E enjte, 28.03.2024, 03:02 PM (GMT)

Kulturë

Hamza Halabaku: Letër për Xhemën

E marte, 04.01.2022, 05:00 PM


LETËR PËR XHEMËN

Nga Hamza Halabaku

Kam vendosur të të shkruaj letër, i dashuri Xhemë! Këto që po t’i shkruaj do të t’i thosha edhe në sy, po nuk po mund të të takoj, edhe pse shpesh po vij në fshat!

Letra nuk është vetëm për ty. Këtë letër mund ta lexojnë edhe të tjerët që janë si ti, ose të përngjajnë ty!

Të kujtohet koha kur isha në pozitë në sistemin e shkuar. Nuk isha në pozitë të lartë, po jo edhe të vogël në pushtetin e atëhershëm. Shpeshherë më ftoje e më luteshe që të takoheshim në odën tënde. Eja, kthehu ta pimë një kupë çaj, nuk jemi të largët, më thoshe! Të kujtohet kur kishe nevojë për ta shtyrë burgun për ato veprat e lehta kundërvajtëse që i bëje ti, ose dikush nga familja. Ishin vërtet punë të vogla, por gjyqi atëherë bënte punën e vet. Ishte pak më ndryshe se në kohën e tanishme. E di, e di, nuk ishin dënime të rënda! Dhjetë apo pesëmbëdhjetë ditë burg... Ti e njerëzit tanë asnjëherë nuk kanë bërë krime. Ndonjë vjedhje e vogël në mal, ndonjë borxh kooperativave bujqësore e kështu me radhë... Për krime nuk të kisha ndihmuar as ty e askujt!

Ma bëj të mundur, të lutem, thoshe atëherë, që bile sa të kaloj koha e shatit e unë vetë do të paraqitem dhe e kryej dënimin. Le të më presin edhe pak sa ta dorëzoj duhanin në Kombinatin e Duhanit e do ta kthej borxhin...

Atëherë kur punoja në administratën e gjykatës në komunën tonë kisha mundësi t’u ndihmoja njerëzve të sjellshëm! Nuk ishte ndonjë punë e madhe të shtyhej burgimi dhjetëditësh nga maji për në dhjetor, fjala vjen. Po edhe kthimi i borxhit kooperativës nuk bëhej kiameti që të shtyhej derisa të dorëzohej duhani, ose derisa të shitej ndonjë qengj që t’i i kishe me bollëk.

Këso ndihmash do të bëja për secilin e le më për njerëzit e fisit tim!

E kemi caktuar kohën e dasmës, për martesën e vëllait, më thoshe, e tash i ka ardhur thirrja për të shkuar në shërbimin ushtarak. Të lutemi, unë dhe tërë familja, po pate mundësi, na ndihmo të shtyhet për afatin tjetër shkuarja e vëllait për në ushtri! Pa një pa dy, vija nga kryeqyteti drejt e te ti. Edhe vizitën për prindërit e mi e lija për më vonë. Ta rregullojmë njëherë punën e ushtrisë, për vëllanë tënd, mendoja, e pastaj i vizitoj prindërit. Thirrjen për ushtri në dorë, e së bashku shkonim në organin kompetent për punët e mbrojtjes, si quhej atëherë, dhe ata, për hatrin tim, i kisha shokë të shkollës, merrnin vendim pozitiv.

- Kur ju konvenon juve? Kur bëhet gati yt vëlla? - na thoshin! Na e plotësonin dëshirën, Xhemo!

Herën tjetër prapë kishe nevojë për shtyrjen e afatit të shërbimit ushtarak dhe prapë me sukses i rregullonim punët. E di, të falënderoj shumë që më bëje ftesë të kthehem për drekë në odën tënde, Xhemo, po unë të kërkoja falje, se kisha obligimin që t’i vizitoja prindërit! Nuk të kam kërkuar asnjëherë shpërblim, si kërkojnë tani. Bile, me shpenzimet e mia vija nga kryeqyteti deri në qendrën e komunës sonë. Edhe ty të merrja me vete që të bindesh për përpjekjet e mia. Asnjë punë nuk e kam bërë për mendjemadhësi. Të ndihmoja se ishim të një fisi. Ishim të një gjaku. Mendoja se kam borxh moral, për këso punë të vogla, të ndihmoja jo vetëm ty. E ke pasur nënën të fisme dhe punëtore. Asnjëherë nuk na linte pa bukë, kur ishim fëmijë, kur ishte koha e bukës. O sa të mirë, të pastër e të begatë e kanë pasur magjen nënat tona. Atë kohë, nëna jote, e zinte vendin e parë në mëhallën tonë! Në kohën kur ishim fëmijë, sa herë të jepte bukë ty, as ne të tjerëve nuk na linte të uritur!

Ti e di se ishim në të njëjtin oborr, si thuhet. Para cilësdo shtëpi na zinte koha e drekës, na jepte bukë nëna jote, nëna ime, nëna Minë ose nëna Latë ...

Tani, pas luftës, kur kishe nevojë për t’u telefonuar bijve të tu, që ishin të punësuar në Perëndim, nuk e di në Gjermani, në Zvicër, apo diku tjetër, unë nuk isha në shtëpi, të gjithë fëmijët e mi dhe bashkëshortja ishin në kryeqytet. Më tregonin që shkoje herët në mëngjes për t’u telefonuar njerëzve tu që ishin jashtë vendit!

Fëmijët më tregonin se shumë herët i bije ziles në banesën tonë. Ato ngriheshin nga shtrati dhe shikonin në vrimën e derës e ta hapnin derën. U kisha thënë, kur të vijë Xhema, hapeni lirisht derën. Ai është i gjakut tonë, e kemi familje, asnjëherë mos dyshoni për asgjë. Është vëllai ynë. Së pari bashkëshortja ime ta bënte kafenë e pastaj nga mëngjesi e deri në drekën e asaj dite ishe si anëtar i familjes! Telefonata shpeshherë edhe vonohej nga njerëzit e tu.

E çka ka ndodhur tash, Xhemo!?

Kam dëgjuar se njerëzit e tu janë mirë në Perëndimin shumë të zhvilluar. Ata po fituakan mjaft të ardhura në vendet e tyre të punës. Më beso, mund të betohem, se mua më bëhet qejfi që ata janë mirë e edhe ti ke arritur shumë lart me pasurinë tënde në fshat. Punëtorin e ndihmon Zoti!

Kjo më gëzon shumë. Zemra mal më bëhet! Po tani po befasohem se sa herë po vij në fshat, diku rrugës kur po të shoh, si duket ti po më vëren më herët, po ma kthen shpinën dhe po ikën në drejtim që nuk duhet të ikësh fare!

Po habitem, pse po e bën këtë! Pse po ikën nga unë!? Nuk kam ndryshuar asgjë. Jam ai i atëhershmi. Tani nuk kam nevojë për asgjë! Unë jam shumë mirë! Mos ik, më shiko në fytyrë, se nuk ka ndodhur asgjë e keqe...

Nëse mendon se ka ardhur një kohë e keqe, nuk e ke mirë. Koha është ajo që ishte, po ne jemi bërë më të këqij! Letrën e kam shkruar në emrin tënd, Xhemo.

Por, të lutem, mos e merr veç për vete. Tani jemi bërë shumë si ti...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora