Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Frank Shkreli: Porosia e fundit e Senatorit Robert Dole

| E premte, 17.12.2021, 08:51 PM |


POROSIA E FUNDIT E SENATORIT ROBERT DOLE:

KOMPROMISI SI PARIM POLITIK

Nga Frank Shkreli

Ish-Senatori republikan, Hero i Luftës së Dytë Botërore, ish-Kongresist, ish-Senator, ish-Kryetar i Partisë Republikane, ish-kandidat për president i kësaj partie dhe ish-udhëheqës i Senatit Amerikan – por mbi të gjitha, njëri prej miqëve më të mëdhej i shqiptarëve në Amerikë, ish-Senatori Bob Dole ndërroi jetë javën që kaloi në moshën 98-vjeçare. Frank Shkreli: Pushofsh në paqe Bob Dole, miku ynë i shtrenjtë përjetësisht në kujtesën tonë! | Gazeta Telegraf.  Ai njihej për dekada si kampion i vërtetë i demokracisë dhe i të drejtave të njeriut për popujt e shtypur, përfshir shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët në përgjithësi, por jo vetëm.  I ndjeri Senator Robert (Bob) Dole njihej, përveç tjerash, edhe si një politikan praktikues dhe promovues i artit të kompromisit parimor në diskursin politik, këtu në Shtetet e Bashkuara.

Në artikullin e fundit botuar në gazetën, USA Today, i cilësuar tani si “mesazhi i fundit publik” para se të ndërronte jetë me 5 Dhjetor, 2021, ish-Senatori Dole thekson rëndësinë e atij që ai e ka quajtur si “kompromis parimor”, Sen. Bob Dole's final column: 'Too many of us have sacrificed too much' (outline.com), në diskursin politik në Washington, por edhe më gjërë.

Në diskursin politik, këtu në Shtetet e Bashkuara, kompromisi politik është praktikuar dhe respektuar si parim, duke filluar nga baballarët e këtij kombi që në fillim të themelimit të Amerikës -- që nga Xhejms Madisoni e deri tek Presidenti Ronald Reagan.  Gjatë periudhave të ndryshme të historisë amerikane, mund të gjënden shumë raste, kur në politikë është përdorur parimi i kompromisit për të arritur fitore ndërtuese me rëndësi historike dhe jo si një shenjë dobësie ose dorëzimi para një kundërshtari politik.  Por, me largimin nga skena politike, të personaliteteve të njohura të politikës amerikane, si senatorët Robert Dole dhe Xhon Mëkejn, kompromisi parimor në politikë, përdoret pak ose aspak, midis dy partive kryesore në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, madje përdoret shumë pak edhe brenda partive, sikur “ka dalur mode”. I vetdijshëm për këtë realitet politik këtu në Amerikë dhe në botë,  para se të kalonte në atë jetë, Senatori Dole la pas, porosinë e fundit për politikën amerikane në  një artikull të botuar në gazetën kombëtare USA Today duke bërë thirrje që të mos hiqet dorë nga kompromisi parimor në debatet politike, sidomos në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.

“Bashkpunimi është sot më i nevojshëm se kurrë në Washington”, ka shkruar Dole, disa ditë para se të ndërronte jetë. “Gjatë viteve që kam shërbyer në Kongresin amerikan në Washington, republikanët dhe demokratët ishin kundërshtarë politikë, por ishin gjithashtu edhe miq e kolegë, me njëri tjetrin.  Mësova heret” -- në karrierën time politike, vazhdon Senatori i ndjerë -- “se ishte pothuaj e pamundur të arrije gjë ose të realizoja ndonjë fitore politike, nëse nuk bëja kompromis – jo kompromis me parimet e mia, por ishte e nevojshme të bëja kompromis me gatishmërinë time, për të parë anën tjetër të argumentit, argumentit të kundërshtarit. Ata që sugjerojnë se kompromisi është një shënjë dobësie, keqkuptojnë krejtësisht forcën themelore të demokracisë tonë”, ka shkruar Senatori Robert Dole në artikullin e fundit, botuar në gazetën USA Today, pak ditë para se të ndërronte jetë, javën që kaloi.

“Të mbështesim meritat dhe vlerat e demokracisë amerikane, duke provuar se nuk është e nevojshme që të jemi dakort për çdo gjë, për të arritur marrëveshje për disa gjëra”, ka porositur Dole, duke shtuar se, “Historia jonë është plot me debate politike dhe përçarje të thella, por, kolektivisht, ne ndajmë objektivin e përbashkët, për një Amerikë më të mirë” për të gjithë dhe pa dallim, ka nënvijuar ai në kryeartikullin e fundit të jetës së tij. “Ne nuk duhet të lejojmë që ndryshimet politike të pengojnë realizimin dhe sigurimin e të mirës së përbashkët” si objektiv arritjeje, ka theksuar Robert Dole në artikullin për gazëtën USA Today, sikur t’a dinte se ishte amaneti i fundit lënë bashkombasëve të tij.

Dy burra të mëdhej të Amerikës -- nga dy parti me parime dhe politika të ndryshme – me kompromis midis tyre dhe me të tjerët -- siguruan mbështetjen e Washingtonit zyrtar dhe të aleatëve përendimdorë, që tragjedia e Bosnjës të mos përsëritej në Kosovë, duke autorizuar më në fund bombardimin e Serbisë nga NATO, (1999) për shpëtimin e shqiptarëve të Kosovës nga forcat policoro-ushtarake terrroriste serbe.(Foto- Presidential debate, 1966)

Sot, më shumë se kurrë më parë, jo vetëm Amerika por e mbarë bota e sidomos, shqiptarët, kanë nevojë për burra, por edhe për gra, si Bob Dole -- burra të njohur për nder, heroizëm dhe karakter, por edhe të gatëshëm për kompromis në politikë, si një parim i rëndësishëm politik.   Presidenti Joe Biden, i cili ka shërbyer në Senat me Senatorin Dole për 25 vjetë, e cilësoi ish-Senatorin Diole, një patriot të madh, si “në fushtë të betejës ashtu dhe në sallën e Kongresit amerikan.  Bob Dole, tha Presidenti Biden, jetoi tërë jetën e tij, bazuar në një kod nderi. Senatori Dole, shtoi ai, ishte “burrë i fjalës, i cili donte atdheun e tij e të cilit i shërbeu me përkushtim të plotë, terë jetën e tij.”  Z. Biden e cilësoi Senatorin Dole, si një “gjigant të historisë tonë”.

Gjatë gjithë jetës së tij, Senatori Bob Dole ndërtonte ura komunikimi e kompromisi në politikë dhe për të mirën e Amerikës, të cilën e donte aq shumë dhe për të cilën sakrifikoi edhe më shumë, ndërkohë që si individ dhe si politikan shembte muret që ndanin dhe përçanin politikanët amerikanë nga njëri tjetri.  Për Senatorin Ribert Dole, fjala kompromis nuk ishte një fjalë e ndyrë në diskursin politik amerikan, por është diçka që përveç gatishmërisë për të bërë kompromis nevojit edhe cilësitë e Senatorit Dole, si: sinqeriteti, besueshmëria nderi, burrëria dhe karakteri.  Por, që kompromisi të përfundojë në marrëveshje ose sukses, duhet që interlokutorët kundërshtarë, të kenë cilësitë dhe vlerat që posedonte i ndjeri Robert Dole – cilësi dhe vlera që, fatkeqsisht, vështirë të gjënden më, kudo qoftë. Prandaj, bota është në gjëndjen që është sot.

Falënderojmë të Madhin Zot për nderin dhe privilegjin që në jetën tonë kemi njohur miq të shqiptarëve, burra të fjalës të këtij vendi të madh e të bekuar – Amerikës tonë të dashur. Shqiptarët do të thonin burra të besës, të nderit e burrërisë, por edhe trima e guximtar si Senatori Bob Dole, që na ka dhënë mundësinë, privilegjin dhe nderin ta njihnim. Uroj që mikut tonë të dashur e të nderuar, mos t’i ketë shkuar mundi bosh për të shpëtuar shqiptarët në ditët më të vështira të tyre! Si përfundim i punës dhe kontributit të Senatorit Dole dhe rolit të  politikanëve të tjerë të dalluar amerikanë në mbrojtjen e shqiptarëve nga të huajt, pyetja më e rëndësishme sot është se kush do i shpëtojë shqiptarët nga vet-vetja. Pushofsh në paqën e merituar miku i ynë Bob Dole, promovues i frymës së parimit të artit të kompromisit në politikë, si një mjet për arritje të mëdha. Përgjithmonë në kujtesën tonë!

Frank Shkreli

Sipas patriotit dhe aktivistit të dalluar të çështjes shqiptare në përgjithësi dhe të Kosovës në veçanti, shqiptaro-amerikani, Z. Jim Xhema (i pari majtas), Senatori Dole kundërshtonte fuqimisht ndarjen e Kosovës  LETTER OF APPRECIATION FOR SENATOR BOB DOLE – Dielli | The Sun (gazetadielli.com), duke ndryshuar kufijt dhe duke çkëmbyer territore me Serbinë.

Presidenti demokrat, Joe Biden e cilësoi Senatorin republikan Bob Dole, një “gjigant të historisë tonë”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Z. Joe Biden me bashkshorten Jill Biden para arkivolit të ish-Udhëheqsit të shumicës republikane në Senatin Amerikan, ish-Senatorit të shtetit Kansas dhe mikut të madh të shqiptarëve, Robert DOLE –

PAS ÇIFTIT PRESIDENCIAL BIDEN, DALLOHET AKTIVISTI I ÇËSHTJES SHQIPTARE NË AMERIKË PREJ DEKADASH -- SIDOMOS TË ÇESHTJES SË KOSOVËS -- SHQIPTARO-AMERIKANI I MADH, (KRENAR TA QUAJ MIK E DASHAMIR), Z. JIM XHEMA, MIKU I NGUSHT I SENATORIT ROBERT DOLE DHE I FAMILJES SË TIJ –PËRFAQSUES I DENJË I KOMUNITETIT SHQITARO-AMERIKAN PËR T’I DHENË LAMTUMIRËN E FUNDIT SENATORIT DOLE, NË EMËR TË GJITHË SHQIPTARËVE KUDO QË JANË

Foto pas debatit me rastin e zgjedhjeve për president të Shteteve të Bashkuara midis kandidatit të Partisë Republikane, Z. Robert Dole dhe kandidatit të Partisë Demokrate, Z. Bill Clinton, 1966 – garë që e fitoi Bill Clinton.  Megjithë ndryshimet e tyre parimore politike mbi shumë çeshtje, ata mbetën miqë të përjetëshëm -- një miqësi kjo -- midis dy personaliteteve të mëdha të politikës amerikane të shekullit të kaluar – nga e cila përfitojë shumë, jo vetëm politika amerikane, por edhe fati i shqiptarëve mori një drejtim tjetër historik, duke ndryshuar, për më mirë, epokën e shqiptarëve! Kosova, shtet i lirë dhe i pavrur, si përfundim i gatishmërisë së dy politikanëve amerikanë, me pikëpamje të forta dhe shpesh të kundërta, për të bërë kompromis mbi çështje me rëndësi të paqës dhe sigurisë në botë!

Ish-Presidenti republikan, Z. Ronald Reagan me ish-Kryetarin e Dhomës së Përfaqsuesve, demokratin Z. Tip O’Neill – praktikuesë të artit të kompromisit në politikën amerikane për të mirën e përbashkët të atdheut – siç duket në një moment marrëveshje kompromisi midis tyre.  Ish-Presidenti Ronald Reagan dhe Kryetari i Dhomës së Përfaqsuesve të Kongresit, Z. Tip O’Neill – dy amerikano-irlandezë, njëri siç cilësohej si, “ekstremist i djathtë” dhe tjetri “ekstremist i majtë”, sidomos sa u përkiste çeshtjeve të brendshme të Amerikës, njihen si dy politikanë amerikanë – që bënin kompromis për të arritur ndonjë sukses për vendin.  Megjithë pikëpamjet e tyre politike, shpesh krejtësisht të kundërta me njëri tjetrin, ata njiheshin si, “miqë pas orës 6 në mbrëmje”, kur takoheshin për ndonjë gotë “scotch”.