E shtune, 03.12.2022, 11:50 AM (GMT)

Mendime

Kongresmeni: Vendimi për Berishën, hakmarrje e Soros

E marte, 11.01.2022, 05:47 PM


Përfaqësuesi Republikan i New York-ut, Lee Zeldin akuzon Departamentin e Shtetit për vendosje sanksionesh kundër ish-Presidentit të Shqipërisë Sali Berisha si hakmarrje kundër besnikërisë së tij për Republikanët amerikanë dhe kundërshtimit të fortë të mega-donatorit të Demokratëve George Soros.

Zeldin, anëtar i Komitetit të Çështjeve të Jashtme në Dhomën e Ulët të Kongresit, i ka kërkuar prej muajsh Departamentit të Shtetit të paraqesë prova konkrete se Sali Berisha, një aleat i afërt i familjes Bush, ka qenë i përfshirë në ‘korrupsion serioz’, siç tha administrata Biden kur vendosi sanksionet kundër tij në maj. Berisha shërbeu si President i Shqipërisë më 1992-1997 e më pas si kryeministër më 2005-2013.

Administrata Biden e ka vonuar hetimin e Zeldin për më tepër se pesë muaj dhe ka refuzuar t’i japë kongresmenit ‘informacion të besueshëm se Berisha është përfshirë në korrupsion serioz’. Departamenti i Shtetit nuk e ofroi këtë informacion as për The Washington Free Beacon.

‘Për muaj të tërë, Departamenti i Shtetit i Bidenit ka refuzuar në mënyrë të përsëritur të paraqesë përgjigje reale, të detajuara për akuzat për ‘korrupsion serioz’ kundër ish-Presidentit të Shqipërisë Sali Berisha, aleat i të dy Presidentëve Bush dhe kundërshtar i donatorit të Partisë Demokratike e aktivistit progresiv George Soros’, tha Zeldin për Free Beacon. ‘Pavarësisht kërkesave të shumta nga zyra ime për takim dhe informacion shtesë, Departamenti i Shtetit ka dhënë vetëm përgjigje sporadike, të paplota, që i vijnë rrotull pyetjes, pa iu adresuar veprimeve konkrete të zotit Berisha që cilësohen si ‘korrupsion’ apo procesit të vendimmarrjes që Administrata përdori për të përcaktuar që sanksionet ishin të nevojshme. Duke gjykuar nga përgjigjja më e fundit, është e qartë që ata nuk ndjejnë nevojën për të qenë transparentë me shtypin apo që të respektojnë rolin mbikëqyrës të Kongresit mbi Ekzekutivin’.

Refuzimi i administratës për të shpjeguar sanksionet – që në shumicën e rrethanave njoftohen bashkë me informacion të detajuar se pse SHBA po merr një vendim të tillë – ka ushqyer akuzat se Departamenti i Shtetit po kryen një fushatë hakmarrëse politike kundër kritikave me zë të lartë të Berishës kundër Sorosit, një nga financuesit më të mëdhenj të Partisë Demokratike. Zeldin e përshkroi sjelljen e Departamentit të Shtetit si ‘të papranueshme dhe të dyshimtë’.

Që nga vendosja e sanksioneve, Zeldin, si pjesë e detyrave të tij mbikëqyrëse në Komitetin e Çështjeve të Jashtme në Dhomën e Ulët, i ka kërkuar tri herë Departamentit të Shtetit që të paraqesë dokumentacionin e lidhur me vendimin. Në letrën e dytë, dërguar më 27 gusht, i kërkon Departamentit të Shtetit të rregullojë një takim me zyrtarin përgjegjës për përpilimin e sanksioneve. Letra mbeti pa përgjigje. Zeldin dërgoi një tjetër letër më 24 nëntor, e cila gjithashtu është injoruar nga Departamenti i Shtetit.

I pyetur për sanksionet, një zyrtar i Departamentit të Shtetit, që foli anonimish për Free Beacon, tha se Blinken ka ‘informacion të besueshëm se Berisha është përfshirë në korrupsion, sidomos kur ishte Kryeministër i Shqipërisë. Korrupsioni i tij ka minuar shtetin ligjor në Shqipëri dhe besimin e publikut shqiptar në institucionet, proceset dhe zyrtarët qeveritarë’.

Zyrtari citoi raporte nga ‘OJQ lokale, rajonale dhe ndërkombëtare’ që Berisha përdorte pozicionin e tij për të pasuruar familjen dhe miqtë. Berisha pretendon se OJQ-të mbi të cilat mbështetet Departamenti i Shtetit janë pjesë e rrjetit të madh filantropik të Sorosit dhe bëjnë punën e miliarderit.

‘Aktet korruptive të Berishës vazhdojnë të kenë pasoja serioze në Shqipëri e gjithë rajonin edhe sot’, tha zyrtari i Departamentit të Shtetit

55news.al



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora