E shtune, 20.04.2024, 10:41 AM (GMT+1)

Kulturë

Fotografia “Lypes në rrethinat e Shkodrës” e Pjetër Marubit

E enjte, 06.07.2006, 11:54 PM


Një nga fotografitë me vlera të theksuara artistike të shek.XIX në Shqipëri është edhe ajo me titull “Lypes në rrethinat e Shkodrës” e bërë nga Pjetër Marubi në vitin 1885.
Ne foton me titull “Lypes në rrethinat e Shkodrës” shihet një plak ulur mbi një gur. Ai mban në kurriz një torbë dhe mbështetet në shkopin e tij. Fotografia e paraqet lypsin plak me sy të mbyllur, me një krah të mbështetur në gjurin e djathtë dhe dorën që shtrëngon fort shkopin e ngjitur me kokën. Urija e ka ciflitur dhe i kane mbetur pak forca per te siguruar mbijetesen me një nga mënyrat më fyese për njeriun, lypjen. Nuk dime çfarë dramash familjare e kanë çuar plakun e ngrate në këtë zgrip tronditës. Marubi e ka fotografuar lypsin plak pranë një gardhi me dërrasa dhe purteka, që mbase do të tregojë se ka një pengesë të madhe për të qenë edhe ai si të tjerët që janë brenda tij. Plaku nuk jepet me fytyrë nga gardhi, se kështu do të kishim një lypje të drejpërdrejtë. Fotografit i ka pëlqyer mospërfillja e tij për çka ndodhet matan atij kufiri prej dërrasash, gjë që ndoshta tregon për ndonjë thërimë krenarie mbetur si prush i fshehur brenda trupit kockor. Mbase edhe mosfokusimi i mirë i gardhit ka qenë një mllef apo inat që fotografi u a shkarkon atyre dërrasave dhe purtekave si të ishin ato fajtore për ndarjen dhe gjendjen e plakut. Mund që mjeshtri fotograf të ketë shkëmbyer dy-tri fjalë me lypsarin e vjetër dhe ky i fundit të ketë thënë “më ler rehat në hallin tim”, pastaj ai ka mbyllur sytë me mospërfillje të plotë, cka i ka pëlqyer artistit Marubi që e ka shpejtuar për ta fiksuar ne celuloid ate pamje aq tronditese.
Rreth plakut, përveç gurit të madh ku është ulur, shohim edhe tre gurë që formojnë një trekëndësh, ku ai që duket sikur çpohet nga shkopi ka një ndriçim me tonalitet afër të bardhës dhe përbën objektin më të ndritshëm të fotos. Fotografia është fiksuar në mënyrë të atillë që plani i parë na kujton një piramidë me bazë katrore me kënd fundin e shkopit, dy këmbët dhe gurin poshtë torbës. Kulmi i piramidës do të ishte koka e plakut dhe maja e shkopit që sikur janë shkrirë me njëri-tjetrin. Fotoja është bërë në një ditë të mvrenjtur, pa diell, gjë që i ka pëlqyer shumë fotografit-artist se kështu natyra rezonon plotësisht me gjendjen shpirtërore të lypsit.
Plaku ka një profil të rregullt, hundë të drejtë, kockat e mollzave të kërcyera që tregojnë ndoshta një rini të hijshme. Ai është i parruar, dhe me buzë të shtrënguara, i krusur dhe i mpakur dhe e gjithë forca e tij është përqëndruar tek mbajtja fort e shkopit me dorën e djathtë dhe e rripit të torbës me dorën e majtë që mezi dallohet. Rrobat i ka shumë të përdorura dhe me arna, e në kokë ka një feste e kapele që nuk tregon asnjë lloj identiteti.
Fotografia na flet me një heshtje të plotë, në të nuk lëviz asgjë, me vëmendje mund të imagjinohet vetëm duhatja e ngadaltë e plakut. Kjo heshtje mbase përfaqëson shurdhërinë dhe moskokçarjen e atyre, që në një mënyrë ose tjetër janë shkaktare të gjendjes së plakut të ngratë. Fotoja na kujton fshikurazi skulpturën e njohur të O.Paskalit “I urituri”. Ngjashmëria e të dy figurave qëndron në dobësinë fizike që e tregojnë sidomos kockat e mollzave të dala dhe të mprehta, ndërsa dallimi në mes tyre është thelbësor. Plaku i Paskalit paraqitet në prehje të plotë, thua se pas pak do jape frymën e fundit, kurse lypsi i Marubit ka akoma energji për të mbijetuar, ndonese me një mënyrë aspak dinjitoze, siç është kërkimi i lëmoshës. Plaku i Marubit është goditur rëndë, por jo i thyer shpirtërisht dhe moralisht. Sytë e lypsit tonë janë të mbyllur, ata përveç lodhjes fizike, shprehin një gjendje psikologjike, në të cilën njeriu nuk do të shikojë për momentin dhe të degjoje asgjë për rreth tij, thua se pas pak do të thërresi vdekjen për ndihmë. Por ai nuk e ka lëshuar veten fare, dhe këtë më mirë se çdo gjë e tregojnë muskujt e tendosur te duarve.
Sikur me një vijë të përfytyruar horizontale që kalon nga bryli dhe rrudha e gunës, të ndajmë pjesën e sipërme nga ajo e poshtme, koka dhe duart do na jepnin përshtypjen e lëvizjes, ecjes thuaj me sy mbyllur dhe pa u merakosur nëse po shkel diçka të re, sepse rruga e lypsarit është e njëjtë dhe monotone. E po të shqyrtojmë me vëmendje ndërtimin kockor të trupit të plakut, mund të imagjinojmë ecjen e tij në kontrast me rënimin e tij fizik dhe po ashtu alternimin e hapave që mezi ndihen me trokitjet e shkopit. Këpucët e lehta dhe shtrëngimi i pantallonave pas kërcinjve, flasin për një njeri që e ka merak ecjen e shpenguar.
Fotografia është e atypëratyshme, ka vërtetësi të ftohtë e rrënqethëse , nuk ka pozime dhe inskenime, gjëra që do t’i hiqnin asaj tharmin jetësor. Plaku nuk fotografohet duke lypur, kjo për motive të ndryshme, si rastësia dhe kompozimi artistik, por edhe pse Marubi ka dhimbshuri të veçantë për të. Lypjen ndonse nuk e shohim konkretisht, e ndjejmë dhe e parafytyrojmë qarte. Për këtë na ndihmon edhe ajo e hirta e përgjithëshme e me pak tonalitete që mbizotron në fotot. Mendojmë se përveç lëndimit të shpirtit, fotografi ka ndjerë edhe kënaqësi kur e ka parë të përfunduar stampimin në letër të lypsarit plak.
Sytë e mbyllur të plakut mbase bëjnë t i kaloje ne përfytyrimin e të tij gjëra të bukura nga rinia e hershme dhe nga ajo jetë e ndryshme në krahasim me të tanishmen, a mbase shohim një dritë të largët për një të ardhme më të mirë, por e sotmja është e ashpër dhe e detyron që të mos e preki të paktën as me shikim. Ai ndoshta ka degjuar t’i përpalset disa herë në fytyrë, pas kërkesës së tij “ma fal diçka zotni”, urimin cinik “zoti të dhashtë” që do të ndigjonte disa dhjetvjeçarë më vonë lypsi i njohur i Migjenit. Gjithçka rreth e rrotull plakut është e thatë, pa njomështinë e jetës, atë të gjelbërimit, që në fund të fundit do të fliste për të nesërme, gjë që për lypsin tonë të ngratë është fare e pasigurtë. Ai ka arritur në atë gjendje ekonomike dhe shpirtërore që e bën “të shtyjë ditët” deri sa më në fund të gjeje prehje ne boten e te shumteve.
Fotoja ka mbritur në ditët tona me titullin “Lypsi në rrethinat e Shkodrës” që mbase nuk është vënë nga autori. Plaku mund të mos ketë qenë fare lëmoshkërkues, por një argat mëditës. E ky fakt jetësor bën që fotografi të shikojë tek plaku edhe diçka nga e kaluara e tij, duke e paraqitur të lodhur, por jo të lëshuar plotësisht, të ulur, por që pas pak do të ngrihet përsëri në këmbë e do të vazhdojë ecjen. Nëse do ta shikonim plakun si argat mëditës apo endacak, do na kujtohej rrëshqitas tabloja “Refugjatët” e A. Buzës që po largohen nga vendi i tyre me një torbë plaçka të shoqëruar nga përndjekja përbuzëse e shovinizmit fqinj si dhe nga urija, problemi gjithkohor i shqiptarëve (që gjeti një farë zgjidhje nga fundi i shekullit XX). Tek plaku i lodhur i fotografise, siç është theksuar edhe më sipër, shohim një vitalitet të veçantë që na bën të mos ndjejmë mëshirën përbuzëse për të. Të dy artistët Marubi dhe Buza, duke mos harruar asnjë çast të kaluarën vetjake, nuk i shikojnë me mospërfillje personazhet e veprave të tyre. Ata kanë dhimbsuri për “endacakët”, protagonistë të krijimeve të shpirtit dhe mendjes së tyre.
Fotografimi i mjeranit duke lypur me dorën shtrirë dhe me shikim përdëllues në fytyrë për të ngacmuar kordat e shpirtit të lëmoshdhënësit, vërtetë do jepte një shëmbëllim shumë prekës, por përfitimi i ndjesive nga shikuesi do të ishte i shpejtë dhe i shkurtër. Në foton tonë, kemi ngrirjen e pamjes jo në atë çast që përbën pikën kulmore të ngjarjes (lypjes), por më parë ose më pas, e kështu “leximi” i kumteve artistike dhe psikologjike do të jetë më i ngadalshëm, më i thellë e ndjesitë e lindura kësodore do të jenë më të mëdha e më të gjata (në kohë).
Mjeshtri-fotograf e ka kuadruar subjektin në mënyrë që koka e plakut dhe duart të jenë në boshtin optik të fotos që njëherazi janë edhe qendra e rëndesës emocionale të kompozimit. Në foto nuk kemi kontraste ,drite-hije te forta, dhe po të kemi parasysh gurin e bardhë dhe gunën a pelerinën e hirtë, e gjithë pamja është mbajtur në tonalitete neutrale që përputhen me shpresat e pakta të mjeranit për një ditë të bardhë. Në fotografinë “Lypsi në rrethinat e Shkodrës” të bie në sy një farë simetrie ndërmjet dy objekteve të errëta, krahu i djathtë dhe torba që përmirësojnë raportin e gunës afër të bardhës me sfondin që në rastin tonë janë purtekat dhe dërrasat e gardhit.
Në foton që kemi përballë për ta kundruar, përpos keqardhjes, na ngjallet edhe një qortim mbase i heshtur për fatin e keq të lypsit plak dhe të gjithë lypsarëve, këtyre “njerëzve të harruar nga Zoti”.
Fotografia si vepër e mirëfilltë arti, flet më shumë e më gjatë seç duket, e shikuesi duhet të mëtojë me kujdes në zbërthimin e saj. Marubit, megjithëse burrë i pjekur 50 vjeçar, kur ka fotografuar lypsarin plak, ndoshta nuk ja ka rrokur mendja se fotoja, përveç karakterit dokumentar a historik, do të kishte rezonim bashkohor edhe një shekull e ca më vonë. Nëse do ndërronim titullin dhe datën e kësaj fotoje të bërë rreth 117 vite më parë me një lypës në rrethinat e Shkodrës, do të ndryshonte fare pak gjë në ndjesitë tona të krijuara fillimisht. Thënë ndryshe, lypja, ky profesion kaq i vjetër dhe i përhapur në gjithë botën, për shkaqe e arsye të shumta dhe të ndryshme, është pankohore dhe e pranishme ende në shumë vende.
Për këtë kjo foto e mjeshtrit Marubi, përbën një përmendore të trishtuar për ata që vuajnë ekonomikisht, gjë që shoqërohet edhe me cfilitje të shpirtit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora