Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ardhja e Ismail Qemal Beut në Shqipëri

| E merkure, 10.12.2008, 03:24 PM |


Ismail Qemali
Nga G. Standard

Istambolli kot u mundua që me mjete dipllomatike ta shpëtojë situatën duke rrëzuar kabinetin e Gazi Myftar Pashajt dhe duke prurë në vendin e tij atë të Qamil Pashës, që ishte antar i englezvet. Ky kabinet që u formua me 29 vjesht e dytë 1912 iu drejtua fuqive të mdhaja për ndërmjetsim të një amnistie generale. Në përgjigje telegrafike ambasadori i Turqisë nga Londra, pështetur deklaratës së ministrit të Punvet të Jashtme Engleze, thuhesh se mbretnit e mdhaja mbassi kanë shpallur paanësinë e tyre nuk ka tjetër çare për armpushim veçse t’i drejtohen shteteve ballkanike; kështu që Qamil Pasha iu drejtua telegrafisht kralit të Bullgarisë, por ushtrit bullgare n’atë kohe ia kishin arrijtur Catallxhes dhe po lëftonin drejt portave t’Istambollit; ishte ateher java e fundit e vjeshtës së dytë 1912, kur armata e perëndimit në Selanik kishte pësuar fatkeqsin më të piklluarshme.

Kështu ndodhi edhe nër ballrat e Malit Zi e të Serbisë,ku kjo e fundit me armatën e saj thyen qëndrimin në Cernalovë, sylmuan Prizrenin dhe Gjakovën, të cilat i pushtuan më datën 1 dhe 7 vjesht të tretë 1912.

Pas luftimeve të bëra aty këtu më 19 vjesht e III,1912 u pushtua edhe Manastiri prej ushtris serbe. Më 24 vjesht e tretë 1912 komandanti i armatës së perëndimit, Ali Riza Pasha erdhi në Korçë dhe dha urdhër për nisjen e një kollordije në Berat dhe tjetra në Gjirokastër, ku u përgatitën për të ndihmuar qëndresën e Janinës dhe atë të Shkodrës, që po qëndronin burrnisht.

Kosova e kryengritjes me famë, tashti ishte e pushtuar prej Serbisë; detyra e shpëtimit t’atdheut po i ngarkohej qendrës së kryengritjes së Jugës: Prefekturës Beratit, e cila me anën e nacionalistëve të saj dita me ditën qe e zonja të dijë situatën e vështirë të ushtrisë otomane dhe prishjen e saj në Kosovë, Selanik dhe Manastir.

Antarët e klubeve të Bashkimit dhe gjithë parija e Prefekturës Beratit me Vlorën në një kohë kur të dëshpëruar ishin në marrëveshtje me shokët në Durrës, Tiranë, Elbasan për një drejtim patriotik prisnim shenjën e jashtme nga Ismail Qemal Beu për një mbledhje kombëtare, ia arrijti nga Vjena me datë 13 vjesht e tretë 1912 telegrami që vijon: “Përpara së premtes jemi në Durrës. Të mbledhurit e delegatëve në Durrës ose Vlorë është krejt i nevojshëm. I ftoni të gjithë, derisa të vij unë mbani qetësin dhe bashkimin. Çështja e jonë politike u sigurua fare”.

Ky telegram që ka një vleftë historike për Shqipërinë ka qenë drejtuar së pari kryetarit të Bashkisë së Lushnjës, zotit Ali Bej Vokopolës dhe ka qenë drejtuar së pari n’emër të vlonjatëve prej zotnive: Xhemil Bej Vlora, Elmas Kanina dhe Leonidha Bexhani. I njëjti telegram më pas u është komunikuar edhe gjithë qyteteve të tjera të Shqipërisë; në këto kohë Shkodra në Veri, Janina në Jugë po qëndronin me burrni kundra fuqive sulmonjëse, por mbasi Kosova, Manastiri dhe Selaniku ranë, fuqit serbe me një’anë, dhe ato greke në tjetrën, po pushtonin shumicën e vendeve të Shqipërisë, për të cilën nuk kishte ngelur tjetër gjë përveç ngrehjes së Flamurit Kombëtar dhe shpalljes së indipendencës.

Ardhja e Ismail Qemal Beut në Shqipëri

Kur u nis Ismail Qemal Beu nga Stambolli për në Bukuresht, kabineti i Qamil Pashës po kërkonte amnisti me ndërmjtesi të fuqive të mdhaja, pasi ushtrit otomane ishin prishur keqazi dhe dëshprimi mbretronte anë e kand asaj perandorije; por me gjithë këtë të tëra demarshet dipllomatike nuk bën asnjë dobi dhe se Rumelija patjatër ishte gati t’u copëtuar nën gërshërët e lakmive të ballkanasve. Dipllomati i matur dhe patrioti i flakët Ismail Qemal Beu pasi takoj me shoqërin e Bukureshtit morri shokët me vehte dhe u nis për Vjenë, ku sandejtmi telegrafoj që Shqipëria është e siguruar; në telegramin e fundit thoshte që u nis edhe me vaporin e parë që po dilte në Durrës.

Situata e viseve të Shqipëris në këtë kohë kaq të kritikshme ishte si vijon: Armata e Vardarit mundohesh të qëndronte me një luftë të fundit në Korçë, por nuk mundi të përballoj armikun, fortesa e Shkodrës sa dite shkonin po keqsonesh me tepër. Selca kishte rënë dhe lajmet që vinin tregonin se serbët po përparonin drejt Durrësit. Ushtrija serbe kishte hyrë në Dibër dhe në Lumë; fortesa e Janinës sado që qëndronte, por fuqit e mdhaja të rregullshme të Greqis që ishin në anët e Naselicit po kërcënonin Korçën dhe nga ana tjetër Janinën, duke zënë vendet që ishin në mes t’atyre, kështu që ajo ushtri u nda në dysh, një pjesë në Gjirokastër dhe tjetra në Berat.

Një pjesë e fuqis së Beratit kishte arritun në Lushnjë me 5 vjesht III 1912 ku nënprefekt ndodhesh Eman Naili, një armen mjaft i zoti dhe nga ish-anëtarët e Komitetit Tashnaksion1, kryetar i bashkësisë ndodhesh Ali Vokopola e prokuror i gjyqit i ndyeri Emin Vokopola; Paria e vendit çdo natë mblidheshin rreth ktyre e bisedonin mbi situatën tepër delikate, neve me të rinjt e asaj kohe kërkonim ndryshimin e administratimit, ngritjen e Flamurit Kombëtar dhe ushtërimin e detyrave shtetnore nga shqiptarët; tue pame ngatarresat që po përgatitnin; Eman Naili e pa të udhës të bisedoj me z. Emin e Ali Vokopolën dhe pëlqeu që nën kryesin e kryetarit të bashkisë të formohesh Këshilla e vendit e cila u formue më 19 vjesht e III 1912 tue u ngritun Flamuri Kombëtar në bashki ene qeveri, bile tue marrë pjesë në ceremonit pas fjalimit t’im shqip muzika ushtarake otomane me hymnin e xhezairit.

Më 10 vjesht e III 1912 erdhën ushtëri të tjera otomane dhe nën komandën e kapiten Pertev Beut i cili si Ittihadci deshi të përbuzin Flamurin Kombëtar e ta zbresin dënoj oficerin e muzikës qi mori pjesë në ceremoni dhe ndaloj nënprefektin nga bashkëpunimi në Këshillin e vendit; por tue e pamë që nacionalistat e mbledhur në Lushnjë do të derdhnin gjakun pa ndrojë në këtë rast i u bind shpjegimeve e këshillave të Eman Nailit (nënprefekti) dhe hoqi dorë nga kjo tragjedi e rrezikshme e cila mundi të mënjanohet pas një shkëmbim fjalësh të rënda midis tij me shokë, e të neve q’u drejtuam me pjesmarrje të Emin Vokopolës, Nebi Sefes e Teki Halit Libohovës.

Më 20 po të k.m. i telegrafonte z. Bektash Cekrani Aziz Pashë Vrionit për të dërguar kual në Durrës e njerëz për të marrë Ismail Qemal Benë; prej Parisë së Beratit u bisedua e u vendos që këtë detyrë të shenjtë ta marri përsiper z. Qemal Karaosmani, i cili arriti në Lushnjë me një herë, dhe si fjalosi me patriotët e Lushnjës mbi situatën, u nis për në Durrës. Si mbas lajmit qi na dha telegrafisti i Lushnjës Sulejman Dervishi po këtë ditë z. Hasan Sharra nga Vlora i telegrafonte z. Abaz Efendiut e Must Hanxhiut qi t’i pregatitnin mjetet e duhura Ismail Qemal Beut tue i thanë se armiku e futi ushtrinë deri në Himarë.

Më 21 na lajmëronte Hamid bej Toptani nga Durrësi me servis telegrafik se Ismail Beu arriti dhe se jan marrë masat e duhuna deri në Shkumbin në shoqërim të zotit Ymer bej Deliallisit me shokë. Po këtë ditë thërriteshin në maqin telegrafike në Vlorë Et-hem beu, Bektash Cakrani dhe Qazim Kokoshi, prej Luigj Gurakuqit me urdhër t’Ismail Qemal Beut nga Durrësi të cilët shkëmbyen mendime mbi situatën dhe trasmetuan porositë e plakut dipllomat. Më 22 të k.m. nga Durrësi telegrafon Aqif Pashën e Shevqet Benë që të marrin pjesë personalisht në Kongresin qi do të mbahet në Vlorë; merret vesh me zyrën telegrafike me Fuad e Abdi bej Toptanin që të dërgojn delegatët sa më parë. Ismail Qemal Beu më 23 me gjithë shokët u nis nga Durrësi për në Cermë; z. Qemal Karaosmani me një telegram që i hiqte nga Durrësi në Lushnjë Behxhet bej Hytit ja bënte të ditur se këtë mbrame do të arrinin në Cermë.

Komanda ushtarake otomane filloj të lëvizi dhe kapiten Pertev Beu i nisi kalorin drejt Cermës me qëllim që të kapin Ismail Benë me shokët e të ndaloj Kongresin.

Neve me të marrë vesh këtë dhelpëri të klyshit të Xhemijetit xhonturk ,me shokët nacionalista muarrëm masat urgjente duke i nisur prapa një fuqie,im ungjë Emin Beu tregoj nevojën e lajmërimit të Ismail Beut, e këtë detyrë menjëher e mori përsipër i ndyeri Nebi Sefa dhe u nis për Kavajë. Tue parë fuqit nacionaliste, ushtërija otomane ndejti përtej Gramshit; në anën e Libofshës.

Vlora e Berati ishin në merak të madh. Neve të Lushnjës natën e shtrënguam nënpref. Eman Nailin, i cili urgjent telegrafoj Komandën e Janinës mbi tragjedin q’ishte gati duke u shvilluar.

Më 23 vjesht III 1912 merr përgjegjen prej Janinës që ta presim mirë Ismail Qemal bën e ta ndërojn; këtë urdhër nënprefekti i Lushnjës, Eman Naili, po me këtë datë na i komunikon neve të Lushnjës dhe nënprefekturën e Kavajës telegrafisht, ashtu edhe Pertev Beu lajmërohet me një kalorës.

Më 23 Ismail Qemal Beu me shok fjetën në Cermë, ku Dervish bej Bicaku e Behxhet bej Hyti veç pritjeve bujare me fuqit e tyne t’armatosura dhanë përkrahjet e duhuna. Me 24 fjetën në Libofsh, e cila ishte e siguruar nënë urdhërin e Këshillit Kombëtar të Lushnjës.

Më 23 ishim në shtëpin t’onë të Lushnjës dhe si delegat i kësaj mbasi isha zgjedhur që të nisesha në Vlorë për me takuem në Fjer me Ismail Qemal Ben po pregatitsha mjetet e udhëtimit, vjen shoku im i ndier Nebi Sefa para se të nisesh për Kavajë e më lajmëron se komanda otomane ka burgosur në hotel të Shaqir Beut delegatët e Kosovës z. Bedri Pejani e Rexhep Mitrovicën. Me një herë biseduam me shokët dhe murëm urdhër të vemi unë, Nebi Sefa dhe te tjerë për të negocijuar lirimin e tyne.

Emin Beu shkoi te nënprefekti me ca shokë tjerë dhe e shtrëngoj tepër i cili u tremb dhe i dorëzoj kti edhe vulën e nënprefekturës; duke qënë neve në zënje e sipër me patrullën otomane që kishin ndaluar dy delegatët dhe gati të përlesheshin me këto, ja mrriti kapiten Pertevi, i cili kishte marrë lajmin e dorëzimit të nënprefekturës, Emin Beut, dhe i trembun nga ky ndryshim, i u dha urdhën të hiqen patrullat e tija. Kështu i liruam dy delegatët, të cilët u nisën për Vlorë.

Pastaj u nisëm përmes Myzeqes në ato kohëra të këqija nga dimri i fort e arritëm në Fier, ku takuam edhe Ismail Qemal Beun me shokë. Ismail Qemal Beu në zyrën telegrafike merrte shpjegime mbi situatën e okupasjoneve dhe jepte këshilla mbi masat qi duhesh me padurim të mblidheshin delegatët shpejtësisht në Vlorë.

Kur ishim në zyrë telegrafike, më vjen një telegram mua nga nëna ime që ishte me plevit tepër rëndë. Ismail Beu më thotë: “Shko biri im në Berat, hallallosu me mëmën, t’i marrësh uratën e pastaj hajde në Vlorë me delegatët e Beratit. Duke digjuar se unë jam nisur për Mëmën Shqipëri e uratën kam me ja marrë kësaj, me përgëzoi atënisht me një “bravo”,e cila i buroj nga zemra... i vuna re syt, i kishte të lotueshëm.

Nga Fieri u nisëm për Vlorë. Atje agallarët Sharra çelën shtëpin e na pritën me bujari të madhe; prisnin me padurim të vin delegatët e vendeve të tjerë.

Një kohë një po i avitesh serbi me d. 26-XI-1912 Tirana shpalli Indipendencën; me 27-XI-1912 e shpalli Lushnja, e më pas kësaj Durrësi e Kavaja. Lushnja shpalljen e Indipendencës ja u komunikoj telegrafisht edhe konsullatave të Mbretnive të mëdhaja në Durrës, e cila me gjithë Kavajën pas Tiranës u pushtuen prej Serbeve me 30-XI-1912.

Shumica e delegatëve arritën në Vlorë më 27 e 28-XI-1912.

Mbasi situata po vështirësohej tepër çdo minutë, u vendos më 28-XI-1912 të mblidhet kongresi e të japin vendimin e prerë për shpëtimin e Atdheut, e kjo mbledhje u mbajt në shtëpin e Xhemil bej Vlorës më 28 nanduer 1912 n’ora 3.30. Ferit Vokopola

DELEGATÇT SHQIPTARË NË KONGRESIN E VLORËS

MË 28 NANDUER, 1912

Delegatët shqiptarë për Kongresin e Vlorës kanë qënë të zgjedhur 84 veta, por prej këtyre më datën 28 nanduer 1912 arrijtën në Vlorë vetëm 41, dhe këta shpallën independencën e Shqipërisë. Emnat e këtyre delegatve po i shkruajmë këtu më poshtë:

Ismail Qemali, Don Nikoll Kaçorri, Abdyl Azizi, Vehbi Dibra, Bab Dud Karbunara, Elmas Meca, Veli Harci, Qazim Kokoshi, I. Minga, Rexhep Mitrovica,Dhimiter Tutulani, A. Ruci, Abdi bej Toptani, Abas Dilaver Celkupa, Mid-hat Frashëri, Sheuqet Daji, Zihni Abas Kanina, Xhelal Koprencka, Hajredin Cakrani, Qemal Elbasani, Iljas Vrioni, Salih Gjuka, Dhimiter Berati, D. Emanuel, Dhimiter Zografi, Murat Toptani, Pandeli Cale, Luigj Gurakuqi, Bedri Pejani, Spiro T. Ilo, Thanas V. Floqi, Qemal Mullaj, Lef Nosi, D. M. Myrteza, Nuri Sojlija, Mustafa Asim Kruja, Ferit Vokopola, Ymer Deljallisi, Xhemal Deljallisi, Nebi Sefa e Zyhdi Ohri.