Përjetësi » Ismajli
Nuhi Ismajli: Një vëllazërim historik i pamundur
E diele, 02.01.2022, 08:13 PM
Një vëllazërim historik i pamundur
Nga
Nuhi Ismajli, 2013
Turqia
me kërkesën e saj për ndryshimin e teksteve të arsimit shqip të Kosovës (po jo
edhe të të tjerëve në Kosovë!), po tregon haptazi se ajo identifikohet me
Perandorinë Osmane dhe se konsideron veten e paraqitet si trashëgimtare e saj. Është
normale të arsyetohet se nëse turqit e sotëm nuk e konsiderojnë veten
trashëgimtarë të osmanëve dhe nëse Turqia e sotme nuk e konsideron veten
trashëgimtare të P.O-së, ata nuk kanë pse të marrin barrën e raporteve të
hidhura të Portës me popujt e nënshtruar dhe, pa asnjë kompleks e pengesë, mund
të vendosin raporte miqësore me të gjithë popujt. Në rast se Turqia e sotme
identifikohet me P.O-në dhe paraqitet si trashëgimtare e saj, siç po paraqitet
tanimë botërisht në kohën tonë, ajo nuk ka asnjë të drejtë që nga pasardhësit e
popujve të nënshtruar dikur nga P.O, të kërkojë të ndryshojnë ndjesinë dhe
qëndrimin e tyre ndaj saj si pushtuese e tyre. Pra, kërkesa turke që shqiptarët
të flasin me respekt për pushtuesit osmanë të tokave shqiptare është e paarsyeshme
dhe e pamoralshme, sepse si mund të flasë me respekt për pushtuesin pasardhësi
i popullit të robëruar?! Madje, a do të ishte kjo njerëzore dhe e mundshme për
njeriun?! Pra, edhe nga ky aspekt, kërkesa turke është e padrejtë dhe tejet e
pamoralshme. Në vend të kërkesës së saj tejet të padrejtë, të pamoralshme dhe
të pamundshme për t’u realizuar nga njeriu me sadopak dinjitet, Turqia, e
paraqitur si trashëgimtare e PO, duhet të kërkojë falje për bëmat e të këqijat
e P.O e pasojat e robërisë së saj. Krijimi i marrëdhënieve ndërmjet popujve nuk
duhet të jetë peng i së kaluarës, por as nuk ka çmim për të cilin njeriu duhet
të harrojë të kaluarën e vet. Madje as duhet kërkuar një gjë të tillë që është
e papranueshme për arsyen njerëzore. Prandaj, në vend se të kërkohet harresa e
fatkeqësive të paraardhësve, shkaktuar nga egoizma tejet çnjerëzore, duhet
kërkuar e bërë pendesa dhe keqardhja e pasardhësve të keqbërësve. Qeveritarët e
Kosovës, kërkesës turke për ndryshimin e teksteve të arsimit shqip i dhanë një
përgjigje tejet të panjerëzishme. Ata u treguan tejet të dobët para kërkesave
të paarsyeshme turke, u treguan tepër proturq, pra edhe të paarsyeshëm dhe,
shikuar nga aspekti shqiptar, duke u pajtuar me kërkesat e tyre dhanë një
përgjigje tejet të panjerëzishme. Kështu, qeveritarët e Kosovës, u pajtuan të
punojnë nën administrimin e Ankarasë dhe harruan, ndër të tjera, edhe obligimin
që kanë për të mbrojtur dinjitetin, identitetin dhe vlerat kulturore të
shqiptarëve të Kosovës. Të nxitur nga shkaqe fetare e motive të tjera, si një
përforcim, “kulturor”, “shkencor”, qëndrimit të qeveritarëve të Kosovës, lidhur
me kërkesën turke, i erdhën në ndihmë shkrimet e disa ”shqiptarëve”, të cilët
shprehën dëshirën që, shqiptarët, për hir të një të ardhmeje vëllazërore me
turqit (si edhe për hir të së kaluarës “vëllazërore” me ta!), të harronin të
kaluarën e tyre, si të ishte fjala për një gjë tejet të pavlerë! Duke punuar
sipas kërkesave turke, qeveritarët e Kosovës bënë Komisionin e posaçëm, i cili
mori përsipër t’i ndryshojë tekstet e arsimit shqip, sipas kurrikulave turke!
Komisioni, sipas mjeteve të informimit (të cilat, gjer më tash, nuk i kanë
kushtuar aq rëndësi këtij problemi), bëri vizita “studimore” në Ankara, studioi
kurrikulat turke, u këshillua nga kurrikulistë turq dhe bëri ndryshimet e
teksteve të arsimit shqip të disa lëndëve (shih edhe çudinë: anëtarët e
Komisionit ndërhyjnë në tekste pa lejen e autorëve të tyre!)! Këtyre ditëve
njoftohet se “ekspertë” turq do të vijnë në Kosovë për të inspektuar punën e
Komisionit për ndryshimin e teksteve të arsimit shqip! Njëherazi, zyrtarë të
Ministrisë së Arsimit të Kosovës, për të maskuar veprimin e vet tejet çnjerëzor
e antishqiptar dhe për ta paraqitur ndryshimin e teksteve të arsimit shqip,
kinse si nevojë qytetare, shkencore etj., kanë paralajmëruar edhe një debat.
Qeveritarët e Kosovës, të ndihmuar edhe nga renegatë e propagandues
neo-otomanistë “shqiptarë” e kanë lehtë të bëjnë ndryshimin momental të
teksteve të arsimit shqip, duke keqpërdorur institucionet shtetërore, por nuk
mund ta arsyetojnë njerëzishëm e as ta bindin shqiptarin për arsyeshmërinë e
një veprim të tillë, sepse ndryshimet e tilla cenojnë keq krenarinë kombëtare
shqiptare, rrezikojnë keq thelbin e identitetit kombëtar shqiptar dhe se
ndryshimet e tilla, për një popull me sadopak vetëdije e dinjitet, nuk pranohen
për asnjë çmim. E kaluara, kujtesa e popullit është një vlerë e shenjtë, një
element përbërës i identitetit kombëtar që nuk këmbehet për asnjë çmim! Ata nuk
mund ta bindin shqiptarin që në vend të lirisë, vlerave njerëzore e kombëtare,
të dojë e respektojë pushtuesin e robërinë. Qeveritarët dhe renegatët
neo-otomanistë nuk mund t’ia heqin bindjen e drejtë shqiptarit, se nga turqit
(si trashëgimtarë të P. O., si po paraqiten), më parë se farë ndihmash, duhet
kërkuar pendesën e kërkimfaljen për të këqijat e shkaktuara ndaj shqiptarëve.