E premte, 19.04.2024, 02:20 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Studentët e Dhjetorit, kujtime nga ditët që rrëzuan diktaturën

E hene, 08.12.2008, 03:13 PM


Nga Akli Fundo
 
Si sot, 18 vjet më parë, një protestë që do të niste për kushtet mizore në të cilat ishin gjendur studentët e Universitetit të Tiranës, do të kthehej në revoltën më masive të Shqipërisë pas Luftës së Dytë Botërore. 18 vjet më parë, një grup të rinjsh, pa dallim origjine, do të mundësonin ndryshimin me të cilin krenohemi sot. Ata janë studentët e Dhjetorit, të cilët duke u grumbulluar nën udhëheqjen e Azem Hajdarit, u rreshtuan të gjithë në krah të Evropës, duke lënë pas frikën ndaj sistemit të sëmurë komunist. “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” bërtitën, duke ushtuar zërin e tyre në gjithë Tiranën e në gjithë Shqipërinë. Sot, disa janë angazhuar në politikë; fjalë të cilën ata e krijuan pas 50 vitesh diktature; disa i janë përkushtuar profesionit, e të tjerë ndodhen jashtë Shqipërisë, por të gjithë kujtojnë atë ditë të 18 viteve më parë, që i ndryshuan kursin vendit më të prekur nga regjimet diktatoriale në Ballkan. Akli Fundo, Spiro Cura, Arben Gabraj dhe Mirel Sharxhi janë vetëm katër nga mbi 2 mijë studentë që i thanë “Jo”-në e parë, sistemit komunist. Ata ndajnë me lexuesit e “standard” orët, që do të shënonin ndryshimin më të madh të vendit në gjysmëshekullin e dytë të qindvjeçarit të kaluar.

8 Dhjetori do të ndriçojë përgjithnjë

8 Dhjetori dhe ngjarjet që e pasuan janë nga ato ngjarje në historinë e një kombi që ndriçojnë për 1000 vjet. Këto janë momente epokale që ndodhin kur kombi del nga errësira në dritë.

Pas 500 vjet robërie, Rilindja Kombëtare formuloi dy çështje themelore për shqiptarët. Së pari, pozicionin natyral të shqiptarëve në perëndim dhe së dyti, çështjen kombëtare shqiptare. Megjithëse në 1912 u formua një shtet i cunguar shqiptar, nuk u zgjidh përfundimisht asnjë nga çështjet që formuloi Rilindja Kombëtare, pavarësisht përpjekjeve titanike të shqiptarëve. Diktatura komuniste edhe në kohën e rënies së Murit të Berlinit, kur Evropa e re ishte përfshirë në erën e ndryshimeve, e përcaktonte Shqipërinë as Lindje, as Perëndim, pa folur fare për çështjen kombëtare.

8 Dhjetori dhe ngjarjet që e pasuan i pozicionuan përfundimisht shqiptarët në Perëndim. Rrjedhimisht këto ngjarje hapën dhe autostradën e zgjidhjes së çështjes kombëtare.

Sot Shqipëria dhe shqiptarët janë përkrah kombeve më të zhvilluara të botës, të cilët kanë qenë dhe janë aleatet tanë më të mirë dhe po integrohen në strukturat euroatlantike. Pak muaj na ndajnë nga momenti historik, kur Shqipëria do të bëhet anëtare me të drejta të plota në NATO. Sot Kosova e pavarur është realitet, të cilën askush nuk mund ta imagjinonte vetëm pak vjet më parë. Shqiptarët, kurrë më parë në historinë e tyre, nuk kanë qenë më të lirë. Sot diskutohet për standardet.

8 Dhjetori dhe ngjarjet që e pasuan janë nga ato ngjarje që përcaktojnë rrjedhën historike të një kombi.

Një kujtim nga dita e madhe

Spiro Cura

Një nga proceset e trajektores historike të datës 8 Dhjetor 1990 është KALIMI; nga Studenti-Qytetar i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit ’90, tek Studenti Qytetar Politik i Dhjetorit ’90 dhe tek Lideri Student Qytetar Politik i Dhjetorit ‘90.

Në vatrën tonë të vendimmarrjes historike rreth 10 studentë të fakultetit të inxhinierisë elektrike, në dritën e një qiriu kishe, vendosën që në orën 21:00, të dilnin nga dhomat dhe të bënin thirrjen e madhe për marshimin historik. Pesëmbëdhjetë minuta para orës së vendosur, mbetëm vetëm tre. Dolëm në oborrin para godinës dhe bëmë thirrjen qytetare. Mbështetja ishte e menjëhershme, por jo e mjaftueshme në numër. Zbritëm rrugën për tek godina e minierave, sepse dëgjuam zëra. Në hollin e godinës së minierave rreth 50 studentë debatonin, por nuk kishin marrë ende vendimin. Nëpërmjet një procesi; ftim, deklarim, grupëzim, marshim, filluam pas rreth 30 minutash, ecjen para, nga errësira në dritë. Thirrjet dhe deklarimet ishin të natyrës qytetare. Kjo rrugë prej rreth 100 metra, u përshkua për rreth 1 orë. Dalja në dritë, sidomos me inkurajimin e shkëlqyer të vajzave të godinës 17, rriti shpejtësinë e marshimit. Ishte momenti për të marrë vendimin, për të bërë kalimin. Nga pozicioni i qytetarit tek politikani. Kishim dy rrugë: drejt Drejtorisë së Qytetit Studenti si qytetarë ose drejt sheshit “Demokracia” si politikanë. Morëm vendimin e madh, drejt sheshit me këngën patriotike “se mjaft në robëri,... ja vdekje, ja liri”. Rreth një orë pas grupimit tek Sheshi “Demokracia”, studentët qytetarë-politikë, “100” vetë u nisën përsëri për të shumëfishuar grupin e tyre, drejt godinës 15 dhe drejt godinës 14. 150 studentë ndaluan për të dëgjuar një fjalim. “Më ndiqni mua, t’ju udhëheq unë. Vë garant nën rrotat e tankeve, dy fëmijët e mi”. Lëvizja Studentore e Dhjetorit ’90 kishte gjetur liderin. Ai quhej Azem Hajdari. Të gjithë pas tij. Ishte nisma politike e liderit. Orë dhe ditë më vonë, ai do ta rikërkonte dhe rikonfirmonte këtë rol historik, përsëri me nismë politike. Dhe do ta merrte e përfaqësonte denjësisht deri në martirizim për kombin. I përjetshëm “Leksioni i tij”.

Atje nisi, për të mos u ndalur më!

Arben Gabraj

Përcolla një shok kursi tek stacioni i trenit që do ikte për pushimet e fundjavës në shtëpi në Fier. Treni i shfryu nja dy a tri herë sirenës dhe u zhduk nëpër natë. U ktheva. E bëra rrugën në këmbë në sheshin “Skënderbej”, tek ura e Lanës në “Rrugën e Elbasanit” dhe dalëngadalë po i afrohesha Qytetit Studenti. Thashë të shkoj një herë në dhomë se po errësohej dhe ishim me ditë pa drita. Transformatori i godinave të inxhinierisë kishte 8 ditë që ishte djegur dhe gati gjysma e godinave në Qytetin Studenti ishin pa drita. Vendosa t’i bija nga rruga e godinave 20-21, sepse rruga për tek godina jonë 28-29 ishte e pashtruar dhe me baltë deri në gju. Pas pak do të fillonte rituali me sharje dhe protesta, me kërcitje kovash që vazhdonte prej 3-4 ditësh. Dukej e paimagjinueshme, por shahej regjimi, parulla si “poshtë komunizmi”, “poshtë diktatura”, parulla kundër Nexhmije Hoxhës e drejtuesve të tjerë komunistë. Tek fundi i godinës 20-21, shoh 4-5 veta që po i thoshin njëri-tjetrit: “Lajmëroni të tjerët, të dalim, të dalim para urithëve, (nofka e studentëve të gjeologji–minierave), na premtuan se do na i sjellin dritat sot deri në ora 9 të darkës, na gënjyen, nuk presim më”. Ishte ora 9 e një çerek. Më të zellshmit ishin dy studentë të vitit të dytë elektrike nga Elbasani, njëri prej tyre quhej Tan Asllani. Panorama më duket akoma gjallë sikur po ndodh tani. Ishim në garë për të dalë para urithëve. Mora vrapin të thërrisja shokët e kursit. Gjeta Theodhor Dhimitrin dhe 4-5 shokë të tjerë. U gjendëm për pak sekonda tek dera e godinës 20-21. Aty pamë Xhovalin Shytanin të kursit tonë. U mblodhën 20 të parët. Grumbulli po shtohej. Filloi kënga “Eja mblidhuni këtu-këtu”. U bënë dy-treqind. Theodhori njohu njërin. Më tha në vesh është spiun, kujdes. U dëgjua një thirrje “tek drejtoria”. Vargu u nis. “Poshtë spiunët” thirri shoku im Theodhor Dhimitri. Dolëm në shesh. Oshtinte sheshi nga kënga patriotike “Eja mblidhuni këtu-këtu”. Vargu rritej, u bënë njëmijë. Të marrim dhe shoqet e kursit. Te 11-12. Kujdestaret mbyllën dyert. Vajzat zbritën me çarçaf. Dikush i futi derës një shkelm, Ilir Dizdari. Ajo u hap me forcë. Kujdestarët s’mund ta mbyllnin më. Të thërrasim juridiksat. Tek godina 14. Ora 11 pa njëzet. Ishin bërë njëmijë e pesëqind. Erdhi dikush nga poshtë, i merrej fryma dhe po përpiqej të thoshte diçka. Hipi mbi një vazo. I rrëshqiti këmba. Herën e dytë ja arriti. I doli koka mbi të tjerët dhe tha: “Jam Azem Hajdari. Student i vitit të dytë të Juridikut. Unë jam me ju. Do flijohem bashkë me dy fëmijët e mi. Hajdeni pas meje”. Të nisemi drejt Tiranës, thirri dikush. Dhe vargu u nis. U nis për të mos u ndalur më.

Ajo ditë nuk duhet harruar kurrë

Mirel Sharxhi
Boston, SHBA

Në sheshin e Qytetit Studenti (sot sheshi “Demokracia”) u bashkova me rreth 10 studentë dhe filluam të hidhnim parulla anti-komuniste. Pas pak u mblodhën rreth 200 vetë. Duke parë situatën, vendosëm të shkojmë tek godina nr. 3 ku ndodheshin studentet e biokimisë që t’i nxirrnim të bashkoheshin me masën e studentëve. Hyj tek dhomat e tyre dhe ju them të bashkoheshin. Duke shkuar tek godina e Juridikut pashë se ishim 6-7 drejtues të masës dhe hedh idenë se na duhet një organizator. Ndërsa po diskutonim këtë gjë, dikush u betua në emër të fëmijëve se do të jepte edhe jetën për çështjen tonë. Ky ishte Azem Hajdari dhe që në atë moment u zgjodh organizatori ynë. Pastaj itinerari për solidaritet kaloi në godinat 6, 13, 11, 12, 9-10, 7-8, dhe uragani i studentëve mori drejtimin e bulevardit qendror të daljes nga “Rruga e Elbasanit" me synimin takimin me R. Alinë, ose demonstrim në sheshin "Skënderbej". Në hyrje të lagjes afër çerdhes, policia kishte vënë postbllok. Aty foli Pirro Kondi. E fishkëllyem me forcë fjalën e tij. Më pas çajmë rrethin e policëve dhe ecim rreth 70m. Atje na priste një tjetër kordon me policë. Vjen edhe Hekuran Isai. Në këtë orë, 14 studentë u morën me forcë dhe u nisën për takim me R. Alinë. Delegacioni nga Alia u kthye pas mesnate dhe nuk u pranua dhe u vërshëllye nga studentët demonstrues, numri i të cilëve ishte 2000-2500 vetë. Kërkova të ecim drejt sheshit. Acarimi arriti kulmin. Në këtë kohë një oficer improvizoi një humbje të pistoletës dhe Hekuran Isai dha tri herë urdhër: "Bjeruni, bjeruni, bjeruni”. Të nesërmen në orën 9:00, sheshi ishte mbushur me studentë dhe morëm itinerarin Filologjik - Ambasada Amerikane - sheshi "Skënderbej". Ishim shumë të irrituar ndaj R. Alisë që s'mbajti premtimin. Tashmë ishin 5-6 mijë demonstrues. Afër Ambasadës Amerikane, policia na ndau në dysh. Grupi i parë ku bëja pjesë edhe unë, vazhdoi deri afër Liceut. Këtu e hodhëm edhe parullën e famshme: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!”.

Rreth orës 13 policia mori urdhër për të shpërndarë masën e studentëve. Mbaj mend vetëm goditje të pamëshirshme të policisë. Pasi u strehuam tek familjet afër “Rrugës së Elbasanit”, duke u kthyer në Qytetin Studenti, shoh Skënder Gjinushin me makinë. “Shoku ministër shiko si na bënë policet”. Ai na e kthen me mospërfillje: “Shkoni brenda në godinë”. Makina e ministrit u sulmua me gurë dhe ai u detyrua të kthehet në këmbë. Unë kthehem në sheshin “Demokracia” dhe më pas shkoj tek godina 3 për të parë se si ishin studentët e Shkencave. Këtu kam pasur fatin të takoj Sali Berishën. “Inteligjenca juaj fitoi mbi injorancën e tyre. E gjithë Tirana është me ju”, - tha ai. Nata po binte, por ne ishim të qetë dhe krenarë. Ishte nata e fundit e diktaturës komuniste dhe agimi që do të pasonte do të ishte i pari i Shqipërisë demokratike.

Aktivitetet

Ministria e Kulturës organizon koncerte me rastin e Ditës së Rinisë

Me rastin e 8 Dhjetorit, Ditës Kombëtare së Rinisë dhe Pluralizmit Shqiptar, Ministria e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve do të organizojë një sërë aktivitetesh përkujtimore. “Kjo ditë ka në fokus të rinjtë si protagonistë kryesorë të shumë fushave të zhvillimit dhe reformave për integrim euroatlantik të Shqipërisë. 8 Dhjetori është dita e një historie suksesi, por dhe një kalvari të gjatë përpjekjesh të vështira të të rinjve për të çelur një epokë të re të historisë së Shqipërisë”, – njoftoi dje Drejtoresha e Politikave Rinore në këtë ministri, znj. Migena Reçi. “Në dhjetor të vitit ’90 të rinjtë me moton “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” u mblodhën për të thyer vargonjtë e diktaturës më të egër në Evropë dhe për t’i hapur rrugë dritës së lirisë dhe demokracisë, për të cilën vuajtën breza të tërë dhe punuan aq shumë rilindasit tanë. Sot pas 18 vjetësh ideali, ëndrra e këtij brezi heronjsh është bërë reale, e prekshme.”

Sipas ministrisë, aktivitetet për këtë ditë kulmojnë me organizimin e një koncerti të madh festiv në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, ora 11:30, aktivitet që mbahet nën kujdesin e Kryeministrit Sali Berisha me mesazhin: “Shqipëria po ndryshon”. “Për zhvillimin e këtij evenimenti, në MTKRS po punon prej disa ditësh një grup pune i drejtuar nga ministri Ylli Pango dhe në përbërje të tij janë drejtuesit e institucioneve më të rëndësishme artistike”, – thuhet në njoftim. Sipas ministrisë, në këtë koncert do të jetë pjesëmarrja e këngëtarëve të rinj dhe grupet më të mira të muzikës së lehtë nga Shqipëria, nuk do të mungojnë performancat e muzikës moderne, ndërkohë që një e veçantë në organizimin e tij do të jetë përmbajtja e skenarit, i cili do të revokojë emocionet e protestave për liri dhe demokraci të studentëve në vitet ’90. “Ky aktivitet do të shoqërohet me organizimin e një panairi rinor, i cili përfshin njohje me dokumente të rëndësishme të zhvillimit të këtij sektori, punën me organizata rinore etj.”, – tha znj. Reçi. Një sërë aktivitetesh me karakter artistik do mbahen dhe në institucionet më të rëndësishme artistike që janë në varësi të MTKRS. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora