E shtune, 22.01.2022, 08:58 PM (GMT)

Mendime

Andi Bushati: Pse Rama po zgërdhihet me PD-në

E diele, 09.01.2022, 04:32 PM


Pse Rama po zgërdhihet me PD-në

Nga Andi Bushati

Porsa u shuan skenat luftarake në selinë e PD-së kryeministri Rama nuk i ka shpëtuar dot tundimit për ti “varur trajsen” budallejve që ai ka si opozitë.

Sarkazma, ironia dhe tallja e tij ishin të ligjshme dhe kjo për disa arsye.

Së pari, sepse ai nuk ka më fillikat monopolin e ushtruesit të dhunës. Policia e tij, e cila pas ngjarjeve të teatrit i dha regjimit të Tiranës epitetin “barbar” në shtypin ndëkombëtar, nuk është më e vetmja. 8 janari tregoi se njësoj si Ardi Veliu, me dyer të blinduara, me gaz lotsjëllës e me hunj ndaj protestuesve mund të sillen edhe kundërshtarët e tij. Pra pas asaj që ndodhi në sytë e gjithkujt, Rama me të drejtë mund të thotë se ai nuk është më i keqi, por thjeshtë më i forti dhe më i zoti mes të këqinjve të ngjashëm.

Së dyti, ai ka arsye të gëzohet pasi gjithkush do ta bënte këtë, nëse do të qe dëshmitar i një kasaphane mes kundërshtarëve të vet. Sot me të drejtë, një socialist, i turpëruar deri dje nga nerveria e KPD-së, “Muçi, Naçi, Baçi” mund të krenohet se grupet rivale brenda PS nuk shkuan asnjëherë me shumë se ofendimet verbale ndaj njëri- tjetrit. Sado të pacipë, të pamoral dhe të paprincip që të qenë vëllezërit armiq të së majtës, ata nuk përdorën asnjëherë grushtet, bravat, dyert e blinduara dhe gazin llotësjellës ndaj njëri tjetrit.

Edhe në rastet kur njëra palë, qoftë Majko apo qoftë Meta, ndonëse ishin në krye të qeverisë, kishin policinë dhe administratën me vete, dhanë dorëheqjen kur e kuptuan se ishin pakicë në parti. Edhe vetë Rama, ndonëse e linin jashtë sallave në garën për kryetar me Nanon, diti të presë radhën dhe të përfitojë nga largimi normal i liderit që u tërhoq pas humbjes.

Me atë që ndodhi të shtunën PD u duk si një parti shumë më primitive, më e pagdhendur dhe më apolitike se PS. Dhe nga një konstatim i tillë nuk do të kishte rival politik që nuk do të përfitonte.

Por, sado të forta të jenë efektet anësore të gjurulldisë së dhunshme brenda opozitës, ato janë shumë pak në raport me ekzaltimin sarkastik që kryeministri nuk po e mban dot të fshehtë. Sepse, në fakt, Edi Rama nuk po fërkon duart, as se u barabit në dhunë dhe as se ia kaloi në imazh rivalëve të vet demokratë. Këto do të qenë shumë pak për të kënaqur një autokrat që e ka humbur prej kohësh ankthin demokratik të të maturit me votë.

Rama sot po korr frytet e një skeme të përpunuar dhe lobuar për një kohë të gjatë, asaj të thërmijëzimit të opozitës. Ai ka qenë i ndërgjegjshëm se dikush që nuk është shumicë ka shanc të qëndorjë në pushtet vetëm duke vënë në jetë parimin e lashtë përça e sundo. Pikërisht për këtë duhej ‘Non Grata” amerikane të cilën ai e paralajmëroi që dy vjet e gjysëm përpara se të ndodhte. Pikërisht për këtë, menjëherë pasi i sapokthyer nga SHBA, Erion Veliaj e njftoi se lajmi surptizë do të vinte së shpejti, ai u vu në veprim.

Ai i refuzoi ultimatumet amerikane për të nxjerrë një ligj që e pengonte Berishën të hynte në kuvend. Ai pengoi Celibashin dhe KQZ-në të bënin një interpretim për të mos i dhënë atij mandatin. Sepse ai kishte një qëllim të vetëm, të palidhur aspak me ndëshkimin e “minuesit të demokracisë” dhe “qeveritarit të korruptuar”, Berisha. Objektivi i tij ishte ta shfrytëzonte “non garata-n” për të cilën kishte derdhur shumë djersë, që ti fuste flakën opozitës.

Me alibinë se nuk donte të përçante PD, këtë ëndërr ia realizoi Lulzim Basha, i cili që nga dita që përjashtoi babain e vet politik, nuk ka më parti.

Skenat që të gjithë panë në mesditën e 8 janarit janë rjedhojë direkte e këtij vendimi aventuresk dhe i gomarllëkut më monumental që ndonjë lider opozite ka guxuar të bëjë ndonjëherë.

Por, këtu nuk duhet mohuar merita e intrigës në filigran që Edi Rama e thuri me durim për një kohë të gjatë.

Prandaj ai sot po merr kënaqësinë e fitimtarit pervers të një loje të pistë. Ashtu si regjizori i një teatri kukullash, qe ai që e imagjinoi spektaklin me dyert e blinduara, dhunën mbi protestuesit dhe gazin lotëjellës. Ai që ne pamë mbi skenë ishte thjeshtë pupaci që i lëvizte ato.

Për këtë Rama tallet sot me “budallenjtë” që vështirësojnë jetën e njerëzve të tyre, teksa lehtësojnë mbretërimin e tij.

Lapsi.al



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora