E premte, 19.04.2024, 01:27 PM (GMT+1)

Kulturë

Katër princa të letrave në unitetin e një fotografie të Marubit

E premte, 06.07.2007, 11:47 PM


Dy breza nga veriu e jugu për domosdoshmërinë e integrimit dhe njëjësimin shpirtëror e kulturor të të gjithë botës shqiptare

Fotografia “Katër shkrimtarët e mëdhenj” është realizuar nga Gegë Marubi (1909-1984), në Shkodër në vitin 1938. Gega ishte djali i fotografit të njohur Kel Marubi dhe ka filluar të mësojë profesionin e të atit që në moshë të re në studion e tij. Më vonë Gega ka studiuar në Francë, në shkollën e fotografisë të vëllezërve Lymjerë (1924-1926).
Në foto janë fiksuar katër nga shkrimtarët me në zë të kohës: Gjergj Fishta (1871-1940), Asdreni (1872-1947), Ernest Koliqi (1903-1975) dhe Lasgush Poradeci (1899-1989). Sipas një shkrimi të Nush Topallit në revistën “Cirka”, nr. 39 datë 13.2.1938, Asdreni ka shkuar në Shkodër më 9.2.1938, i ftuar me nismën e Koliqit nga autoritetet dhe personalitetet vendore nga Tirana, ku kishte mbërritur nga Rumania për kremtimin e 25-vjetorit të pavarësisë. Ai shoqërohej në këtë vizitë nga poeti Lasgush Poradeci. Ata u pritën me nderime të mëdha nga mikpritësit me në krye At Gjergj Fishtën dhe Koliqin. Në koncertin artistik të mirëseardhjes të Shoqërisë “Rozafa” në kinemanë e qytetit, fjalimin përshëndetës e mbajti Fishta me fjalë të ngrohta për mikun e shquar. Atmosfera prekëse arriti kulmin kur të dy poetët, në mbarim të përshëndetjes u përqafuan në skenë vëllazërisht.
Jehonën e pritjes që Shkodra i rezervoi Asdrenit dhe Poradecit e gjejmë të pasqyruar edhe në shtypin e Shqipërisë së Jugut. Kështu gazeta “Jeta e re”, që dilte në Vlorë, në numrin e datës 21.2.1938, viti I, i përshkruan hollësisht veprimtaritë e kësaj pritjeje që ngrinte lartë frymën kombëtare, pa dallime krahinore. Gjatë vizitës së tyre në qytetin verior, miqtë e shquar shkuan edhe në gjimnaz dhe në redaksitë e revistave “Hylli i dritës” dhe “Leka”. Gjatë qëndrimit të Asdrenit dhe të Lasgushit në Shkodër, që zgjati pesë ditë, u bë edhe fotografia që shohim, ku ata qëndrojnë bashkë me mikpritësit, Fishtën dhe Koliqin.
Fishta dhe Koliqi ishin nga Shqipëria e Veriut dhe shkruanin në dilaketin gegë, ndërsa Asdreni dhe Poradeci ishin nga Jugu i vendit dhe praktikonin dialektin toskë. Periudha kur është fotografuar “Katërshja e madhe” e letërsisë, karakterizohej edhe nga përçapje, për të kthyer dallimin ndërmjet traditës letrare e kulturore të veriut me atë të jugut në një mur ndarës artificial. Ky “mur” u kishte shërbyer pushtuesve të huaj për të ndenjur sa më gjatë këmbëkryq në Shqipëri. Kjo gjë ka filluar që në kohën e romakëve me devizën e tyre legjendare “përça e sundo”, devizë e përdorur me sukses edhe nga diktatorët.
Shqiptarët e ndritur vazhdimisht kishin luftuar kundër kësaj përçarjeje. Kulmin e saj kjo luftë e kishte arritur me Rilindësit, që u kishin kënduar me dashuri e frymëzim të gjitha krahinave të vendit. Fotografia që po shqyrtojmë nuk ka vetëm vlerat e një fotoje kujtimi. Ajo ka një kumt që e kanë pasur në krye të shqetësimeve të tyre elitarët e kombit dhe që ishte i domosdoshëm për shqiptarët. Ky mesazh ishte jetik dhe i thjeshtë: duhej bashkim dhe njëmendësi e të gjithë shqiptarëve, për të përballuar më lehtë luftën për mbijetesën e tyre si komb. Një fakt i thjeshtë nga historia e Shqipërisë: mungesa e një kryeqyteti të përhershëm deri në vitin 1920 tregon pasojat e përçarjes që të huajtë kishin mbjellë me kujdes në vendin tonë. Kryeqyteti do t’u shërbente shqiptarëve si vendi nga ku do të shpërndahej në gjithë Shqipërinë fryma e atdhedashurisë dhe e nacionalizmit.
Katër të mëdhenjtë e letërsisë qëndrojnë para aparatit të Marubit të vetëdijshëm se ajo fotografi do të kishte vlera simbolike, dokumentare dhe shoqërore. Ata e dinin se nuk kishin të përbashkët vetëm talentin e të shkruarit, por, mbi të gjitha, shpirtin shqiptar, dashurinë për vendin, pavarësisht nga krahinat e ndryshme nga kishin prejardhjet. Ata u aktivizuan në shkallë e në mënyra të ndryshme edhe si veprimtarë shoqërorë dhe politikë dhe kanë pasur një vizion të qartë për domosdoshmërinë e integrimit dhe njëjësimin shpirtëror e kulturor të të gjithë botës shqiptare.
Kështu Fishta me 1908 zgjidhet kryetar i Komisionit të Kongresit të Manastirit për hartimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Ky alfabet pati një rëndësi të madhe për letërsinë, arsimin e kulturën e vendit, por edhe për çështjen kombëtare shqiptare në përgjithësi. Asdreni më 1907 botoi poezinë “Betimi mbi flamur” që u bë më vonë teksti i Himnit Kombëtar, dhe po ashtu shkruan poezinë “Zëri i kryengritësve” i frymëzuar nga Kryengritja e Shqipërisë së Veriut më 1911 që, duke ua lexuar shqiptarëve të Kolonisë së Bukureshtit, mblodhi mjete financiare për nevojat e kryengritësve, të cilat iu dorëzuan Luigj Gurakuqit. Poeti lirik më i spikatur shqiptar, Lasgush Poradeci shkruan për pavarësinë: “Bjenë telat venë e vinë,/ Po na tundin Shqipërinë,/ Toskërinë, gegërinë/ në çdo vend, në çdo krahinë/ që në Shkodër në Janinë./ Që në Vlorë e në Prishtinë/ O po po ç’fitoi lirinë” . Ai pati një letërkëmbim të pasur me Asdrenin dhe e përshkroi atë: “Burr i artë e i veçuar/shqipëtar me shpirt të qëruar/vjershëtor i vjershëruar” . Shohim në foto edhe Koliqin, shkrimtar e publicist me veprimtari të shumanshme. Më 1924 boton poemën “Kushtrimi i Skënderbeut” e më 1937 mbron laurën me temën “Epika popullore shqiptare”. Koliqi si ministër arsimi në periudhën 1941-1942, dërgoi në Kosovë rreth 200 mësuese dhe mësues nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, ku u hapën shumë shkolla, duke arritur tek e mesmja e parë e plotë në gjuhën shqipe më 12.12.1941, për të arritur disa dhjetëvjeçarë më vonë në ngritjen e Universitetit të Prishtinës. Në vitin 1957, në mërgim në Itali, themeloi revistën “Shejzat” që për 18 vjet u bë një përmendore e vyer e letërsisë dhe i kulturës shqiptare. Fotografia pasqyron jo vetëm dy çifte kulturore të veriut dhe të jugut, por edhe një afrim tjetër, atë të brezave, të rinjtë (Koliqi dhe Poradeci) më këmbë dhe të vjetrit (Fishta dhe Asdreni) ulur. Mbase vendosja diagonale e personave sipas krahinave ka qenë e vetvetishme nga pjesëmarrësit, por gjithsesi kjo shpërndarje merr kuptim simbolik që bëhet i plotë edhe nga duart e më të rinjve mbi supet e më të vjetërve, që përveç afërsisë fizike dhe shpirtëtore, flet edhe për vazhdimësi. Vështrimet e tre prej tyre i drejtohen objektivit të aparatit, ku gërshetohen ëmbëlsia e syve të mënçur të Fishtës, qetësia stoike e Asdrenit dhe shikimi këmbëngulës i Lasgushit. Sytë e Koliqit japin një vështrim të butë dhe ëndërrimtar.
Gegë Marubi, ashtu si i ati i tij, Keli, e studionte shumë mirë gjithçka do të fiksonte në xham a celuloid. Të bien në sy raportet tonale të dy figurave të planit të dytë me sfondet përkatëse. Këto raporte thuajse janë të barabarta. I gjetur shumë mirë është sidomos sfondi pas Poradecit, që ekuilibron të zezën e plotë të kostumit të tij. Fotoja do të shqetësohej disi në se sfondi do të ishte me një tonalitet më afër së bardhës.
Drita në fotografi nuk është e drejtpërdrejtë dhe drejtvizore, por e shpërndarë, duke mos krijuar hije të forta. Fotografi, përveç dritës natyrore që hyn nga e djathta e figurave, mund të ketë përdorur edhe dritë artificiale që të arrinte mënjanimin e hijeve të forta. Në aspektin teknik, Gegë Merubi është në kuota optimale, duke na dhënë një fotografi shumë të pastër. Fotografia e shkrimtarëve të mëdhenj u ekspozua atëherë në vitrinat e Studio Marubit me titullin “Dy breza letrarë”.
Një fotografi tjetër e “katër të mëdhenjve të letërsisë”, në të njëjtin mjedis dhe kohë (pak sekonda para ose pas kësaj që diskutojmë) është botuar për herë të parë në revistën “Përpjekja shqiptare” të Branko Merxhanit në numrin 14-15 të vitit 1938. Ajo atëherë ishte shoqëruar me titullin “Dy breza letrarësh” dhe nuk ka as vlerat artistike e as ato kuptimore të fotos që diskutojmë, të botuar në albumet e fundit të Marubëve.
“Katër shkrimtarët e mëdhenj” mbetet nga fotografitë më të arrira të Gegë Marubit me temë atdhetare dhe kulturore.

- E. Koliqi - Vepra 1 - Prishtinë, 1996 - Revista “Cirka” Shkodër Nr. 39, 1938
- L. Radi - Shqipëria në vitet ’30, 1995 - Gazeta “Jeta e Re” - Vlorë, 1938 (21.2)
- Përpjekja shqiptare - Nr. 14-15 viti 1938 - Bota shqiptare - Tiranë, 1943
- L. Poradeci - Vepra letrare - 1990 - Rexhep Krasniqi - Shejzat - viti 1975, Nr. 1-10
- Asdreni: Poezi të zgjedhura, 2000 - Fishta: Vepra letrare, 1,2. 2001.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora