Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nikollë Lesi: Si i njoha Nanon dhe Berishën (Nano VII)

| E marte, 09.12.2008, 01:34 PM |


Nikollë Lesi

Si i njoha Nanon dhe Berishën

 

Kapitulli i parë - Fatos Nano


“Bomba” tek “Koha Jonë” dhe “atentati” ndaj meje

Me 7 Nentor një ditë para se të votohej në parlament shkova për drekë në fshatin tim të lindjes, Spiten në Lezhë. Është një fshat i bukur, porse me plot halle ekonomike. Vetë në timon dhe shoferi që njëkohësisht është bodigardi im që prej vitit 1992 Myslim Murati në makinën e shoqërimit. Myslimi shkoi tek shtëpia e vjehrrit të tij , ndërsa unë tek babai im. U shtrua dreka . Qeshja sa për tu dhënë zemër babait dhe nenës time që janë 74 vjeç. Ata nuk besonin tek e qeshura ime, ashtu siç nuk e besoja as vetë të qeshurën time e cila vinte në funksion të prindërëve për ti qetësuar. Filloi dreka dhe nuk kishte vonuar diçka me pak se 40 minuta, kur më bie një telefon. Ishte Albert Dervishi, drejtori i Policisë së Tiranës. E njihja. Ishte polic korrekt.

-Zoti Lesi ku jeni ?- pyeti vrullshëm ai . U nxeha. Ç’donte ai se ku isha unë ! Edhe këtu më përgjonin, mendova në çast.

-Jam për drekë në fshat ! Po pi raki të mirë !- iu përgjigja jo pa shpoti, ndonëse e dija që ishte korrekt, porse mendova se e kishin futur për të ditur se ç’levizje po bëja apo cilin takoja .

-Si quhet fshati, çfarë komune ? -insistoi prapë Dervishi.

-Spiten, komuna e Zejmenit, por përse i do ore. A doni një raki ?- ia ktheva me shpoti atij. Vellai më pyeti se ç’donte. Babai më shikoi sikur do të vinin të më arrestonin në çast. U krijua një situatë e turbullt. U prish humori. Ia kisha mbyllur telefonin drejtorit të Policisë së Tiranës, pasi e quajta si bezdi që po më çanin kokën një ditë para seancës parlamentare. Duan të ma prishin edhe sot ditën- thashë me vete dhe ngrita në dolli me babain. U ngroh tavolina dhe filluam një dolli . Nuk e kisha mbaruar gotën e rakisë , kur prapë celulari i Albert Dervishit. U nxeva. E hapa dhe doja ta shaja . Por zëri mu mek .

Zoti Lesi ! Të lutem mos levizni prej aty pa ardhur policia. Është në rrezik jeta jote.

-Ore si është puna ? – e pyeta. Babai ishte në tension se ç’po ndodhte.

-Më kanë dërguar një mesazh në numrin tim- foli edhe ai duke iu dridhur zëri. Dervishi ishte nga oficerët e lartë që kishte punuar që në kohën e PD-së në detyra të rëndësishme, duke manifestuar profesionalizëm. Dhe ndërkohë më lexoi tekstin e mesazhit. U trondita. Ishte vënë bombë tek “Koha Jonë”. E pyeta për në shtëpi dhe më tha që nuk ka asgjë për tu shqetsuar atje. Jam ngritur me vrik në këmbë. U vesha shpejt e shpejt. Nga nxitimi harrova edhe kepucët pa i lidhur. Hypa në fuoristradën e re dhe jam nisur si i çmendur. Dola me shpejtësi llahtar nga rruga e fshatit në rrugën e vjetër nacionale. Me një dorë timonin e në dorën tjetër mora familjen. Ndërkohë ecja me një shpejtësi mbi 120 km në orë. Makinat e policisë me rrethuan para e pas . Sirena pafund. I bija telefonit të shtëpisë. Nuk përgjigjej pasi siç mora vesh më vonë kishin hapur internetin. Telefonova time shoqe. Nuk përgjigjej. Mbarova nga frika se mos me kishte ndodhur gjë në familje. .Ngado më shkonte mendja. Ecja tashmë me 140 km në orë. Dy makina policie i lashë pas , pasi nuk kishin takat të kapnin ritmin tim. Ecja dhe kur kisha kaluar Laçin dhe më del në telefon kunati Bardhyl Ucaj që është administrator i “Koha Jonë”. E pyes se ç’po ndodh dhe i shqetsuar më përgjigjet se na ka nxjerrë policia jashtë, pasi kanë vendosur bombë. I telefonova kryeredaktorit dhe më tha të njëjtën gjë. Zemra sa nuk po më pëlciste. Ç’kanë kurdisur ?!- pyesja veten. Ndërkohë që ecja me shpejtësi sketerrë më binin telefonat e televizioneve. Në Tiranë ishte bërë nami tek gazeta “Koha Jonë”. Kishte vershuar policia e qen antiminë dhe skuadra civilësh nga policia. Televizionet filmonin dhe jepnin lajm të parë. Një radio më kërkoi prononcim direkt në telefon, por iu përgjigja se jam në timon me shpejtësi. Kur insistoi prapë ia mbylla me një të sharë të madhe. Telefonoja familjes, por asnjeri nuk më përgjigjej. U çmenda nga meraku për famlijen. Telefonova prapë drejtorin e Policisë së Tiranës për ta pyetur se a ka ndodhur shpërthim bombe në shtëpinë time. Jo më thoshte, por më dukej sikur rrëshqiste nga frika. Sytë nuk më shikonin më nga tmerri që po hamendësoja kur më thanë bombë në gazetë, por nuk më konfirmonin për familjen asgjë. Imagjinoni një njeri që ecën me shpejtësi diku të 160 km orë në Shqipëri. Por fatmirësisht udha ishte hapur nga sirenat e policisë. Siç duket Nano kishte marrë vesh lajmin , nëse nuk ishte vetë bashkëautori, dhe i kishte hyrë frika se mos e vrisnin deputetin Lesi. E kishte provuar njëherë ikjen në Maqedoni pas vrasjes së Azem Hajdarit. Mora prapë shtëpinë. Natalia ishte e shqetsuar për mua, pasi kishte parë lajmet në Neës 24. U qetësova që në shtëpi janë mirë. Prapë telefonat. Prapë pyetje “Zoti Lesi a mendoni se kanë hyrë sherbimi sekret për të gjetur kasetën që ke deklaruar se do ta nxjerrësh në parlament nesër ?“. Pyeta prapë kryeredaktorin nëse ka shpërthyer gjë në redaksi. Ai thoshte që vetëm kanë hyrë dhjetra forca policie e të SHIK-ut duke na nxjerrë jashtë me forcë. Hyra në Kamëz. Ndërkohë rruga ishte hapur vetëm për autokolonën tonë. Sirena pafund policie me shoqëronin. Ndofta gaboj, por ishin të paktën katër makina policie dhe dy motora të policisë rrugore që më shoqëronin anash. Një skuadrilje policësh me maska në një veturë kishin nxjerrë automatikët në dritare. Një parandjenjë e keqe me lindi. Çfarë kanë kurdisur ? Tashmë ishte kjo pyetje që më shoqëronte, ndërkohë që asgjë nuk kishte shpërthyer në gazetën “Koha Jonë”. Por prapë e tërhiqja këtë mendim pasi kishte edhe disa minuta, sipas mesazhit që më tha Albert Dervishi për të shpërthyer bomba. Ku nuk më shkonte mendja. Rojet e ndërtesës që janë të dubluar kishin porosi të prerë për kontroll të imët të çdo punonjësi apo personi që hynte në mjediset e gazetës “Koha Jonë”. Telefonat papushim më shoqëronin gjatë udhëtimit. Edhe i Albert Dervishit. Arrita më në fund tek redaksia. Zbrita tek rruga kryesore, pasi ishte rrethuar nga policia . Media më bëri pyetje nisur nga variante të ndryshme. Televizionet ishin në transmetim direkt. Takova oficerë të lartë të policisë . Disa i njihja si fytyra, por nga nuk më kujtoheshin emrat, përveç Albert Dervishit. Pas pasi kishte kaluar ora e shpërthimit të bombës, sipas mesazhit, me shoqëruan policë e specialistë antiterror për tek kati i pestë ishte zyra ime. Katet e tjera ata i kishin kontrolluar. Zyra ime ishte me dy dyer të blinduara që të futeshe brenda. Ngjita shkallët dhe u ktheva për të dalë jashtë, pasi ku nuk më shkonte mendja. Nëse e kishin vendosur vertet bombën apo tritolin mund të shpërthente. Por Albert Dervishi dhe disa civilë ishin të bindur se nuk kishte gjë për të shpërthyer. Nejse. U ngjita, por me një kujdes. Hapa derën e parë të zyrës. Kontrolluan. Me thanë që të hapja derën e dytë të blinduar. E hapa me një frikë reale. Nuk po them tani se isha trim. Nuk ka trimëri me bomba apo tritol, aq e tepër kur ta thonë se mund të jetë gati për të shpërthyer. E hapa dhe të dytën dhe ika prapë tek shkallët. Albert Dervishi ecte nëpër koridor dhe me dikë fliste. Një civil, një djalë i gjatë, nuk më pa mua që isha kthyer prapë në koridor dhe po fliste në telefon:

