E premte, 19.04.2024, 09:49 PM (GMT+1)

Mendime

Viktor Mërkuri: Suksesi i autokratëve në epokën e populistëve

E hene, 13.12.2021, 08:55 PM


SUKSESI I AUTOKRATËVE NË EPOKËN E POPULISTËVE

Nga Viktor Mërkuri

Nëse shekulli i 20-të tregon historin e përparimit të ngadaltë dhe të pabarabartë drejt fitores së demokracisë liberale mbi ideologjitë e tjera si komunizmin, fashizmin, nacionalizmin etj, shekulli i 21 është, deri më tani, një histori e kundërt.

Sot, mënyra më e zakonshme që një demokraci të shembet, nuk është përmes një grusht shteti apo revolucioni por përmes veprimeve të një kryeministri ose presidenti të zgjedhur. Hugo Chavez, i zgjedhur për katër mandate si president i Venezuelës, është akuzuar se përdori kohën e tij në detyrë për të çmontuar institucionet e demokracisë venezueliane dhe për të zgjeruar autoritetin e tij. Presidenti Vladimir Putin ka punuar fort gjatë dy dekadave të fundit për të përqendruar pushtetin në duart e tij, saqë shumë vëzhgues tani i referohen Rusisë si një "diktaturë e zgjedhur". Ndërkohë në Turqi, presidenti Erdogan duket se po ndjek të njëtjën rrugë, të shkelur nga të tjerë para tij.

Ky fenomen, të cilin ekspertët e quajnë “autoritarizim”, nxjerr në pah një cenueshmëri të thellë të ndërtuar në vetë strukturën e demokracisë. Pas ardhjes së tyre në pushtet, udhëheqësit e paskrupull ndonjëherë mund të manipulojnë mjedisin politik për përfitimin e tyre, duke e bërë më të mundshëm që ata të jenë fitimtarë në garat e ardhshme. Duke fituar zgjedhje, ata fitojnë vulën e legjitimitetit demokratik, madje edhe për veprimet që në fund të fundit minojnë normat demokratike.

Ardhja në fuqi e lëvizjeve politike jo-liberale në vende perëndimorë dhe dhe ato në zhvillim janë përqendruar në rolet përkatëse të ankesave ekonomike dhe "përplasjes kulturore". Megjithatë, shumë udhëheqës “populistë autoritarë” jashtë Perëndimit, nga Rodrigo Duterte në Filipine te Vladimir Putin në Rusi e deri tek Narendra Modi në Indi, e marrin legjitimitetin e tyre jo nga premtimet ekonomike dhe as vetëm nga konservatorizmi social, por kryesisht nga një angazhim i tretë: rivendosjen e rendit publik dhe autoritetit shtetëror. Nëse duam të kuptojmë pse kjo platformë politike ka qenë dhe vazhdon të jetë tërheqëse për votuesit, duhet të shohim mënyrat në të cilat kapaciteti shtetëror është gërryer në shumë demokraci në zhvillim, duke rezultuar në një krizë të thellë besimi demokratik dhe një gatishmëri për të përqafuar alternativat populiste.

Pas pesë viteve të përparimeve populiste në të gjithë Evropën, në Shtetet e Bashkuara, Amerikën Latine, Azinë Jugore dhe Juglindore, ende nuk është gjetur një përgjigje definitive apo ndonjë "teori universale" që mund të shpjegojë pse politikanët joliberalë u bëjnë thirrje votuesve në çdo kohë dhe vend. Megjithatë, në kontekstin e shoqërive perëndimore, të paktën, teoritë e kohëve të fundit që shqyrtojnë rolet përkatëse të "ankesave ekonomike" dhe "kundërveprimit kulturor" kanë ndihmuar për të hedhur pak dritë mbi këtë çështje. Nga njëra anë, studiuesit kanë ekzaminuar se si problemet ekonomiko-financiare të shkaktuara nga globalizimi, duke përfshirë pabarazinë në rritje të të ardhurave, i kanë shtyrë votuesit në rajonet industriale dhe rurale të Perëndimit të mbështesin parti të tilla si Tubimi Kombëtar Francez ose Agimi i Artë në Greqi. Në anën tjetër të këtij debati, studiues të tjerë kanë treguar se si ndarja politike midis zonave të begata metropolitane dhe zonave të brendshme konservatore në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara i ka rrënjët jo vetëm në pabarazitë socio-ekonomike, por edhe në vlerat dhe besimet e ndryshme, pasi grupet e dikurshme dominuese reagojnë kundër politikave progresive shoqërore. Për të kuptuar ardhjen në fuqi të figurave autoritare në demokracitë në zhvillim, është e rëndësishme të njihet divergjenca e trajektoreve të shtetndërtimit dhe trajektoreve të demokratizimit gjatë dekadave të fundit. Në fillim të shekullit të 21, elemente si reforma demokratike dhe ndërtimi i kapaciteteve shtetërore shiheshin përgjithësisht si proçese plotësuese, me politikëbërësit ndërkombëtarë që mbronin zgjedhjet konkurruese shumëpartiake si një zgjidhje për vendet që përballen me probleme që variojnë nga korrupsioni endemik, brishtësinë e shtetit, e deri te boshllëqet në infrastrukturë ose ofrimin e mirëqenies. Megjithatë, realiteti është se zgjedhjet në vetvete nuk mund të garantojnë përparim në rrugën drejt ndërtimit të një burokracie efektive, shtypjes së krimit të organizuar ose sigurimit të ofrimit efikas dhe të barabartë të shkollave, rrugëve dhe spitaleve. Në mbarë botën ka një variacion të madh në shkallën në të cilën demokracitë e reja kanë arritur të ndërtojnë institucione efektive dhe të forcojnë llogaridhënien publike, dhe kjo divergjencë mund të ndihmojë për të shpjeguar se kur dhe ku sfiduesit autoritarë dalin triumfues.

Pasi të marrim parasysh efektet e kapacitetit të pamjaftueshëm të shtetit, ardhja në fuqi e liderëve "të fortë" tek demokracitë në zhvillim bëhet shumë më pak e çuditshme. Figura të tilla si Putini në Rusi, Modi në Indi ose Erdogani në Turqi fitojnë mbështetje duke u zotuar të rikthejnë rendin publik, autoritetin shtetëror dhe krenarinë kombëtare, në kontekstin e sistemeve politike që shfaqin patologji të ndryshme të dështimit të shtetit.

Milan Svolik, profesor i Shkencave Politike në Universitetin Yale shprehet se njerëzit në mbarë botën janë lidhur aq shumë me idenë e demokracisë saqë zgjedhjet janë bërë një kërkesë de fakto për legjitimitetin e qeverisë. Kjo ka ndihmuar në përhapjen e demokracisë në të gjithë globin. Për shkak se zgjedhjet janë kaq të çmuara, çdo rezultat i arritur përmes votës popullore trajtohet si përcjellës i vlefshmërisë morale dhe procedurale. Por atë çfarë votimi heq, votimi mund ta rikthejë. Janë po votimet ato të mund ta bëjnë më të vështirë për autoritarët të konsolidojnë autokracitë e tyre. Sipas svolik, kjo është një forcë por dhe një dobësi e demokracisë. Liderët që përfitojnë nga polarizimi dhe që manipulojnë garat politike në favor të tyre mund të humbasin popullaritetin. Kur kjo të ndodhë, një traditë e zgjedhjeve të rregullta e bën më të lehtë për vendet që të kthehen në drejtimin e demokracisë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora