Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Time ’62: Shqipëria, popull i harruar

| E merkure, 10.12.2008, 12:54 PM |


Përgatiti: Armand Plaka

Këmbëngulëse në përpjekjen e saj të dëshpëruar për të fituar valutën e huaj, udhëheqësit komunistë të vendit mbajnë në këmbë një shërbim zyrtar turistik, "Albtourist", i cili sa s’po shpërthen nga ofertat për "plazhet e rralla e të pakrahasueshme të Adriatikut" (të gjitha të ruajtura nga motobarka policie, që të rrethojnë ngado) dhe nga "rrënoja shekullore antike". Biznesi duket se është rrënuar disi për "Albtourist"-in në marrëdhënie me vendet e tjera satelite, qëkurse Shqipëria u prish me Hrushovin. "Albtourist" ka dërguar madje dosjet e broshurat e saj turistike në një agjenci të vogël në Gjermaninë Perëndimore, në qytetin e Këlnit. Korrespondenti i TIME, Edward Behr, vendosi të aplikonte për të shkuar atje vetë si turist. Ai u desh të priste gjashtë javë për një vizë hyrëse dhe më në fund hyri në Shqipëri duke fluturuar në bordin e një avioni të shoqërisë ajrore hungareze "Malev". Duke u nisur nga Budapesti, ai donte të kishte kështu mundësinë të fitonte një përshtypje nga afër të vendit, regjimi i të cilit është përshkruar si "më gjakatar dhe më i prapambetur se sa edhe ai i Carit", nga një njohës jo i çfarëdoshëm i tij, por nga vetë Nikita Sergejeviç Hrushov.

Të numërohen edhe çorapet

I ndarë nga miku i saj i vetëm në botë, Kina e Kuqe, nga 3000 milje distancë, Shqipëria jeton e izoluar, duke përjetuar kësisoj ndjenja dyfishe: atë sfiduese e patetizmin. Më shumë se 70% e 1 milion e 700 mijë banorëve të saj e nxjerrin jetesën nga puna në tokën e kolektivizuar; shumica e fshatrave me kulturë fermere në Shqipëri dhe qytezat malore kanë ndryshuar pak gjatë shekullit të fundit. Plehrat rrjedhin ashtu nëpër një rrjedhë të hapur të ujërave të zeza, në mes të rrugëve të ngushta; burra hundëshkabë kthejnë filxhanë me kafe turke në kafene të pista, ndërsa gratë e tyre mbajnë mbi shpatulla barra të rënda e fuçi me ujë të pijshëm, që në vend është i mangët. Së bashku me varfërinë tradicionale, posterat e komunizmit mbajnë të ngulitur mirë parullën e diktatorit Enver Hoxha: "Ndërtojmë socializmin: në njërën dorë kazmën e në tjetrën, pushkën".

Madje, edhe para ndarjes përfundimtare me Hrushovin, siguria e brendshme ishte më e larta në botë; qysh prej asaj kohe, ajo është bërë tashmë një obsesion i vërtetë. Vizitorëve të huaj u duhet të mbushin formularë, në të cilët specifikohet në detaje përmbajtja e bagazheve të tyre, shkruhet numri i bluzave, peshqirëve dhe çorapeve që ata kanë sjellë me vete në Shqipëri. Kaq të izoluar janë shqiptarët nga bota e jashtme, saqë ata janë të bindur se të tilla kufizime që u bëhen turistëve kur shkojnë atje, ndodhkan, sipas tyre, kudo në mënyrë normale.
Sapo mbërriti në Tiranë, korrespondenti Behr u mor menjëherë në dorë nga nëpunësit e agjencisë turistike shtetërore "Albtourist", e cila e shoqëronte atë ngado, duke u përpjekur ta vinte nën vëzhgim në autobusë të mbyllur. Agjencia në fjalë, të këshillonte që të mos bëje intervista e pyetje për anëtarët e qeverisë, aktorët, e madje edhe për gazetarët vendas; me arsye të ndryshme, në mënyrë të përmbledhur ata, thuhej se, ose ishin të sëmurë, ose ishin me pushime, apo në ndonjë varrim, pasi u kishte vdekur papritur ndonjë i afërm.

Meqë për asnjë të huaj nuk lejohej të merrte me qira një taksi në Shqipëri, agjencia qeveritare ishte kësisoj një shoqërues i pashmangshëm e i nevojshëm. Më shumë ndihmoi një reporter japonez, që u shoqërua me Behr, i cili salutohej rregullisht nga shqiptarët, që e merrnin atë për kinez. Duke iu zhdukur syrit të njerëzve të "Albtourist"-it, dy burrat, shpeshherë, në mënyrë të rastësishme, shkëputeshin nga njëri-tjetri e humbitnin për pak minuta për të parë punët e tyre. Këto "arratisje" nuk zgjasnin kurrë shumë gjatë, falë policisë vigjilente sekrete, "Sigurimi", dhe trupave të tjera ushtarake (një e katërta e popullsisë së rritur të vendit është nën uniformë). Për më shumë, oficerët e zyrtarët vendas, i paralajmëronin vizitorët, duke u kujtuar se duhej të dinin si të silleshin, përndryshe ata nuk do të ishin më në gjendje të merrnin një vizë dalëse e ta linin kështu vendin pa probleme, gjë e cila në Shqipëri është një goxha kërcënim.

Plazhe të ndara me mure

Një detashment i armatosur në Tiranë patrullon atë që ai grup i mbetur diplomatësh të huaj në Tiranë e quajnë "ghetto": lagjja e privilegjuar rezidenciale, në të cilën udhëheqja komuniste ka vilat e veta. Madje, edhe në plazhin e Durrësit, resorti kryesor turistik i Shqipërisë, 25 milje larg në perëndim të kryeqytetit, një mur zgjatet përgjatë rërës dhe vazhdon deri në det, për ta mbajtur zonën të kufizuar e të rezervuar për të privilegjuarit, larg familjeve të punëtorëve, të cilat ndajnë me njëra-tjetrën kabinat me çati teneqeje nga ana tjetër e kufirit ndarës.

"Notarët proletarë" nuk mund të shkojnë përtej një linje të caktuar nëpërmjet fuçive, që zgjatet 30 këmbë (njësi matëse në SHBA) nga bregu; nëse ata e bëjnë një gjë të tillë, një polic bën me shenjë të kthehesh prapa për të penguar kështu një arratisje të mundshme, rastësisht në ndonjë anije greke apo italiane, që vjen në Portin e Durrësit. Kur një anije gjermano-perëndimore, që kishte ardhur në port dhe mbartte si ngarkesë grurë kanadez, aq shumë i nevojshëm në vend – paguar nga Pekini – nuk u lejua madje fare të ankorohej në port; e kështu që ngarkesa u shkarkua me mundim të madh më pas veçmas, pa e lënë anijen të prekte në breg. Megjithëse Shqipëria ka 250 milje linjë bregdetare përgjatë Adriatikut, peshku aty mungon, sepse qeveria lejon vetëm një grusht njerëzish të partishëm e të besueshëm peshkatarësh, të shesin jashtë vendit, ndërkohë që Italia nuk është më larg se 50 milje.

Por shqiptarët nuk po vdesin urie dhe mundohen të përfitojnë nga arsimimi falas, shërbimi mjekësor dhe gjithashtu edhe shërbime të tjera sociale falas. Behr nuk vuri re ndonjë shenjë të ndjenjës së revoltës në vend kur ishte atje. Madje, edhe nëse do të kishte, pasardhësi i Hoxhës nuk do të kishte qenë më i mirë; në një demonstrim nepotizmi të hapur, që do t’ia kishte zili edhe Hollivudi, udhëheqësit kryesorë të partisë, në shumicën e tyre janë të lidhur me Hoxhën apo me Kryeministrin Mehmet Shehu.

E kombinuar me kontrollin e ashpër policor, është një kompleks tejet i pabesueshëm për burokracinë qeveritare që kërkon leje zyrtare për të blerë çdo gjë vetë, qysh nga ilaçet e deri te ushqimet e hoteleve. Këmbësorët, të paktën, e kanë më të lehtë punën në Tiranë. Ka vetëm 400 makina në vend (modele të vjetra ruse e çeke, përveç pak "Mercedes"-ëve që i ka në pronësi ambasada kineze); rrugët janë vende të qeta, ku njerëzit flasin, përqafohen dhe ndonjëherë edhe flenë. Kurrsesi nuk mund të gjesh më shumë se tre policë trafiku gjithsej në kryqëzimet kryesore, ku të gjithë mbajnë nga një shkop bardhë e zi.

Status-simbolet nga Pekini

Si një qendër biznesi, Tirana duket si një treg plaçkash të vjetra, disi më e zgjeruar në brendësi të qytetit. Në dyqanet thuajse 100% të shtetëzuara, një kostum i një cilësie të dobët kushton 7000 lekë (140 dollarë amerikanë) me kursin e këmbimit zyrtar, ose pak më pak se sa dyfishi i asaj çka një punëtor fiton me një muaj punë.

Përpjekjet për të industrializuar Shqipërinë u ndërprenë papritur, kur Moska e braktisi ambasadën e saj gjysmë të përfunduar, e tërhoqi mijëra ekspertë gjatë vitit të shkuar. Fabrika e vetme e madhe për përpunimin e pambukut mbeti pa punë për tri muaj; planet për fabrika të reja mbeten në letër. Nga 22 avionë MIG rusë në Shqipëri që ekzistonin gjatë vitit të shkuar, vetëm pesë prej tyre mund të jenë të gatshëm tashmë të fluturojnë, për shkak të mungesës së stafeve të mirëmbajtjes. Kina komuniste, Koreja e Veriut dhe Vietnami kanë dërguar rreth 500 teknikë dhe shumica e tyre janë punëtorë bujqësie, që japin mësim se si të kultivohet orizi dhe si të ndërtohen industri të përpunimit të pambukut sipas modeleve të Pekinit.

Pas pune, kinezët shihen të qëndrojnë në mënyrë strikte me njëri-tjetrin. Ata hanë në një sallë të veçantë ngrënie në hotelin e ndërtuar nga italianët, "Dajti" në Tiranë, jetojnë në mjediset e ambasadës së tyre me madhësi sa një park, që mbrohet vazhdimisht nga rojet. Status-simboli më i fundit në Tiranë, që mbahet veshur nga zyrtarët komunistë shqiptarë, të cilët kanë udhëtuar drejt Kinës së Kuqe, është tashmë një kapele doku kineze në ngjyrë bezhe, shumë e preferuar kjo nga lideri Mao Ce-Dun dhe syze dielli të zeza tip-aviator, gjithashtu model kinez i lançuar nga Pekini.

Varfëria drithëruese, represioni politik dhe dyshimi i detyrueshëm për të huajt, nuk e bëjnë udhëtimin në Shqipëri një kënaqësi, apo joshës. Kur erdhi koha për t’u larguar, aeroplani i korrespondentit Behr ishte një orë me vonesë dhe madje edhe agjencia "Albtourist" vë re se sa të lumtur janë vizitorët që po largohen. "Të gjitha gjërat e mira vijnë ngadalë" belbëzoi Behr, ndërsa po largohej, duke bërë me dorë "Goodbye".

Revista TIME - 10 gusht 1962

Shqipëria është vendi më i prapambetur në Evropë. Pakkush dëshiron të qëndrojë atje dhe shumica e njerëzve të atjeshëm, nëse u jepet një gjysmë shansi për t’u larguar, do ta bënin këtë gjë një orë e më parë

G. 55