| E enjte, 06.01.2022, 07:13 PM |
Qytetarët duan zgjidhje, jo prolongim të problemeve me Serbinë!
Shkruan:
Florim Zeqa
Si pasojë e tjetërsimit të luftës
çlirimtare në njërën anë dhe intervenimit ushtarak të NATO-s në ndërprerjen e
“konfliktit” të armatosur në anën tjetër, edhe gati 23 vjet pas çlirimit dhe 14
vjet pas pavarësimit, Kosova ka mbetur ende e mbështjellur nga vargonjët
serbosllav në veri dhe brendi të vendit.
Ndërhyrja e NATO-s na e solli lirinë, por edhe ndarjen
njëkohësisht
Edhe pse jemi shtet i pavarur dhe i njohur ndërkombëtarisht nga mëse 114 shtete, edhe pse e kemi ushtrinë në
transformim e sipër (FSK-në), ajo ende nuk është forcë e armatosur e gatshme që
t’i mbron kufijtë e jashtëm të Kosovës. Edhe pas 23 viteve, KFOR-i është mbrojtësi faktik i
lirisë, sovranitetit dhe tërësisë territoriale të vendit tonë!
Ndërhyrja
e NATO-s na e solli lirinë, por edhe ndarjen njëkohësisht. Sikurse vendosja e
forcave paqeruajtëse të KFOR-it ruso-francez mbi Urën e lumit Ibër në Mitrovicë
që nuk ishte e rastësishme, nuk ishte i rastësishëm as fillimi i dialogut
Kosovë-Serbi në Bruksel në vitin 2011!
Fillimi i dialogut pas pavarësisë,
vrastar për shtetin e Kosovës
Dialogu fillimisht e dëmtoi shtetin
tonë më heqjen e emrit “Republikë” dhe vendosjen e fusnotës pas emrit
ndërkombëtar KOSOVO*! Por e keqja nuk përfundoj me kaq, si produkt i presionit
politik ndërkombëtar ndaj liderëve shtetërorë të Kosovës, dialogu e prodhojë
ndarjen e qytetit të Mitrovicës në dy pjesë; në Mitrovicën Veriore dhe atë
Jugore si edhe Asociacionin e komunave serbe në veri të vendit apo Zajednicën
serbe.
Për fatin e keq, këto dy realitete të
hidhura (ndarja e Mitrovicës dhe Zajednica) janë ratifikuar në Kuvendin e
Republikës së Kosovës me votat e shumicës së deputetëve shqiptarë!
Edhe pse Albin Kurti nuk është
përgjegjës për njërën dhe as për tjetrën, janë dy realitete të krijuara dhe të
pakthyera të cilat nuk mund t’i ndryshojë. Përderisa njëra (Asociacioni) është
marrëveshje ndërkombëtare e nënshkruar nga dy kryeministra të Kosovës dhe e
miratuar në Parlament, tjetra (ndarja e Mitrovicës) është ratifikuar dhe
përligjur nga brenda (nga shteti i Kosovës) dhe nga jashtë (nga bashkësia
ndërkombëtare).
Vetë dhurimi i 8200 hektarëve tokë
Malit të Zi nën premtimin e BE-së në mashtrim për liberalizimin e vizave për
qytetarët e Kosovës, ua ka lënë "shtegun hapur" ndërkombëtarëve
(BE-së) për kushtin e radhës për liberalizim. Kësisoji, Kosova rrezikohet me
kushtëzime të reja për liberalizimin e vizave nga bashkësia ndërkombëtare!
Në fillim të këtij viti pritet të
ndodhë diçka ngjashëm si me demarkacionin me Malin e Zi, por me presion më të
madh ndërkombëtar dhe përmasa më të mëdha territoriale, me premtimin e njëjtë
se në fund do të arrihet liberalizimi i vizave, anëtarësimi i Kosovës në BE dhe
OKB, UNESCO dhe INTERPOL!
Pra, sfidë e mundimshme dhe e
pakapërcyeshme për Albin Kurtin do të jetë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë
në Bruksel. Pozicionimi i Albin Kurtit përballë dialogut më shumë ka të bëjë me
konsistencën në mbajtjen e pushtetit sesa të zgjidhjes së problemeve me
Serbinë!
Kushti i radhës mund të jetë akoma më i
dhimbshëm, që Kosova ta bëjë marrëveshjen e imponuar dhe planifikuar nga
Beogradi dhe Brukseli, nga e cila Kosova do të dalë e dëmtuar për dhjetra
mijëra kilometra katrorë, me humbjen e resurseve natyrore, pasurive kryesore
nëntokësore ('Trepça', Ujmani, etj.), si dhe ndarjen e sovranitetit të shtetit
të mbetur në disa pjesë; në Kosovën shqiptare (me Prishtinën e zgjeruar me
komunat shqiptare), atë serbe (AKS-në e zgjeruar me enklavat, kishat dhe
manastiret serbe në brendi), si dhe pjesën turke (pjesën e Prizrenit të
erdoganizuar me mbetjet turkofile gjithandej Kosovës)!
Ky nuk është defetizëm, por rrezik real
nga i cili kanoset sovraniteti i Republikës së Kosovës nga armiqtë shekullorë
(Serbia dhe Turqia).
Albin Kurti n’teh të shpatës
Sikur Albin Kurti arrinë që t’ia heqë
kompetencat ekzekutive Asociacionit të komunave serbe në veri, sikur arrinë
t’ua heqë ex-territorialitetin Kishave dhe Manastireve serbe dhe pronat t’ua
kthejë pronarëve legjitim (komunave dhe qytetarëve), sikur arrinë ta zhbëjë
decentralizimin etnik dhe zhbërjen e komunave një-etnike serbe, nëse arrinë t’i
kthejë mbi 3 mijë hektarë të falura Maqedonisë dhe mbi 8200 hektarë të dhuruara
Malit të Zi, atëherë Albin Kurtin, jo kryeministër të përjetshëm, por do ta
bëjmë mbret të të gjithë shqiptarëve.
Mirëpo, Albin Kurti për gjëra që
s’bëhen dot nuk guxon t’i mbajë peng 1 milion e 500 mijë banorët e mbetur në
Kosovë, por duhet të veprojë me urgjencë për mbylljen e kapitullit me Serbinë
në mënyrën më të mirë të mundshme. Albin Kurti sikur më qëllim po harron dhe po
i refuzon përgjegjësitë e marrura më 14 shkurt 2021 nga votat e qytetarëve.
Qytetarët presin nga Albin Kurti që
paralelisht zgjidhjes së problemeve të brendshme socio-ekonomike, ta përmbyllë
edhe dialogun me Serbinë, problem nga i cili Kosova është mbetur peng i
zhvillimit ekonomik, i liberalizimit të vizave dhe mirëqenjes qytetare në
përgjithësi.
Mirëpo siq po shihet qartë kjo situatë
nuk është duke e penguar aspak Albin Kurtin e akomoduar mirë në pushtetin
qendror. Në vend që të përkushtohet në zgjidhjen e problemit kyq të Kosovës me
Serbinë, është fokusuar në betejen politike përreth pushtetit lokal.
Albin Kurti është duke ecur n’teh të
shpatës, duke u munduar të prolongoj zgjidhjen përfundimtare me Serbinë dhe
mbetjen në pushtet pa e bërë asnjë veprim që përmirëson sigurinë dhe mirëqenjen
e qytetarëve!
Siq dihet dialogu me Serbinë dhe
demarkacioni me Malin e Zi na i rrëzoi disa kryeministria, andaj fare lehtë
mund të ndodhë që shkaku i dialogut dhe demarkacionit me Serbinë të rrëshqasë
nga “tehu i shpatës” edhe Albin Kurti, kryeministri me legjitimitetin më të
madh qytetarë nga paslufta e këndej!
Rënja e Qeverisë me
legjitimitetin më të madh nuk do të jetë në të mirën e shtetit dhe qytetarëve,
sikurse që nuk do të jetë në të mirën e askujt prolongimi i dialogut,
gjegjësisht zgjidhjes përfundimtare me Serbinë! Andaj, i nderuari kreministër i
vendit tim, Albin Kurti, puno dhe vepro pa u ndalur për të mbrojtur atë që
është e mundur të mbrohet në këto rrethana kohore. Ndryshe, prolongimi i
çështjes së veriut të Kosovës, i hapur në dialogun e Brukselit mund t’na
kushtojë akoma më shumë në të ardhmen me ndryshimin e rrethanave gjeopolitike
në botë!