E enjte, 25.04.2024, 10:45 AM (GMT+1)

Shtesë » Shoqëria

Studentët “vriten” në “Counter strike” dhe flirtojnë në “Messenger”

E merkure, 10.12.2008, 01:03 AM


Nga Manjola Hasa 
 
Klajdi Kola, student i degës Gazetari konsumon tetë orë të ditës së tij në internet, duke luajtur “Counter strike”. Ne e gjetëm të ulur përpara një kompjuteri me një qëndrim të kërrusur, duke buzëqeshur nga kënaqësia që i falte loja interaktive. Ky student "abonohej" në një nga qendrat e internetit në "Qytet Studenti" për orë të tëra. Vendi ku ndodhej ishte i tejmbushur me tym dhe dëgjoheshin gjithandej të bërtitura djemsh: “vrite”, “gjeje”, “ku dreqin është futur”. "Asnjëherë nuk mund të largohem nga ky vend përpara mesnatës. Madje shpesh qëndroj deri në orën 06:00 të mëngjesit. Vetëm kur shoh që është zbardhur vendos të iki në shkollë ose të takoj në kafe miqtë e mi", - shprehet ai. Ai po qëndronte në shoqërinë e tre djemve të tjerë, të veshur dhe ata po sportiv, që vazhdimisht djersinin dhe shkundnin cigaret në tavllën e mbushur. Shijonin, stresoheshin, bërtisnin, përplasnin fuqishëm duart në tastierën e kompjuterit- reagime këto të njëpasnjëshme që vinin nga veprimet e lojtarëve te zgjedhur. Ata ishin të përqendruar totalisht në ekranin kompjuterik, saqë nuk vini re më as miqtë që i përshëndesnin sa herë hynin e dilnin nga kjo qendër. Ai kompjuter ishte në qendër të vëmendjes së tyre dhe asgjë për rreth nuk mund të merrte më rëndësi. "Unë dhe shokët e mi nuk mund të rrimë asnjë ditë pa luajtur “Counter strike”, pavarësisht kërkesës mësimore që na ngarkohet si student", - tha Kola.

Çuditërisht kjo qendër interneti, e ndodhur diku në mesin e "Qytet Studentit", ishte e mbushur vetëm me djem. Ora shënonte 23:45 dhe asnjëri prej tyre nuk tentoi të largohej. "Në këtë radhë të parë kompjuterash, këta djemtë po bëjnë katër orë që janë këtu dhe nuk do të habitesha aspak edhe nëse ata nuk do të jenë larguar përpara se unë të lë turnin", - pohon B.A., administrator prej më shumë se tre muajve i kësaj qendre interneti. Ai na tregoi se si studentët djem krijojnë grupe të caktuara dhe luajnë deri në mëngjes. “Madje, ka raste kur studentët që luajnë për të gjithë natën e nuk arrijnë të fitojnë, konfliktohen me njëri-tjetrin dhe nga mosmarrëveshjet e tyre kanë përfunduar edhe në polici”, -tha ai. Pjesa më e madhe e studentëve të intervistuar për këtë çështje dëshmojnë se zgjedhin lojëra, filma, “Messenger”-in dhe së fundi “facebook”-un gjatë kohës që qëndrojnë në internet, dhe vetëm pak prej tyre pohojnë se shkojnë në internet për të klikuar në motorët e kërkimit si “Google”, “Yahoo”, apo biblioteka online si “Amazone”.

Jolanda Dhima, studente e vitit të tretë Punë-Sociale tregon: "E nis ditën time në orën 11:00 të paradites dhe menjëherë shkoj në internetin përpara godinës sime. Aty rri me orë të tëra në “msn” dhe “facebook” duke lidhur miqësi online. Në fakt, nuk kam asgjë tjetër për të bërë. Kohët e fundit fakulteti im është në grevë dhe unë nuk kam asnjë detyrim shkollor, kështu që zgjedhë internetin për të kaluar kohën. Është e çuditshme, por mendoj se më është bërë si një sëmundje dhe unë nuk mund ta kuptoj ditën time pa u përshëndetur më parë me miqtë e mi në “msn”. Kjo më kushton si studente dhe unë paguaj rreth 450 lekë në ditë vetëm nga dëshira për të qenë online".

Interneti ndoshta po merr kohën që dikur iu kushtohej librave. Nga vëzhgimi i bërë, sallat e bibliotekës ishin të boshatisura, ndërsa në qendrat e internetit ishte e vështirë të gjëje një kompjuter bosh. “Po bëj vite që punoj këtu dhe po shoh që studentët dita-ditës po i braktisin librat. Sigurisht, ka dhe nga ata që studiojnë me orë të tëra por janë të pakët në numër”, - pohoi një punonjëse e bibliotekës që po përgatiste një kartelë të një studenteje të sapoanëtarësuar. “Nuk ka ndonjë ndryshim të madh për studentët lidhur me frekuentimin e tyre në internet, të kohëve që janë të shkëputur ndaj ngarkesave mësimore dhe atëherë kur kanë sezonin e provimeve. Qendrat e internetit mbeten gjithnjë të mbushura dhe pothuajse të gjithë bëjnë klikimin e tyre në ikonën dyshe “Messenger” ose zgjedhin dhe shijojnë lojërat. Studentët kur kanë një punim mësimor për të bërë kujtohen momentet e fundit, madje ata rrinë deri në mëngjes për ta përfunduar atë. Ka momente kur stresi është i papërballueshëm dhe shpesh vajzat shpërthejnë në lot. Më kërkojnë ndihmë, madje dhe më paguajnë më shumë, që të mbarojnë punimin e tyre përpara se të fillojnë mësimin", - u shpreh një tjetër administrator i një qendre interneti në Qytet Studenti përballë godinës 27.

Qytet Studenti ka përafërsisht 15 qendra interneti dhe monitoruesit e secilës prej tyre tregojnë një klientelë ditore që kap shifrën 100-120 vetë. Ato qëndrojnë të hapura 16-24 orë dhe çmimi i konsumimit të një ore në internet varion nga 60-80 lekë. Çmim ky që në ditët e para të javës është i justifikuar dhe më pas konsiderohet si i shtrenjtë nga studentët. Një pjesë e madhe e studentëve jetojnë me të ardhurat që ua siguron familja, ndërsa pjesa tjetër është e punësuar zakonisht part-time. Shpenzimet janë mjaft për xhepat e tyre, por pothuajse të gjithë gjejnë kohë dhe mundësi financiare që të kalojnë orë të tëra për kënaqësi “online”.

Sapo hyn në një qendër interneti shikon se si fytyrat e të rinjve shprehin emocionet në lidhje me atë që po komunikojnë apo me atë që po luajnë. Mjafton të gjesh një kënd për t’u ulur në karrigen tënde dhe vëren qartë që studentët e ulur përpara kompjuterëve të tyre qeshin, nervozohen, madje dhe lotojnë. Një vajzë që ngre duart nga kamera dhe përshëndet miqtë apo të afërmit e saj. Një tjetër që përplas buzët për të dërguar një puthje me sa duket të dashurit të saj emigrant. Një tjetër që ndihet aq e nervozuar dhe përplas duart fuqishëm në tastierë. Një djalë që sheh fotot pothuajse nudo të Britney Spears. Dhe rreth e rrotull dëgjohen djemtë që bërtasin për skuadrat e tyre të zemrës. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora