Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Dafina Selimi: 'Rrënjët e Kujtesës', një roman i fuqishëm

| E diele, 16.01.2022, 08:18 PM |


Vepra “Rrënjët e Kujtesës”, një roman i fuqishëm

Nga MBa Dafina Selimi

Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë u promovua libri i parë i autorit e Kujtesës”.

Gjerë më tani Ramiz Selimin e kemi njohur si aktivist, humanist, por edhe si gazetar e publicistë. Dhe, tani me botimin e romanit “Rrënjët e Kujtesës”, do ta njohim edhe si shkrimtar. Ai me vite të tëra u kujdes të na informoj nga dora e parë për organizimin dhe jetën e mërgimtarëve në Austri. Pastaj botën tonë të shkrimeve na e begatoj, me opinione, komente dhe intervista të shumta, jo vetëm me personalitete shqiptare, por edhe me shumë figura të njohura evropiane. Sot kjo vepër letrare e vlerësuar jashtëzakonisht nga kritikët është qershia mbi tortë, pasi romani është unik dhe i veçantë në globin tonë. Shenjat e para nga lexuesit të cilët e kanë lexuar librin para promovimit janë tepër mbresëlënëse.

Në mungesë të moderatorit, i cili ishte infektuar me virusin Covid-19, ashtu krejt papritur udhëheqjen e evenimentit e mori përsipër gazetari dhe publicisti i mirënjohur zoti Sabit Jaha. Si mysafirë i ftuar nuk i kishte ndodh asnjëherë që i papërgatitur ta udhëheq një promovim, tha ai. Madje ky spontanitet edhe autorit i kishte pëlqyer pasi Sabit Jaha me qetësinë, përvojën dhe fjalët që zgjodhi, jo vetëm që e begatoj, por i dha ngjyrë të këndshme asaj dite.

Lidhur me veprën dhe autorin foli Safet Gërxhaliu, i cili tha se botimet e tilla duhet të jenë një motivim shtesë për gjithë ne.

“Dhurata më e mirë e që ka marr Kosova në këtë kohë është libri i Ramiz Selimit. Një libër i tillë dëshmon më së miri së njeriu në jetë ballafaqohet me shumë sfida”.

Ai tutje foli për autorin dhe rrugëtimin e tij në mërgim dhe sfidat me të cilat është ballafaquar. Tha se Ramizi me aktivitetin e tij ka kontribuar në shoqata dhe klube që edhe shqiptarët të jenë mirë të organizuar atje ku jetojnë. Pos këtyre që kishte cekur Safet Gërxhaliu tha se Ramizi me hulumtimin i tij nëpër arkiva historike kishte hasur në një leksikon gjerman nga viti 1844 për shqiptarët, të cilin e kishte përkthyer në shqip. Dokument i rëndësishëm për historianët shqiptarë.

“E shfletova me kënaqësi këtë libër dhe i pash sfidat e një mërgimtari dhe zakonisht në kulturën dhe traditën tonë ai që flet duhet të duartrokitet”.

“…autori në një kohë të vështirë i dha Kosovës një libër kaq të rëndësishëm”. e përfundoi bisedën Safet Gërxhaliu.

Ndërkaq kritiku letrar Prof. Prend Buzhala tha se kjo vepër është një roman social dhe historik që paraqet me realizëm përjetimet e familjes së Ilirit. Tha se, romani tregon për një periudhë shumë të rëndësishme në historinë e Kosovës, pasi është mirë që edhe ato tregime të shkruhen dhe të mos mbesin vetëm gojëdhëna. Për këtë arsye tha se libri “Rrënjët e Kujtesës”është i rëndësishëm jo vetëm për lexuesin, por edhe për vet historianët. Buzhala tregoi se romancieri është fokusuar në përshkrimin e karakterit, emocioneve dhe detajeve.

“Autori na jep alternativën e vërtetë të familjes dhe të djalit të tij, pastaj martesën. Çështja e identitetit nacional, mënyra e jetesës dhe qëndresës në atë kohë dhe jeta patriarkale, janë makro tema e romanit”.

Ai tha se dialogu është mjeti kryesor i ballafaqimit të personazheve dhe të gjitha ngjarjet sillen rreth Dardanit dhe babait Ilirit. Skenat e dhunës nga pushtuesi e zëvendësojnë njëra tjetrën, deri sa romani përfundon me dhunën dhe vrasjet në ushtrinë jugosllave.

“Gjatë leximit të romanit të duket sikur kohët i merr përdore, si fëmijën dhe bashkëbisedon me personazhet. Si Iliri ashtu edhe Dardani dinë për të kaluarën vetëm nëpërmes rrëfimeve gojore, prandaj rrënjët qëndrojnë në kujtesë.

Ky roman i fuqishëm ruan fillin e komunikimit me lexuesin, ani pse me stërzgjatje që e kërkon ky zhanër.”

Ndërsa një fragment nga romani “Rrënjët e Kujtesës” e lexoi njëri nga gazetarët më të njohur që kishte dhe ka Kosova zoti Asllan Bajrami. Zëri i tij i jashtëzakonshëm ngriti vëmendjen e mysafirëve dhe njëkohësisht edhe vete vlerën e evenimentit. Ngjarjen e asaj nate me kukuvajkën Rinën dhe Dardanin, kur Iliri i sëmurë gjendej para vdekjes e lexoi në mënyrë brilante.

Kurse autori i librit Ramiz Selimi pasi ka përshëndet mysafirët ka treguar arsyet se pse ka filluar të shkruaj dhe rrjedhën e letërsisë deri në botimin e këtij libri. Tregoi rrugën sesi kishte filluar të merrej me shkrime, sesi kishte nisur të shkruante opinione, sesi erdhi deri tek shkrimi i këtij romani.

“Disa aktivistë dhe kolegë në Vjenë më kërkuan ta botojë një libër të publicistikës, meqenëse i kisha botuar mbi 500 shkrime. Ato vite kur pata probleme të mëdha shëndetësore me 9 ndërhyrje kirurgjikale, kur pata mendime jo të mira për shëndetin, thash me vete, më mirë është ta shkruaj një biografi, që së paku ti mbetet familjes, sepse shkrimet mund ti bëjë libër kur të dua”.

Tha se atëherë kur i kishte shkruar 200 faqe biografi një miku i tij austriak i kishte thënë se zakonisht në perëndim më tepër lexohen biografitë e personaliteteve të shquara, kurse tjerat vështirë se dalin mbi sipërfaqe. Megjithatë miku i kishte propozuar të provonte që këtë biografi ta kthente në roman, sepse ashtu ishin gjasat më të mëdha që të lexohej.

Tutje shtoj se vëllimi i dytë me emrin “Udhëtimi i Dështuar” pritet të dal nga shtypi në muajin tjetër. Janë gjithsejtë katër vëllime, ku do të përkthehen edhe në gjuhen gjermane, angleze dhe suedeze.

Autori i falënderoj miqtë që ndihmuan në përgatitjen e librit, duke filluar me shkrimtaren Zonjën Violeta Allmuça, e cila bëri redaktimin dhe lekturimin e librave, pastaj shkrimtarin dhe profesorin e nderuar Zotin Prend Buzhala, që bëri një analizë letrare profesionale. Gjithashtu ai falënderoj edhe shkrimtarin nga Shkodra Zotin Ragip Dragusha, i cili shkruajti një recensim për ueb faqen e tij, si dhe dizajnuesin e ballinave zotin Altin Qyqalla.