Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Ukaj: Një flakaresh fort i ashpër ndaj mendësisë së izolimit

| E diele, 16.01.2022, 06:03 PM |


Ndue Ukaj:

Letra e sekretarit amerikan Antony Blinkeni që iu dërgua Kryeministrit tonë është një flakaresh fort i ashpër ndaj mendësisë së izolimit që po ndjekin institucionet tona.

Institucionet tona vërtet janë në një mjegull të tmerrshëm politike e mendore dhe s' kanë kurrfarë busulle për dalje.

Ato mbase mund ta dinë çka s' duan por kurrë s' kanë treguar çka duan.

Letra e Blinkenit vërtet duhet të lexohet qartë, me sy të hapur e jo të kllapitur, pikë së pari nga udhëheqës mendjeshkretë që sillen si donkishotë që duan t' i ndreqin mbrapshtitë e botës në lojërat politike globale.

Kurse sot - hendeku mes Kosovës dhe Amerikës e vendeve kryesore perëndimore - u thellua.

Të besosh se po i shërben Kosovës dhe të ardhmes së saj duke krijuar raporte negative me Amerikën e me vendet tjera perëndimore vërtet është anomali e pastër politike dhe një mendësi fataliste.

Duhet ta themi qartë dhe me zë të lartë: duke i përbuzë aleatët tanë, ne përbuzim historinë tonë të re dhe vendosim vetëshkatërrimin.

Dhe kambanat për këtë nuk bien për ata që kanë veshë, ato bien për ne dhe bien furishëm e pandërprerë.

Amerika sot komunikon me letra me udhëheqësit tanë dhe këta që një vit kukurisin e s' janë të zotët të realizojnë një takim në Shtëpinë e Bardhë që për ne është e bardhë e zemërbardhë.

Prandaj, s' ka goditje ma të madhe për vendin tonë se sa mbyllja e dyerve të Shtëpisë së Bardhë, të atyre dyerve që i hapi me shumë mençuri, mendjendrituri Rugova.

__________

Ta kujtojmë Ernest Koliqin dhe mësimet e tij shembullore që të mos ecim të verbum "në nji tymnajë thânethashash pa krye e pa bisht, ku çdo Shqiptar krijon nji Shqipní mbas qejfit të vet, qi s’ka kurrnji lidhje me botën reale. E kënaqet sepse në kët Shqipni, sendërgjue prej fantazís s’ethun, ai e njeh veten te parë, âsht vetë Alì e vetë Kadì, mposhtë me mend ata qi i bâjnë hije dhe zgjâhet tue andrrue (në kllapí madhështore) nderime e shpërblime qi nuk barasohen kurrsesì me vleftën e tij morale e intelektuale."

Të mësojmë nga vepra e pasun e Koliqit

“...se sidomos kultura asht arma ma e përshtatun për t’ia thye hovin shkulmit të parimeve shkombëtarizuese që mërzisin e molisin popullin e Shqipnis së mjerë.”

Ernest Koliqi

(20 maj 1903 – 15 janar 1975):

Shkodra në mbrâmje

Sa âmbël n’mbramje shqimet drita e diellit,

që bie kadalkadalë andej kah Ana

e Malit, tue lanë mbrapa ngjyra t’tâna,

zambakë ar, vjollca e fletza drandofillit.

E n’at zjarrm lulesh, ndez ndër skaje t’qiellit

Vizaton Rozafati gurt vigâna,

E nëpër hyjt që kallen  n’qiellt e gjana

Del si vetull hyjneshe hâna e prillit.

Prej Maranajt zbret nata (nga erdh’ dita)

për me fikë ngjyrat që pat falun drita,

e Shkodra n’hije pak nga pak, qe, hûmë.

Minaret përmbi të, t’bardha n’ajrí,

sogje qiellore duken, që e ruejn’ n’gjumë,

kur flên nën hyj që ia mblojn’ qiellt unjí.