Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Jusuf Buxhovi: Një libër me vlera të veçanta

| E shtune, 08.01.2022, 05:17 PM |


Historiografi

NJË LIBËR ME VLERA TË VEÇANTA

Romeo Gurakuqi: “Shqipëria dhe tokat e lirueme 1939-1946”, boti “Jozef”, Tiranë, 2018.

Nga Jusuf BUXHOVI

Studimi i Romeo Gurakuqit “Shqipëria dhe tokat e lirueme 1939-1946”, në përpjekjet për të ndriçuar njërën ndër ngjarjet më domethënëse të kthesave historike nëpër të cilat kaloi bota shqiptare në fillim të shekullit të kaluar, ku lufta antifashiste, në njërën anë, anuloi realitetet politike që solli ardhja e fashizmit dhe, në tjetrën anë, ideologjia komuniste përcaktoi fatin shtetëror dhe politik të Shqipërisë po edhe të shqiptarëve jashtë kufijve të saj shtetëror (në Jugosllavinë titiste) në kuadër të diktaturës komuniste. Studimi i Gurakuqit, në këtë kontekst fiton kredibilitet shkencor ngaqë thyen kornizat e dy stereotipeve që historiografisë institucionale shqiptare që për mbi gjysmë shekulli ia kanë përcaktuar kriteret si dhe metodologjinë bashkë me limitet e trajtimit. I pari, është ai ideologjik, i mbështetur mbi diktaturën komuniste si rend shoqëror që për gjysmë shekulli Shqipërinë e mbajti në kuadër të sistemit komunist, të njohur si botë lindore në raport me botën e lirë perëndimore, ku bipolariteti blokist e bëri pjesë të “luftës së ftohtë” pasojat e së cilës dihen. Ndërsa kriteri i dytë, gjithnjë i lidhur me të parin, ndikoi që parja e luftës antifashiste në Shqipëri si pjesë e Frontit të Përgjithshëm Antifashist botëror nga viti 1941-1945, të shihet vetëm në planin global, pra në atë rrethin botëror të konfrontimit të Fuqive të Boshtit me të tjerat, ku bënin pjesë SHBA-të bashkë me Bashkimin Sovjetik, një front jashtë skemave ideologjie ndonëse me rivalitet fillimisht të fshehur e më vonë edhe të hapur pasi që Stalini “hisen” nga fronti antifashist, me mashtrimin e “ e të drejtës së popujve për vetëvendosje” pas fitores antifashiste, e ktheu në “të drejtë” të “deklarimit përbrenda sistemit ideologjik” që BRSS-së i mundësuan hegjemoni mbi shtetet e sistemi komunist në përmasa botërore. Ky kundrim, jo vetëm që anashkaloi realitetet që solli lufta e dytë botërore (shkatërrimin e Jugosllavisë së Versajës, e cilësuar deri në vitin 1940 nga vetë Kominterna “si burg popujsh që duhet të shkatërrohet”) dhe krijimin e shtetit të pavarur kroat dhe bashkimit të një pjese të tokave të okupuara shqiptare nga Serbia në vitin 1912 në kuadër të “Shqipërisë së Madhe” nën ombrellën e imperisë italiane të Musolinit, por në përputhje me sferat e reja të interesit, që vendosi fronti antifashist botëror (kryesisht SHBA-të, BRSS-ja dhe Britania e Madhe) në Jaltë dhe konferencën e Parisit më 1945, riktheu Jugosllavinë, por tash si federatë që Tito e themeloi në vitin 1943,me çka u përcaktua edhe fati i Kosovës për të vazhduar robërinë në rrethanat e një shteti sllavo-komunist, paçka që vetë komunistët shqiptarë të Kosovës, në Bujan, në konferencën e KNÇ-së, nga 31 dhjetori 1943 deri më 2 janar 1944 aprovuan një rezolutë ku shprehej QENDRIM (por jo ndonjë vendim decidiv, siç thuhet) për të drejtën e shqiptarëve për vetëvendosje, që kondicionalisht duhej të shqyrtohej pasi që të ketë përfunduar lufta antifashist dhe me kusht që në Shqipëri dhe Jugosllavi të fitojë fronti antifashist.

Mbi këto dy kritere kemi edhe patologjinë e historiografisë institucionale shqiptare dhe pasojat e saj që në njëfarë forme vazhdojnë edhe sot e githëditën, ngaqë lufta nacionalçlirimtare në Shqipëri dhe Jugosllavi u pasqyrua si një “çlirim”, ndërsa vendosja e rendit komunist – fitore e madhe e revolucionit popullore, që solli në pushtet luftën e klasave, që për pasojë pati edhe diferencimin shoqëror-politik të luftës dhe të pasluftës mbi anatemën, në njërën anë të “çlirimtarëve”, pra komunistëve pushtetarë dhe në tjetrën anë, atë të “klasës reaksionare”, “kuislingëve”, bashkëpunëtorëve të fashizmit, e të tjera, që u futën në kategorinë e “kundërrevolucionarëve” dhe u gjykuan me ligjet e revolucionit në format ma brutale, nga likuidimi, burgosjet si dhe mbajtjen nën anatemën e përjetshme të “armiqve” që përfshiu ata dhe familjet e tyre!

Anatema e “kuislingëve” dhe “bashkëpunëtorëve të fashizmit” pati pasoja të rënda edhe për Kosovën, ngaqë në bashkëpunim dhe marrëveshje të ngushtë midis komunistëve shqiptarë dhe atyre jugosllavë veçmas nga shtatori i vitit 1944 kur u kërkua që aradhet partizane shqiptare dhe jugosllave bashkarisht të “çlirojnë” Kosovën nga forcat fashite dhe ato patriotike që përthekonte Qeveria e Shqipërisë e formuar në tetor 1943, përcaktoi fatin nën Jugosllavinë e Titos, ku rendi komunist i hapte dyert rikthimit të projekteve antishqiptare të hegjemonizmit serb nga memorandumet e njohura (atij të Çubrilloviqit nga viti 1938 dhe të vitit 1944). Në këtë kohë, në emër të “luftës kundër kundërrevolucionit”, që u bë nën vendosjen e administratës ushtarake në janar të vitit 1945, praktikisht filloi gjenocidi i tretë me radhë ndaj shqiptarëve me pasoja të rënda, ngaqë nga armët e partizanëve shqiptarë dhe atyre jugosllavë, në frontet e Sremit, në masakrën e Tivari dhe në luftimet e Drenicës dhe gjetiu, gjetën vdekjen mbi 55 mijë shqiptarë, të gjithë të anatemuar si “kundërrevolucionarë”! Anatemë, kjo që për fat të keq, nga historiografia ideologjike në Tiranë dhe Prishtinë në botimin dyvëllimësh të “Historisë së Popullit Shqiptarë” (1953 të ribotuar në Prishtinë më 1969), për mbi një gjysmë shekulli, u trajtua si “fitore komunistëve ndaj kuislingëve dhe bashkëpunëtorëve të fashizmit”, ndërsa përpjekja e forcave patriotike në luftë kundër ripushtimit sllavo-komunist të Kosovës , siç ishte NDSH-ja dhe të tjerët të shkapërderdhura në pritje të intervenimit anglo-amerikan, u quajtën “kundërrevolucionar” dhe u likuiduan në mënyrë më brutale.

Studimi i Gurakuqit, në një opus voluminoz, paraqet anamnezën e këtij zhvillimi historik dhe pasojat shoqërore-politike, duke nxjerrë në pah raportet jashtë kundrimit bardh-zi. Pasqyrimi i kësaj problematike mbi kriteret objektive-shkencore, doemos inkorporon edhe qasjen e rishqyrtimit po edhe të rishkrimit të historisë nga kjo kohë, që në njëfarë mënyre, paraqet edhe gurthemelin e vendosje së gjithëmbarshme të kësaj problematike në opusin e rishqyrtimit dhe të rishkrimit të historisë në kohë dhe në hapësirë.

Edhe pse studimi i Romeo Gurakuqit meriton një trajtim të gjithanshëm, ku secili kapitull dhe secila etapë që merr në shqyrtim autori, mund të diskutohen nga pikëpamja e plotësimit po edhe të ridefinimeve që janë edhe të natyrshme, megjithatë, mund të thuhet se autori me këtë libër tashmë ka vu në dioptrinë e pakapërcyeshme të rishqyrtimit tematik të çështjeve disa, siç janë Fronti Antifashist botëror në planin global dhe po ashtu, atë të realiteteve që solli lufta antifashiste në planin shqiptar, veçmas pas rrënimit të Jugosllavisë së Versajës, jo vetëm në planin shtetëror, po edhe në atë të pasojave të tyre, siç ishte lufta civile si dhe zhvillimet pas përfundimit të saj kur çlirimi mori kuptimin e diktaturës dhe të represionit e ku vendosja e komunizmit në Shqipëri nuk shihet si fitore, por si një ndërprerje e një evolucioni historik të një populli, edhe ashtu të penguar në rrugën e zhvillimit.

Në fund të kësaj pamje të shkurtër të këtij studimi të rëndësishëm dhe, për nga qasja serioze të vetmit deri më tani në historiografinë tonë, duhet theksuar se në kapitullin XXXIII, i kushtohet hapësirë bukur e madhe edhe Kosovës, mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, 1943-1945, ku përqendrimi bie të bashkimi i tokave të liruara nga viti 1941 si dhe shfaqjes së Shtetit Shqiptar të nëntorit të vitit 1943, për të vazhduar pastaj me luftën antifashiste në Kosovë, si pjesë e luftës antifashiste të Jugosllavisë , ndonëse me tretman “autonom”, që do të përfundojë me pajtimin ideologjik të komunistëve shqiptarë dhe atyre jugosllav që ato që u thanë në Bujan në vitin 1943/44, rreth vetëvendosjes të kthehen në “vetëvendosje ideologjike”, pra që Kosova të mbetet nën Serbi si provincë!

Trajtimi i kësaj problematike nga autori, përcillet edhe me disa lapsuse dhe mangësui nga mungesa e dokumenteve autentike të LNÇ-së nga arkivat e Kosovës dhe ato të Jugosllavisë si dhe të disa autorëve meritorë jugosllav (Dedijerit), po edhe të atyre nga Kosova (Dr Ali Hadri e të tjerë),që pasqyrojnë evolucionin politik të frontit antifashist në Kosovë nga korniza jugosllave, siç ishte deri në mbledhjen e Sharit të tetorit të vitit 1943, kur do të ndryshohet emërtimi Këshillat Antifashiste të Kosovës e Metohisë në Këshillat Antifashiste të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit, emërtime këto që do të pasqyrohen edhe në gjithë organizimin (atë të aradheve partizane si dhe të strukturës partiake). Ndryshimi i emërtimit nga Kosovë e Metohi (Kosmet) në Kosovë e Rrafsh të Dukagjinit, nuk është formal, por esencial, meqë ndryshon diskursin nga ai i trajtimit hegjemonist serbomadh, ku Kosova dhe Metohia shihen pjesë e historisë shpirtërore dhe kishtare serbe, ndërsa ai Kosovë dhe Rrafsh i Dukagjinit, që do të anulohet në Konferencën e Prizrenit në korrik 1945 për t’u kthyer në Kosmet, do të përcjell edhe aspektin politik, kur Kosova, si provincë do të aneksohet nga Serbia si Kosmet, emërtim ky që do të mbetet në fuqi deri në vitin 1968 kur me amendamentet kushtetuese kthehet emërtimi Kosovë, që do ta ketë edhe me ndryshimet kushtetuese të vitit 1974, e që, në vitin 1989, Millosheviqi me dhunë do ta kthejë Kosovë e Metohi (Kosmet), emërtim ky që edhe sot e gjithëditën, ndonëse Kosova është shpallur shtet i pavarur më 2008, vazhdon të mbahet në Kushtetutën e Serbisë.