E diele, 04.12.2022, 11:58 AM (GMT)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Puna e pakryer e lirisë

E marte, 28.12.2021, 09:30 PM


Blerim Latifi:

A e keni pa, të gjithë sot flasin për rrezikun e ndikimit rus në Kosovë, por askush nuk flet se si ndodhë ky ndikim. I përmendin lajmet e rreme e broçkulla të ngjashme, por e harrojnë apo nuk duan ta përmendin instrumentin kryesor përmes të cilit ushtrohet ky ndikim. Dhe ky instrument nuk është askush tjetër përveç vahabizmit.

Duke mos mundur të influencojnë institucionet shtetërore të Kosovës, shkaku se ato janë nën monitorimin permanent amerikan, shërbimet ruse e serbe veprojnë përmes influencimit social e kulturor. Duke mos mundur ta cenojnë sekularizmin institucional, kanë filluar sulmin mbi shoqërinë dhe kulturën sekulare të Kosovës, në mënyrë që gradualisht në Kosovë të krijohet një frymë antiperëndimore. Metodat janë tipike si të "Muslim Brotherhood" të Egjiptit: korrupto politikanët individualë për t'i kthyer në mbështetës të agjendave vahabiste, bëj për vete të varfërit me lëmosha të paketuara si ndihma humanitare dhe indoktrino të rinjtë në shkolla dhe universitete. Sigurisht, ata që i njohin raportet e shoqërisë me institucionet e kanë të qartë se institucionet sekulare nuk mund të funksionojnë gjatë në një ambient social e kulturor josekular. Një ditë këtë do ta kuptojnë të gjithë, por ajo ditë mund të jetë tepër vonë. Po e përmbylli këtë status me konstatimin e historianit të njohur amerikan, Timothy Snyder, i cili, në librin e tij "Mbi Tiraninë", thotë: "Radikalizmi vahabist në Europë, qoftë fals apo i vërtetë, është interes i Rusisë".

________

Midis katundeve Polac, Mikushnicë, Prelloc e Beçiq, ndodhet një lëndinë, e cila ka një emër të pazakontë për popullatën e rrethinës. Ajo shtrihet anës rrugës që shpie në bjeshkën e Çyqavicës. Lëndina quhet Gofile.

Çfarë misteri fshihet prapa këtij emri? Etimologjia na e hapë një shteg drejt misterit të tij. Ky emër nuk duket se i takon shqipes. As serbishtës. Prejardhja e tij është greke. Fjala "gofile" është variant shqip i fjalës "geofili" të greqishtës së vjetër. Geofili do të thotë dashuri për tokën. Geofili është miku i tokës, një emër i vjetër për bujkun. Sot ekologët që e kanë pasion ruajtjen e ambientit, nganjëherë quhen geofilë, pikërisht duke marrë parasysh kuptimin e vjetër të kësaj fjale.

Por a u zbërthye misteri i lëndinës që ka këtë emër?

Jo. Misteri ende vazhdon.

Pyetja e rradhës: Si u gjet ky emër grek në një zonë etnike, e cila kurrë nuk ka pasur punë me grekët?

Ka një shpjegim për këtë fakt që në shikim të parë duket i çuditshëm. Emri, me gjasë, është mbetje nga trashëgimia e sundimit bizantin, gjuha politike dhe fetare e të cilit ishte greqishtja.

Por ky sundim ka gati 800 vjet që është zhdukur nga kjo zonë. Si ka arritur kjo fjalë të mbijetojë gjatë tetë shekujve në kujtesën popullore, pa ndihmën e kujtesës së shkruar dhe institucionale?

Pyetje fort e vështirë.

Një përgjigje e mundshme: Mbijetesa e emrit ka ndodhur falë ruajtjes së tij në bashkësitë e besimtarëve të krishterë, të cilët nuk u konvertuan në islam deri në fillimet e shekullit të XIX.

Por a ja dolëm mbanë ta heqim terrin e misterit të lëndinës me këtë emër të lashtë?  Ende jo. Sepse përpara kemi pyetjet e madhe: Si e mori lëndina këtë emër? Cila ishte ngjarja që lidhet me këtë emërtim? A ka të bëj ky emërtim me legjendën e ndonjë gruaje që kishte emrin Gofile?

Kujtesa popullore nuk na thotë asgjë për këto pyetje. Dokumentet po ashtu nuk ekzistojnë. Rrjedhimisht, misteri mbetet. Bashkë me të drejtën tonë për të imagjinuar rreth fshehtësive që mbulohen prej tij, e që mbase të tilla do të mbeten përjetësisht.

________

Fragment nga ligjëratat i mia në filozofinë politike

“Puna e pakryer e lirisë”

Filozofia, thotë Sheling, preokupim të parë dhe të fundit të saj e ka lirinë. Në këtë kuptim, si trajtë e edukimit, ajo është në thelb edukim për dhe mbi lirinë. Këtu e ka origjinën konflikti permanent i filozofisë me politikën dhe religjionin, konflikt që Leo Straus e quante “konflikti i filozofisë me qytetin” dhe për paradigmë të tij e merrte Gjyqin e Sokratit në Athinën e Lashtë. Derisa filozofia, me mjetet e saj diskursive, synon të zgjeroj hapësirën e lirisë njerëzore, politika dhe religjioni, duke ndjekur logjikën e tyre për pushtet, e ngushtojnë vazhdimisht këtë hapësirë.

Ky konflikt në epoka të ndryshme ka marrë trajta nga më të ndryshmet. Historia e filozofisë mund të përshkruhet edhe si histori e këtyre trajtave. Platoni propozon një zgjidhje radikale të këtij konflikti : filozofi duhet të zëvendësojë sundimtarët dhe klerikët, në mënyrë që në qytet të ketë drejtësi dhe qeverisje të bazuar mbi të vërtetën. Të tjerët, pas Platonit, nuk bënë gjë tjetër veçse u rreshtuan pro ose kundër tij. Platonin e brengoste e keqja që buron nga pushteti i budallenjve dhe nuk u mor me rreziqet që mund të vinin nga pushteti i të diturve. I gjithë Iluminizmi perëndimor do të mbështetet në këtë gjest diskursiv të Platonit : njerëzimin mund ta shpëtojmë duke i larguar budallenjtë e veshur me pushtet politik dhe petk religjioz. Kjo do të prodhojë ideologjinë scientiste, sipas cilës të gjitha problemet politike dhe morale mund t’i zgjidhim me metoda dhe të vërteta shkencore. Forma më ekstreme e kësaj kredoje ishte padyshim komunizmi, të cilin vetë Marksi e paraqiste si “enigmën e zgjidhur të historisë”. Arsyeja pse komunizmi dështoi është pikërisht ecja e tij nëpër rrugën diskursive platonike, vendosja e filozofisë në instancën e politikës dhe religjionit. Duke u bërë pushtet dhe religjion, filozofia, nga edukim për lirinë, u shndërrua në instancë të shkatërrimit të saj në praktikat e regjimeve ideokratike. Nuk është e rastësishme pse rënia e komunizmit u shoqërua me ngritjen e sentimenteve antifilozofike, në teori me tregimet për fundin e filozofisë, dhe në praktikë me rikthimin e radikalizmit dhe zellit fetar gjithandej botës. Peter Sloterdijk ka të drejtë kur thotë se radikalizmi fetar postkomunist është parazit që jeton nga kufoma e mesianizmit iluminist.

Sot, zgjidhja platoniko-marksiste e konfliktit të filozofisë me politikën dhe religjionin është qartësisht e braktisur, por kjo nuk do të thotë edhe dorëzim i filozofisë para politikës dhe religjionit. Arsyeja pse kjo nuk mund të ndodhë është se njerëzit nuk mund të heqin dorë nga liria dhe drejtësia. Ata, herë pas here, mund të bijnë pre e ideologjive të arratisjes nga liria, por kjo është gjendje e përkohshme. Në mungesë të zgjidhjeve finale, jemi të detyruar të jetojmë në gjendjen e luftës permanente për liri dhe drejtësi. “Puna e pakryer e lirisë” ndoshta është gjendja e përgjithmonshme e filozofisë dhe e historisë njerëzore. Fundi i Lumtur i Historisë mbetet vetëm një ëndërr e bukur. Një ëndërr e ditës, sipas kuptimit që kjo fjalë e ka tek Ernst Bloch.

________

Budallakia ma  e madhe që një qeveri mund ta bëj kur ballafaqohet me probleme të tilla si kriza energjetike, nëpër të cilën po kalojmë, është t’i qaset asaj me teorinë e sabotimit. Ideja se ne jemi në rregull, por dikush në sistem është duke na sabotuar në mënyrë të fshehtë, është ide e rrezikshme, me karakter totalitar, që nuk shpie askund tjetër përveçse në gjueti shtrigash. Nëse kryeministri e ka vullnetin e duhur për t’u ballafaquar racionalisht me këtë krizë, gjëja e parë që duhet të bëj është t’ua tregojë derën të gjithë atyre që i shkojnë në zyrë me tregime dhe teori sabotazhi. Teoritë e sabotazhit na duken joshëse, sepse ato na shfajësojnë nga përgjegjësia jonë për një problem që ka shpërthyer në sistem, por përtej joshjes ato janë të destinuara të mos zgjidhin asgjë, por vetëm t’i mbulojnë disa probleme duke i krijuar disa të tjera

________

Artan Hasanin e kam pasur bashkëluftëtar në Koshare. Ka qenë pjesë e batalionit tim 327 dhe pozicioni i tij ka qenë ndër më të vështirët, ngase bënte pjesë tek minahedhësit e brigadës, të pozicionuar tek pika e vrojtoreve, e cila vazhdimisht bombardohej nga artileria serbe. Ditë më parë vajza e tij diplomoi tek ne në Departmentin e Filozofisë. Nuk e dija këtë deri në ditën e diplomimit. Sot e mora prej Artanit këtë dhuratë shumë të çmuar, një orë me emblemën e UÇK-së dhe emrin e Brigadës 138 “Agim Ramadani”. Ajo do të qëndroj këtu midis librave të filozofisë, sepse filozofinë dhe UÇK-në i bashkon një gjë e madhe : ideali i lirisë.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora