Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Edison Ypi: Difekte

| E premte, 07.01.2022, 10:11 PM |


Difekte

Nga Edison Ypi

Një gramshak ndezi një qiri. Pas pak qiriu u fik. E provoi disa herë me shkrepse, çakmak, eshkë. Meazallah. Prej asaj dite nuk ndezi dot asgjë. Shkakun e këtij Difekti e mësoi pas shumë vitesh: Gjyshi nga nëna kishte hedhur në erë me dinamit një Kishë në Myzeqe.

Një durrsak sot e kësaj dite ka neveri nga reçeli. Në kohën e kurvit brenda një kavanozi me reçel gjeti një buburrec. Prej atëhere ka mbetur me Difekt. Nuk fut reçel në gojë.

Një elbasanlliu, duke kafshuar një cop bukë, j'u ngatrrua nëpër dhëmbë një spango e trashë nga ato të thasëve të miellit që e bënin brumë duke e shtypur jevgjit me këmbë. Mezi ja hoqën spangon pasi ja prenë me gërshërë gjysmën e gjuhës dhe ja shqyen gojën ja bënë si të Guimplenit. Për shkak të këtij Difekti elbasanlliu nuk vë bukë në gojë, ha vetëm biskota.

Kam njohur një lapraks që ka tmerr ujin. As me sy nga larg nuk e sheh dot bregun e liqenit dhe detit. I ka mbetur ky Difekt qëkur po shetiste një ditë buzë detit me një radio në dorë duke dëgjuar kanconeta. E pa një polic. E mori me gjithë radion, e zhdëpi në hu për lakra mikroborgjeze në kokë. Prej asaj dite ka mbetur me Difekt. Nuk prek kurrë dorë radio me dorë.

Një skraparlli kur kishte qënë kalama pat' parë therjen e një qingji në oborr. I mbetën në mendje thikat e kasapit, çengelat, përpëlitjet e qingjit, rropullitë, qëntë e macet duke lëpirë gjakun. Prej asaj dite nuk vë mish në gojë, as sallam, as qofte, madje as peshk. Nga natyra është mishngrënës, por nga halli, për shkak të Difektit që i shkaktoi kjo ngjarje, ha vetëm jeshil'llëqe.

Një vlonjati që e ka shtëpinë te sheshi Avni Rustemi i thanë se Esat Pash Toptani ka qënë tradhëtar, dhe e besoi. E besoi për të besuar, por të nesërmen mori haberin se gruaja dhe çupa i ishin bërë kurva, pra në familje kishte pësuar Difekt. U deshën vite derisa u bind se Esat Pasha ishte një Shqiptar i madh. Por Difekti nuk u ndreq.

Një dardhar kishte ndjesinë e gabuar, pra Difektin, se kurrë nuk ishte aty ku ishte, por diku tjetër, gjetkë, në Bilisht, Pojan, Maliq, Lozhan. Një mik i tha se që të ndjehej si në katundin e vet duhej të ikte në një katund tjetër tjetër. Ashtu bëri. Dhe Difekti iku.

Një të përndjekuri që llafoset sikur ka ngrënë bythë turtulli dhe shkruan si surrati vet, nisi t'i krruhet bytha. S'la dermatolog pa vajtur për tu shëruar nga Difekti i krruajtjes së bythës. Asnjë s'ja gjeti shkakun. Derisa një ditë i tha një mik: Ti dhe shokët e tu jeni me Difekt. Ju i cilësoni të përndjekurit  me fjalën më poshtëruese që kurvi e ka shpikur enkas për t'ju ofenduar, poshtëruar; "Shtresë". Shtresë e mbulesë janë dysheku, jorgani, çarçafi, jastëku, jo të përndjekurit. Për shkak të këtij Difekti të tmerrshëm të krruhet bytha o idiot. Që  nga ajo ditë nisi ta krruaj bythën më pak. Por ende ja kam frikën se mos e përfytyron veten batanie si shtresë e ngrohtë për të mbështjellë komunistat të mos mërdhifin.

Me gjithkëto Difekte zor se do bëjmë ndonjëherë zgjedhje pa hile, shtet, administratë.