E premte, 29.03.2024, 03:49 PM (GMT)

Mendime

Eshref Ymeri: E ndiej veten fort keq që paskam pasur shumë të drejtë

E marte, 28.12.2021, 01:48 PM


E ndiej veten fort keq që paskam pasur shumë të drejtë

Nga Prof. dr. Eshref Ymeri

Në edicionin e lajmeve të platformës mediatike analitike “Pamflet”, të transmetuar sot (27 dhjetor 2021) në youtube, ndoqa me shumë interes informacionin në vijim:

“Shoqëria shqiptare duket se nuk e ka më atë pritshmërinë e parë kur u diskutua dhe u miratua reforma në drejtësi, se SPAK-u do të sjellë përmbysjen e madhe në vend, duke hetuar e dënuar kastën e korruptuar politike 30-vjeçare. Entuziazmi i fortë i fillimit nisi e u shua vit pas viti, pasi jemi 5 vjet që nga miratimi i reformës dhe ende nuk ka dalë në breg ndonjë “Peshk i Madh”. Edhe pse nuk jemi në fazën e zhgënjimit përfundimtar, gjithsesi ka një frustrim të madh, ngaqë edhe drejtësia e re po shihet si një “rrjetë” e shpuar për peshqit e mëdhenj. Megjithatë, hetimi e më pas dënimi i politikanëve të korruptuar nuk është gjë e lehtë, pasi ata e kanë menduar edhe këtë gjë, e gjithë këto vite kanë bërë çmos për t’i shpëtuar gjykimit për korrupsion…”.

Kur e mbarova leximin e këtij informacioni, ndjeva keqardhje të thellë që paskam pasur shumë të drejtë, kur gati gjashtë vjet më parë pata botuar në internet një analizë, në të cilën shprehja bindjen e patundur se propaganda e zhurmshme për reformën në drejtësi që bënte Rama, të gjithë “bujkrobërit” socialistë dhe mjetet e informimit masiv në shërbim të verbër rreth tij, s’ishte gjë tjetër, veçse një perde tymi për të mashtruar edhe më shumë popullin shqiptar, si puna e propagandës së kryetradhtarit dhe të kryemashtruesit Enver Hoxha për punën e asaj lugës së floririt që pati premtuar në gjysmën e dytë të viteve ’40.

Në vijim, disa portaleve të nderuara, po ju përcjell për ribotim analizën time të 28 janarit 2016.

Reforma në drejtësi:

Do të mbarset mali dhe do të pjellë një mi

Sa për kujtesë ambasadorit të nderuar amerikan Donald Lu

Presidenti amerikan Franklin Ruzvelt (Franklin Roosevelt - 1882-1945), më 06 janar 1941, ka pasë deklaruar për katër liritë themelore:

“Ne shpresojmë të shohim një botë të mbështetur mbi katër liri themelore: e para - lirinë e fjalës dhe të shprehjes, e dyta - të drejtën që kushdo mund të nderojë Zotin sipas dëshirës dhe besimit, e treta - zhdukjen e varfërisë, e katërta - çlirimin nga frika.

Vetvetiu shtrohet një pyetje e thjeshtë:

Ku është klasa politike shqiptare në raport me zhdukjen e varfërisë gjatë këtyre 25 vjetëve të pluralizmit politik?

Përgjigjja, po ashtu, është fare e thjeshtë:

Klasa politike ka bërë ç’është e mundur për t’u vetëpasuruar, çka ka sjellë si pasojë varfërimin e pandalshëm të pjesës dërrmuese të popullsisë dhe  sidomos të më shumë se një gjysmë milioni pensionistësh.

U bë kaq kohë që po diskutohet për reformën në drejtësi. Madje për këtë problem është folur dhe stërfolur kaq shumë, saqë mbarë qytetarëve të thjeshtë sikur ka filluar t’u bëhet bozë. Një fjalë e urtë thotë: Atje ku bëhet dasmë e madhe, merr lugë të vogël! Sepse qytetarët kërkojnë vepra dhe jo fjalë. Që kjo reformë është shumë e rëndësishme, kjo as që mund të vihet në dyshim.

Më ka bërë përshtypje të jashtëzakonshme roli që po luan ambasadori i nderuar amerikan Donald Lu për kryerjen e kësaj reforme. Në një dalje të paradokohshme në publik, ai ka deklaruar:

“Të gjithë ne në Ambasadën Amerikane jemi të përqendruar në reformën në drejtësi për shkak të udhëzimit direkt nga zyrtarë të lartë në Shtëpinë e Bardhë dhe në Departamentin e Shtetit. Ata na kanë thënë qartësisht se prioriteti numër një i Qeverisë Amerikane në Shqipëri është të mbështesë reformat e nevojshme për pranimin e Shqipërisë në BE” (Citohet sipas: “Donald Lu: SHBA s’do gjejë qetësi për reformën në drejtësi, kemi udhëzim direkt nga Shtëpia e Bardhë”. Marrë nga faqja e internetit “syri.net”. 06 janar 2016).

Ne, qytetarët e Shqipërisë Londineze, u jemi dhe do t’u jemi mirënjohës në jetë të jetëve Shteteve të Bashkuara të Amerikës për kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë për mbijetesën tonë si shtet. Sepse në dy raste, mbijetesa jonë ka qenë në zgrip.

Së pari, ujqit evropianë, në Konferencën e Paqes në Paris të vitit 1919, pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, patën hartuar plane ogurzeza për ta zhdukur nga harta e Evropës edhe atë ngastër Shqipërie që kishte mbetur pas vendimeve kriminale të Kongresit të Berlinit të vitit 1878 dhe të Konferencës së Londrës të vitit 1913. Por ndërhyrja vendimtare e Presidentit Uillson qe shpëtimtare për vendin tonë. Ky ishte shpëtimi i parë i Shqipërisë nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shpëtimi i dytë erdhi në vitin 1997, në kushtet kur shteti shqiptar ishte shpërbërë tej e ndanë. Pikërisht në atë situatë tragjike ku e katandisën vendin “bejlerët” e politikës shqiptare, shovinizmi grekokaragjoz, përmes kryeministrit të vet, i kërkoi leje Sekretares së Shtetit, zonjës së nderuar Medlin Ollbrajt, për të futur trupat në Shqipërinë e Jugut, me arsyetimin gjoja për të mbrojtur minoritetin grek. Por zonja Ollbrajt i tha se mund t’ju dalin probleme me Turqinë. Dhe kryeministri grek u tërhoq me bishtin ndër shalë. Dy vjet më vonë, në pranverën e vitit 1999, pikërisht Shtetet e Bashkuara, me Presidentin Klinton në krye, duke pasur edhe mbështetjen e fuqishme të  Kryeministrit britanik Toni Bler, për 78 ditë rresht, zhvilluan fushatën e bombardimeve kundër Serbisë, për shpëtimin përfundimtar të popullit shqiptar të Kosovës nga tirania mbinjëshekullore e shovinizmit serbomadh.

Tani, kur në vendin tonë është krijuar një gjendje pa rrugëdalje, për shkak të sundimit të një klike kriminale oligarkike, e cila pjesën dërrmuese të popullit tonë e ka katandisur në kufijtë e varfërisë, për shkak të së cilës, gjatë një viti, vendin e kanë braktisur mbi 100 mijë qytetarë dhe, sipas mjeteve të informimit masiv, rreth 200 mijë të tjerë kanë aplikuar për lloton amerikane, Shqipëria ka nevojë për një shpëtim të tretë nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Tani problemi shtrohet fare thjesht, edhe për ambasadorin e nderuar Donald Lu: kush do ta kryejë reformën në drejtësi? Mos vallë këta oligarkë të politikës, të cilët, në kurriz të qytetarëve të thjeshtë, janë pasuruar në një mënyrë marramendëse, duke filluar nga krerët e oligarkëve të politikës qendrore, deri te oligarkët e politikës vendore? Kjo duket krejtësisht e pabesueshme. Le të ndalemi në disa fakte konkrete, të cilat janë bërë publike përmes mjeteve të informimit masiv.

Ish-deputeti i LSI-së, zotëria Dritan Prifti, dikur ka pasë deklaruar publikisht nga foltorja e Kuvendit:

“A ka shqiptar, kolegë deputetë, që beson se zoti Edi Rama është i pastrehë? Ai në deklaratën e tij të pasurisë thotë që është i pastrehë dhe ne të gjithë e dimë që Edi Rama është pronar i fshehtë i mbi 200 apartamenteve në Tiranë, sepse flasin ndërtuesit. Taksa e tij e jashtëligjshme është 30 euro për metër katror për çdo leje ndërtimi që ka dhënë nga viti 2000 e deri sot” (Citohet sipas: “PS: Padi penale për Priftin, shau kryetarin socialist Rama”. Marrë nga faqja e internetit “Info Arkiva. Arkiva mediatike Shqiptare”. 15 korrik 2010).

Kjo deklaratë është transmetuar edhe në TV “Top Channel”, në emisionin e lajmeve të orës 15:30 (Citohet sipas: “Pasuria 1.8 mln euro, Prifti: Shita aksionet”. Marrë nga faqja e internetit “top-channel.tv”. 15 korrik 2010).

Sipas një raporti të OSBE-së, thuhet se Kryeministri Edi Rama “ka një pasuri prej 200 milionë eurosh” (Citohet sipas: ““200 mln euro”! Një përshkrim psikologjik për Ramën”. Marrë nga faqja e internetit e gazetës “Mapo”. 12 shtator 2015).

Para do kohësh, gazetarja e Zërit të Amerikës, zonja Ardita Simiçia, i mori një intervistë kryetarit të Kuvendit, zotërisë Ilir Meta, gjatë kohës që ky ndodhej për një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtu janë shkëputur vetëm dy pyetje mjaft domethënëse të gazetares dhe dy përgjigje fort kuptimplote të kryetarit të Kuvendit:

Ardita Simiçia: “…Meqë përmendët nevojën që vendi të ketë një zhvillim sa më të barabartë, të sjellë një ndarje sa më të barabartë të përparimit që do të realizohet, desha t’ju bëja një pyetje disi personale për klasën politike në Shqipëri që shpalos një mënyrë jetese dhe një luks të jashtëzakonshëm. A ndiheni ndonjëherë nën presionin e publikut, këtij publiku që ikën përditë, që ka një minimale të jetesës te 5-dolarrëshi në ditë, a ka ndonjëherë diçka që ju prek, ju kap në gjithë këtë shpalosje luksi dhe ekstravagance do të thosha?...

Ilir Meta: Nuk e di për çfarë luksi e keni fjalën…

Ardita Simiçia: Pyetja e vetme që marrim ekskluzivisht për çdo politikan këtu është: klasa politike shqiptare duhet të largohet, ata po e mbajnë peng këtë vend pasi janë të gjithë të korruptuar. Dhe nga ana personale, a e ndieni ndonjëherë presionin, a ju vjen ndonjëherë siklet nga gjithë ajo që thuhet? A e ndieni dëshirën për të thënë: mjaft më! Dua të sqarohem dhe të lahem…

Ilir Meta: Shqipëria e paska të zgjidhur problemin e korrupsionit se mund t’u marrë juve t’ju vërë prokurore të përgjithshme dhe ju e zgjidhni në emër të popullit” (Citohet sipas: “Meta në VOA: Emri im në aferën CEZ? Nisni gazetarinë nga e para”. Marrë nga faqja e internetit e gazetës “Shqiptarja.com”. 29 tetor 2015).

Nënkuptohet që gazetarja e nderuar Ardita Simiçia, është nisur nga disa fakte konkrete kur zotërisë Ilir Meta i pati drejtuar dy pyetjet e mësipërme për luksin ku jeton, në kushtet kur mjerimi ekonomik ka pllakosur pjesën dërrmuese të qytetarëve të vendit për faj të oligarkëve të politikës, mes të cilëve edhe kryetari i Kuvendit zë kryet e vendit.

Është vërtet e çuditshme se si është e mundur që zotëria Ilir Meta kërkon t’i bishtënojë përgjigjes për pyetjen e gazetares, duke u shtirur sikur nuk e kuptuakej se për çfarë luksi e kishte fjalën gazetarja, sikur vetë ai nuk jetuaka në mes të luksit dhe sikur nuk qenkej ai që organizoi një pritje me salltanete të mëdha me rastin e 45-vjetorit të lindjes.

Në mjetet e informimit masiv është bërë i njohur publikisht edhe ky fakt konkret për jetën luksoze që bën zotëria Ilir Meta, për çka gazetarët e Zërit të Amerikës, si zëdhënës të drejtpërdrejtë të Departamentit të Shtetit, kanë qenë në dijeni me kohë e me vakt:

“Vila e Ilir Metës në Gjirin e Lalzit është 2000 m² bashkë me oborr ku janë mbjellë ullinj dhe palma gjigante që u sollën me helikopter. Ndërsa brenda vilës ndodhen shumë dhoma dhe 11 wc. Mobilimi besohet se kushton mbi 400 mijë euro. Vetëm kolltuqet “skavolini” kushtojnë 32 000 euro, shkruajnë sot disa media on line, mbështetur në një emision të gazetares Sonila Meço. Kjo është thjesht vila për fundjava, sepse ata jetojnë në një pallat 5-katësh në qendër të Tiranës, në zonën e bllokut, ku 4 kate janë banesa e tyre.

Këto janë fotot e bëra gjatë një interviste të dhënë për mediat nga bashkëshortja e kreut të LSI, Kryemadhi, e cila është edhe deputete. Sipas Monikës, edhe macja ka tualetin e veçantë për të kryer nevojat personale” (Citohet sipas: “Vila luksoze e Ilir Metës me 11 wc”. Marrë nga faqja e internetit “kosovarja.biz”. 31 tetor 2015).

Në një artikull të botuar para do kohësh në gazetën “Telegraf”, e cila dallohet për denoncimin e korrupsionit në vendin tonë, flitet për milionerët e institucioneve qendrore dhe të qyteteve kryesore. Këtë herë, në artikull jepet një pasqyrë me të dhëna konkrete për pasurinë e oligarkëve-milionerë të njërit prej qyteteve kryesore dhe, konkretisht, të qytetit të Elbasanit. Milionerët e këtij qyteti punojnë në mjekësi, në gjykatë, në prokurori, në avokaturë e në noteri, në polici, në banka dhe në arsim.

Më bëri shumë përshtypje fjala “arsim”. Dhe me siguri që gazeta e ka fjalën për arsimin e lartë, pra, për pedagogët e universitetit. E kam të vështirë ta përfytyroj se si është e mundur që një pedagog të marrë para nga studentët e vet, për t’u vënë nota kaluese. Kam punuar vetë pedagog në universitet, deri sa dola në pension në vitin 2003, dhe marrëdhëniet me studentët i kam pasë vlerësuar si të shenjtëruara. Një pedagog universiteti që merr para nga studentët, si mund të ketë sy e faqe të dalë para tyre në auditor gjatë zhvillimit të leksioneve dhe të seminareve, apo gjatë përballjes me ta nëpër këmbësoret e qyteteve? Ky është degjenerim deri në përmasat e neverisë, që më solli në kujtesë një ngjarje konkrete që u pasqyrua para disa vjetësh në mjetet e informimit masiv:

“Denoncimi i disa studentëve të Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” për marrje ryshfeti, ka bërë që policia e këtij qyteti të arrestojë në flagrancë pedagogun e gazetarisë, Isidor Koti, me një shumë prej 1 milionë lekësh të vjetra, të ndara në zarfe” (Citohet sipas: “Merrte para nga studentët, arrestohet Isidor Koti”. Marrë nga faqja e internetit “albeu”. 15 shtator 2012).

Ndër të tjera, në artikullin e gazetës “Telegraf” thuhet:

“Kushdo që ka drejtuar dhe ka ikur nga posti, e pakta, ka ikur me një pasuri prej 150 mijë euro, e cila është pesëfishuar më pas me shitjen e pronave të fituara gjatë kohës që kishte në dorë “zgjidhjen” e halleve dhe problemeve të qytetarëve… Ka milionerë të këtyre rangjeve që kanë deri 18 apartamente në Elbasan dhe që kanë nisur t’i japin me qira ose t’i shesin. Shtresa e milionerëve në rrethe është krijuar dhe ka ardhur qetë-qetë në rrugën e saj, duke iu shmangur rreziqeve të ligjit. Ata kanë krijuar imunitetin e tyre dhe i gjenden njëri-tjetrit, sa herë u kanoset ndonjë hetim, ndonjë kallëzim apo ndëshkim ligjor. Ata nuk i prek as “dekriminalizimi” që pritet të miratojë Kuvendi, pasi e quajnë veten me mburrje “të paprekshëm” (Citohet sipas: “Milionerët e institucioneve qendrore dhe “bejlerët” e qyteteve kryesore”. Marrë nga faqja e internetit e gazetës “Telegraf”. 12 janar 2016).

Këtu duhet të kemi parasysh faktin që qeveria Rama kërkon zbatimin e rreptë të ligjit, por vetëm në raport me shtresat e varfra të popullsisë dhe aspak në raport me oligarkët. Madje edhe atëherë kur pasojat mund të jenë tragjike. Para pak kohësh, publiku i gjerë u njoh me një ngjarje të kobshme si më poshtë:

“Pasi e lanë prej muajsh në terr, duke i ndërprerë energjinë elektrike, sepse nuk kishte mundësi të paguante, sot është ndarë nga jeta.

Bëhet fjalë për një të moshuar 91-vjeçare nga fshati Fang i Mirditës. Barbulla Pepa jetonte e vetme në kushte të varfërisë ekstreme.

Fqinjët e saj e kanë gjetur të vdekur në shtëpinë tejet të vjetër dhe pa kushtet më minimale. Po fqinjët kanë hapur dyert për mort për nënë Barbullën.

Rreth një muaj e gjysmë më parë, përmes medias, ajo i bëri apel OSHEE-së t’i rilidhte energjinë, sepse nuk kishte mundësi ta paguante, por thirrjet e 91-vjeçares ranë në vesh të shurdhët” (Citohet sipas: “OSHEE i ndërpreu energjinë elektrike, vdes nga të ftohtit e moshuara”. Marrë nga faqja e internetit “Lapsi Lajme”. 11 dhjetor 2015).

Pra, atë plakë të gjorë OSHEE-ja nuk e mëshiroi, sepse zbatoi urdhrin që lëshoi kryeministri Rama për ndërprerjen e energjisë elektrike, pavarësisht nga rrjedhojat tragjike që mund të vinin më pas. Nuk e di se sa i rëndon në ndërgjegje kryeministrit Rama vdekja e saj plake të mjerë. Kjo ngjarje e dhimbshme më kujtoi përmbajtjen e një shkrimi të qytetarit rus Vladimir Garmatjuk nga qyteti Vollogda, të cilin e kishte botuar në internet më 27 korrik 2010. Në atë shkrim ai e cilësonte kryeministrin Putin si mbrojtësin e oligarkëve dhe si kamxhikun e shtresave të varfra të popullit rus.

Para pak ditësh, duke shtegtuar nëpër faqet e internetit, hasa rastësisht në një intervistë, të cilën gazetari i mirënjohur i zërit të Amerikës, zotëria Ilir Ikonomi, ia kishte marrë profesorit të shkencave politike në Universitetin e Nju Jorkut në Manhatan, Grid Rroji. Në njërin nga mjetet e informimit masiv lexova informacionin e mëposhtëm, ku ndoqa edhe videon e intervistës:

“Zëri i Amerikës e komentoi projektligjin e qeverisë për kriminalizimin e shpifjes si tentativë të kryeministrit Edi Rama për t’i mbyllur gojën medias. Duke e komentuar reagimin që shkaktoi kjo nismë ligjore, gazetari i Zërit të Amerikës, Ilir Ikonomi, në një intervistë me doktorantin e shkencave politike në Universitetin e Nju Jorkut në Manhatan, Grid Rrojin, u shpreh:

“Në Shqipëri pati një valë kundërshtimesh të forta ndaj propozimit të kryeministrit për burgim deri në 3 vjet për shpifje apo fyerje ndaj figurave shtetërore. Megjithëse qeveria duket se po tërhiqet, kjo u pa si një masë për t’i mbyllur gojën medias. A është kjo diçka shqetësuese për ju, sepse vërtet kemi parë nga zyrtarët më të lartë arrogancë ndaj gazetarëve, për shembull, kur tentohet të flitet për korrupsionin dhe pasuritë e politikanëve? Pak ditë më parë, ndaj gazetares së Zërit të Amerikës, Ardita Simiçia, pati një reagim të ashpër të kryetarit të kuvendit, Ilir Meta, i cili u pyet gjatë vizitës në SHBA mbi akuzat për korrupsion dhe pasurinë e tij” (Citohet sipas:
““Shpifja”/ Zëri i Amerikës: Rama tentoi t’u mbyllë gojën mediave. Zyrtarët e lartë sillen me arrogancë”. Marrë nga faqja e internetit “Lapsi Lajme”. 13 nëntor 2015).

Gjatë ndjekjes së intervistës, mësova se, siç e përmendi zotëria Ilir Ikonomi, profesori Grid Rroji, pak muaj më parë, kishte botuar librin mjaft interesant me titull “Paria e rrethit të ferrit”. Pasi e ndoqa intervistën deri në fund, u interesova në faqet e internetit për adresën elektronike të profesor Rrojit dhe sapo e gjeta, i nisa një mesazh, ku e falënderova për botimin e librit dhe i shpreha dëshirën për ta blerë. Shumë shpejt, profesor Rroji më ktheu përgjigje me falënderimet përkatëse, duke më dërguar edhe librin në formatin pdf. Librin prej 407 faqesh e lexova me shumë kënaqësi. Në këtë libër, autori ka bërë një analizë të hollësishme të periudhës çerekshekullore, gjatë së cilës Shqipëria është zvarritur dhe vazhdon të zvarritet e zalisur, pa mundur të ngrihet dot kurrë në këmbë, për të marrë formatin e një vendi normal, në të cilin të kishte hapësirë funksionimi i një shteti juridik, ku të gjithë të ishin të barabartë para ligjit. Mjaft citate të shkëputura prej këtij libri, do të ishte interesante sikur të përfytyroheshin të afishuara anës bulevardit qendror të Tiranës, anës bulevardeve të qyteteve kryesore dhe të autostradave të vendit.

Ja disa nga këto citate:

“Kriza ekonomike, dështimi i projektit politik të integrimit, rrënimi moral i shoqërisë dhe mungesa e zgjidhjeve të ofruara nga paria, kanë krijuar një situate, e cila, fatkeqësisht, ngjason shumë me një tenxhere me presion mbi zjarr”.

“Parisë i nevojitet një kulturë kriminale për të justifikuar vjedhjen e pasurisë publike, pasurimin e saj të shpejtë, duke menduar se ky popull kaq e ka takatin. Paria vepron me moton “sipas kokës edhe festen”, sepse nuk e vlerëson popullin shqiptar. Mirëpo, kultura kriminale e parisë nuk prodhon zgjidhje të problemeve, por i shumëfishon ato. Si pasojë, në momentin që qytetarët do të ndërgjegjësohen që paria i ka mashtruar paturpësisht dhe u ka mohuar një të ardhme me nder, rruga që u mbetet është përplasja me parinë”.

“… i ashtuquajturi “model integrues” kufizon ndjeshëm sovranitetin e Shqipërisë, duke rrezikuar qenësinë e shtetit shqiptar. Në një mjedis ndërkombëtar ku mbizotëron modeli i shtetit-komb dhe ku të gjithë aktorët janë në luftë të vazhdueshme për mbijetesë, çdo shtet i varur nga të tjerë është detyrimisht i rrezikuar”.

“Integrimi është një rrenë e madhe, sepse jo vetëm, siç shprehet studiuesi gjerman Jens Bastian, “nuk ka gjasa që BEja të zgjerohet në Ballkan të paktën deri në 2020”, por edhe sepse Shqipëria nuk shihet në Europë si material zgjerimi”.

“Integrimi është një rrenë e bukur, e cila nuk ka asnjë gjasë të ndodhë në dy dhjetëvjeçarët e ardhshëm e më tej, dhe aspak gjasë të na ndihmojë për të kapërcyer krizën e thellë politike dhe shoqërore ku jemi. Sistemi i ndërtuar mbi rrenën e madhe të integrimit është i dështuar, dhe i shërben mbajtjes nën sundim të shqiptarëve me anë të propagandës”.

“Na thuhet se do të marrim miliona euro, një tjetër gënjeshtër e pastër, sepse edhe sikur Europa të na priste me tabaka me euro tek porta, sistemi i vjeljes së këtyre fondeve është në bazë të kapaciteteve aplikuese të strukturave të shtetit, të cilat janë jo vetëm të paafta, por edhe në funksion të sistemit korruptiv që ka instaluar”.

“Mungesa e një force politike serioze, me karakter kombëtarist, është një nga boshllëqet vështirësisht të shpjegueshme që ka krijuar tranzicioni, dhe që duket se nuk do të vazhdojë edhe shumë gjatë”.

[Në emisionin shumë të ndjekur të gazetarit të mirënjohur Rezart Xhaxhiu të datës 21 janar, ndoqa intervistën që ai i mori drejtuesit të lëvizjes “Reago”, zotërisë Leonard Dedej. Në përgjigjet e veta, zotëria Dedej i bëri radiografinë situatës së rëndë ekonomike që mbizotëron në vend dhe demaskoi paq klasën politike shqiptare. Në fund ai deklaroi se, së bashku me miqtë e vet, janë duke përgatitur kushtet për krijimin e një partie të ekstremit të djathtë. Nënkuptohet vetvetiu që varfëria ekstreme që paria pushtetore i ka imponuar shumicës dërrmuese të qytetarëve, do të pjellë domosdo edhe një reagim ekstrem. Prandaj profesori Grid Rroji ka shumë të drejtë kur thotë  se kjo situatë nuk do të vazhdojë gjatë. Do ta shikojmë në praktikë se cili do të jetë programi i partisë së zotërisë Dedej, cila do të jetë platforma, mbi të cilën mbështetet programi i saj dhe le të shpresojmë se kjo parti nuk do të përfundojë në një flakë kashte, si puna e partisë së zotërisë Kreshnik Spahiu.]

“…paria e Tiranës e ka frikë më shumë se çdo gjë tjetër kombëtarizmin, sepse ndërtimi i shtetit-komb presupozon vendosjen në plan të parë të interesave kombëtare. Duke qenë se interesat kombëtare nuk përkojnë me interesat e ngushta të pasurimit dhe të shfrytëzimit të popullit nga paria, kjo e fundit gjatë këtyre 23 vjetëve ka bërë ç’është e mundur për ta thelluar grimcimin e shoqërisë…”.

“Kombëtarizmi shqiptar nuk është shpikje e asnjë individi, por një frymë e mbrujtur ndër shekuj”.

“Udhëheqësit politikë shqiptarë të të gjitha palëve janë kriminelë të veshur me kostume, të cilët kush më shumë e kush më pak nuk ngurrojnë t’i lyejnë duart me gjakun e shqiptarëve për të mbërritur objektivat e tyre”.

“… palët kanë krijuar modelin e politikanit hajdut, pa shtyllë kurrizore e në shërbim të klanit përkatës, pa kurrfarë ndjenje shërbimi publik. Ky model nuk ishte i paevitueshëm, por shprehje e vullnetit të qartë të parisë për ta zvetënuar skenën politike dhe për ta sunduar më kollaj popullin”.

“… nëse duam ndryshim të vërtetë, duhet ndryshuar sistemi i vlerave, jo hajdutët”.

“Shqiptarët, kudo që jetojnë nëpër botë, sillen si qytetarë model në shumicën dërrmuese të rasteve, dinë të shfrytëzojnë liritë që u jep demokracia dhe në disa raste kanë arritur të bëhen politikanë të suksesshëm në vendet pritëse. Shumica dërrmuese e tyre nuk vjedhin, nuk vendosin gjoba, nuk kanë lidhje me kriminelë e kartele mafioze. Kjo shumicë punon dhe fiton me gjak dhe djersë, shkollon fëmijët dhe e mban një sy gjithmonë nga atdheu. Kësisoj, problemi nuk janë shqiptarët, por sistemi politik dhe mendësia katundare që na ka imponuar paria”.

“… ne na duhet një shtet i mbështetur tek vlerat që garanton sundimin e ligjit. Çdo zgjidhje tjetër na çon në hulli të pakëndshme e na lë nën thundrën e kësaj parie të zvetënuar, e cila tashmë e ka tejkaluar çdo cak të maskarallëkut. Hapi i parë drejt këtij fillimi të ri është të ruajmë nderin e t’i vemë një kryq të madh votës”.

“Morali i zvetënuar i parisë dhe mungesa e zgjidhjeve për të jetuar me nder në atdhe, ka shkaktuar një zhgënjim masiv, i cili po pasqyrohet tek ikja masive dhe zbrazja e fshatrave nga Jugu në Veri”.

“Opozita sot janë shqiptarët, ata që nuk kanë më shpresë tek paria, ata që po detyrohen ta lenë vendin me turravrap, por edhe ata të rinj e të reja në diasporë, të cilët kanë tashmë përvojë në shtete funksionale, por dhe e ruajnë në shpirt dashurinë për kombin shqiptar. Pra, nga pikëpamja ideologjike, opozita e vërtetë e ka të përcaktuar tashmë rrugën e vetme drejt ringritjes së shqiptarëve. E vetmja zgjidhje është ndërtimi dhe konsolidimi i shtetit- komb”.

“Paria e Tiranës nuk ka më ku dhe si të fshihet. Ajo përbëhet nga palë të kriminalizuara, të cilat kanë vjedhur shqiptarët pa asnjë vrasje ndërgjegjeje, sepse ata nuk e duan popullin e vet”.

Sigurisht që paria e Tiranës nuk e do popullin e vet. Sepse mungesën e respekti ndaj tij ajo e ka trashëgim nga diktatori Enver Hoxha, i cili, së bashku me kastën kriminale të Byrosë Politike, të mbyllur brenda Bllokut famëkeq, nën mbrojtjen e bajonetave të Gardës së Republikës, popullit shqiptar, me terrorin që ushtroi ndaj tij, ia futi frikën në palcë. Kjo frikë, për inerci, po vazhdon të manifestohet edhe në ditët tona, përderisa qytetarët nuk janë në gjendje të vetorganizohen dhe t’i tregojnë vendin mafies politike në pushtet përmes protestave të fuqishme paqësore në mbarë vendin dhe nëpërmjet bojkotimit tërësor të procesit zgjedhor.

Duhet theksuar fakti që Kontrolli i Lartë i Shtetit, me  dr. Bujar Leskaj në krye, deri tani ka bërë një punë të shkëlqyer me kontrollet e ushtruara, duke zbuluar dhe duke denoncuar në organet e (pa)drejtësisë abuzime të rënda me fondet publike dhe në dogana. Por, fatkeqësisht, askush nga zyrtarët e lartë, qofshin këta ministra apo deputetë, nuk është vënë para përgjegjësisë penale prej organeve të drejtësisë për grabitjet e rënda të shumave kolosale nga arka e shtetit.

Pra, rezulton se që nga organet qendrore dhe deri te qeveritarët lokalë, është krijuar një mjedis korruptiv që ka kapur për fyti shtetin dhe po varfëron në një mënyrë të pandalshme pjesën dërrmuese të qytetarëve të vendit. Kjo ndodh për arsye se në vendin tonë nuk ka opozitë të vërtetë. Sepse po të kishte, ajo duhej të luante rolin që i  takonte në mbrojtje të standardit të jetesës së qytetarëve të vendit. Shkrimtari dhe publicist i njohur amerikan Ambroz Birs (Ambrose Bierce 1842-1914), thotë:

“Opozita në politikë është një parti, e cila nuk e lejon qeverinë të bëjë akte çmendurie, duke ia prerë asaj gilcat e gjurit”.

Gazetarja Ardita Simiçia, siç u përmend më lart, i përcolli kryetarit të Kuvendit informacionet që i shkojnë Radios Zëri i Amerikës nga qytetarë shqiptarë:

“Pyetja e vetme që marrim ekskluzivisht për çdo politikan këtu është: klasa politike shqiptare duhet të largohet, ata po e mbajnë peng këtë vend pasi janë të gjithë të korruptuar”.

Kjo është një e vërtetë tragjike për fatet e vendit tonë. Kjo dëshmon më së miri se klasa politike është bërë si uji i ndenjur dhe ka vite që kutërbon erë të keqe, sepse noton në llumin e krimit ekonomik. Për pasojë, edhe sistemi i (pa)drejtësisë është strukturuar asisoj, që të mbrojë vetëm interesat e kësaj klase politike me moral të degjeneruar. Prandaj të kërkosh kryerjen e reformës në drejtësi prej kësaj klase politike, është njëlloj sikur të kërkosh dardha nga boriga.

Duke pasur parasysh situatën e krijuar, do të ishte fantastike sikur të bëhej një reformë me të vërtetë rrënjësore në drejtësi, e cila do të mund të vinte para përgjegjësisë ligjore të gjitha ata që kanë shkelur rëndë ligjin, pavarësisht nga postet që mbajnë, që kanë grabitur pasurinë kombëtare dhe qytetarët e thjeshtë dhe që kapitalin financiar e kanë depozituar në banka të vendit ose të huaja, me siguri, me emra të tjerë. Por problemi është se ku t’i gjejmë ata prokurorë dhe ata gjykatës, të cilët, jashtë rrezes së ndikimit të politikës, do të mund ta merrnin në dorë situatën e krijuar, në mënyrë që t’i vinin fajtorët në bankën e të akuzuarve dhe kapitalet e grabitura prej tyre, të vendosura me të tjerë emra nëpër banka, duke filluar që nga Shqipëria, nga Zvicra e deri në Qipro apo gjetiu, t’ia kthenin Bankës së Shtetit, çka do të krijonte kushte për rritjen e pensioneve minimale dhe të pagave të ulëta. Jam i bindur se kjo mbetet një ëndërr në diell, por, si qytetarë i Republikës së Shqipërisë, e ndiej për detyrë ta shpreh publikisht. Sepse politika dhe (pa)drejtësia bashkëpunojnë ngushtë me njëra-tjetrën dhe, së bashku, vërtiten në një qerthull kriminal, për të cilin nuk mund të gjendet kurrfarë ilaçi që t’i bëhet dermani. Fakti që organet e (pa)drejtësisë kanë heshtur dhe vazhdojnë të heshtin për abuzimet e rënda që ka denoncuar Kontrolli i Lartë i Shtetit, që nga doganat e deri te tenderat, është dëshmia më kuptimplote e humnerës së thellë që ndanë qytetarët e thjeshtë të vendit nga “bëjlerët” e politikës dhe e kotashpresave (iluzioneve) që mund të ushqejë ndokush se mund të kryhet me të vërtetë ndonjë reformë në (pa)drejtësi. Sepse oligarkët kriminalë të politikës shqiptare kanë ditur si ta bëjnë “tenxheren” e krimit, por, në të njëjtën kohë, ata ia kanë gjetur asaj edhe “vjegën” e duhur. Prandaj them se reforma në drejtësi do të na vërtetojë në praktikë se si do të “mbarset mali” për të “pjellë një mi të ngordhur”.

Është për t’u përshëndetur angazhimi i drejtpërdrejtë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe konkretisht i Departamentit të Shtetit, të cilët, përmes ambasadorit të nderuar Donald Lu, kërkojnë ndëshkimin e krimit ekonomik dhe kryerjen e reformave të thella për pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Por unë mendoj se reforma në (pa)drejtësinë shqiptare mund të kryhet vetëm atëherë, nëse atë e marrin në dorë juristë, prokurorë amerikanë, të cilët, me gjakftohtësinë e tyre profesionale, në bashkëpunim të ngushtë edhe me juristë, prokurorë të pakorruptuar vendës (se duhet shpresuar se të tillë duhet të ketë), do të zbulojnë rrënjët e krimit ekonomik në Shqipëri, duke ia bërë të njohur publikut shqiptar. Sepse vetëm kështu do të mund të shkulet nga themelet mafia politike në pushtet dhe të gjithë fajtorët do të mund të marrin dënimet e merituara për krimet e kryera, që të bëhen shembull për pasardhësit e tyre, në mënyrë që në Shqipëri të hidhen një herë e mirë bazat e shëndosha për funksionimin e një shteti juridik. Sepse juristët dhe prokurorët amerikanë janë rritur, edukuar dhe shkolluar në atdheun e Tomas Xheferseonit (Thomas Jefferson 1743-1826), autorit të Deklaratës së Pavarësisë së vitit 1776, i cili u ka lënë ca fjalë të arta pasardhësve të vet:

“Përkujdesja për jetën dhe lumturinë e njerëzve është e para dhe e vetmja detyrë e ligjshme e një qeverie të mirë”.

Për mendimin tim, vetëm në këtë mënyrë do të mund të bëhet shpëtimi i tretë i Shqipërisë, por këtë herë nga oligarkët e kriminalizuar të politikës shqiptare, të cilët i kanë poshtëruar në një mënyrë të paimagjinueshme qytetarët shqiptarë me varfërinë skandaloze që u kanë imponuar. Sepse vetëm kështu do të krijohen kushte që, nga radhët e brezit të ri, të intelektualëve të përgatitur në Perëndim, dhe sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe të intelektualëve të ndershëm dhe atdhetarë vendës, jo të etur për pushtet personal dhe familjar, të dalin personalitete të spikatura, të cilat, edhe me ndihmën e drejtpërdrejtë të Uashingtonit, do të mund të krijojnë një formacion të ri politik, që të marrë në dorë fatet e vendit dhe ta shpëtojë atë një herë e mirë nga oligarkët e tanishëm kriminalë të politikës shqiptare, duke ndërtuar një shtet-komb. Sepse, në kushtet e tanishme, siç thekson me shumë të drejtë profesori Grid Rroji, “Amerika e Xhorxh Uashingtonit nuk mbështet politikanë që kërkojnë me çdo kusht pushtet personal e familjar, duke rrënuar të ardhmen e kombit të tyre, duke cënuar institucionin e votës apo duke nxitur përmbysje të dhunshme të shtetit. Për rrjedhojë, Amerika nuk mbështet asnjë nga palët” (Grid Rroji. “Paria e rrethit të ferrit. Analiza, vëzhgime, përjetime”. Shtëpia botuese “Onufri”. Tiranë 2015, f. 87).

Santa Barbara, Kaliforni

28 janar 2016



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora