirë të Amerikës. Nga krijimet artistike të Milit në libër janë riprodhuar shumë foto, por të bëjnë përshtyje ato të Pikasos duke vizatuar më drite, Fan Nolit, Edit Piafit etj. Në kapitullin e fundit autori shkruan për katër figura të shquara në historinë fotografisë botërore që kane influencuar shumë në përfshirjen e saj në artet pamore, si Nadar, Robert Kapa, Dorote Lenxh dhe Anri Kartje-Breson. Për këtë të fundit studiuesi i madh i artit Gombric shkruan: “Fotoja Aquila degli Abruzzi” për nga forca tërheqëse konkuron me shumë piktura të qelluara”. Kjo nismë e Qerim Vrionit duhet përshëndetur dhe inkurajuar.
 
Një libër që ka qëlluar në shenjë

Sadik Bejko

shënime mbi librin “Fotografia një grusht diell” të Qerim Vrionit

Qerim Vrioni me botimin e librit të tij “Fotografia një grusht diell” mund të quhet një studiues i fotografisë. Them studiues i fotografisë se ky libër i ka të gjitha përbërësit për të shpallur të tillë autorin. Ky libër madje do të vlente si një doracak për ata që duan të njihen me zhvillimet e fotografisë, me lindjen e saj në botë, me fillimet aq fatlume të saj tek ne, me ata që ai e quan “Yllësia Marubi”, me zhvillimet do të thoshim historike, që mori fotografia në shekullin e njëzetë, përfaqësuar nga disa prej emrave më të mëdhenj botërorë si shqiptar-amerikani Gjon Mili, me fotografë si D. Lenxh, Kapa, Kartie-Bersson etj. Në këtë shekull të bumit të informacionit, shekull të imazhit kinematografik dhe televiziv, fotografia ia doli mbanë sepse, siç thuhet shpesh, një fotografi e mirë flet sa 1000 fjalë, aq sa një shkrim standard i gazetarisë së sotme. Ndaj parashtrimi kronologjik, me shtirje nga fillimet, tek vlerat tona të traditës dhe deri tek disa nga arritjet më me famë në botë, i ka dhënë përmasa të qendrueshme librit të Vrionit.
Krahas këtij strukturimi profesional e kohor, ajo çfarë ia rrit vlerat shkencore librit, veç ilustrimeve, është dhe pajisja e teksteve me fusnotat përkatëse, duke vënë qartë e saktë burimet mbi të cilat autori është mbështetur. Kështu, nëse në dukje kemi përpara një libër modest, jo me qëllime komerciale, në brendësi të tij ka atë punë të imët dhe të përkorë që kërkon durim dhe pasoin, punë që do kohë e përkushtim për t‚u arritur. Krahas gazetave dhe revistave të shquara shqiptare e në gjuhë të huaj, janë shfletuar albume, libra, fjalorë enciklopedikë, historikë dhe shkencorë, pra rreth 100 tituj, të cilëve autori u është referuar dhe i ka cituar. Është për t‚u çuditur, por edhe për t‚u përshëndetur ky autor, se tek ne ka njohës dhe njerëz që i janë përkushtuar me jetë fotografisë, por mundet, nga që duhet kjo punë e imët dhe skrupuloze me dokumentin, ata nuk i kanë hyrë një ndërmarrjeje të tillë. Mbase duhet dhe guxim. E themi këtë se një libër i këtij lloji, me kaq kompletim shkencor i ka munguar lexuesit tonë dhe amatorit të fotografisë. Dhe s‚duhet ta harrojmë se me rritjen e shtypit tonë në këto vite edhe ne shqiptarët zbuluam atë që në botë dihej me kohë: shekulli i njëzetë me fotografinë e papozuar në gazeta e revista, e ktheu këtë mjeshtëri në një nga mjetet më të rëndësishme të komunikimit të përditshëm.
Sipas autorit, fotografia është një pasuri që ka vlera njohëse e dokumentare të pashoqe. Këtë vlerë ka arkivi Marubi për kulturën tonë. Mund të mbetesh shumë i kënaqur për atë analizë që ai u bën disa prej kryeveprave të fondit Marubi. Vlerësimi te fotografia “Dorëzimi i armëve” e Kel Mrubit, përfshirë dhe në albumin anglez “The Photo Book” me 500 fotografi nga gjithë bota, është i shtirë në planin kohor, zbulohet momenti historik, emrat dhe historia e shkurtër jetësore e personazheve, pastaj qëndrohet në zbërthimin e detajeve të veçanta që e bëjnë përmbajtjen e kësaj fotografie aq solemne dhe njëherësh aq të ankthët. Duhet të ndalem në këtë pikë. Qerim Vrioni është një analizues i sigurtë si i planit të përgjithshëm ashtu dhe i hollësive domethënëse që e bëjnë një fotografi të flasë edhe më përtej se një moment i dhënë. Dhe në këtë libër janë shumë fotografi të autorëve tanë të shquar, por dhe të huaj që analizohen shkallë-shkallë, me shumë konçizitet dhe përqëndrim në atë më thelbësoren për stilin e autorit dhe për mezazhin që përciell. Të gjitha këto të çojnë te hapja e syve, te ajo se si duhet ta lexojmë një fotografi, te kuptimi i asaj që na mahnit dhe na bën që të ndalemi e të themi: sa e bukur, sa me vlerë kjo fotografi.
Nisur nga sa thamë, autori përçon dhe për nga vlerat estetike që përciell fotografia, te ajo që nuk është vetëm një dokument, një dëshmi për një kohë, vend a situatë të caktuar. Vlerat estetike kanë çuar nga fotografia artistike. Shumë nga fotografët e shquar në botë kanë qenë miq të poetëve dhe të piktorëve të mëdhenj të shekullit të njëzet, si miq të Pablo Pikasos, të Eluarit etj. E kjo do të thotë se surealizmi me gjetjet e tij i dha artit vizual të shekullit të njëzetë diçka nga ankthi ekzistencial e nga ai kapërthim imazhesh e linjash që çonin nga e pavetëdijshmja. Kjo do të thotë se edhe fotografia nuk ka pasur nevojë vetëm për risi teknike, por edhe për ide. Ky lloj kompletimi i ka bërë disa nga emrat që përmend autori në këtë libër si Gjon Mili, Kartie-Bresson dhe Kapa personalitete me ndikim të pashlyer në jetën shpirtërore të shekullit të njëzetë. Ana tjetër, ajo që fotografia vlerësohet për vlerat kryesisht estetike, ka bërë që Kartie- Bresson të jetë mik i Paul Strand, Jean Renoir, por dhe të vlerësohet krahas tyre për imazhet e paharruara të fotografive të tij. Pra të jesh fotograf i madh, veç të tjerash, duhet të jesh personalitet me cilësi të shquara. Kjo mbase ka vlerë për atë që mjedisi ynë shpesh e sheh fotografin vetëm si njeriun që di të bëjë “resme”.
Ky libër mbase i pari i këtij lloji tek ne, them se ka qëlluar në shenjë. Mesazhi i tij është që fotografia mund të na e zbukurojë jetën, por dhe të na japë sy që ta zbulojmë dhe ta kuptojmë më mirë atë. Ajo është diell, i shërben ndriçimit dhe ngrohësisë së jetës.
Fotografia-një grusht diell

Libri ynë i parë i fotografisë

Ben Andoni

“Analizat e tij estetike për një sërë fotografish të Marubëve dhe Gjon Millit, na lirojnë nga ankthi gati shekullor i mungesës së kritikës të mirëfilltë të fotografisë artistike shqiptare”. Këto fjalë, që i dedikohen Fahredin Spahisë, artistit fotograf nga Prishtina, duket se mund të jenë vlerësimi më i saktë për botimin e fundit dhe tw vetwm tw kwtij lloji, që i kushtohet fotografisë. Ajo mban emrin e autorit Qerim Vrioni, i cili duhet vlerësuar në përpjekjen e tij edhe për dy elementë thelbësorë. E para është domeni i bibliografisë, që tregon interesat dhe fushëpamjen e tij dhe e dyta gjuha e përdorur shqipe. Të mjaftojnë këto dy elementë për të vlerësuar një përpjekje që është vërtetë elitare e autorit. Merita e tij wshtw se tw merr në botën e subjekteve të tij, që ka përdorur, dhe që janë zërat më përfaqësues të fotografisë botwrore dhe asaj kombëtare dhe përmes tyre ai tw tregon realisht idenë e tij se “Fotografia është një grusht diell”. Dhe, ashtu si ‘personazhet’ e tij që kanë bërë artin e madh të fotos dhe Vrioni ka filluar thjesht duke e futur lexuesin që në konceptet e fotografisë, pastaj ka vazhduar me Yllësinë Marubi. Për kapitullin e dytë, ai ndjek disa nga fotot më të rëndësishme të Marubëve duke na dhënë interpretimet e tyre nga këndvështrimi intelektual i tij. Eshtë një përpjekje interesante për të na rreguar ndryshe artin e madh të tyre. Ka vazhduar pastaj me Gjon Millin. Patjetër, që nuk mund t’i shpwtonte njeriut, që ka bërë Legjendën e fotografisë në shekullin e XX dhe që ruajti- deri në fund gjuhën shqipe. Për të hedhur dritë mbi të, ai ka shfletuar si pak kush dhe mundohet që të na fusë në botën e madhe të Millit. Kapitullin e fundit, ai e ka kushtuar për Fotografinë Botërore dhe duket pak si “cinizëm”, që fundin e mbyll me Anri Kartje-Bresson, mjeshtrin e amdh francez, që vdiq gati një vit më parë. Shembulli i tij” ka ngacmuar vazhdimisht fotografë në të gjithë botën”, thotë autori, por dhe duke na thwnw se ka qenw njw nga mw tw adhuruarit e tij.
Por, do të donim, që tw ktheheshim në interpretimin që u ka bërë fotove shqiptare. Për herë të parë- tw duket se kupton si duhet “Lypësin”, “Dorëzimin e Armëve”, apo “Shotën” etj. Ai trajton me elegancë detajet dhe nga bashkimi i të gjithw elementwve tw jep mrekullinë e mendimit për fotogafinë. Vrioni bën një sintezë të mirë të fotografisë dhe kjo na bën të vlerësojmë këtë art, për të cilin duhet thënë se i kanë munguar libra të tillë.
Mund të zgjatesh pa fund për librin, por do të mjaftojë qw të shikosh strukturën e librit, për të kuptuar se autori ka dashur të jetë sa më i drejtpërdrejtë në kumtimin e idesë së tij. Dhe, ti pasi e lexon librin të mbetet thjesht të duash artin e vendit tënd, dhe me shumë magjinë e fotografisë, që Vrioni e ka përkëdhelur me shumë sqimë në rrjeshtat e librit të tij. “Me shkoqitje të thukta rreth portreteve, peisazheve, kompozimeve dhe kumteve, autori zbërthen…thelbin e fotografisë artistike”,-shprehet Prof Ramadan Sokoli për të.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora