E diele, 04.12.2022, 11:41 AM (GMT)

Përjetësi » Ismajli

Nuhi Ismajli: Një vëllazërim historik i pamundur

E diele, 02.01.2022, 07:13 PM


Një vëllazërim historik i pamundur

Nga Nuhi Ismajli, 2013

Turqia me kërkesën e saj për ndryshimin e teksteve të arsimit shqip të Kosovës (po jo edhe të të tjerëve në Kosovë!), po tregon haptazi se ajo identifikohet me Perandorinë Osmane dhe se konsideron veten e paraqitet si trashëgimtare e saj. Është normale të arsyetohet se nëse turqit e sotëm nuk e konsiderojnë veten trashëgimtarë të osmanëve dhe nëse Turqia e sotme nuk e konsideron veten trashëgimtare të P.O-së, ata nuk kanë pse të marrin barrën e raporteve të hidhura të Portës me popujt e nënshtruar dhe, pa asnjë kompleks e pengesë, mund të vendosin raporte miqësore me të gjithë popujt. Në rast se Turqia e sotme identifikohet me P.O-në dhe paraqitet si trashëgimtare e saj, siç po paraqitet tanimë botërisht në kohën tonë, ajo nuk ka asnjë të drejtë që nga pasardhësit e popujve të nënshtruar dikur nga P.O, të kërkojë të ndryshojnë ndjesinë dhe qëndrimin e tyre ndaj saj si pushtuese e tyre. Pra, kërkesa turke që shqiptarët të flasin me respekt për pushtuesit osmanë të tokave shqiptare është e paarsyeshme dhe e pamoralshme, sepse si mund të flasë me respekt për pushtuesin pasardhësi i popullit të robëruar?! Madje, a do të ishte kjo njerëzore dhe e mundshme për njeriun?! Pra, edhe nga ky aspekt, kërkesa turke është e padrejtë dhe tejet e pamoralshme. Në vend të kërkesës së saj tejet të padrejtë, të pamoralshme dhe të pamundshme për t’u realizuar nga njeriu me sadopak dinjitet, Turqia, e paraqitur si trashëgimtare e PO, duhet të kërkojë falje për bëmat e të këqijat e P.O e pasojat e robërisë së saj. Krijimi i marrëdhënieve ndërmjet popujve nuk duhet të jetë peng i së kaluarës, por as nuk ka çmim për të cilin njeriu duhet të harrojë të kaluarën e vet. Madje as duhet kërkuar një gjë të tillë që është e papranueshme për arsyen njerëzore. Prandaj, në vend se të kërkohet harresa e fatkeqësive të paraardhësve, shkaktuar nga egoizma tejet çnjerëzore, duhet kërkuar e bërë pendesa dhe keqardhja e pasardhësve të keqbërësve. Qeveritarët e Kosovës, kërkesës turke për ndryshimin e teksteve të arsimit shqip i dhanë një përgjigje tejet të panjerëzishme. Ata u treguan tejet të dobët para kërkesave të paarsyeshme turke, u treguan tepër proturq, pra edhe të paarsyeshëm dhe, shikuar nga aspekti shqiptar, duke u pajtuar me kërkesat e tyre dhanë një përgjigje tejet të panjerëzishme. Kështu, qeveritarët e Kosovës, u pajtuan të punojnë nën administrimin e Ankarasë dhe harruan, ndër të tjera, edhe obligimin që kanë për të mbrojtur dinjitetin, identitetin dhe vlerat kulturore të shqiptarëve të Kosovës. Të nxitur nga shkaqe fetare e motive të tjera, si një përforcim, “kulturor”, “shkencor”, qëndrimit të qeveritarëve të Kosovës, lidhur me kërkesën turke, i erdhën në ndihmë shkrimet e disa ”shqiptarëve”, të cilët shprehën dëshirën që, shqiptarët, për hir të një të ardhmeje vëllazërore me turqit (si edhe për hir të së kaluarës “vëllazërore” me ta!), të harronin të kaluarën e tyre, si të ishte fjala për një gjë tejet të pavlerë! Duke punuar sipas kërkesave turke, qeveritarët e Kosovës bënë Komisionin e posaçëm, i cili mori përsipër t’i ndryshojë tekstet e arsimit shqip, sipas kurrikulave turke! Komisioni, sipas mjeteve të informimit (të cilat, gjer më tash, nuk i kanë kushtuar aq rëndësi këtij problemi), bëri vizita “studimore” në Ankara, studioi kurrikulat turke, u këshillua nga kurrikulistë turq dhe bëri ndryshimet e teksteve të arsimit shqip të disa lëndëve (shih edhe çudinë: anëtarët e Komisionit ndërhyjnë në tekste pa lejen e autorëve të tyre!)! Këtyre ditëve njoftohet se “ekspertë” turq do të vijnë në Kosovë për të inspektuar punën e Komisionit për ndryshimin e teksteve të arsimit shqip! Njëherazi, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit të Kosovës, për të maskuar veprimin e vet tejet çnjerëzor e antishqiptar dhe për ta paraqitur ndryshimin e teksteve të arsimit shqip, kinse si nevojë qytetare, shkencore etj., kanë paralajmëruar edhe një debat. Qeveritarët e Kosovës, të ndihmuar edhe nga renegatë e propagandues neo-otomanistë “shqiptarë” e kanë lehtë të bëjnë ndryshimin momental të teksteve të arsimit shqip, duke keqpërdorur institucionet shtetërore, por nuk mund ta arsyetojnë njerëzishëm e as ta bindin shqiptarin për arsyeshmërinë e një veprim të tillë, sepse ndryshimet e tilla cenojnë keq krenarinë kombëtare shqiptare, rrezikojnë keq thelbin e identitetit kombëtar shqiptar dhe se ndryshimet e tilla, për një popull me sadopak vetëdije e dinjitet, nuk pranohen për asnjë çmim. E kaluara, kujtesa e popullit është një vlerë e shenjtë, një element përbërës i identitetit kombëtar që nuk këmbehet për asnjë çmim! Ata nuk mund ta bindin shqiptarin që në vend të lirisë, vlerave njerëzore e kombëtare, të dojë e respektojë pushtuesin e robërinë. Qeveritarët dhe renegatët neo-otomanistë nuk mund t’ia heqin bindjen e drejtë shqiptarit, se nga turqit (si trashëgimtarë të P. O., si po paraqiten), më parë se farë ndihmash, duhet kërkuar pendesën e kërkimfaljen për të këqijat e shkaktuara ndaj shqiptarëve.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora