E premte, 19.04.2024, 03:05 PM (GMT+1)

Mendime

Armand Shkullaku: Zgjedhje në PD, si shpëtim nga kafazi i hekurt

E hene, 10.01.2022, 07:13 PM


Zgjedhje në PD, si shpëtim nga kafazi i hekurt

Nga Armand Shkullaku

Deputetët e selisë së Partisë Demokratike duhet të mendojnë sot mënyrën se si do të dalin nesër për të takuar ata që i kanë zgjedhur si përfaqësues të tyre. Ata janë përdhunuar politikisht dhe publikisht, njëherë kur u detyruan të futen në kafazin e hekurave e dyerve të blinduara dhe, herën tjetër, kur “policia e krimit” i mori në mbrojtje duke sulmuar egërsisht anëtarësinë e tyre.

Shumica e këtyre deputetëve, që kanë shkuar në atë parti si njerëz të lirë, sot e shohin veten të ngujuar në një korridor mes Bashës dhe Edi Ramës. Eshtë hera e parë që përfaqësinë më të lartë të një partie kryesore opozitare, e ruan nga anëtarësia e saj qeveria, me skfandra, trupa speciale dhe gazlotjellës. Edhe për ata që kanë pasur ndonjë dyshim për përfshirjen e Edi Ramës në konfliktin brenda PD, tashmë çdo gjë është e qartë. Gatishmëria e planifikuar e kryeministrit për të goditur brenda selisë anëtarët e Partisë Demokratike, ka vendosur tashmë vijen e kuqe mes votuesve të kësaj partie dhe grupimit të kafazit të hekurt.

Për të thyer këtë vijë të kuqe, ka mbetur ndoshta vetëm një mundësi e fundit. Për të ndalur përdhunimin dhe për të rifituar lirinë e tyre, deputetët e selisë duhet të kërkojnë zgjedhje legjitimuese për drejtuesit e PD. Vetëm një proces zgjedhor, i pranuar dhe i monitoruar nga palët kontestuese, mund t’i japë fund krizës dhe t’i detyrojë palët t’i japin dorën njëra- tjetrës. Përfaqësia e selisë nuk gëzon mbështetjen e anëtarësisë së partisë, ndërsa anëtarësia ka nevojë për një përfaqësi të rilegjitimuar prej saj. Në këto kushte, ata që ende i thërrasin arsyes, duhet të kuptojnë se s’mund të ketë opozitë brenda dyerve të blinduara dhe me sytë nga Edi Rama. Ato mund të garantojnë sallën e mbledhjeve të absurdit, por janë një dështim i sigurtë në përballjen më të parë elektorale.

Ata që mendojnë përtej dyerve të hekurta, e kanë të qartë se mbështeja e grupit të selisë tek anëtarësia është në kuotat më të ulta. Nëse qëllimi i angazhimit të tyre në politikë ka qenë interesi i demokratëve dhe çuarja e PD drejt pushtetit, ata duhet të çlirohen nga kurthi ku e kanë futur veten. A fitojnë ata më shumë vota, më shumë besim tek elektorati duke përdorur mercenarë me shkopinj e gazlotjellës dhe policinë e Edi Ramës kundër atyre që i kanë votuar? Çfarë vlere kanë korridoret e selisë kur secili prej tyre sot nuk del dot të takohet me njerëzit që janë helmuar me gazin e Edi Ramës, njësoj si para kryeministrisë ashtu dhe para selisë së partisë së tyre?

Nëse në kupolën e PD arsyeja ka emigruar në tokën e premtuar të Edi Ramës, ata deputetë që sot mundohen të kapërdijnë turpin me çorbën bajate kundër Sali Berishës, duhet të nisin lëvizjen për rikthminin e legjitimitetit në partinë e tyre nëpërmjet një procesi të besueshëm zgjedhjesh partiake, si për kryetarin ashtu edhe për drejtuesit e tjerë. Në të kundërt do vazhdojnë të jenë personazhet e ngujuara VIP të vëllait të madh që i mbikëqyr nga kryeministria.

Për ta kuptuar këtë nuk ka nevojë për sondazhe apo anketime. Nuk ka nevojë as të monitorosh xholët mediatikë të Edi Ramës, që pa u skuqur i japin mbështjetje sot Bashës, të cilin deri dje e kanë denigruar deri në qelizat familjare. Nuk ka nevojë madje as të ndjekësh komentet e reagimet në rrjetet sociale. Mjafton që secili prej deputetëve të selisë të rrotullojë vështrimin për të parë se ku gjendet dhe t’i bëjë pyetjen vetes se a ndihet i çliruar të shkojë e të flasë me ata që e kanë votuar. Për të dalë nga kafazi i hekurt i selisë dhe skafandrat e kryeministrisë, ata duhet t’i kërkojnë Bashës gjënë më normale dhe më demokratike në këtë krizë të paprecedentë: legjitimitetin përmes zgjedhjeve të reja në PD.

©Lapsi.al



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora