E merkure, 30.11.2022, 08:26 AM (GMT)

Mendime

Florim Zeqa: Kriptomania apo fundi i iluzioneve për ndryshim!

E hene, 10.01.2022, 07:24 PM


Kriptomania apo fundi i iluzioneve për ndryshim!

Shkruan: Florim Zeqa

Arsyeja pse njerëzit e ndershëm, me ndërgjegje të pastër dhe të guximshëm nuk mund ta gjejnë vetën në asnjërën nga partitë aktuale politike në Kosovë, është fakti se, të gjitha partitë politike, kush më shumë e kush tjetër më pak janë të financuara apo të lidhura me kompanitë e inkriminuara, janë të kontrolluara nga nëntokat kriminale dhe luftojnë vetëm për pushtet dhe privilegje personale, për të përfituar benefite për veti dhe klanet mafioze e jo për t'iu shërbyer qytetarëve.

Liderët e shantazhuar partiak, rrezik për shtetin

Partitë e konsumuara politike nën drejtimin e liderëve të shantazhuar partiak, shtetin e Kosovës e kanë shndërruar në objekt pasurimi, ndërsa qytetarët i kanë shndërruar në skllevër dhe shërbëtor të tyre.

Të gjitha partitë politike pa dallim, pushtet dhe opozitë vetëm thirren në demokraci, por asgjë nuk kanë të përbashkët me vlerat demokratike, etikën dhe moralin njerëzorë.

Si pasojë e kësaj situate, partitë shtetndërtuese u shndërruan në rrënuese të shtetit, partitë e dala nga lufta u shndërruan në shkelëset më të mëdha të vlerave të luftës dhe gjakut të dëshmorëve.

Pasi në krye të shtetit çdo herë erdhën njerëzit e pamoralshëm, pa etikë dhe pa trashëgimi të pastër kombëtare dhe pa trung të shëndoshë familjarë, pa histori të mirëfilltë dhe pa integritet personal, të cilët shumë shpejtë i harruan idealet mbi të cilat u ngriten në karrierë politike, duke u shndërruar në kusarë të tërbuar pas pushtetit dhe pasurimit të paligjshëm.

Politikanët e tërbuar pas pushtetit kanë hyrë në vallen e keqpërdoruesve të çdo gjëjë e gjithçkaje në Kosovë, duke i barazuar atdhetarët më tradhtarët, çlirimtarët më dezertorët, njerëzit e ndershëm me keqbërësit, kriminelët me viktimat.

Ata që nuk iu nënstruan të keqës edhe në rrethanat më të vështira, të periudhës së luftës dhe pasluftës, 23 vjet më pas u kanë mbetur vetëm dy rrugë; rezistenca ndaj të keqës ose të largohen përgjithmonë nga vendi i tyre!

Për fatin e keq, shumica e popullatës në Kosovë, në vend të rezistencës e kanë zgjedhur rrugën më të lehtë, atë të dorëzimit dhe nënshtrimit karrshi të keqës dhe antivlerave, kurse pjesa tjetër largimin, për ta braktisur përgjthmonë vendin e tyre pa i menduar pasojat e mëvonshme!

Largimin e popullatës shqiptare nga Kosova e dëshiron vetëm Serbia dhe vasalët e saj. Largimi i shqiptarëve nga Kosova ishte objektiv i planeve gjenocidiale dhe shfarosëse të Akademisë dhe Kishës serbe përgjatë dy shekujve të fundit.

Dëbimi i 1 milion shqiptarëve gjatë luftës, me ndërhyrjen e forcave të NATO-s ju kthye bumerang Serbisë. Mirëpo, klasa aktuale politike e Kosovës me keq-qeverisje dhe abuzim të pushtetit është duke ia realizuar në plotni planet fashiste të Serbisë.

Kusarët e pangopshëm politik, pa dallim, pushtet dhe opozitë duke menduar vetëm për veten dhe familjarët e tyre, militantët partiak dhe vartësit e tyre morbid, me padrejtësi e nepotizëm, ua vranë çdo shpresë qytetarëve për jetë të dinjitetshme në Kosovë.

Sipas analizave, pas 17 shkurtit 2008 e deri më sot, mbi 1 milion shqiptarë janë larguar nga Kosova drejt vendeve evro-perëndimore në kërkim të një jete më të mirë. Prej tyre, mbi 100 mijë kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës!

Nëse vazhdohet vetëm edhe për 4-5 vitet e ardhshme me këtë klasë politike në pushtet dhe në opozitë, do të kemi gjithnjë e më pak shtet, tkurrje territoriale dhe zvogëlim të popullatës shqiptare në Kosovë.

Nuk duhet lejuar që fati i shtetit dhe qytetarëve të mbetet në duart e politikanëve të tërbuar pas pushtetit, këtyre "Sheikëve" të trullosur pas pasurive qindra milionëshe e miliardëshe.

Pavarësisht faktit se ‘Qeveria Kurti’ nuk mban përgjegjësi direkte për dështimet e qeverive paraprake, për mos ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, reduktimet dhe mungesa  e furnizimit të rregullt me energji elektrike e fundvitit edhe pas investimeve dhjetëra milionëshe në “!?”, e dëshmoi, se edhe këta janë duke e ndjekur rrugën e njëjtë të pasurimit nga shteti, jo përmes vjedhjes në mënyrë klasike sikurse pararëndësit e tyre, por, përmes hajnisë së sofistifikuar apo “Kriptohajnisë”, gjegjësisht të shndërrimit të parave në kriptovaluta “BITCOIN”!

Përderisa prapa “industrisë” së kriptovalutave në Kosovë qëndrojnë të fortët e politikës dhe mafio-oligarkët ekonomik, koston e prodhimit të tyre e paguajnë taksapaguesit e varfër kosovarë.

Përderisa deri dje, tenderomania ishte burimi kryesor i pasurimit të elites politike, tani e tutje do të jetë kriptomania instrument i shpërlarjes së parave të pista të politikanëve të inkriminuar dhe mafio-oligarkëve ekonomik nëpër të ashtuquajturat “Miniera” të kriptovalutave!

“Qeveria e Dritës” apo Qeveria Kurti 2 me rritjen më të “madhe” ekonomike në rajon dhe më gjërë e riktheu Kosovën në kohën e territ energjetik të pasluftës, me reduktime të gjata nën “simfoninë” zhurmshme të gjeneratorëve dhe furnizimin e qytetarëve me qirinjë dhe llampa vajguri sikurse pas luftës së dytë botërore!

Interesi personal e ka dëmtuar interesin e përgjithshëm

Dominimi i personales në raport me interesin e përgjithshëm e ka rrënuar në themel bërthamën tonë shoqërore dhe kombëtare-familjen.

Ngulitja në mendjen e qytetarëve për largim nga vendi si i vetmi shpëtim nga rrënuesit e shtetit, e ka bërë akoma më të pashpresë dhe të pasigurtë të ardhmen e shtetit të Kosovës.

Vërtetë, Republika e Kosovës është shndërruar në shtet pa përspektivë, ku rrënohet çdo

vlerë dhe çdo shpresë për ardhmëri në këtë vend, por, largimi nga vendi nuk është zgjidhja, por e kundërta e saj.

Politikanët e papërgjegjshëm, e të gjitha llojeve e ngjyrave janë përgjegjësit kryesor të mungesës së zhvillimit ekonomik, pabarazisë qytetare dhe drejtësisë selektive, ku të fortët e politikës gjithmonë ngadhnjejnë mbi ligjin dhe drejtësinë!

Politikanët e papërgjegjshëm janë bërë rrënuesit e shtetit, kurse qytetarët me përkrahje ndaj tyre, janë kthyer në rrënues e të ardhmes së tyre!

Alternativa e Re politike e vetmja shpresë për ndryshim

Ju bëjë thirrje shpirtërore të gjithë qytetarëve, vëllëzërve dhe motrave shqiptare të vendit tim, mos i besoni tutje kësaj klase politike, mos besoni në ato që i thonë, por shiqoni veprimet e tyre, shiqoni pasuritë e tyre të paligjshme, shiqoni jetën e tyre prej "Sheikëve" në Kosovën e varfër, shiqoni si janë shkëputur tërësisht politikanët nga interesat e popullit dhe shtetit.

Vetëm lindja e një Alternative të Re politike do ta nxjerrë Kosovën nga varfëria dhe do ta shpëtojë nga përbindëshat politikë. Sa më parë që të bashkohemi rrethë Alternativës së Re politike, aq më e afërt do të jetë dita e kthesës së madhe dhe e ndryshimeve pozitive në vendin tonë.

Të bashkohemi në Alternativën e Re, në ADN-në politike të shqiptarëve të Kosovës, për ta dërguar sa më shpejtë në muzeun historik këtë klasë të konsumuar politike në pushtet dhe opozitë, për t’ia kthyer përfundimisht shpresën dhe dinjitetin qytetarit në vendin e bekuar nga Zoti-Republikën e Kosovës.

Me Alternativën e Re politike do ta mbyllim një herë e përgjithmonë kapitullin e keq-qeverisjes, të abuzimit me paratë e shtetit, do ta mbyllim pabarazinë dhe diskriminimin e qytetarëve në baza partiake, do t’i japim fund nepotizmit dhe punësimeve partiake nëpër institucionet shtetërore dhe publike.

Mallkimi i Zotit rëntë mbi thyerësit e shpresave të shqiptarëve të Kosovës!

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj!

08.01.2022



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora