| E marte, 11.01.2022, 06:47 PM |
Përfaqësuesi
Republikan i New York-ut, Lee Zeldin akuzon Departamentin e Shtetit për
vendosje sanksionesh kundër ish-Presidentit të Shqipërisë Sali Berisha si
hakmarrje kundër besnikërisë së tij për Republikanët amerikanë dhe
kundërshtimit të fortë të mega-donatorit të Demokratëve George Soros.
Zeldin,
anëtar i Komitetit të Çështjeve të Jashtme në Dhomën e Ulët të Kongresit, i ka
kërkuar prej muajsh Departamentit të Shtetit të paraqesë prova konkrete se Sali
Berisha, një aleat i afërt i familjes Bush, ka qenë i përfshirë në ‘korrupsion
serioz’, siç tha administrata Biden kur vendosi sanksionet kundër tij në maj.
Berisha shërbeu si President i Shqipërisë më 1992-1997 e më pas si kryeministër
më 2005-2013.
Administrata
Biden e ka vonuar hetimin e Zeldin për më tepër se pesë muaj dhe ka refuzuar
t’i japë kongresmenit ‘informacion të besueshëm se Berisha është përfshirë në
korrupsion serioz’. Departamenti i Shtetit nuk e ofroi këtë informacion as për
The Washington Free Beacon.
‘Për
muaj të tërë, Departamenti i Shtetit i Bidenit ka refuzuar në mënyrë të
përsëritur të paraqesë përgjigje reale, të detajuara për akuzat për ‘korrupsion
serioz’ kundër ish-Presidentit të Shqipërisë Sali Berisha, aleat i të dy
Presidentëve Bush dhe kundërshtar i donatorit të Partisë Demokratike e
aktivistit progresiv George Soros’, tha Zeldin për Free Beacon. ‘Pavarësisht
kërkesave të shumta nga zyra ime për takim dhe informacion shtesë, Departamenti
i Shtetit ka dhënë vetëm përgjigje sporadike, të paplota, që i vijnë rrotull
pyetjes, pa iu adresuar veprimeve konkrete të zotit Berisha që cilësohen si
‘korrupsion’ apo procesit të vendimmarrjes që Administrata përdori për të
përcaktuar që sanksionet ishin të nevojshme. Duke gjykuar nga përgjigjja më e
fundit, është e qartë që ata nuk ndjejnë nevojën për të qenë transparentë me shtypin
apo që të respektojnë rolin mbikëqyrës të Kongresit mbi Ekzekutivin’.
Refuzimi
i administratës për të shpjeguar sanksionet – që në shumicën e rrethanave
njoftohen bashkë me informacion të detajuar se pse SHBA po merr një vendim të
tillë – ka ushqyer akuzat se Departamenti i Shtetit po kryen një fushatë
hakmarrëse politike kundër kritikave me zë të lartë të Berishës kundër Sorosit,
një nga financuesit më të mëdhenj të Partisë Demokratike. Zeldin e përshkroi
sjelljen e Departamentit të Shtetit si ‘të papranueshme dhe të dyshimtë’.
Që
nga vendosja e sanksioneve, Zeldin, si pjesë e detyrave të tij mbikëqyrëse në
Komitetin e Çështjeve të Jashtme në Dhomën e Ulët, i ka kërkuar tri herë
Departamentit të Shtetit që të paraqesë dokumentacionin e lidhur me vendimin.
Në letrën e dytë, dërguar më 27 gusht, i kërkon Departamentit të Shtetit të
rregullojë një takim me zyrtarin përgjegjës për përpilimin e sanksioneve. Letra
mbeti pa përgjigje. Zeldin dërgoi një tjetër letër më 24 nëntor, e cila
gjithashtu është injoruar nga Departamenti i Shtetit.
I
pyetur për sanksionet, një zyrtar i Departamentit të Shtetit, që foli anonimish
për Free Beacon, tha se Blinken ka ‘informacion të besueshëm se Berisha është
përfshirë në korrupsion, sidomos kur ishte Kryeministër i Shqipërisë.
Korrupsioni i tij ka minuar shtetin ligjor në Shqipëri dhe besimin e publikut
shqiptar në institucionet, proceset dhe zyrtarët qeveritarë’.
Zyrtari
citoi raporte nga ‘OJQ lokale, rajonale dhe ndërkombëtare’ që Berisha përdorte
pozicionin e tij për të pasuruar familjen dhe miqtë. Berisha pretendon se
OJQ-të mbi të cilat mbështetet Departamenti i Shtetit janë pjesë e rrjetit të
madh filantropik të Sorosit dhe bëjnë punën e miliarderit.
‘Aktet
korruptive të Berishës vazhdojnë të kenë pasoja serioze në Shqipëri e gjithë
rajonin edhe sot’, tha zyrtari i Departamentit të Shtetit
55news.al