E diele, 29.11.2020, 10:44 AM (GMT)

Komente

Xhoana M. Perkaj: A do të bëhemi popull pa identitet?!

E merkure, 10.12.2008, 01:50 PM


A do të bëhemi popull pa identitet?!
 
Nga Xhoana M. Perkaj

 
Sivjet, për të parën herë në histori, në Kosovë, Dita e Flamurit nuk shënohet si festë shtetërore, por si "Ditë e Shqiptarëve". Madje, as si e tillë kjo nuk shënohet në nivel zyrtar. Është dashur që Kosova të bëhet e lirë për t’u degraduar një nga datat që e shënojnë identitetin etnik dhe kulturor të shqiptarëve. Sa për kështu, nuk është dashur të pritet çlirimi i Kosovës. Së paku, do të ishin kursyer jetët e të gjithë atyre që vdiqën për të. Sepse, në fillim do ta kishin të ditur që në këtë botë nuk ekziston asnjë ideal për të cilin duhet sakrifikuar jetën.

Nga kush kanë pasur frikë ata të cilët kanë vendosur kështu? Mos kanë menduar se në këtë mënyrë do t’ia plotësojnë dëshirën dikujt?

Nëse kanë pasur drojë se kjo festë është festë e Republikës së Shqipërisë, atëherë e kanë gabim. Dita e Flamurit nuk është festë e Shqipërisë, ajo është festë e shqiptarëve etnikë kudo në botë. A kemi aq pak dinjitet dhe vetërespekt që të heqim dorë nga dita jonë më e madhe?!.

Pse amerikanët kudo në botë e festojnë 4 Korrikun? “Po, ata janë amerikanë, fuqi botërore”, - do të logjikonin ata shqiptarë që e degraduan festën tonë. “E kush jemi ne? Ne jemi vetëm shqiptarë”, - logjikojnë ata.

Ta paramendojmë që njëri ndër popujt shtyllë të civilizimit, francezët, të heqin dorë nga 14 Korriku, ditë e rënies së Bastijës. As që mund të paramendohet. Sepse, po të ndodhte kështu, nuk do të ishin më francezë. A duhet t’u vijë turp gjermanëve nga himni i tyre "Deutschland ueber alles" që ishte edhe në kohën e Hitlerit?! Jo! Assesi. Në mote të mira e të këqija, identiteti është identitet dhe nuk mund t’i ikësh.

Ndodhi që derisa po shkruaja këtë tekst në Aj Pod (iPod) ishte bendi karakteristik irlandez "The Cranberries" dhe "Ode to my family". Më ra ndërmend se çfarë do të mbetej nga irlandezët sikur të mos ekzistonin të gjitha ato që e shënojnë identitetin irlandez: muzika e tyre karakteristike, personaliteti i Shën Patrikut nga shek. XII, i cili edhe sot është boshti i identitetit irlandez, Bobi Sands, Bernadet Devlin, këngëtarja Enia, festat pagane, megalitet e Stonehengit, flamuri me ngjyrë të gjelbër të kullosave irlandeze, Xhon Kenedi President amerikan për të cilin kudo në botë asociacioni i parë është "i ri, reformist dhe irlandez"?

Nëse jemi injorantë, duhet të mësojmë nga të tjerët që e kanë pasur fatin e ngjashëm. Nga hebrenjtë, p.sh. Askush në botë nuk ka pasur histori më tragjike dhe askush nuk ka luftuar më shumë për ta ruajtur identitetin e vet burimor më mirë se ata.

Sa identitete do t’i ndërrojmë ne derisa të shuhemi si etnos?! Sepse, jeta me identitet të huaj nuk është jetë. Zakonisht, arsyetohemi me histori të rëndë. Po, edhe të tjerët kanë pasur histori të rëndë e nuk e kanë ndërruar identitetin. Kush na pengon sot, në një botë të lirë, ta kultivojmë identitetin burimor? Askush! Jo, neve na duket se asnjëherë nuk jemi përulur aq sa kemi mundur të përulemi!

Njeriu nuk është bimë as nuk është shtazë që ta ketë njëjtë se si do ta quajnë. Sa gjëra të përbashkëta kemi ne si shqiptarë që jetojmë në pjesët e ndryshme të Ballkanit dhe të botës? Pak. Njëra ndër ato ka qenë Dita e Flamurit. Apropo flamurit, më duhet të jem malicioze dhe të konstatoj se flamuri instant i Kosovës duket si reklamë për ndonjë pompë të benzinës.

Qeveria e Kosovës po thotë këto ditë lidhur me gjashtë pikat diskutabile të EULEX-it, "Jo, askurrë!" Do të shohim më 10 dhjetor se a do të jetë kështu. Sepse, për çfarë pavarësie mund të flitet nëse Serbia ende i rregullon punët në Kosovë! 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora