Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sami Repishti: Nën hijen e Rozafës (XIX)

| E marte, 09.12.2008, 01:42 PM |


SAMI REPISHTI
Nën hijen e Rozafës
Narrativë e jetueme

XIX

Vuejtja pa qëllim nuk ka kuptim; asht nji absuditet. Por me shkaktue vuejtjen me qëllim dëfrimi, asht ma shumë se absurditet, ashtë nji akt kriminal i pafalshëm. Sjellja e rojeve të kuqe atë natë, forconte edhe ma shumë bindjen time ne çnjerëzimin e plotë që kishte prue regjimi komunist në mes të përkrahësve të vet, dhe shërbëtorëve që kryejshin aktet e tiranisë. Përballë nji gjendjeje të këtillë, vullneti me rezistue kundër së keqes së personifikueme në veprimtarinë e shërbëtorëve të regjimit, forcohej. Metodat e ndjekuna ishin, padyshim, rruga ma e mirë me krijue armiq, e me pajisë rezistencën me gjak të ri revolucionar. Qartazi, armiku ma i rrezikshëm i pushtetit ekzistues ishte pushteti vetë edhe emisarët e tij që zbatojshin direktivat me prirje kriminale, pa mendue, pa hezitue. Ndamja në mes të botës së krimit e asaj të viktimave, ishte e plotë e pazgjishmënisht e drejtueme kah ballafaqimi vdekjeprumës. Por tashti, forca brute ishte me komunistët, dominuese e jetës së vendit dhe e qytetarëve të dënuem me jetue në atë vend që quejshim “Nana Shqipni!”. Si do të përfundonte e gjithë kjo vuejtje e pameritueme, ku do të përfundonte urrejtja e pakufi që mbushte zemrat tona ato ditë? Pyetja nuk gjente përgjigje, por, padyshim, më frikësonte shumë. Më dukej sikur e gjithë bota ishte zhytë në pellgun e së keqe, të mbrapshtës, të antinjerëzores. Për mue, dilema e kundërshtimit të saj, megjithëse rritej çdo ditë për arsye të shtrimjes dhe thellimit të krimit, prapë se prapë nuk më lehtësonte problemin. A duhej pranue si paevitueshmëni kjo e keqe që kishte mbulue vendin tonë, dhe me ndërgjegjen e plotë se asgja nuk e ndryshonte atë, nji fatalizëm “fetar” që ishte tipik i besimtarëve që kanë guximin me u hedhë ne “të panjohunën” e që vetëm Krijuesi njef? Kisha nevojë për ndihmë! Të nesërmen, me fratin françeskan pranë meje, fillova pyetjet e vazhdueshme për luftën tonë të përditshme kundër pranisë “së keqes” në botë. Kisha dyshimet e mia në Krijuesin e kundërveprojsha. Nuk jemi vetëm arsye. Sepse Krijuesi më ka pajisë edhe me zemër që ndjen për ata që vuejnë, e me nji za ndërgjegjeje, që më shqetëson kur gabon. Më paraqitej ideja e sakrificës, e flijimit të jetës për të vuejtunit. E, natyrisht, sa ma e randë të ishte e keqja, aq ma e madhe ishte ideja e flijimit. Vetmia friksuese e viktimës sikur më thërriste të afrohem, të bahem vlla me atë. Njerëzit vuejnë ma pak kur nuk janë vetëm. Frati ndgjonte, e më tha:
- Krishti me mue, e unë me ata që nuk janë në gjendje me kërkue ndihmën e Tij si duhet.
- E për ata që nuk e meritojnë? – e pyeta unë në nji përpjekje me mbrojtë pozitën time.
- Atë e gjykon vetëm i Lumi Zot. Vetëm Ai mund të mohojë hirin e tij të pameritueshmit. Unë jam vetëm nji shërbestar i thjeshtë i të Madhit Zot. Unë vetëm shërbej e jam i kënaqun vetëm me aq.
E tue sjellë sytë kah unë, me nji buzëqeshje që shpaloste nji buzëqeshje që shpaloste ndjenjën e tij të brendshme:
- Biri im, - më tha, - mos harro se çdonjeni prej nesh ka diçka, sadopak qoftë, që asht e nji natyre njerëzore. Edhe armiku ka nji qoshe zemre ku struket mëshira e gatshme me u shfaqë.
– E me za të ulët, e tue shënue dyshemenë me gishtin dëfrues, ai shtoi: “Atje ku nuk e pret”.
- Ndërkaq, prit që të vdesim në torturë e në burgje...ose të uritun në kampe, të coptuem e të poshtnuem.
- Thueje të kryqëzuem ma mirë. Të kryqëzuem, sepse na jep shpresë për ringjallje. Mos harro!
Kryqëzimi, kur bahet për shpëtimin e njerëzimit, asht si nji akt perëndie!
Të nesërmen iu drejtova përsëri Donatit, fratit të nënshtruem, e fillova litanitë e ankesave të mia për gjithçka.
- Durim, biri im, durim! I Lumi Zot na këshillon durimin. Pak nga pak, do të rregullohet çdo
gja, do të lirohemi. Do të jetojmë të lirë...Durim, duhet të mësohemi me durue....
- I Lumi Zot nuk vdes, - i thashë unë. – Pater, Ai ashtë i pavdekshëm, apo jo?
-Po! Nji nder...
- E Ai ka kohë mjaft kohë me pritë me durue e me veprue, - e ndërpreva unë. “Unë jam njeri I përkohshëm në këtë botë, pater, unë mund të vdes çdo kohë...Koha kalon pa asnji shpresë
kthimi, e vdekja më pret.... unë nuk mund të duroj. Unë nuk mund të kënaqem me shpresën e së ardhmes që nuk e njof, - për ma tepër, nuk varet prej meje.
- Duhet pranue vullneti i të Madhit Zot, biri im!
Nuk e dijsha nëse frati im i shihte vuejtjet e mia si revoltë spontane e nji të riu që jetonte me frikën e vdekjes në burg. A po, në hapësinën e tij intelektuale, ai shikonte nji të ri, si të gjithë tjerët, që rezistonte mesazhin hyjnor të dhanun nga klerikët, shërbestarët e Zotit. Por kambëngulja e tij për nënshtrim, nuk më ndihmonte.
-Pater – i përgjigja, - ti më kërkon nënshtrimin. Nëqoftëse unë pranoj, çka më mbetet tjetër?
-Jo nënshtrimin – më ndërpreu ai, - përvuejtninë. E mos harro! Asht edhe lumnia e qiellit. – E tue ngrejtë gishtin dëftues si shenjë tregimi për hyjninë, vazhdoi me nji za gjysëm të fikun – Këtu jemi të përkohshëm. Po, të përkohshëm po tham.
Në dhomën gjysëm të ndritun, heshtja e zakonshme vazhdonte sot, ashtu si dje, si pardje, si muejt e vjetët e kalueme pa lanë gjurmë. Përreth meje, të burgosunit merreshin me veprimtari të pafryt, të pakuptim, të paqëllim. Përjashta, ndigjohej ritmi i rregullt i çizmes së kuqe ushtarake që bante turnin e ditës në oborrin e brendshëm.
- Pater! – thashë tue e shikue drejt në sy, - si e shpjegon jetën e nji të riu që torturohet për shumë vjet e vdes pak ditë para lirimit ose, menjiherë mbas lirimit prej burgut?
- Vullneti i Krijuesit. – E tue ulë kokën që të mos ndeshte drejtpërdrejt sytë e mi, me nji za që m’u duk sikur dridhej, pa muejt me e kontrollue, ai shtoi: “Pranoje vullnetin e Krijuesit!”
- E si justifikohet, pater, kjo vuejtje që më duket se nuk sjell dobi? Bota e jashtme, as që e din që na vuejmë të zezën e ullinit. Vuejtja që vdes bashkë me mue, që shuhet me viktimën, që nuk shpaguen ose ringjallë,... e na të rijt këtu, nuk kemi as kenaqësinë e misionarit. Deshta të them “si ti”.
Ai buzëqeshi.
- Ndigjo! Zoti dërgoi të Birin dhe i premtoi Atij kryqin. Mos harro! – E tue mbështet dorën mbi supin tim, vazhdoi me nji za që dridhej: “Sa herë që pesha e vuejtjes bien mbi të pafajshmin, për mue lind nji konflikt. Jeta ime si klerik i krishtenë asht nji luftë e përditshme me zgjidhë këtë konflikt. Nuk asht e lehtë për mue... Por unë besoj në jetën e amshueme, e në besimin tim, unë mbështes shpjegimet e mia që më lehtësojnë barrën e randë të konfliktit që më mundon. Unë të këshilloj besimin, biri im, por nuk mund të ndihmoj ma shumë... Nuk asht nji shembull që unë dëshiroj të bahem për ty, asht nji nevojë qe ti vetë duhet ta ndiesh me forcë, me aq fuqi sa të vijsh në gjendjen time e të lehtësohet përvujtnia.”
E sikur nuk dinte të vazhdonte ma gjatë sugjerimin, e mbylli me nji pyetje:
- Në këtë gjendjen tande të rebelimit, më duket se shoh nji lloj kryenaltësie të damshme, apo jo? Mos harro! Përvujtnia, përvujtnia asht pjesa jonë në këtë jetë.
- Pater! Mos përkëdhel anën time të dobët. Përvujtnia asht ma e lehtë ndoshta, se kjo kryenaltësi e imja që të shqetëson, që sheh ti, e që mendon se asht burimi i vuejtjes sime...
Por, më lejo të them me zemër të hapët se, kjo frymë revoltimi kundër çdo formë nënshtrimi, më frymëzon, më mban gjallë e si të thuesh...!
- Të lehtëson vuejtjen, gjithashtu? – më ndërpreu ai.
- Unë mendoj se po. Të paktën nuk më ban thirrje me pranue gojëmbyllun të keqen, e të shumtën e rasteve, me mobilizon me luftue fuqimisht. Pater! Unë due të marr nji qëndrim, të veproj, mos të kryqezoj krahët para së keqes...ose të laj duert! Në fëtyrën e fratit të vorfën u thelluen edhe ma shumë rrudhat e vuejtjes. Me vetulla të mbledhuna, ai shikoi rreth vetes dhomën mbarë, masën e të burgosunve pa faj, të zhveshun nga gjithçka, e me çdo mjet të fyem në dinjitetin e tyne çdo orë, çdo ditë, sa herë që shtrihej dora për nji copë bukë, sikur dëshironte me vërtetue në vend, edhe nji herë, përpjestimet e mjerimit që e rrethonte. Mandej, tue drejtue përsëri sytë kah unë, e me nji za, tingëllimi i të cilit më tha ma shumë se fjala e shqiptueme, u përgjegj:
- Do të lutem për ty... do të lutem biri im që nji ditë të ndigjosh më qartas në zemër tande Fjalën e së Mirës së Pambarueme! Ideja e Zotit si mundësia e vetme me shpresue në nji të ardhme ma të denjë për cilësitë që pajisin njeriun, si “mjeku” i vetëm që kupton e shëron shpirtët e tretun rrugëve, zemrat e djeguna për pasion, mendjet kërkuese të së vërtetës, të nji të vërtete që kënaqë e justifikon çdo kërkesë, më tërhiqte. Por, vetë lehtësia e saj në zgjidhjen e problemit të ekzistencës, nuk më kënaqte. Frati e ndërpreu rrjedhën e mendimeve të mia:
- Pse flet me ndrojtje, sikur ke frikë se prish harmoninë e mendimeve të mia?
- Po, kam frikë...
- Pse frikësohesh? Nëqoftëse ata bien poshtë nga kritikat tueja, atëherë nuk kanë atë vlerë hyjnore që unë besoj se kanë.
- Pater! Ajo që më tremb, asht se nuk kam diçka tjetër që ta zavendësoj. Asht ky boshllëk në brendinë time që më frikson...e dëshiroj ta mbuloj me aksion!
Çdo mëngjes, frati e unë shihshim fytyrat e mucatuna të të rijve në burg, sikur të ishin frye me ajr, që ngriheshin nga gjumi i randë në dhomat që qelbeshin nga fryma e gazet e ma shumë se njiqind të burgosunve, prej të cilëve gjysma vuejshin nga smundje të njohuna e të panjohuna, por të rrezikshme. Çdo mëngjes, frati e unë shihshim qartë ndryshimin e dukshëm, të përditshëm, të freskisë djaloshare në fëtyrat e nji ushtrie të rijsh e pamjen e tyne të lodhun, të mekun, të pajetë, si gjethet e vyshkuna në vjeshtën e parë. Me kalimin e ditëve, muejve e vjetëve, koha bante punën e vet; ajo grabiste rininë e energjinë e të burgosunve e i zëvendësonte me nji ndjenjë shkurajimi, me nji frymë indiference që shihej, sidomos tek “veteranët”, që kishin humbë shpresën e lirimit. Frati e unë jetojshim në të njajtën botë, por e shikojshim atë me tjetër sy. Nuk ishte se fratit i mungonte nji koshiencë e zgjueme, ndoshta edhe nji nxitje për revoltë që ai e shtypte: përkundrazi, rezistenca kundër së “keqes” së tiranisë së kuqe, ishte e ngulun thellë në mendje e zemër të tij. Por ai e vendoste këtë rezistencë, në suazën e bindjes së tij fetare e duronte, e duronte. Për mue, nji qëndrim i këtillë, i arsyetuem me vullnetin e Krijuesit, nuk mjaftonte. Për mue, rezistenca aktive ishte e domosdoshme që të mos lejohej rruga ma e lehtë e dorëzimit para së “keqes”, përfundimi i paevitueshëm i së cilës, ishte korrupsioni moral dhe përfundimi i tij logjik, dështimi i plotë. Për mue, ishte nji dilemë “këtu dhe tashti” që duhej zgjidhë në këtë botë, para se të rrëmbehesha nga dora e vdekjes, asgjasimi i pariparueshëm i jetës mbi tokë. Jeta tjetër, e botës tjetër? Nuk kishte randësi. Ishte kjo frikë që rriste urgjencën e veprimit, qoftë edhe me forcë, kur ishte fjala për thyemjen e zinxhirëve që na mbajshin të gozhduem në vend. Frati im përpiqej, jo vetëm me shpjegue këtë frymë pesimiste, por me paraqitë edhe shkaqet, efektet, pikësynimet e nji itinerari të filluem keq, e ma në fund, - oh, sa forcë magjike kishte tregimi i ringjalljes! – mundësia e shpëtimit, shpresa për nji kand vetjak në këtë gjithësi të pafund, votër e ngrohtë për nji shpirt të ngrimë gjatë udhëtimit të gjatë në errësinë e vetmi!