Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Entela Binjaku: Arumunët që kam takuar, një udhëtim kulturor tek bashkëkohësit e mi

| E merkure, 22.12.2021, 08:33 PM |


Arumunët që kam takuar, një udhëtim kulturor tek bashkëkohësit e mi

Nga Entela Binjaku

Fjala mbajtur në Konferencën Ndërkombëtare “Gjuhët e rrezikuara dhe diaspora”

Tiranë 19.12.21

Në fillim të viteve ´90 shumë të rinj e të reja shqiptarë nisën të studionin në institucionet arsimore rumune. Nga viti 1993 e në vijim Rumania ju ofroi të drejtën e studimit, në nivelin parauniversitar, universitar dhe pasuniversitar, në mënyrë të përvitshme, rreth 100 vajzave dhe djemve. Pjesa më e madhe e tyre i kanë ndjekur studimet si bursierë të shtetit rumun duke përfituar studimet falas, strehim, një pagesë të caktuar mujore dhe çdo përfitim që jepte statusi i studentit. Sot numri i të diplomuarve në sistemin arsimor rumun është disa mijra. Unë jam një ndër prej tyre!

Zhvillimet historike mes dy shteteve tona janë të njohura dhe të dëshmuara, por ura më e fortë lidhëse janë arumunët. Arumunët në Shqipëri janë njohur si pakicë kombëtare.

Tek disa prej ish-studentëve të sipërpërmendur përkatësia arumune ishte më e fortë, e ushqyer në familje, që në vegjëli. Tek të tjerë kjo lidhje u zgjua vetëm kur lindi nevoja të studionin dhe mundësia më e afërt u pa  Rumania.

Tek një pjesë tjetër vetëdija arumune u shfaq sidomos kur kuptuan ngjashmërinë me gjuhën rumune dhe kur koha e përvetësimit të rumanishtes ishte mjaft e shkurtër.

Këtu bëj pjesë edhe unë!

Kur Shqipëria u përfshi nga ndryshimet demokratike në këtë kufi historik vitesh,  arumunët u organizuan në Shoqatën Kulturore “Arumunët e Shqipërisë".  Me këtë shoqatë lidhen emra shumë të nderuar të këtij komuniteti të cilët vetë të parët i orientuan fëmijët e tyre të studionin në Rumani. Im  atë ishte një prej tyre!

Në vitin 2019 Shoqata Kulturore “Arumunët e Shqipërisë” organizoi një takim ku morën pjesë aktivistë, anëtarë dhe drejtues të degëve në rrethe.

Në këtë takim Shoqata vlerësoi shumë figura me motivacionin:"për kontributin e dhënë në gjallërimin dhe zhvillimin e traditave kulturore, fetare, folklorike e gjuhësore tek pakica arumune në Shqipëri si edhe në aktivitetet për lidhjet vëllazërore me popullin rumun".

Sot shumica e të diplomuarve në institucionet arsimore rumune janë të orientuar pikërisht nga kjo shoqatë dhe i kontribuojnë ekonomisë shqiptare. Edhe unë jam një ndër ta.

Ndërkohë, kujdesi i shtetit rumun në Shqipëri ndaj pakicës sonë është treguar përmes:  aktivitetit diplomatik ku komuniteti arumun ka qenë gjithmonë i përfshirë,  përmes të drejtave të studimit që ju ka dhënë fëmijëve dhe të rinjve arumunë dhe përmes projekteve që realizohen në Shqipëri dhe mbështeten financiarisht nga shteti rumun.  Për çdo vit të pritshëm  shkollor ambasada e Rumanisë në vendin tonë bën të njohura procedurat për pranimin, metodologjinë, ofertën e vendeve të studimit, fushat e studimit për nivelet bachelor, master dhe doktoraturë, kalendarin etj.  Për disa ditë radhazi misioni diplomatik i Rumanisë në vendin tonë i fton të gjithë të interesuarit të paraqiten në selinë e tij për firmosjen e Deklaratës Personale në lidhje me përkatësinë në identitetin kulturor rumun.

Këto ishin edhe disa nga rrethanat nga ku lindën edhe projektet e Fondacionit "Harriet Martineau" dhe që synojnë më shumë vetëdijësim për identitetin dhe më shumë edukim me vlerat e diversitetit.

Botimi i një abetareje të dialektit arumun, ndërtimi i një web-site për të gjithë njohësit e gjuhës rumune apo të dialektit si dhe mbështetja e fëmijëve të fshatit Mekat të Vlorës për mësimin e gjuhës rumune dhe të arumanishtes janë disa nga projektet që në themel kanë gjuhën.

Në shtatorin e vitit 2020  lindi platforma "arumun.com". Kjo është e para plaftormë informative në gjuhën rumune në Shqipëri. Nga dalja e artikujve  online në tetor 2020 e deri më sot ne kemi publikuar më shumë se  630 artikuj në gjuhën rumune dhe në dialektin arumun.

Plaftorma u përurua më 1.12.2020 në Festën Kombëtarë të Rumanisë në mjediset e „Qendrës Rinore” të Tiranës në prani të SH.T. Ambasadorit Perpelea, përfaqësuesi më i lartë i Rumanisë në vendin tonë, drejtuesit të "Ligës së Arumunëve të Shqipërisë" ish studentëve, të rinjve etj. Kjo platformë informuese u bë e mundur falë mbështetjes së Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë- Departamenti për Rumunët e Kudondodhur (Rumani).

Ideja e kësaj hapësire mediatike ishte që t’i vinte në ndihmë opinionit për të njohur më mirë pakicën arumune. Vijimësia e këtij portali synon të bëjë të njohur edhe dialektin  arumun dhe të  mbajë në vëmendje zhvillimet kulturore e historike të pakicës sonë në këto vite.

Në rubrikat e tij botohen artikuj dhe informacione mbi Rumaninë, Shqipërinë, personalitetet arumune, kulturën, historinë, gjuhën, traditat etj. Artikujt u janë drejtuar në veçanti të rinjve, atyre që duan të vazhdojnë studimet e tyre në Rumani dhe kanë nevojë të familjarizohen me kulturën rumune në përgjithësi. Ky projekt vijoi edhe gjatë 2021 dhe sot është një plaftormë më e njohur se një vit më parë.

Më 28 nëntor 2020, në Festën Kombëtare të Shqipërisë, nëpërmjet platformës ZOOM ne prezantuam  “Abetaren e dialektit arumun”.

Për të sjellë këtë botim zgjodhëm një nga 9 versionet që punoi në të gjallë autori i saj Thoma Binjaku. Më 8 dhjetor 2020 abetarja u përurua edhe në qytetin e Fierit në mjediset e ish Bibliotekës së qytetit, kjo në nderim të komunitetit arumun fierak, nga ku vinte edhe autori i saj. Abetarja vijoi të takojë të tjerë lexues duke u përuruar  në 7 nëntor 2021 edhe në Korçë në një aktivitet të organizuar nga  Qendra Rumune e Informimit.

Abetarja u botua me synimin për t’u mësuar dialektin arumun në veçanti fëmijëve që vijnë nga familjet arumune që dëshirojnë të ruajnë idiomën materne. Ky botim ndodhet sot në Bibliotekën Kombëtare dhe në Bibliotekat e Fierit, Lushnjes, Vlorës, Beratit, Elbasanit, Kavajës, Përmetit etj. Abetarja ju dhurua: Shoqatës Kulturore Arumunët e Shqipërisë, Shoqatës "Niça" në Pogradec, Fondacionit Kulturor"Nikolae Jorga" të Sarandës, Ligës së Arumunëve të Shqipërisë, Qendrës Rumune të Informimit në Korçë, Konsullatës së Nderit të Rumanisë etj.

Botimi i abetares ju përcoll edhe opinionit të gjerë përmes reklamës në Radion Kombëtare "Tirana" për 60 ditë,  reklamës në valët e "TV Kombit" ku gjatë 30 ditëve ajo u transmetua 12 herë në ditë. Botimi i abetares së dialektit arumun është projekt që u mbështet nga Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë- Departamenti për Rumunët e Kudondodhur (Rumani). Sot me abetaren arumune mësojnë fëmijët në Selenicë, në Mekat, në Sarandë etj.

Disa muaj para ndarjes nga jeta, në një intervistë për mediat shqiptare z. Thoma Binjaku, një nga intelektualët arumunë më të spikatur, fliste për nevojën e mësimit të gjuhës nga brezi i ri, për rrezikun e asimilimit të saj, për domdosdoshmërinë e hapjes së programeve edukative dhe mediatike në dialektin arumun. Ai bënte thirrje për mbështetjen e atyre nismave që kishin nisur dhe po përparonin, për hartimin e një abetareje etj.

Ja si shprehej ai: "Arumanishtja  po shkon drejt asimilimit. Ajo flitet sot në brezin e dytë dhe të tretë dhe më pak në brezin e fëmijëve dhe të rinisë. Arsyeja ka qenë martesat e bëra ne fe të ndryshme dhe fakti që në kohën e komunizmit ndalohej e folura në gjuhë të tjera që s’ishin shqip. Të ngrihen shkolla...një në fshatin Mekat, fshat pothuajse i tëri me arumunë, ku ka filluar në mënyre vullnetare edhe një shkollë arumune me 22 fëmijë, të cilët kanë përparuar shumë në këtë gjuhë".

Kështu lindi edhe projekti për fshatin Mekat në komunën Shushicë të Vlorës. Falë bashkëpunimit me banorët, kryeplakun, drejtuesit e shkollës u bë e mundur krijimi i një klase në mjediset e shkollës "Dhimitër Saranxhiu" për fëmijët arumunë të këtij komuniteti që kanë shfaqur dëshirën të mësojnë dialektin dhe gjuhën rumune. Sot 21 fëmijë ndjekin mësimet rumanisht online përmes platformës Zoom dhe mësimet në dialekt në klasë, me mësuesin e tyre i cili që në vitin 2016 hapi shtëpinë për fëmijët e këtij fshati.

Në korrikun e këtij viti projektin e vizitoi edhe  delegacioni rumun kryesuar nga titullarja e tij, Sekretarja e Shtetit cila shfaqi dëshirën të vizitonte këtë projekt që kishte fituar financim. Edhe në këtë rast mikpritja dhe tradita arumune nderoi të pranishmit. Edhe ky projekt u bë i njohur për opinionin falë paraqitjes mediatike. Për 31 ditë rresht në çdo një orë në valët e Televizionit lokal "Eden 3" u përcoll reklama për çeljen e klasave të rumanishtes dhe të arumanishtes në Mekat të Vlorës. Kjo hapësirë informuese u përcoll cdo një orë.

Në vitin 2021  në  kampet verore  të programit  “ARC”   që mbahen në Rumani morën pjesë edhe fëmijë arumunë nga Shqipëria.  Programi në fjalë  mbështetet nga Ministria për Rumunët e Kudondodhur, Ministria e Rinisë dhe  Sportit, misionet diplomatike të Rumanisë si dhe organizatat dhe shoqatat e ndryshme. Në 10 edicionet e mëparshme nga Shqipëria kanë marrë pjesë 30 fëmijë dhe të rinj arumunë çdo vit.  Për shkak të pandemisë ky edicion u mbajt online nëpërmjet platformës Zoom. Këtë vit morën pjesë edhe fëmijë nga Fieri dhe Vlora, ndër të cilët një prej tyre fitoi edhe të drejtën e pjesëmarrjes në edicionin e vitit 2022 falë paraqitjes në një konkurs esesh.

Në një komunikatë për mediat në 25 korrikun e vitit 2018 “në vitin e 100- vjetorit të Bashkimit të Madh të Rumunëve, Akademia Rumune rikonfirmonte këndvështrimin lidhur me identitetin historik dhe gjuhësor të rumunëve në veri dhe në jug të Danubit. Sipas kësaj komunikate "Uniteti i dialekteve rumune u mbështet në mënyrë unanime gjatë kohërave nga gjuhëtarët më të rëndësishëm rumunë (Ovid Densușianu, Alexandru Philippide, Sextil Pușcariu, Theodor Capidan, Alexandru Rosetti, Tache Papahagi, Eugeniu Coșeriu) dhe të huaj (Ëilhelm Meyer-Lübke, Gustav Ëeigand, Matteo Bartoli, Giuliano Bonfante, Alf Lombard, Carlo Tagliavini, Gerhard Rohlfs).

Rumanishtja është paraqitur si një gjuhë e njehsuar, (unitare) me të katër dialektet (dako-rumune, arumune, megleno-rumune, istro-rumune) në enciklopeditë e huaja:  The Encyclopaedia Americana, vol. 23, 1919; Encyclopaedia Britannica, vol 19, 1911; The Neë Encyclopaedia Britannica, Macropaedia, vol. 15, 1981); Grand Larousse Encyclopédique, vol. 1, 1964; Brockhaus Enzyklopädie, vol. 17, 1981; Dizionario Enciclopedico Italiano, vol. 10, 1961" thuhej në këtë komunikatë.

Ndërkohë kontributin tonë për identitentin e ndjekim duke punuar në drejtim të edukimit të të rinjve me vlerat e një shoqërie të zhvilluar e të së drejtës. Në qendër të angazhimit të Fondacionit është edhe promovimi i pakicave kombëtare (arumune), ruajtja, afirmimi i identitetit kulturor dhe gjuhësor, promovimi përmes mass-medias i identitetit gjuhësor të pakicave, forcimi i njohjeve gjuhësore të pakicave etnike tek të rinjtë.