E premte, 19.04.2024, 03:38 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Burgosja e firmëtarit të Pavarësisë dhe pasardhësve

E merkure, 10.12.2008, 02:37 AM


Shefqet Daiu, sekretar i dytë në Shpalljen e Pavarësisë
Nga Bardha Nergjoni 

28 Nëntori 1912 ka qenë gjithnjë një datë historike për kombin shqiptar në mbarë trojet e veta. Është respektuar pavarësisht atyre që kanë qenë në drejtim të shtetit, që kanë ikur e ardhur. Por pati nga ata që, megjithëse respektuan datën, mohuan njerëzit që kontribuan për ta realizuar këtë datë, duke dënuar ata dhe duke u mohuar pasardhësve të tyre krenarinë
Sot është juriste në qendrën spitalore të Elbasanit, por deri para viteve ‘90 nuk ishte gjë tjetër veçse një njeri që kishte biografi të keqe, që iu deshën mbi katër vjet që të sorollatej për të gjetur një punë pasi mbaroi gjimnazin, pasi shkollën e lartë nuk e vazhdonte dot për shkak se ishte mbesa e një armiku dhe ky armik ishte pikërisht një ndër firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë së vitit 1912, Shefqet Daiu. Mbesa e tij, Ballkyzi, që mban dhe emrin e bashkëshortes së Shefqetit, rrëfen përdhosjen e emrit të gjyshit të saj, vdekjen e tij në burg, dënimin e të atit padrejtësisht e pastaj gjithçka që do të damkoste biografinë e tyre.

Ballkyzi është mbesa e Shefqetit, i cili u burgos bashkë me të birin, që ishte në moshën 21-vjeçare (fakte që thotë se i ka mësuar nga gjyshja e saj). Ajo tregon se në gjyq pati shumë njerëz që mbrojtën gjyshin e saj dhe të atin, por sidomos këtë të fundit, i cili ishte shumë i ri. Shefqet Daiu u akuzua se ishte mik i ngushtë dhe se kishte bashkëpunuar me Shefqet Verlacin (kryeministër i vendit gjatë pushtimit italian) dhe se kishte qenë një kolaboracionist. “Gjyshi im nuk e mohoi, - thotë Ballkyzi, - duke pranuar se kishte qenë gjithashtu mik me Lef Nosin e Grigor Nosin apo edhe shumë atdhetarë të tjerë të kohës.

Dënimi ishte 30 vjet për Shefqet Daiun dhe 10 vjet për babanë tim, – rrëfen ajo.Më tej tregon se në moshën 68-vjeçare gjyshi vdiq në burg, ndërsa babai i saj u lejua që të dilte për ta varrosur dhe për t’i bërë nderimet e fundit. - Babai im bëri 9 vjet burg dhe më pas u lirua. Kur doli nga burgu, gjithçka ishte shtetëzuar. Më vonë vdiq edhe gjyshja, ndërsa 5 motrat u martuan disa në familje të persekutuara si ne, ndërsa të tjera në familje të njohura.

Fillimisht, babai nisi punë në ullishtat e qytetit, ndërsa më pas kaloi si bojaxhi në ndërtim, vazhdon më tej Ballkyzi. - Në këtë kohë u martua me një vajzë që vinte nga fisi Starova i Pogradecit, babanë e së cilës e kishin pushkatuar. Ajo ishte nëna ime. Babai kishte mbaruar shkollën pedagogjike, ndërsa nëna liceun e Korçës, por puna e vetme që mund të bënin, ishte puna në ndërtim, si bojaxhinj. Gjithë jetën u morën me këtë punë, ndërsa shikoheshim si reaksionarë”.

Ferit Daiut i lindën dy fëmijë, një djalë e një vajzë, të cilëve u vuri emrat e prindërve të vet, Shefqet dhe Ballkyz. “Gjithë jetën ne fëmijët e tij jemi parë si reaksionarë, - thotë Ballkyzi, - edhe pse nuk e dinim ç’do të thoshte një fjalë e tillë. Unë nuk u pranova as në organizatën e pionierit dhe pasi mbarova gjimnazin nuk gjeta dot asnjë punë, ndërsa për të vazhduar shkollën as që bëhej fjalë, pasi ishim fëmijë me biografi të keqe, megjithëse të dy, si vëllai dhe unë, shkëlqenim në mësime”.

Ballkyzi e kujton me dhimbje kohën e kaluar. U desh që ajo të kalonte shumë vite duke u sorollatur pas përfundimit të gjimnazit që më në fund të gjente një punë në një pulari. Ajo tregon se punën arriti ta gjente vetëm pas 4-5 vitesh. Pas trazirave që çuan në ndërrimin e sistemit ajo fitoi të drejtën për të vazhduar shkollën e lartë, duke zgjedhur degën e juridikut.

Po atje u njoh edhe me bashkëshortin e saj të ardhshëm, me të cilin u martua në moshën 32-vjeçare. Sot, Ballkyzi punon si juriste në qendrën spitalore të Elbasanit, krenare që është mbesa e Shefqet Daiut, një nga firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë për krijimin e shtetit të parë shqiptar më 1912, duke folur për gjyshin e saj pa frikën e madhe të biografisë së keqe dhe përgjimit.

Heshtja e pasardhësve, frikë për jetën e tyre

Mes shumë vështirësive nipërit e Shefqet Daiut kanë mundur të shpëtojnë disa foto që tregojnë sesi beu nuk ishte thjesht një njeri i pasur, por me kulturë të gjerë, i shkolluar, me personalitet dhe me një kontribut të theksuar atdhetar. Jeta e tyre nuk ka qenë e lehtë, pasi si shumë familje të tjera do të burgoseshin, persekutoheshin, do të përfundonin në punë të rënda krahu. Ballkyzi dhe Shefqeti, dy nipërit që u rritën në komunizëm, tregojnë se punët e nënës dhe të babait kanë qenë nga më të vështirat.

Vajza e Shefqet Daiut përfundoi bojaxhie dhe po kështu punë të vështira kaluan edhe pasardhësit e tjerë. Ata duhet të harronin se vinin nga një familje që kishte dhënë një kontribut të theksuar për çështjen kombëtare, për pavarësinë dhe për arsimin. Frika e persekutimit dhe e burgosjes bëri që ata të heshtnin deri me ardhjen e demokracisë, kur emri i Shefqet Daiut u rikthye në vëmendje si një ndër firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë dhe sekretar i dytë i Ismail Qemalit në qeverinë e Vlorës.

Së fundi, me nismën e prefektit të Elbasanit, Shefqet Deliallisi, me rastin e festës së Pavarësisë, nipërit e tij morën edhe një kopje të deklaratës të kombinuar me emrin e atdhetarit. Për vite me radhë mbi emrin e tij kishte rënë heshtja dhe anashkalohej në të gjitha aktivitetet që zhvilloheshin për pavarësinë.

Jeta dhe vdekja e hidhur e firmëtarit të Deklaratës së Pavarësisë

Shefqet Daiu, një ndër firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë, pati fundin tragjik të një të dënuari që vdiq në burg. Përndjekja ndoqi edhe fëmijët e tij, të cilët përfunduan si punëtorë krahu. Jeta e vështirë gjatë komunizmit bëri që kjo familje të fshihte thellë kujtimin e njeriut që u rendit ndër patriotët elbasanas me kontribut në çështjen kombëtare. Daiu u lind në Elbasan në vitin 1882 dhe mësimet e para i mori në shkollën turke të qytetit, ndërsa studimet e mesme në Stamboll.

Studimet e larta i mbaroi në degën e shkencave Politiko-Juridike. Në vitet 1900-1905 lidhet me rrethet patriotike të kohës dhe përfshihet në Lëvizjen Kombëtare. Pas përfundimit të studimeve të larta në Stamboll emërohet si prefekt e nënprefekt në Skrapar, Pogradec e Starovë. Gjatë kësaj periudhe kishte korrespondencë e bashkëpunim me Mihal Gramenon, Luigj Gurakuqin, Aqif Pashë Elbasanin, Lef Nosin, Thanas Floqin dhe Xhelal Koprenckën.

Në gazetën “Liria” të Selanikut në vitin 1908 shkruhet ndër të tjera se “në Elbasan, nën drejtimin e patriotit Aqif Pashë Elbasani, u bë një mbledhje që të mësojnë djem e vajza në gjuhë të vetë e në kësi farë soje të ndrisë e të lulëzojë gjuha tonë… ndihmat nisën me i dhanë Aqif Pasha, Shefqet Beu e Dervish Beu…” Ndihma e Shefqet Daiut për hapjen e Shkollës Normale do të vazhdonte në fushën e arsimit, ku punoi si mësues në Dibër.

Kontributi i tij nuk ishte vetëm për gjuhën, por edhe për çështjen kombëtare. Atje bashkëpunoi me Vehbi Dibrën e shumë atdhetarë të tjerë. Në nëntor të vitit 1912 zgjidhet përfaqësues i Elbasanit në kuvendin e Vlorës, ku edhe shënoi firmën e tij në deklaratën e Pavarësisë. Ishte sekretar i dytë në Shpalljen e Pavarësisë dhe fillimisht u rendit si ndihmës i ministrit të Arsimit, Luigj Gurakuqi, ndërsa me forcimin e administratës shtetërore qeveria e Vlorës e ngarkoi në shtator të vitit 1913 me detyrën e nënprefektit të Fierit.

Për disa vite pas pavarësisë shërbeu për përhapjen e arsimit kombëtar në Elbasan. Në vitin 1919 botoi veprën “Abetare e re për shkollat fillore t’ulta djemsh e vajzash”. Studiuesi elbasanas Kujtim Bevapi, shkruan se nga konsultimet dhe kërkimet e bëra në periodikët e kohës, të dhënat dëshmojnë se autori i vërtetë i saj është elbasanasi Shefqet Daiu. Teksti meriton vëmendje përsa i takon metodës didaktike të përdorur në të. Që në titull autori tërheq vëmendjen dhe të jep të kuptosh se kemi të bëjmë me diçka të re.

Në vitin 1920-1923 Shefqet Daiu ishte deputet në parlamentin shqiptar duke bashkëpunuar me Shefqet Verlacin. Shumë artikuj e studime mbajnë emrin e tij në revistën “Kopshti Letrar”. Më vitin 1938 përkthen “Ç’është Kurani”. U vendos në krah të atyre që mbrojtën qëndrimin e Shkollës Normale në Elbasan më vitin 1938. Vdiq në vitin 1946, pasi ishte burgosur nga regjimi komunist.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora