Kulturë
Trojet e Arbrit: Personaliteti shumëplanesh i Mustafa Merlika-Krujës
E diele, 16.01.2022, 03:10 PM
Shoqata "Trojet e Arbrit "më 10 qershor 2022 në Prizren organizon sesionin e V-të, të veçantë shkencor me temën:"Personaliteti shumëplanesh i Mustafa Merlika- Krujes dhe ndihmesa e tij themelore në jetën kulturore e politike të Kombit shqiptar , me rastin e 135-vjetorit të lindjes (1887 - 2022)."
Ftohen studiuesit shqiptarë të cilët kanë materiale
arkivore, letërkëmbime, dhe materiale tjera, dhe qe janë njohës të kontributit kombëtar, politik,
shkencor, dhe kulturor te atdhetarit Mustafa Merlika-Kruja që te paraqitën me
temat e tyre deri më 30 prill 2022. Për t´iu orientuar se në cilën veprimtari
mundeni të merrni temën tuaj po e japim një profil të shkurtër të nënshkruesit
të Pavarësisë së Shqiperisë që në moshën 25 vjeçare atdhetarit, politikanit dhe studiuesit Mustafa Merlika –Kruja.
Mustafa Merlika – Kruja lindi në Krujë më 15 mars
1887, nga një familje me origjinë nga
malësitë e Kurbinit. Mësimet e para i mori në Mejtepin e qytetit të lindjes, për të vazhduar më tej në Idadijen e Janinës e
për të mbaruar shkollën e mesme në gjimnazin "
Numune-I Terakki " në Stamboll. Nëpërmjet konkursit të përvitshëm u pranua në Shkollën Civile
Mbretërore " Mylkije-i Sahane" ( I njëmbëdhjeti në 70 pjesëmarrës për dyzet vende). U
diplomua në Shkenca politike dhe administrative në moshën 23 vjeçare në vitin
1910. Gjatë studimeve u shqua për veprimtari atdhetare dhe demokratike, nëpërmjet shkrimeve të ndryshme në gazetat e
Stambollit me pseudonimin Asim Xhenan.
Më 1910 u kthye në Shqipëri e i u fut profesionit të
mësuesit por edhe veprimtarisë politike. Para Shpalljes së Pavarësisë, së bashku me Abdi Toptanin dhe Kapidanin e
Mirditës shkoi në Shkup për të bashkërenduar veprimet me kryengritësit kosovarë
të Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Nexhip Dragës, Isa Boletinit, Zef Kol Ndoka (Zefit i Vogël), dhe Pjetër Qeli, në cilësinë e sekretarit të kryengritjes
shqiptare për Shqipërinë e Mesme e të Veriut.
Më, 28 nëntor 1912
ishte në Vlorë, si përfaqësues i
zgjedhur i parisë së Krujës, ku firmosi
Dokumentin e Pavarësisë dhe u emërua si zv. Prefekt e më vonë si sekretar i
Këshillit të ministrave në moshën 25 vjeçare. Nga Vlora u emërua drejtor i
Arsimit për qarkun e Elbasanit e, më pas,
si këshilltar për Arsimin në qeverinë e
Turhan Pashës. Luftoi rebelimin e Haxhi Qamilit e përkrahu ardhjen e Princ
Viedit në Shqipëri. U burgos nga Esat pashë Toptani, atij që kish ngulur këmbë të shkruhej në
Mylkije, mbas ikjes së Princ Viedit, i cili e dënoi me burgim, duke e çuar në Sicili nëpërmjet italianëve.
Mbas dy vitesh u lirua nga burgu dhe u emërua kryeredaktor i gazetës" Kuvendi", që botohej në Romë nga miku i tij, Sotir Gjika. U kthye në Shqipëri në dhjetor
1918 e mori pjesë në Kongresin e Durrësit, ku u emërua ministër i Postë-Telegrafave dhe
sekretar i Dërgatës shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris, ku u shqua për hartimin e të gjithë
dokumentacionit të Dërgatës në gjashtë muajt e parë të veprimtarisë.
Deputet i Kosovës në zgjedhjet e para parlamentare të
Shqipërisë së pavarur më 1921, u bashkua
me grupin e deputetëve shkodranë në parlament. Mori pjesë në Lëvizjen e marsit
1922, së bashku me Zija Dibrën, Elez Isufin, Bajram Currin ku u detyrua te mërgoj pas
deshtimit të kësaj kryengritje.U kthye në Shqipëri në qershor të vitit 1924, për t’u larguar përsëri prej saj në
Krishtlindjet e atij viti, mbasi kishte
kryer detyrën e prefektit të Shkodrës, gjatë qeverisjes së Fan Nolit.
Në 15 vitet e mërgimit në Zara, në Gjenovë e në Gjenevë, veç veprimtarisë politike e publiçistike, punoi në hartimin e Fjalorit të madh të Gjuhës
shqipe. U rikthye në Shqipëri më 1939, "i vendosun mos me marrë pjesë n’asnji qeveri pushtimi ". U emërua njëri ndër katër Senatorët e Mbretërisë dhe
Kryetar i Institutit të Studimeve shqiptare. Në nëntor 1942 Mustafa Kruja u
thirr nga Françesco Jacomoni, zëvendës i
Mbretit në Shqipëri, për një bisedë
tepër serioze, në të cilën ky i fundit i
kumtoi krijimin e PKSH, të drejtuar nga
emisarët jugosllavë dhe propozimin për të marrë në dorë qeverinë. Lajmi qe
tronditës sepse, simbas mendimit të tij,
përbënte një rrezik për t’ardhmen e
Shqipërisë. U mendua disa ditë për propozimin e së fundi vendosi: “Nuk nguroj
më: të dali ku të dali, vendos të marr
mbi vete përgjegjësitë e mija”. Këto janë fjalët tekstuale, me të cilat i shpjegon Autoriteteve të
Imigrimit të SHBA, në kërkesën për
strehim politik më 1952. Më poshtë vijon: "Po, kam pranuar me plot ndërgjegje
këtë gjëndje. Kam besuar si një detyrë të shenjtë atdhetare t’i shmangia Vendit
tim katastrofën më të madhe që mund të pësonte. Sikur t’ia kisha arritur
qëllimit, epitetet e të sharat që më
kanë përfolur me shumicë për të më njollosur, do të më kishin nderuar. Por dështova sepse
qeshë viktimë e pabesisë fashiste. Nëse italianët do të më kishin dhënë ato që
më premtuan dhe bashkatdhetarët e mij nacionalistë do të më kishin kuptuar, Aleatët perëndimorë do të kishin gjetur pa
dyshim në nëntor 1944, në buzë të
Adriatikut, një Shqipëri besnike ndaj
tyre e mirënjohëse për lirinë e pavarësinë e tyre... "
Me disa kushte të kërkuara qeverisë italiane e të
premtuara prej saj, Mustafa Kruja pranoi
marrjen e qeverisë shqiptare nën kryesinë e tij. Por bashkëpunimi me qeverinë
italiane dhe autoritetet e pushtimit nuk zgjati shumë. I nisur si një "lëshim i mëtejshëm ndaj nacionalizmit shqiptar", simbas ministrit
të jashtëm t’Italisë, ai erdhi duke u
dobësuar e duke nxjerrë në shesh kundërshtitë. Kryeministri kishte kërkuar
fonde për të krijuar e mbajtur në këmbë një trupë të milicisë shqiptare, por italianët nuk i a sendërtuan kurrë atë
mundësi. Kryeministri kërkonte të çrrënjoste komunizmin në embrion, por italianët, për një zgjedhje strategjike të Boshtit, këtë e bënin për formë. Kryeministri, në rrethin e tij të ngushtë, kishte marrë një vendim tepër të fshehtë: të
organizonte një forcë t’armatosur, e
cila në çastin e duhur dhe në marrëveshje me forcat e vërteta kombëtariste, do t’i jepte goditjen ushtrive të pushtimit, duke shmangur nga ky veprim lëvizjen komuniste
të drejtuar nga jugosllavët, duke
rrezikuar kështu, siç ndodhi me të
vërtetë, rikthimin e "tokave të lirueme" përsëri në administrimin sërb. Për të filluar sendërtimin e këtij plani
strategjik ai mendoi t’a niste nga Vlora, krahina më e fuqishme e asaj lëvizjeje. Në
këtë kontekst u emërua Qazim Koculi, miku i tij i vjetër dhe heroi i Vlorës 1920, si Komisar i Lartë i qeverisë, por italianët e nuhatën dhe e vranë atë
nëpërmjet dorës së shqiptarëve. Atë çast, një nga më të hidhurit e jetës së tij, Mustafa Kruja e kuptoi se ishte goditur mbas
shpine e se projekti i tij kishte dështuar. I kërkoi Jacomonit hetimin e
shpejtë e të gjithanshëm të krimit e dënimin e dorësve e të shtytësve, por mori një refuzim të prerë. Vendosi të japë
dorëheqjen e pakthyeshme e i kërkoi zyrtarisht Romës zëvendësimin e tij. Me
këtë akt të datës 13 janar 1943 u mbyll kariera politike e Mustafa Krujës.
Trembëdhjetë muajt e atij qeverimi qenë një pjesë e funksionimit të Shqipërisë
etnike dhe institucioneve të saj, e
heqjes së simboleve fashiste nga flamuri kombëtar, i hapjes së shkollave shqipe në Kosovë e në
tokat e tjera të bashkuara "shtetit
amë", e shpëtimit të hebrenjve etj, etj.
Mustafa Kruja u largua nga Shqipëria në shtatorin e vitit
1944, si pasojë e një fatkeqësie
familjare, mbasi djali i tij i vogël, Besimi, ishte shtruar me urgjencë në spitalin e Vjenës
ku studjonte, e mjekët kërkonin praninë
e tij, për të dhënë miratimin e tij për
një ndërhyrje kirurgjikale të birit. Ai udhëtim qe fatal për jetën e të birit, por shpëtimtar për fatin e tij. Mbaslufta qe
mjaft e vështirë për të në Itali, deri
në vitin 1948, kur ai shkoi në Aleksandri
të Egjyptit, i ftuar nga ish Mbreti Zogu
I, të cilit i kishte njohur meritat që
më 1943, dhe e quante si të vetmin
personalitet shqiptar që mund t’a shpëtonte Shqipërinë nga katrahura, në të cilën ishte zhytur më 29 nëntor 1944.
Periudha 1948 – 1955 në Egjypt qe një periudhë studimesh
e shkrimesh, të cilat i u lanë në
trashëgimi motrës së tij Haxhire, e cila
i ruajti me kujdesin më të madh deri në vitin 1992, kur u takua me familjen e ardhur nga Shqipëria
dhe i a dorëzoi asaj. Nga ajo punë studimore, në vitet 2001 – 2017 janë botuar 18 vëllime të
karakterit historik, gjuhësor, letërkëmbimesh, nga shtëpi të ndryshme botuese si Sejko,
Volaj, Camaj-Pipaj, 55, Botime Françeskane, Çabej, Omsca1, Klubi i Pezisë, Berk, në shumicën dërmuese me shpenzimet e vete
familjes, pjesërisht me dëmshpërblimet e
pakta që janë marrë nga pagesat e viteve të gjata të burgjeve të familjarëve të
Tij. Mëkat që në këtë numër veprash mungon kryevepra gjuhësore e Mustafa Krujës,
"Fjalori i Madh i Gjuhës shqipe", i përfunduar dhe i lënë për botim në
Institutin e Studimeve Shqiptare, në
verën e 1944, siç del nga zbulimi kohët
e fundit i letërkëmbimit mes Autorit dhe Institutit në fjalë. Mes shumë krimeve
të regjimit komunist do të rradhitej edhe ai kulturor, i vërtetuar katërcipërsisht me zhdukjen e një
seri veprash të autorëve shqiptarë, të
marra nga ai Institut që më vonë do të bëhej Akademia e Shkencave dhe Arteve te
RPSSH. Me zhdukjen e atij fjalori i është sjellë një dëm i pandreqshëm jo aq
emrit të Mustafa Krujës se sa pasurisë gjuhësore të shkencës shqiptare.
Në vitin 1955 Mustafa Kruja shkoi në Francë, duke mbajtur gjithmonë në zemër mirënjohjen e
thellë për ish kundërshtarin e tij politik, Mbretin Zogu I por atëherë mik i vërtetë, i gjindur ndër ditë tepër të vështira. Një vit
më vonë ai u shpërngul për në SHBA, qeveria e të cilëve i kishte akorduar
strehimin politik, e ku mundi të
bashkohet edhe me djalin e tij, Bashkimin, që punonte atje si një ingjinjer kimist. Atje,
në Vëndin e lirisë, ku kishin gjetur strehë aq shqiptarë të ikur
nga regjimi komunist Mustafa Kruja kaloi dy vitet e fundit të jetës së tij, duke patur gjithënjë si një thikë në zemër
dhimbjen për familjen që kishte kaluar dhjetëvjeçarë burgjesh e kampesh
internimi. Atje, në Niagara Falls, n’afërsi të Ujvarës së famshme jeta e Tij u
ndërpre papritmas, si pasojë e një
ndërhyrjeje në tëmthin, në moshën 71
vjeçare, më 28 dhjetor 1958. E përcolli
në udhëtimin e fundit, ndërmjet të
tjerëve, një bashkëqytetar e mik i
viteve të rinisë, i nderuari Abaz Kupi
së bashku me të tjerë shqiptarë, mes të
cilëve dhe djali i mikut të tij, Xhevat
Korçës, Genc Korça. U kremua dhe hiri i
tij priti gati një gjysmë shekulli kthimin në varrezat e qytetit të tij të
lindjes. Ajo dëshirë e pasuar prej shpirtit të tij të Plotfuqishmit të
përjetësisë u sendërtua më 2 qershor 2007, kur nën kujdesin e familjes hiri tij u preh më
së fundi në tokën që e lindi.
Në këtë sesion të Shoqatës atdhetare "Trojet e Arbërit", kujtesa historike e Mustafa Krujës
ballafaqohet me mendimin bashkëkohor të përfaqësuesve të kulturës shqiptare të
painfektuar nga ideologjia komuniste që, fatkeqësisht, është fort e pranishme në historiografinë
zyrtare. Urojmë që ky ballafaqim të kthejë në opinionin e studiuesve shqiptarë
të vërtetat historike të cilat janë masakruar që prej 80 vitesh nga
historiografia zyrtare.
Të gjithë studiuesit që marrin pjesë në këtë sesion
shkencor temat e tyre mund t´i dërgojnë në këtë email adresë: nue_oroshi@yahoo.de
Ju
mirëpret Kryesia e Shoqatës së Intelektualëve Shqiptarë “Trojet e Arbrit”