-Po kryejmë veprimet formale . E kupton besoj?!- fliste shpenguar ai. Nxitova të flas me Albert Dervishin. Fillova edhe unë të kthjellohesha. Lojë e shërbimit sekret për futur përgjues apo për të gjetur ndonjë material që kisha deklaruar se do ta nxirrja në parlament me 8 nentor. Por prapë nuk hyra në zyrën time pa e kontrolluar ata me qenë dhe specialistë. Kushedi ç’ndodh ! Kur pashë se asgjë nuk shpërtheu u futa në zyrë. Më kërkuan çelësinë e kasafortës. U dhashë. E hapën. Nuk kishte asgjë. Veçse letra. Kontrollova se mos kishin futur dorë tek dokumentat që do të publikoja në parlament. Jo. Ishin të gjitha. Të paktën kështu konstatova në shikimin e parë. Albert Dervishi kishte hallin e madh se mos unë akuzoja policinë se më kishin përlarë dokumenta apo gjësendi tjetër. Media transmetonte direkt dhe priste tek hyrja e “Koha Jonë”. Ndërkohë disa miqë gazetarë të njohur dhe politikanë me morën në telefon duke më shtuar dyshimet se ishte një lojë e sherbimit sekret shqiptar, por jo e zotit Albert Dervishi. Mendja po më punonte tashmë si sahat, duke dyshuar gjithëkund. Ku duhet të dilnin me këtë “bombë” që vendosën. Presion ? Kontroll për dokumenta ? Vendosje përgjuesish? Pra lojë e kujt ?

A mund të firmosesh se gjithçka e ke në rregull në zyrë? – më tha Dervishi dhe një civil, qe mu duk i Sherbimit Sekret e që më vonë e kam parë duke pirë kafe me Irakli Koçollarin, keshilltarin e Nanos për shërbimet sekrete.

-Patjetër !- u përgjigja dhe firmosa. Sapo firmosa ata u lehtësuan aq sa harruan për të vazhduar hetimet e tjera. Dola në konferencë shtypi dhe deklarova se dyshoj, por akoma nuk kam fakte. Një mik nga opozita në telefon me tha që të deklaroja se “ mi kanë vjedhur të gjitha dokumentat dhe kasetat që kisha për seancën parlamentare”. “Nuk e bëj këtë gjë !-i thashë prerë. Shkova në shtëpi dhe fjeta i dërmuar atë natë para seancës që ishte të nesërmen në parlament. Shikoja endërr me bomba, me Xhoanën, Fatosin dhe policë të burgut. U ngrita herët. Ishte dita e duelit të Madh.

8 Nentor 2004

Pasdite në ora 17.00 fillonte parlamenti. Ndërkohë nuk shkova si zakonisht për të pirë kafen e mengjezit tek Grand Hotel. U ngjita në zyrë. Gazetat kishin hapur faqen e parë me mua. Roja e gazetës më shikoi pak si ftohtë. Epo- thashë- edhe ky mendon se do të më arrestojnë. Hapa kompjuterin. E lexova fjalën e përgatitur dhe e printova. Futa në dosje dokumenta, faksimile, kasetë dhe disa letra të tjera. Celulari binte papushim. Tregonin se kryeministri po thërriste një nga një deputetët që mendonte se ishin të dilemë për të votuar. Ai nuk kishte shkuar në punë. Rrinte dhe blinte vota kundër meje. E ndava mendjen. Do ta shpartalloj !- mendova dhe e mbylla kompjuterin. Ishte kohë dreke. Dy djemtë dilnin në ora 15.00 nga shkolla. Ata nuk e kuptonin çeshtjen , porse kur televizionet jepnin lajmet pyesnin Natalinë:” Nano, a do ta arrestojë babin ?”, “ Sot e çon në burg babin , Nano?”, etj. I vogli Juli duke natyrë impulsive thoshte disa fjalë për Nanon që nuk shkruhen, kurse Elvisi, djali i madh vetëm dëgjonte lajmet dhe nuk thoshte asnjë fjalë. Mërzitej, por nuk shprehej me fjalë. Lajmet e drekës lajm të parë dhanë me 8 Nentor problemin e pasditës ku do të votohej për herë të parë në këto 14 vite për ti hequr imunitetin një deputeti të medias, pasi kishte bërë kritika me fakte për familjen kryeministrore. Nuk mund të them se isha i qetë. I tensionuar. Kisha përballë njeriun me të fuqishëm të shtetit, kryeministrin dhe mafien e tij ekonomike. Duel i vështirë. Nuk dihej rezultati. Ndonëse me kishin thënë për votën pro meje, përsëri Nano ishte mjeshtër. Dinte të blinte apo të bënte presion. Ishte ora 16.50. U nisa. Putha dy djemtë, Elvisin dhe Julin. Edhe Natalinë. Pashë pikturën e Lezhës së vjetër që e kam në guzhinë. Në atë pikturë është edhe zyra e parë dhe e vjetër ku fillova të punoja si gazetar në Lezhë. E mbaja për nostalgji atë pikturë. Kur fillova gazetën e parë të pavarur në Shqipëri me 11 maj 1991 “Koha Jonë” ishte gazetë lokale e Lezhës. Botohej një herë në javë. Shpejt ajo u bë e njohur dhe në janar 1994 u bë e përditshme, duke kaluar në vend të parë në tirazh dhe opinionbërje. Kishin kaluar 13 vite e kusur dhe botuesi i saj po përballej me sulm inkuizicioni. E nga kush ? Pikërisht nga ai njeriu për të cilën gazeta “Koha Jonë” u dogj me 2 mars 1997. Tashmë po vinte djegia e dytë në historinë e kësaj gazete të parë të pavarur në Shqipëri. Po kërkonte ta digjte pikërisht politikani që u mbrojt më shumë nga “Koha Jonë” , kur ai ishte në burg. Ishte Fatos Nano këtë rradhë që po vinte shpurën e zjarrit mbi gazetën. U nisa për në parlament. Jashtë binte shi. Ftohtë. Edhe në makinë, ndonëse ishte ndezur kondicioneri në maksimum të nxehtit , ndjeja ftohtë. Akull. Ishte mendja që ishte ngrirë tek vitet 1993-1997. Na kishin rrahur, përndjekur dhe masakruar në ato vite. Por emrin e Fatos Nanos nuk e hoqëm asnjëherë nga faqja e parë, duke e mbrojtur, pasi ishte burgosur padrejtësisht. Makina ecte për në parlament dhe në mendje më dilte fytyra e Rexhina Nanos kur vinte me djalin e saj Sokolin për të sjellë letra apo intervista të Fatosit të burgosur. Afrohesha parlamentit dhe ndërkohë ikja larg ndër vite, kur as Zeri i Popullit, nuk pranonte ti botonte letrat kryetarit të burgosur të PS. “Koha Jonë” hapej me Nano dhe mbyllej me emrin Fatos. Arrita tek hyrja e parlamentit. Binte shi dhe një erë e ftohtë të rrudhte fytyrën. Ishin në transmetim të drejtëpërdrejt TVSH, Klan dhe Top Channel. Gazetarët u turrën me çadra dhe pa çadra në rrebesh shiu. Nuk e ndjeja që shiu më kishte mbuluar fytyrën. Hyra në sallën e parlamentit. U ula tek vendi im të cilin kisha 7 vite . Gjithë qeveria ishte në sallë, përjashtuar kryeministrin. Ishin të gjithë deputetët. Mungonin nga opozita vetëm Arben Imami dhe Maks Begeja. Edhe pak minuta fillonte seanca që më vonë do të quhej “seanca e turpit të Nanos”. Nuk pipëtinte asnjeri në sallë. Serveti e hapi seancën . Doli Lekë Cukaj që ishte në rolin e kryetarit të Komisionit parlamentar për imunitetin. Transmetimi direkt i televizioneve vazhdonte. Me erdhi rradha të flas. Çuditërisht me erdhi një frymëzim që edhe sot e kësaj dite nuk e kam kuptuar se nga më erdhi. E zotërova sallën. E ndava mendjen. Sulm total dhe shkatërrim të ish-mikut që tashmë donte kokën time në sininë e argjentë të gruas së dytë, e cila vinte nga emigracioni i Athinës. Nga rruga ajo ishte katapultuar në majën e Shtetit. E shikonte Shtetin si rrugët e Athinës. Fillova të flas…