E premte, 29.03.2024, 12:33 AM (GMT)

Mendime

Enver Robelli: Në kërkim të një imami evropian të Kosovës

E merkure, 10.12.2008, 02:35 PM


Enver Robelli
Në kërkim të një imami evropian të Kosovës

Nga Enver Robelli

Pse klerikët myslimanë të Kosovës janë vetëm statistë në debatet mbi islamin në Evropë? Dhe si kaloi pa u vënë re vizita e ipeshkvit Vaclav Maly në Kosovë, ikonës së lëvizjes demokratike në Çekosllovakinë e dikurshme?

Edhe pse shumica e bano­rëve të Koso­vës - nominalisht - ide­ntifikohen me fenë islame, krerët fetarë të vendit janë po­th­uajse të panjohur përtej gardhit vendor. Zëri i tyre nuk dëgjohet në debatet interesante që zhvillohen në Evropë mbi temën se a përputhet islami me demokracinë? Si qëndron puna me të drejtat e femrës? A lejohet vrasja e një femre me gurë “nëse ajo tradhton burrin”, siç propagandojnë disa klerikë myslimanë nëpër Evropë? A mund të marrin pjesë nxënësit myslimanë në not në shkollë me shokët dhe shoqet e tyre? (Ka prindër myslimanë në vendet evropiane, të cilët ua ndalojnë fëmijëve të tyre pjesëmarrjen në not në shkollë me arsyetimin se kjo lëndon ndjenjat fetare).

Nuk ka madje as reagime pozitive nga Bashkësia Islame e Kosovës kur, ta zëmë, ipeshkvi i Çekisë, Vaclav Maly, thotë: “Kosova është model i bashkëjetesës i të krishterëve dhe myslimanëve në pjesë të tjera të Evropës”. Një deklaratë e tillë do të duhej të përshëndetej madje edhe nga politika. Aq më tepër që ipeshkvi Maly gjatë vizitës së tij në Kosovë tha se bashkëjetesa e myslimanëve dhe katolikëve në Kosovë me Kishën Ortodokse Serbe nuk ka qenë e lehtë, sepse titullarët e saj mjerisht e kanë luajtur letrën nacionaliste. Për një klerik të nivelit aq të lartë, kjo është një deklaratë jashtëzakonisht politike. Për fat të keq, as në mediat kosovare kësaj vizitë nuk iu kushtua vëmendje. Vaclav Maly çmohet shumë për rolin e tij gjatë revolucionit paqësor në ndërrimin e regjimit komunist në Çekosllovaki; ai ka qenë politikisht aktiv që në vitet 70 dhe bashkë me Vacav Havelin ka nënshkruar Kartën 77, një peticion i disidentëve çekosllovakë kundër shkeljes së të drejtave të njeriut. Më vonë Karta 77 u shndërrua në lëvizje për të drejta civile. Gjatë sundimit komunist, Maly është mbajtur në burg, është marrë në pyetje gjithsej 240 herë, është detyruar të punonte si mirëmbajtës i ngrohjes në një hotel të Pragës, si punëtor ndihmës në metro apo si pastrues nevojtoresh. Sot, me autoritetin e tij të ndritur, ipeshkvi Maly angazhohet për të drejtat e njeriut në Iran e vende të tjera (semi)diktatoriale.

A mund ta paramendojmë kryet­arin e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Tërnavën, në një rol të tillë? Vështirë. Aktivitetet e tij kufizohen në mbajtjen e fjalimeve me rastin e festave fetare ose në parashtrimin e kërkesave për ndërtimin e xhamive të reja. Jo rrallë këto kërkesa janë legjitime, por a duhet të jenë edhe çështje parësore e Bashkësisë Islame të Kosovës? A duhet të lejohet nga BIK-u, madje edhe të mbështetet nga disa imamë, organizimi i spektakleve të faljes masive në rrugë në shenjë proteste se kinse mungon hapësira nëpër xhami? Një paradë e tillë u organizua sivjet në qendër të Prishtinës.

Nga ana tjetër teologët fetarë myslimanë të Kosovës preferojnë të heshtin ose, në rastin më të mirë, flasin me zë të pakuptu­eshëm, kur persona me devijime mentale përmes predikimeve, veshjes, stilit të jetës përpiqen të ekspozojnë (imponojnë?) publikisht një lloj të fesë islame, që për këto treva është tërësisht i panjohur dhe jashtë traditës së bujshme, shpeshherë edhe pozitive të islamit ndër shqiptarë. Teologët islamë të Kosovës heshtin edhe atëherë kur një vrasje makabre në Prishtinë nga ana e dorasit arsyetohet me rregullat fetare, me sheriat. A do të heshtin kur ndonjë fundamentalist do të kërkojë prerjen e duarve, duke iu referuar fesë dhe moralit të shpifur? Ose kamxhikosjen e femrave të veshura “në kundërshtim” me fenë islame?

Duke qenë jashtëzakonisht tolerantë dhe pragmatikë ndaj feve të tjera, shqiptarët myslimanë në Ballkan meritojnë të kenë prijës fetarë, të cilët aktivisht marrin pjesë në debatet e rëndësishme mbi rolin e islamit në shoqëri, në Evropën e bashkuar, në demokraci etj. Nga teologët myslimanë në Prishtinë kërkohet të shprehin mendimin e tyre edhe jashtë konferencave që i organizon UNESCO-ja dhe organizata të tjera, të cilat mbështesin shkëmbimin e mendimeve mes prijësve të religjioneve të ndryshme. Nuk mjafton nëse teologët islamë të Kosovës flasin vetëm për Bajram. Vetëm për Bajramin e Madh dhe të Vogël! Nëse ata flasin me gjuhën e arsyes dhe të librit të shenjtë islam, por gjithnjë duke respektuar edhe të drejtën tokësore e kushtetuese, atëherë klerikët myslimanë kosovarë mund të bëhen të njohur edhe jashtë kufijve të Kosovës, madje të pranohen si shembuj të përkrahjes së tolerancës mes feve.

Këtë rol në Evropë e ka zaptuar prijësi i myslimanëve të Bosnjës, Mustafa Ceriq. Ai javën e kaluar u nderua në Gjermani me çmimin prestigjioz “Eugen Biser” për shkak se bashkë me dy klerikë nga bota arabe kishte iniciuar një letër drejtuar Papa Benediktit XVI, në të cilën kërkohej dialog konstruktiv pas një fjalimi të pakujdesshëm të kreut të Kishës Katolike, ku ai në mënyrë të njëanshme e kishte kritikuar fenë islame. Vetë Ceriq është një figurë e diskutueshme: në një artikull për revistën “European View” ai kishte shkruar se sheriati është “i përjetshëm, i  panegociueshëm dhe i pafund”. Në disa media gjermane ai menjëherë u akuzua se u kishte dhënë ligjeve islame, pra sheriatit, rol më të rëndësishëm sesa Kushtetutës gjermane. Në prag të marrjes së çmimit “Eugen Biser” Ceriq, megjithatë, u përbetua se ligjet tokësore janë përmbi sheriatin.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora