Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shpëtim Shkurti: 9 dhjetor 1990, takimi i fshehtë i 12 studentëve me Ramiz Alinë

| E merkure, 10.12.2008, 04:13 PM |


Nga Ing. Shpëtim Shkurti, Aschaffenburg/Gjermani
 
Lëvizja e Dhjetorit e vitit 1990, ka ende shumë pjesë të pazbardhura rreth saj. Ing. Shpëtim Shkurti, një ish-student i vitit të parë në vitin 1990, ishte protestues si mijëra studentët e tjerë. Ndonëse në vit të parë, Shpëtim Shkurti pati rastin të ishte pjesë e një takimi historik. Vetëm dy ditë larg shpërthimit të protestës, udhëheqja e lartë komuniste e kohës po e vlerësonte tepër seriozisht protestën e studentëve. Shumë prej qytetarëve shqiptarë kanë parë në ekran një takim me ish-diktatorin, Ramiz Alia, dhe një grupi studentësh dhe pedagogësh, si Azem Hajdari, Arben Imami, Blendi Gonxhe e shumë të tjerë. Por para këtij takimi publik, studentët patën një takim të fshehtë me Ramiz Alinë në korpusin e Universitetit të Tiranës me diktatorin Alia. Takimi u bë me një përfaqësi prej 12 studentësh, me në krye liderin e tyre, Azem Hajdarin. Kësaj here, ndryshe nga takimi publik, të 12 pjesëmarrësit ishin vetëm studentë. Mes frikës, policëve dhe agjentëve të shumtë, të 12 studentët takuan Ramiz Alinë. Por cila ishte biseda e bërë mes tyre? Ing. Shpëtim Shkurti e përcjell këtë takim historik si dhe të gjithë dialogun që u zhvillua atje. Shkurti tregon për forcën e Azem Hajdarit, i cili ishte i pari që pati guximin që t’i thoshte diktatorit Alia se protestat e studentëve nuk ishin për ndonjë tas groshë më shumë, por për diçka tjetër. Por çfarë u tha Ramiz Alia 12 studentëve dhe cilat ishin replikat e para e shumë detaje të tjera, i përcjell në këtë shkrim, Ing. Shpëtim Shkurti, një prej pjesëmarrësve në këtë takim mes 12 studentëve dhe Ramiz Alisë.

Meqenëse për Lëvizjen Studentore të Dhjetorit ‘90 janë shkruar shumë kujtime, prej qindra ish-studentësh të asaj kohe, unë po risjell në kujtesë një moment të veçantë të kësaj Lëvizjeje, për të cilin është shkruar shumë pak (për të mos thënë që nuk është shkruar fare), i cili është takimi i një përfaqësie pre 12 studentësh me Ramiz Alinë, rreth orës 02:00 të mëngjesit të 9 dhjetorit, te korpusi i Universitetit të Tiranës. Dua ta risjell këtë kujtim edhe për faktin se meqenëse ai takim u bë larg objektivit të kamerave apo fotoaparateve dhe meqenëse për të ka shumë pak dëshmitarë (12 studentë, Ramiz Alia, Xhelil Gjoni, 2 truprojat e Ramizit), mund të mbulohet nga pluhuri i viteve që kalojnë dhe rrezikon që dikur të harrohet.

Kishin kaluar 5-6 orë të asaj të shtune mbrëma të 8 dhjetorit 1990, qëkur studentët e parë u mblodhën para godinës 15 të Qytetit Studenti për të filluar atë që do ngelej në historinë shqiptare si Lëvizja Studentore e Dhjetorit ‘90 dhe sapo kishte hyrë e diela e 9 dhjetorit 1990. Ishim nisur para 2-3 orësh për të dalë në sheshin “Skënderbej”, por forcat e panumërta të policisë, të repartit special 326 (“sampistët”), të Sigurimit të Shtetit, të Gardës etj. etj. na kishin bllokuar në mes të rrugicës që lidhte hyrjen veriore të Qytetit Studenti me pjesën e fundit të “Rrugës së Elbasanit” (para urës së Lanës) ose siç e quanim atëherë, me Trikotazhin, pasi në fund të kësaj rrugice ndodhej një dyqan trikotazhi. Nga të dy krahët e kësaj rrugice ishin avllitë e shtëpive dhe pallate. Ndërsa përpara dhe prapa, grupin tonë prej pothuajse 1000 studentësh, e kishin futur në një “darë rrethimi” forcat e përmendura më sipër. Kishim 2-3 orë që këndonim këngët e njohura patriotike si p.sh.: “O djem rrëmbeni pushkët, ja vdekje ja liri… ose thirrjet: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”. Në këtë kohë, grupit të studentëve i afrohet një person civil, dukej nga veshja që ishte nga ata të “Drejtorisë së dytë”, dhe na thotë: “Shoku Ramiz Alia pranon të takojë një përfaqësi tuajën, po të dëshironi edhe tani në këtë orë”. Ky propozim na erdhi i papritur. Ne vërtet i kishim thënë ministrit të Arsimit të asaj kohe, Skënder Gjinushit, i cili kishte ardhur të fliste me ne, që nuk flasim me asnjë pushtetar tjetër, përveçse me Ramiz Alinë, por që Ramizi të pranonte të takohej me ne në orën 2 të natës, këtë nuk e kishim llogaritur.

U caktuan shpejt e shpejt 12 studentë, të cilët deri në atë moment kishin qenë më aktivë në ato 5-6 orë të tubimit, për të përfaqësuar studentët. Unë për vete, meqenëse në shtator kisha filluar vitin e parë (pra, kisha vetëm 3 muaj në Qytetin Studenti) nuk njihja asnjërin prej tyre, as për emër dhe as për fytyrë. Me përjashtim të të ndjerit Azem Hajdari, i cili para pak orësh i ishte prezantuar grupit të studentëve, që donte të shkonte në sheshin “Skënderbej”, me këto fjalë:

“Jam Azem Hajdari prej Tropoje. Studioj Juridik, babë i dy kalamajve. Me ba vaki edhe me më vra mu sonte ata qenat, unë për vete shkoj pa merak, sepse e kam një djalë që mbas 10 vjetësh bahet burrë”.

Takimi u vendos që të bëhej tek korpusi i Universitetit të Tiranës. Përpara se të niseshim, u thamë shokëve dhe shoqeve tanë që, në qoftë se ne nuk kthehemi për 45 minuta, atëherë ne nuk na kanë dërguar në takim me Ramiz Alinë, por ose na kanë vrarë, ose na kanë burgosur. Ishte në dorën e tyre se çfarë do të bënin më pas, për të mos lejuar që ne të ishim flijuar kot.

Për tek Universiteti shkuam me vrap, për të mos shpenzuar shumë kohë nga 45-minutëshi. Rrugët e Tiranës ishin të shkreta. Çdo 200-300 metra kishte gardhe gardistësh, të armatosur me “Kallashnikovë”. Kur mbërritëm tek Universiteti, pamë që ai ishte rrethuar me civilë, të armatosur me automatikë të vegjël të tipit “Tompson”. U qetësuam pak, sepse e kuptuam që takimi me Ramizin nuk ishte një blof, por vërtet do bëhej. Na drejtuan në katin e dytë, në një klasë që ndodhej nga krahu lindor i Universitetit (krahu nga stadiumi kombëtar). U ulëm në banka dhe po prisnim. Pa e kuptuar, ishim ulur ngjitur me njëri-tjetrin në tre rreshtat e parë dhe në mes të rreshtit të parë kishim vënë Azemin. Pas pak, në atë klasë hyri Xhelil Gjoni. Na përshëndeti dhe deshi të dinte se si ishte puna.

Azemi iu përgjigj vrazhdë: “Nuk kemi ardh me fol me ty ktu, por me shokun Ramiz”. Xhelili u nxi në fytyrë, por nuk foli. Nxori nga xhepi një shami të pastër, të hekurosur, të mëndafshtë dhe filloi të fshinte me të tavolinën dhe karrigen e profesorit, vendi ku do të ulej Ramizi.

Kaluan edhe disa minuta, që për ne u duken si vite, kur në klasë hyri Ramizi me dy truprojat e tij. Pasi u përshëndet duke shtrënguar duart me ne, filloi pyetjet e kortezisë për shkollën, familjen, moshën tonë, fakultetet ku studionim etj. në mënyrë që ta ulte pak tensionin që ndihej pezull në atë klasë. Pastaj, si me marifet, kaloi në temë:

- Më thanë shokët që ka dalë një grup i madh studentësh, që janë nisur për t’u takuar me mua. Më thanë që studentët janë të revoltuar, pasi ka disa dite që në Qytetin Studenti nuk ka energji elektrike dhe kaldaja nuk punon. Unë sot në drekë dërgova edhe shokun Adil që të takohej me ju. Shoku Adil më tha se po punohet për të marrë masat për rikthimin e energjisë dhe të ngrohjes.

Sigurisht që ju keni të drejtë që të vini dhe të takoheni edhe me mua, pavarësisht se është pak vonë në këtë orë, por ajo që më shqetëson, është fakti se disa ambasada të huaja janë parë të filmojnë nga tarracat e ambasadave dhe me siguri që nesër do ta japin këtë lajm ashtu si u intereson atyre, armiqve tanë. Ju me siguri që nuk e dëshironi këtë. Prandaj unë do propozoja, që ju të ktheheni në dhomat tuaja sonte dhe në ditët në vazhdim të mendojmë së bashku se si ta rregullojmë këtë situatë të krijuar. Qoftë për dritat, qoftë për ngrohjen, qoftë edhe për kushtet e tjera, si fjala vjen, tek mensa.

Në këtë moment ia pret fjalën Azemi”

- Jo he burr se nuk janë çu tan ata studenta, për me protestu për lugët ene pirujt e mensës.

Ramizi i kapur në befasi nga kjo ndërhyrje, pyeti instinktivisht:

- Po për çfarë janë çuar atëherë?

Dikush nga grupi flet:

- Shoku Ramiz, studentët po këndojnë këngë patriotike, si p.sh.: “Mjaft në robëri, o e mjera Shqipëri!”

Një tjetër thotë:

- Atje po thërrasin: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!”

Një tjetër:

- Po thërrasin: “Liri, demokraci!”

Ramizi, që këto thënie i erdhën në breshëri dhe që duket e hutuan, lëshoi një:

- Aaaaaaaaaaaaa, po qenka më e thellë kjo punë, nga sa e mendoja unë dhe nga sa më kanë informuar shokët. Atëherë më thoni edhe një herë se përse keni dalë në rrugë?

- Shoku Ramiz, - thot Azemi, - ne nuk kemi dalë për me i shtu vetit një racion pilaf a një racion grosh, sepse edhe fëmijt e mi n’Bajram Curr nuk po hanë më shumë. Ne kemi dalë për një gjë më të madhe, për një gjë që ia vlen me dhënë edhe jetën.

- Çfarë qenka kjo gjë? - ndërhyn Ramizi. - Mos doni atë gjë, që armiqtë e Shqipërisë kanë vite që e duan për Shqipërinë?

- Shoku Ramiz, - ndërhyra unë, - ne e duam Shqipërinë dhe jemi ata, që po qe nevoja, do japim edhe jetën për Shqipërinë.

Ndërkohe që në fraksione të sekondës më kaloi ndërmend gjyshi i pushkatuar dhe gjithë historia e familjes me shumë burra të pushkatuar dhe të dënuar me qindra vjet burg nga shokët e Ramizit, si “armiq të popullit”.

Nga kjo situatë dhe këto mendime më nxori Azemi:

- Shoku Ramiz, ne duhet të shkojmë tani, sepse u kemi thënë shokve se po nuk u kthyem për 45 minuta, ne na kanë vra ose na kanë burgos. Ne e lëmë që të takohemi nesër dhe në këtë takim ne do t’ju parashtrojmë të gjitha kërkesat tona.

- Jam dakord, - tha Ramizi, - por me një kusht, që ju të ktheheni sonte nëpër dhoma dhe nesër të shkoni në mësim (Megjithëse ishte ditë e diel, atë 9 dhjetor kishte mësim, pasi për Festat e Nëntorit kishim bërë një ditë pushim më tepër dhe duhej ta zëvendësonim.).

U ndamë dhe u nisëm drejt vendit ku ndodheshin studentët.

Sapo kaluam Radiotelevizionin, qytetarët e asaj rruge, të cilët nuk e di se si e kishin marrë vesh për përfaqësinë tonë, nga brenda shtëpive me drita të fikura dhe me dritare hapur, filluan të duartrokisnin. Në fillim ishin ca duartrokitje të lehta dhe të rralla. Pastaj dritarja ia përcillte dritares dhe pas pak sekondash, rrugica e qetë dhe e shkretë filloi të jehonte nga duartrokitjet. Ne kalonim të hutuar përmes kësaj duartrokitjeje dhe besoj se secilit prej nesh, ashtu si mua, i ishte rrëqethur mishi. Populli i Tiranës po na duartrokiste ne djelmoshave që kishim guxuar të parët të hynim në shpellën e “kuçedrës“ për ta sfiduar. Tani nuk kishim më frikë se mund të vdisnim në një humbëtirë dhe nuk do ta merrte vesh njeri. Tani ishim gati për luftë deri në vdekje.

G. Standard