E premte, 19.04.2024, 05:58 AM (GMT+1)

Mendime

Alqi Naqellari: Inflacioni në Shqipëri është përgjithësisht i importuar dhe në këtë pikë BSH ndikon pak

E merkure, 10.12.2008, 05:50 PM


Dr. Alqi NAQELLARI: Inflacioni në Shqipëri është përgjithësisht i importuar dhe në këtë pikë BSH ndikon pak

Nga Albert Zholi
 
Bota po kalon krizën ekonomike më të madhe që pas vitit 1930, krizë e cila filloi në SHBA dhe tashmë po përhapet edhe në Evropë. Për të marrë një informacion më për plotë për shkaqet e krizës, mënyrën e përhapjes, ndikimin e saj në Shqipëri “Telegraf” zhvilloi një intervistë ekskluzive me Dr. Alqi NAQELLARI.

Kapitali financiar, kriza ekonomike ndikojnë dhe në Shqipëri


Po flitet shumë për krizën financiare dhe krizën e ekonomisë globale. Si e gjykoni ju, cili ishte shkaku i kësaj krize?

Së pari, duhet hequr koncepti i krizës ekonomike sepse është koncept i Ekonomisë politike të socializmit që përdoret nga vendet e ish bllokut komunist të lindjes dhe duhet përdorur fjala recesion. Recesioni është fazë e fluktacionit ekonomik dhe zgjidhet me masa komplekse e ekonomike brenda sistemit kapitalist. Kriza ekonomike (sipas konceptit të teorisë marksiste –leniniste) çon në krizë globale dhe kriza globale zgjidhet duke përmbysur sistemin kapitalist me revolucion dhe duke vendosur diktaturën e proletariatit. Megjithatë ne do ta përdorim këtë term sepse njerëzve u është mësuar veshi me të. Sipas vetë analistëve perëndimorë kriza financiare erdhi nga kriza e kredive të banesave dhe për llogari të ekzistencës së kapitalit financiar ajo kaloi në prodhim. Dha efektin e saj në bursë dhe në vendet që kishin lidhje direkte ose indirekte me ekonominë amerikane. Për këtë arsye u frenua përkohësisht përqindja e rritjes ekonomike. Rënia e normës së interesit në aspektin e brendshëm uli fuqinë blerëse të dollarit ndërsa në aspektin e jashtëm e zhvlerësoi atë.

-Çfarë është kapitali financiar?

Kapitali financiar është kapitali bankar i shkrirë me kapitalin industrial. Në perëndim nuk mund të kuptohet një firmë e fuqishme e pa lidhur funksionalisht me bankat dhe me bursën. Ato kanë përfaqësuesit e tyre në Banka dhe vetë bankat kanë përfaqësuesit e tyre në firma. Çdo tronditje në banka jep tronditje në firma. Kështu mungesa e likujditeteve në banka për llogari të moskthimit të kredive për banesa u ndje në mungesën e likujditeteve në firma. Si pasoj të saj kishim rënie të ritmit të rritjes ekonomike dhe të normës së papunësisë. Këto sollën sipas periudhave inflacion- deflacion dhe rënie të kërkesës agregate. Pra kemi një sërë pasojash zinxhir brenda dhe jashtë ekonomisë amerikane.

-A ekziston kapital financiar në ekonominë shqiptare?

Jo. Në ekonominë shqiptare nuk ekziston kapitali financiar. Ka tentuar dikur Alimuça për të mpleksur kapitalin industrial, prodhues me atë bankar por nuk e arriti dot sepse i shpallën falimentin.

-Çfarë ndikimi ka kriza e kapitalit amerikan në botë?

Këtë e kam shpjeguar në një analizë të hollësishme prandaj shkurt them se: Ka ndikim të madh në bursa. Ka ndikim nëpërmjet dollarit që është para botërore. Ka ndikim nëpërmjet kapitalit financiar dhe kapitaleve të eksportuara. Ka ndikim nëpërmjet aleancave strategjike dhe të rolit të tyre në botë. Ka ndikim në Evropë ku SHBA ka të eksportuar një pjesë të kapitalit të saj industrial. Kapitali europiano- perëndimor ka ndikim nga ana e tij në Rusi, Kinë, vendet e lindjes së afërme e të mesme. Ka ndikim në Kinë, Japoni dhe Indi, jo vetëm direkte, por edhe nëpërmjet veprimit mbi OPEK-un.

Çfarë ndikimi ka në ekonominë shqiptare?

Në ekonominë shqiptare ka shumë ndikim ndërsa më pak në sistemin bankar.

-Zoti Naqellari Guvernatori shpjegoi dhe tha që kemi sistem financiar të qëndrueshëm. A është e vërtetë kjo?

Në përgjithësi nuk jepen përgjigje direkte për garancinë e depozitave apo të kredive. Sistemi bankar nuk ka pësuar tronditje megjithëse gjithnjë e më shumë po rriten kreditë e këqija. Kjo nuk është meritë e BSH. Kjo është meritë, ashtu siç e shpjegova më lartë, e prapambetjes së tregjeve tona, e prapambetjes së tregut bankar dhe e fillimit me vonese të produkteve të reja me risk. Vini re se këto pasoja nuk u ndihen ose u ndihen pak në Vendet e ish bllokut Lindor sepse edhe atje më pak se në Shqipëri kemi mungesa në tregje dhe kapital financiar. Ne nuk jemi prekur sepse sistemi jonë bankar nuk është i lidhur me Bankat që pësuan këtë tronditje, nuk është i lidhur me firmat që pësuan këtë tronditje. Efekti i transmisionit nuk u ndje në sistemin bankar por do ndjehet në fusha të ndryshme të ekonomisë. Në SHBA goditjen prodhimit ja dha moskthimi kredive për banesa. Ky produkt tani së fundi është futur në Shqipëri. Nëse kreditë e dhëna për to nuk do kthehen do rrezikohet banka ndërsa prodhimi jo sepse nuk kemi kapital financiar. Pasojat në ekonomi janë refleks i lidhjeve që kanë bankat me biznesin, depozituesit, bankat e tjera të nivelit të dytë brenda dhe jashtë vendit, me bursën etj.

-BSH nuk reagoi në ndryshimin e normës së interesit në një kohë që thuajse të gjithë vendet e botës e ulën ndjeshëm atë për të stimuluar investimet dhe rritjen ekonomike. Si e shpjegon këtë?

Po, kjo është e vërtetë BSH prej më shumë se një viti nuk ka bërë asnjë ndryshim në normën e interesit, e ka mbajtur në kuotën e 6.25%. Rritja e tij e disa hershme vitin e kaluar u bë për arsye të frenimit të rritjes së çmimeve. Për mua kjo nuk pati asnjë rol në ekonomi sepse inflacioni vazhdoi të rritej dhe u ul kur ndryshuan çmimet e importit dhe presionit të qeverisë mbi “shoqatat” që gradualisht po shndërrohen në kartele. Kjo rritje pati ndikim negative në ekonomi. Ndikoi në rritjen e normës së kredive në lekë duke i frenuar ato. Shqiptarët ju kthyen kredive në valutë duke mënjanuar lekun. Shkurt BSH dhe leku po e humbin gradualisht rolin e tyre në ekonomi. BSH nuk ka më ndikimin e dikurshëm në tregun monetar. Fushëveprimi saj gradualisht po zëvendësohet prej valutave të huaja, euro dhe dollarë.

-Me këtë logjikë ju doni të thoni që BSH është e pafuqishme në kontrollin e inflacionit?

Po. E kam thënë në shkrimet e analizat e mia publikisht, një pjesë të botuara në gazetën “Telegraf” dhe Lajmi Javës. Në një analizë të fundit kam theksuar se BSH dhe leku po përgatiten për të dalë në pension. 
 
Leku po përgatitet për të dalë në pension

Po përsëris shkurt. Sepse sot në Shqipëri veç lekut që është para shtetërore kanë qytetarinë edhe euro dhe dollari amerikan duke mospërjashtuar edhe valutat minore si paund, rubël, juan, jen, dinar, pesos etj. Mbi 50 % e depozitave janë në valutë. Mbi 70% e kredive janë në valutë. Gati gjithë qarkullimi në mjetet themelore, në tregun e tokës, në tregun e banesave realizohet nëpërmjet valutës dhe jo nëpërmjet lekut shqiptar. Import- eksportet realizohen në valutë etj. Kështu kapitalet, makineri e pajisje, ndërtesat, toka, banesat, automjetet shit- blihen me valutë. Në këtë mënyrë është rrudhur dukshëm fushëveprimi i lekut shqiptar. Përgjithësisht ka ngelur dhe qarkullon në mallrat e konsumit të gjerë. Në këtë mënyrë veprimi i BSH e cila kontrollon lekun është i kufizuar dhe politikat e saj ekspansioniste dhe rrudhëse janë me ndikim të kufizuar. Inflacioni në Shqipëri është përgjithësisht i importuar dhe në këtë pikë BSH ndikon pak. Ndikon pjesërisht në kurset e këmbimit të lekut me valutat. Më shumë ka ndikim qeveria me politikat fiskale se sa ndikon Banka. Përsa i përket frenimit të daljes së lekut në formë kredie gjykoj se është veprim i gabuar. 
 
Ndikimi i sistemit banker në ekonomi

Për ta parë më nga afër diferencojmë disa momente.
E para, nuk janë vendosur dhe konsoliduar marrëdhëniet kapitaliste në prodhim. Ekonomia shqiptare ka ndryshim nga ekonomia perëndimore sepse akoma nuk ka mbaruar procesi privatizimit të tokës dhe kapitalit. Pra mungon ose është i pa pjekur tregu tokës mbi të cilin organizohen marrëdhëniet e shitblerjes. Mungojnë tregjet e kapitaleve. Ne vijmë nga një sistem i centralizuar ndërsa perëndimi jo. Akoma nuk ekziston në masë tregu banesave pasi me mijëra të tilla janë të pa legalizuara, etj. E dyta, mungon legjislacioni përkatës i rregullimit të këtyre marrëdhënieve për të thithur investitorët e huaj. E treta, kemi një sistem bankar të prapambetur. E thash se nuk ka kapital financiar, pra shkrirje të kapitalit bankar me atë industrial. Kjo sjell që edhe në rast të tronditjes së ndonjë banke të mos kemi pasoja në ekonomi. Në Shqipëri nuk ekziston tregu i kapitaleve, nuk ekziston bursa. Ndërmarrjet nuk e kanë kapitalin e tyre të listuar në bursë. Në ekonominë tonë ajo ndikon pak dhe ne shikojmë vetëm kurset e këmbimit, çmimet e grurit, të misrit, të mineraleve, të karburanteve dhe nuk ndjekim treguesit e tjerë të ndërmarrjeve të fuqishme. Bursa lëviz ndërmarrjet, lëviz prodhimin, bursa lëviz vetë bankat. Në Shqipëri nuk ka çfarë të lëvizi. Edhe Bonot e Thesarit, që janë letra me vlerë, instrumente borxhi, tregtohen prej BSH për llogari të Qeverisë shqiptare. Unë nuk di që në Shqipëri të ketë ndonjë ndërmarrje që të ketë kapitalin e saj të listuar në ndonjë bursë, qoftë edhe në Maqedoni. Në ekonomi do ketë më shumë ndikim sepse kemi një sërë fushash ku lidhemi me ekonominë globale. Fushat vetëm sa do t’i përmend sepse këtë analizë e kam bërë në një shkrim tjetër shumë kohë më parë. Kështu:
-Do ketë ndikim në kursin e këmbimit të lekut. Kjo është e lidhur me politikat e bankave të nivelit të dytë dhe me vetë Bankën Qendrore.
-Do ketë ndikim në dërgesat e valutës nga jashtë prej refugjatëve shqiptarë.
-Do ketë në madhësinë e investimeve të huaja që do futen në Shqipëri.
-Do ketë në numrin e turistëve që do vizitojnë Shqipërinë dhe në vetë nivelin e turizmit.
-Do ketë ndikim në eksport dhe import të mallrave kapital dhe të konsumit të gjerë, etj, etj,
Rezultantja e plus minuseve do tregojë nëse kriza botërore do ndikojë pozitivisht apo negativisht në ekonominë tonë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora