Mendime
Enver Bytyçi: Konrad Adenauer dhe rasti i Sali Berishës!
E enjte, 13.01.2022, 09:57 PM
Konrad Adenauer dhe
rasti i Sali Berishës!
Nga
Enver Bytyçi
Gabriel
Escobar në intervistën e tij me "Zërin e Amerikës", para dy ditësh,
pranoi se "Sali Berisha ka mbështetje në parti, si dhe elektorale në
Shqipëri. Kur gazetarja ia tha këtë, ai u shpreh: "Po, mundet"! Ishte
ky pohim një sinjal i tërheqjes amerikane nga qëndrimi kundër Berishës, apo një
aritmetikë e raportit të dobësuar kundrejt Lulzim Bashës?! Kjo mbetet për t'u
parë. Fakt është se Escobar nuk mundi ta marrë Lulzim Bashën në mbrojtje
direkte e madje as ta përsërisë "ftesën" për të, që deputeti Basha të
vizitojë ndonjë ditë Departamentin e Shtetit.
Nga
ana tjetër, akademiku i njohur dhe pakompleksuar, Artan Fuga, në një publikim
të vetin në rrjetet sociale shkruan se Lulzim Bashës "I duhet mësuar
filozofia e shkollës së mesme të natës"! Madje e quan tuaf në logjikën e
tij juridike. I kërkon edhe të japë dorëheqjen. E gjitha kjo për shkak të dhunës
që ai përdori më 8 dhjetor kundër demokratëve të thjeshtë, por edhe të
deklaratave të pa menduara të Lulit.
Por
garnitura e binomit Rama-Basha po përdor vazhdimisht në retorikën politike atë
që quhet moshë e Berishës. Pra, "argumenti" ka ardhur deri te
"loja me moshën"! Janë shteruar të gjithë argumentet e tjerë. Nuk
gjejnë dot mbështetësit e këtij binomi asnjë fije kashte për ta shpëtuar Lulin
nga vrella e ujit që e ka marrë përpara! Atëherë kanë thirr në ndihmë
"moshën" e Berishës. E trajtojnë moshën e tij si disavantazh, si
pengesë për të qenë në krye të partisë ose të qeverisë. Dhe me këtë duan ta
zhvleftësojnë lëvizjen e tij për rikthimin e pluralizmit politik në Shqipëri.
Një pluralizëm politik që e vendos shtetin dhe institucionet e tij në shinat e
një sistemi demokratik të balancuar dhe ekuilibruar e që nuk lejon kullat në
formën e projektit të Teatrit Kombëtar aty ku sot është Partia Demokratike.
Mosha
e Berishës është në fakt e duhet parë si avantazh shumë i madh. Po jap vetëm
një shembull nga Gjermania, duke krahasuar dy liderë të saj të shekullit XX,
Adolf Hitlerin dhe Konrad Adenauer. Hitleri lindi më 20 prill 1989. Në moshën
39 vjeç u bë kancelar dhe 40 vjeç edhe kryetar i shtetit gjerman. Në moshën që
sot ka Lulzim Basha nisi Luftën e Dytë Botërore. Ajo që ndodhi me kthimin e
selisë së PD-së në burg të blinduar, si edhe dhuna që bandat e Lulzim Bashës
ushtruan kundër demokratëve më 8 dhjetor, në miniaturë u japin shqiptarëve
modelin hitlerian të mbajtjes së pushtetit partiak nga ana e Lul Bravës, ose Lul
Blindit!
Ndërsa
Konrad Herman Joseph Adenauer kishte lindur më 5 janar 1886, tri vite më parë
se të vinte në jetë Adolf Hitler. Megjithatë ai u bë kancelar i Gjermanisë në
vitin 1949, në moshën 63 vjeç. Qëndroi në këtë detyrë deri në vitin 1963,
d.m.th deri në moshën që sot ka Sali Berisha. Kurse Charles de Golle i Francës
u largua nga funksioni i presidentit të Republikës së Pestë Franceze në moshën
79 vjeç. Të dy këta u rikthyen në politikën shtetërore pas largimit të
përkohshëm. Njeriu që lindi para Hitlerit erdhi në pushtet pesë vite mbas
vdekjes së diktatorit gjerman. Dhe po flasim për një rast gjermanik. Njëri prej
tyre, Adolfi, pra i riu, e çoi vendin më të fuqishëm të Europës në humnerë,
tjetri, Konradi, i vjetri, i hapi Gjermanisë perspektivën më të ndritur në
historinë e saj. Vetëm dhjetë vite pas luftës (1955) e bëri vendin e tij
anëtare të NATO-s.
Një
analizë e thjeshtë e këtij fenomeni gjerman na çon në një përfundim logjik
shumë të thjeshtë. Mosha të bën më të përgjegjshëm, të ndihëmon të mendosh në
mënyrë racionale, të bën ta duash tjetrin më shumë, të marrësh përgjegjësi më
të mëdha për veten, për familjen, për shoqërinë, për kombin. Ky është avantazhi
i moshës së Sali Berishës. Por mosha ndikon edhe në karakterin egoist të
njeriut. Mosha, kur je i ditur, i aftë dhe kur ke krijuar eksperiencë të
jashtëzakonshme, e ndihëmon njeriun të mendojë e të besojë se ai mund të bëjë
më shumë për vendin e tij.
Ashtu
si Konrad Adenauer, edhe Sali Berisha është i pari lider shtetëror që e çoi
Shqipërinë në NATO, madje është i pari udhëheqës i Lindjes Europiane që kërkoi
zyrtarisht pranimin e vendit të tij në Aleancën Atlantike. Ndërsa në moshën
"adoleshente" të Lulzim Bashës ngjallen prirje të shkeljes me këmbë
të njerëzve!
Nuk
ka mendje normale që të mos besojë se zoti Berisha nuk do të donte t'i çonte
përpara eksperiencat e tij pozitive në drejtimin e shtetit! Ndërkohë që është
pikërisht mosha, ajo që e shtyn Lulzim Bashën që çdo ditë të gabojë në
politikat, qëndrimet, deklarimet dhe veprimet e tij politike. Merrni dhe
krahasoni thjesht diskursin Berisha-Basha! Po të doni dhe diskursin
Berisha-Rama! Dhe do të shihni se si e sa dallojnë këta midis tyre.
Ka
dy arsye pse Sali Berisha qëndron shumë më lart se dy kundërshtarët e tij. Së
pari, dija, kultura, përkushtimi dhe atdhedashuria e Sali Berishës. Së dyti,
eksperienca e tij, fakti se ai është 77 vjeç dhe jo te dyzetat e tij. Edhe
njeriut të zakonshëm i duhet një moshë e caktuar të maturohet, të urtësohet e
të heqë dorë nga egoja e tij. Sali Berisha është në këtë moshë, ndaj dhe shihet
si shpresë, së paku për të bërë kthesën që shqiptarët duan në këto momente të
vështira për Shqipërinë dhe kombin shqiptar! Sa kohë që ai ka e do të ketë
energjinë e nevojshme fizike, aq kohë mosha i kthehet në avantazh për të marrë
përsipër përgjegjësi politike e shoqërore! Dhe këtë energji fizike të tij nuk e
maturojnë as e përcaktojnë dëshirat perverse të kundërshtarëve të tij!
Ndërsa
Escobar la të kuptohet se edhe manipulimi që bëhet me non - gratën amerikane
ndaj Berishës është i përkohshëm. Kush di të lexojë deklaratat dhe komunikimin
publik politik, e kupton qartë se në departamentin e Shtetit ka zëra, të cilët
e shohin të gabuar vendimin e sekretarit Blinken. Natyrisht që diplomatë të
formatit të ambasadores Kim do të bëjnë gjithçka për të dezinformuar opinionin
publik në Shqipëri në ndihmë të dyshes Rama-Basha, por kjo nuk e tjetërson
realitetin të cilin e shohim në praktikë! Kjo thjesht prodhon fantazi
spartakësh!