E premte, 29.03.2024, 11:41 AM (GMT)

Editorial

Gjergj Kabashi: Kurti në Alauddin, si imam…!

E enjte, 23.12.2021, 09:40 PM


Kurti në Alauddin, si imam …!

Nga Gjergj Kabashi - Botues, drini.us

Kryeministri Albin Kurti sot kishte marrë pjesë në manifestimin e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) , kushtuar 70-vjetorit të themelimit të Medresesë së Mesme “Alauddin” në Prishtinë.

Megjithëse si Kryeministër ai nuk ka ndonjë obligim që të marrë pjesë në ceremoni të tilla përkujtuese-fetare, sikurse që është përkujtimi i themelimit të kësaj medreseje, jo për faktin se në një shtet sekular, sikurse që është Kosova, shteti është neutral ndaj feve, por për shkak se problematike janë mendimet e tij, që ngjajnë me ato të një islamisti politik apo imami ekstremist, që e ka si qëllim parësor – antishqiptar, ndarjen e kombit shqiptar në bazë të përkatësisë së caktuar fetare.

Kjo tendencë për ta ndarë kombin fetarisht, nuk ka filluar me Albin Kurtin në këto 22 vite liri, por është e mëhershme, kryesisht e përdorur dhe keqpërorur nga fqinjët, turqit, grekët dhe serbët. Për turkomëdhenjt “arnautët” janë pjesë e “miletit/umetit” mysliman, për serbët e grekët janë banorë të pa rrënjë e pa të kaluar në Gadishullin Ilirik, përderisa shqiptarët ortodoks Greqia i konsideron vetëm pjesë të helenizmit, ndërsa Serbia dhe Maqedonia (sidomos Serbia), të thuash se i ka kryer punët me ta.

Sipas shovenistëve religjioz islamik duhet theksuar vazhdimisht se “Shqiptarët kanë disa fe”, porse “shumica i takojnë fesë islame”.

Veçimi i “shumicës myslimane shqiptare” është djallëzia më e madhe dhe perfide që u është imponuar shqiptarëve, kryesisht përmes BIK-ut.

Ky veçim në bazë të përkatësisë fetare të dikujt, është kritikuar qysh në vitin 1908 nga eruditi shqiptar Faik Konica, por e risollën “në skenë” mbi njëqind vite më vonë për interesa panturke, grekomëdha e serbomëdha, pa qenë apo duke qenë të vetëdijshëm se çka janë duke bërë e çfarë dëmi janë duke i shkaktuar kombit, kulturës dhe historisë së tij, politikanët si Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe në fund edhe Albin Kurti.

Por, ishte Ahmet Davuto?lu , politikani, diplomati, akademiku dhe ish ministri i jashtëm i Turqisë, që para disa vitesh është ankuar publikisht për mungesat e të drejtave fetare të “shumicës së popullit” në Kosovë, e sidomos në Prishtinë, për  ç’gjë ishte dëshmitare e drejtpërdrejtë me disa të tjerë në takimin me të, diplomatja Alma Lama, kur ai nga Ankaraja pati folur për diskriminimin e myslimanëve të Kosovës, me mendimet e raportuara atje prej BIK-ut.

Si në kaluarën, ashtu edhe tash, Islami është ai “indi” që e lidhë një trup dhe që shqiptarët duhet t’i lë sa më pak shqiptarë e ti bëjë sa më shumë që të jetë e mundur Muslimanë me ndërgjegje, me sjellje, me praktika religjioze apo me dukjen e jashtme, që gjithsesi duhen shfaqur publikisht, apo siç duan ata që s’ia duan të mirën kombit shqiptar, që të jenë “shumica e popullsisë”, dmth., të jenë popull tjetër për dallim nga shqiptarët e tjerë!

Përpara luftës së Kosovës, megjithëse nën robërinë serbe, Shqiptarët e emancipuar kombëtarisht nuk kanë pranuar etiketa të tilla religjioze të përgatitura nga të huajt, ashtu siç ia nisën ti përdorinin ato pas luftës, ku shërbimi sekret i Serbisë e zgjoj me urdhër rrjetin e madh të shërbimit që e kishte lënë në Kosovë në mesin e shqiptarëve, që t’ua mësynin dyerve të xhamive dhe të tregonin vend e pa vend, madje pa i pyetur fare askush, se janën Musliman!

Gjithçka ishte e mirëorganizuar dhe planifikuar deri në detajet më të vogla, sa që edhe drejtor shkollash, madje edhe polic , aty-këtu , i përshëndetnin të tjerët me : Selam Alejkum!

E gjithë kjo bëhej që Lirisë Shqiptare që popullit i kishte munguar me shekuj, ti jipej kuptimi dhe porosia e Lirisë Muslimane, që “paskësh munguar!” më shumë se Liria Kombëtare, megjithëse që kur u largua pushtimi turk-osman më 1912 e ramë pastaj nën pushtimin e Serbisë, serbët e bënë të pamundurën që shqiptarët mos ta harronin kurrë islamin, si “fe të tyre!”.

Megjithëse shtet komunist, Jugosllavia e Titos, gjithmonë i ka mbajtur kyçet e lidhjes së domosdoshme të shqiptarëve me Islamin e me Turqinë, pra edhe kremtimi i 70 vjetorit të Medresës Alaaudin, ku mori pjesë dhe foli pak edhe Albin Kurti si të ishte një imam, është rrjedhim i përkujdesjes së Serbisë-Jugosllavisë që në rrethana “të tjera” shqiptarët ta kenë “fenë dhe shkollat e tyre fetare”, do të thotë që ish-Jugosllavia ka bërë politikë me Islamin, sikurse që bëri edhe Slobodan Milosheviç në fund.

Deklarata e Albin Kurtit sot “… se Medreseja “Alauddin” ishte vendi i kuvendit politik e kombëtar për rezistencë dhe liri.”, është pjesërisht e vërtetë, por e vërtetë e pa sqaruar dhe pashpjegueme nga ana e tij.

Pasi si gazetar në vitet e ’80-ta e ’90-ta të shekullit të kaluar kam qenë mirë i kyçur në rrjedhat e ngjarjeve përgjat gjithë asaj kohe, madje edhe të atyre që ndërlidheshin me Islamin në Kosovë, që dukej paqësor dhe i qetë, mund të them se ndërlidhja e aktiviteteve që zhvilloheshin në Medresen Alaaudin ka qenë kryesisht me ndërhyrjet e drejtpërdrejta të Rexhep Qosjes që synonte të zbehej sa të jetë i mundur ndikimi i Ibrahim Rugovës përmes LDK-së në Kosovën e atëhershme.

Sigurisht që ka pasur edhe imam dhe medresistë që kanë kontribuar dhe luftuar për lirinë e vendit, por ndikimi i BIK-ut përgjithësisht ka qenë të thuash i papërfillshëm, madje në kohën kur të gjitha fakultetet, shkollat e larta dhe shkollat e mesme të Kosovës ishin të mbyllura dhunshëm nga Serbia, sikurse edhe shumë shkolla fillore gjithandej në vend, Medreseja Alaaudin ka funksionuar gjithë kohën e papenguar, madje me kushte pune shumë të mira, me mensë moderne dhe ushqime aq të mira që u afroheshin nxënësve medresistë, sa nuk ke mundur ti gjeje askund në Kosovën e kohës.

Medreseja e Mesme “Alauddin” , për ata që mund të mos e dijnë, është themeluar në vitin 1951 , pra në kohën që ishte e hidhur dhe tepër e rëndë për shqiptarët, kur nuk lejohej asnjë lloj shkollimi i tyre, periudhë e njohur ndryshe si Koha e Aleksander Rankoviqit, kur pas pak vitesh qe shpikur edhe “Aksioni për Mbledhjen e Armëve”, që pasoj me tortura mizore ndaj shqiptarëve që i lidhnin edhe në drunj shelgjesh buzë lumenjsh, në acar, për ti pranuar veprat që si kishin bërë.

Qëllimi i themelimit të kësaj medreseje në Prishtinë, ishte i njejti me Medresën e Madhe “Mbreti Aleksander” në Shkup, në fillim të shekullit të kaluar, me qëllim që përmes hoxhallarëve me shkolla të mesme – spiunëve të stërvitur, të bëhej shpërngulja e shqiptarëve në Turqi e gjetiu.

Edhe për këtë fakt që na e përkujton historinë tragjike ndaj popullit tonë, Kryeministri Albin Kurti nuk do të duhej të ishte pjesëmarrës i 70 vjetorit të themelimit të Medresës Alauddin të Prishtinës, që fillimisht themelohej për nevoja e aspirata serbomëdha.

Meqenëse si gazetar hulumtues kisha kontakte të vazhdueshme me krerët e BIK, sidomos me Naim Tërnavën, ata të Kishës Katolike Shqiptare etj., këto që i them janë të bazuara në fakte e dëshmi.

Prandaj, kur të flasim për ngjarjet dhe historinë e zhvillimit të tyre, duhet të jemi tejet serioz e të vëmendshëm, që mos të përhapim paragjykime e thashetheme.

Edhe vet Naim Tërnava i asaj kohe, nuk ishte Naim Tërnava i pasluftës në Kosovë.

Madje, Naim Tërnava i viteve të fundit, nuk ishte Naim Tërnava që u tregua deri në vitin 2013 apo 2014, bije fjala.

Naim Tërnava në BIK, është ashtu siç ishte Hashim Thaçi në politikë!

***

Deklarata e Kryeministrit Albin Kurti, se : “Si një popull me shumicë myslimane, shqiptarët ditën ta ruajnë islamin mes tyre edhe gjatë këtyre dekadave të fundit, kur për shkak të luftës globale kundër terrorizmit, të ishe mysliman ishte sikur ta mbaje një gacë në dorë, saktë ashtu siç kishte parashikuar profeti i Islamit, Muhamedi”. Ky është një mendim së paku skandaloz i kryeministrit Kurti.

Po të thellohesh vetëm pak në këto që i thotë Albin Kurti për Islamin, e vëren se ai kur flet për ngjarje me ndikim destabilizues në botë, ka ose paragjykime të një personi naiv, mungesë njohurishë apo flet, thjeshtë, si një imam a islamist politik. Ai nuk është duke folur si Kryeministër i një shteti që me Kushtetutë është i ndarë nga feja.

Askush nuk e ka trazuar askend për shkak të përkatësisë fetare gjatë gjithë këtyre viteve Zotëri Kryeministër, por janë vet ata të rinj që u formuan dhe shfytyruan nëpër xhamitë e meremetuara e ndërtuara nga Republika e Turqisë, – përmes TIKA-s në terrenet “arnaute”, që ia mësyn Sirisë për ta “çliruar” atë që quhej “Toka e Shamit” dhe e “Levantit” , që pas thirrjes së hapur të BIK-ut përmes një qarkoreje nëpër të gjitha xhamitë e Kosovës në fillim të korrikut 2013, mësyen në numër jo aq të vogël tek ajo “toke aq e rëndësishme për Allahun” , sipas theksimit të BIK-ut, kur shtigjet e rrugët për të shkuar në atë luftë absurde panreligjioze , ua mësonin e tregonin pjesëtarët e sigurimit shtetëror të Turqisë.

Pra, policia sekrete e mu të asaj Turqia që i ndaloi shtigjet e tilla, vetëm kur xhihadistët, pra edhe ata shqipfolës, ua kthyen pushkën civilëve dhe forcave të sigurisë së Turqisë.

Kështu që ajo që e thotë Albin Kurti, është jo vetëm naive por vardisje e padinjitetshme e tij ndaj Naim Tërnavës dhe një të folur kuturu e me pasoja për shkak të ndikimit të keq në masën e njerëzve.

Si një person që kam pasur ndikim (modest) pozitiv në ardhjen e Albin Kurtit në pushtet përmes portalit www.drini.us (më herët: www.revistadrini.info) , deklaratat e sotshme të Albin Kurtit në Medresen Alaaudin, i vlerësoj skandaloze dhe kombëtarisht tejet të dëmshme.

Prandaj, e them me keqardhje se shumë nga kritikët e tij të deritashëm kishin pasur të drejtë me kritikat e pandalshme ndaj tendencave islamizuese të Kurtit.

Pak ironi …

Kështu që, ndodhtë mrekullia e natyrës dhe Ibrahim Kelmendi (një ndër kritikuesit e tij që se kuptoja pse kritikonte aq shumë , e sidomos rreth pikëpamjeve të tij islamizuese) , pastë jetë të gjatë e të mirë, por edhe nëse «shkon» pak para kohe nga jeta, atij mos u iu harroftë emri e as mendimet e tij profetike për Albin Kurtin dhe islamizmin e tij.

Personalisht mendoja se Ibrahim Kelmendi po e sulmonte padrejtësisht, por tash u binda se paska qenë i butë ndaj tij.

Tjetra …

Shqiptarët nuk e ruajtën Islamin, Albin, por Serbia për vete e për Turqinë ua ruajti islamin atyre, duke mos i lënë që ta harronin e të shkëputeshin kurrë prej tij! A nuk e ditke ti Albin Kurti se Serbia «arnautëve» ua pati ndërtuar qysh në fillim të shekullit të kaluar Veliku Medresu «Krala Aleksandra» në Skopje (Shkup), ku i shkollonte spiunët e vet , gjoja hoxhallarë, që e kishin kryeqëllim bindjen e popullit që të shpërngulej «në vendin e vet» , pra në tokat e kurdëve dhe armenëve në Turqi!

Po kah të erdhën gjithë ato mendime defekte Albin Kurti, për të cilat me ta pasë lakmi edhe islamistët botëror, që pas cdo krimi të bërë në emër të Islamit e Muhammadit, e naltësojnë e çfajësojnë «fenë e paqes»!

Kurti në një pjesë të fjalimit e citoi edhe profetin e myslimanëve, Muhamedin, duke theksuar se shqiptarët ditën ta ruajnë islamin mes tyre. Nëse ai popull qenka «me shumicë muslimane» , e nuk qenka Shqiptar, ti qenke i prapambetur si disa udhëheqës të tjerë pararendës që i patëm, gjë që une me ëndje s’do ti takoja në asnjë mënyrë atij populli tuaj!

Shqiptarëve “ua ruajti Islamin” edhe Turqia noosmane, ajo që ua kishte sjellë me dhunë para disa shekujsh, e cila menjëherë pas qershorit 1999 ua meremetoj dhe ndërtoi të gjitha xhamitë, hamamet, fiancoi specializimet e ndryshme në Islam, pra duke e vazhduar aty ku e kishte lënë Serbia, gjithsesi për interesat e saj!

Rikthimi i Turqisë neoosmane në viset “arnaute” , është rikthim i pushtimit me mjete të tjera, veçanërisht përmes investimeve religjioze islamike.

Edhe “Xhamia e Erdoganit” në Prishtinë , që tashmë është duke u ndërtuar pothuaj fshehurazi, po ndërtohet prej A deri në ZH nga afro 40 milionë euro, para të taksapaguesve të shtetit të Turqisë.

Për kë brengoset Alnin Kurti …? Për “gacën në dorë” të popujve islamik të botës, apo si nacionalist që paraqitej do të duhej të ishte brengosur për “gacën” në shpirtin e popullit shqiptar, që antishqiptarët e ndihmuar prej të gjitha qeverive “tona” qe 22 vite duan ta bëjnë Musliman me zor?! …

Trego, Albin Kurti, se a ka shtet tjetër në rajon dhe botë , që pa e pasur asnjë interes e qëllim të keq ndaj një populli të caktuar, ia meremeton e ndërton objektet e kultit?

Gjithë ata xhihadistë apo ligjëratat e hapura antikombëtare dhe antiperëndimore të hoxhallarëve që ende janë duke vazhduar , të cilët janë më të preferuar për mediat tona se sa intelektualët e vërtetë shqiptarë, për ty, Kryeministër, qenka ndjekje e Islamit, apo “si me e pasë gacën në dorë”.

Pasi Hashim Thaçi, Isa Mustafa si dhe ti, merreni me njëfar “shumice muslimane shqiptare” që e nënkupton thikën në unitetin e kombit, është tejet befasuese brengosja jote iracionale për “gacë në dorën” e islamit botëror?!

Zjarrin e kanë ndezuar imamët me të cilët bashkëpunoi Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe ti,    andaj ato gaca – kur i doli flaka që e kishin ndezur vet, u munduan t’ia lenin në dorë popullit shqiptar, që sherrin e helmin e tyre ta gjuanin tjetërkund.

Me i folë këto mendime imamësh tjetërkush, ta zëmë ndonjë islamist politik-antishqiptar, mund të mos mirren aq seriozisht, por kur i flet Kryeministri, çdo Shqiptari/je mundet me iu ndalë fryma në fyt!

Një populli me identitet të qartë kombëtar ti mveshësh sikurse të ishe turkomadh, grekomadh apo serbomadh mbulesë errësuese islame, do të thotë që ti e tjetri si ti, jeni jo vetëm të lig nga natyra e me formim të cekët kulturor e kombëtar, por edhe të rrezikshëm me qenë në krye të një vendi.

Në të gjitha takimet që Albin Kurti para disa vitesh i kishte në Turqi, delegacioni i Lëvizjes Vetëvendosje i kryesuar prej tij në atë kohë, ishte shoqëruar nga një prej mbështetësve kryesor të Al-Kaidës dhe luftës së xhihadizmit, Osman Atalay. Lëvizja Vetëvendosje asnjëherë deri më tash nuk e ka sqaruar afërsinë e tyre me këtë antiamerikan të përbetuar.

Osman Atalay në media të ndryshme portretizohet si një prej njerëzve që ka investuar shumë vite angazhim në përhapjen e antiamerikanizmit në vendet ku ka popullsi myslimane dhe ndikimin e tij ai tani po mundohet ta shtrijë edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor, shkruante lajmi.net.

Si përfaqësues i organizatës IHH, Osman Atalay deri më tani ka vepruar kryesisht në vendet ku shtrirja e terrorizmit është shumë e madhe, si në Libi, Pakistan, Kashmir, Darfur, Sri Lanka, Ruandë, Somali, Mauritani, Kili, Krime, por institucionet e sigurisë janë të alarmuara viteve të fundit edhe më përpjekjet e tij për të depërtuar në vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe Kosovën shkruhej pos tjerash në këtë portal.

Fjalimi i Albin Kurtit në 70 vjetorin e Medresesë Alaudin – YouTube



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora