Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Enver Bytyçi: Pas 109 vitesh shteti shqiptar nuk ekziston më!

| E premte, 24.12.2021, 08:00 PM |


Pas 109 vitesh shteti shqiptar nuk ekziston më!

Nga Enver Bytyçi

Ai tha se do të bënte shtet! Por shteti nuk ekziston më. Ekziston një megafon propagande që vjen vërdallë me brekushe e mikrofon në dorë, por jo shteti! Shteti është rrënuar. Se janë rrënur institucionet e tij. Nuk ka më parlament, as president, as gjykata e madje as gjykatë kushtetuese. Ka vetëm një njeri me emrin Edi Rama. Ai vendos për çdo gjë dhe me një mikrofon në dorë u imponohet të gjithëve. Rreth tre milion shqiptarë janë tashmë delet në vathën e Edi Ramës. Dhe delja e zezë ndër to është Lulzim Basha, i cili ia dha Edi Ramës llokum në dorë gjithçka ai deshi!

Shteti është i gjithi i Edi Ramës! Eshtë shtet që vjedh, që dhunon, që bashkëpunon me krimin dhe me armiqtë e kombit shqiptar! Pra nuk ka më shtet shqiptar! Ka një shtet të Surrelit! Në kohën e pushtimit austriak kishim një administrim me frymë kombëtare shqiptare! Sot kemi një kryeministër me frymë anti-kombëtare serbe! As në kohën e fashizmit italian dhe nazizmit gjerman nuk kishim kësi lloj shteti të një njeriu të vetëm! As në diktaturë! As në mbretërinë e Ahmet Zogut! E kemi sot! E gëzofshin ata që e duartrokasin!

Tani mos prisni që të dhënat tuaja t'i mbrojë dikush, sepse shtet nuk ka, nuk ka as gjykata e prokurori. Në krye të piramidës është një çakall që ha dele e qingja! Po të kishte shtet, gjykata dhe prokurori, sot Edi Rama duhej të ishte në bankën e akuzës thjesht për deklaratën e tij se "patrinazhistët do t'u ndjekin deri në vrimën e miut"! Në fakt ai po i ndjek deri në vrimën e miut të gjithë shqiptarët, sidomos kundërshtarët! I kërcënon me bukën e gojës! Po ua nxjerr të dhënat peresonale dhe po e shkatërron këtë vend edhe nga pikëpamja sociale.

Shteti është në bankrotë! Ka falimentuar! Me gjithçka! Kush beson se në vendin tonë ka shtet, ai është naiv. Te ne ka mafie, por jo shtet! Ka krim dhe banda kriminale, por jo shtet! Ka një kryeministër që vjen vërdallë me presidentin serb si "lider i rajonit", por jo kryetar të ekzekutivit shqiptar. Nuk ekziston as Këshilli I Ministrave, jo më institucione të tjera! Gjithçka ka marrë fund.

Nuk ka projekt, nuk ka program, nuk ka ide, nuk ka vizion! Dhe nuk ka asnjë preokupim nëse qytetarët e këtij vendi kanë siguri ose jo, kanë mirëqenie ose jo, marrin frymë ose jo! Nuk ekziston më as përgjegjësia për territorin dhe sovranitetin, as familja, as prona, as nderi, as respekti! Asgjë! Kjo është ideologjia dhe platforma e Sorosit, të cilën e aplikon me korrektësi Edi Rama! Ndaj dhe ai e çmontoi për herë të parë shtetin shqiptar pas 100 vitesh pavarësi.