E shtune, 20.04.2024, 12:53 AM (GMT+1)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Diplomaci e forcës!

E hene, 13.12.2021, 09:30 PM


Blerim Latifi:

Serbia e kërkon Asociacionin, por nuk i ofron asgjë Kosovës në këmbim. Madje nuk lë ditë pa e përmendur se nuk do ta njoh kurrë pavarësinë e Kosovës. Kjo nuk është dialog. As negociatë. Është diplomaci e forcës. Bashkimi Europian, i mbetur në duart e burokratëve të pavlerë të Brukselit, kërkon Asociacionin, por nuk i ofron asgjë Kosovës në këmbim. Madje as liberalizimin e vizave të premtuar qysh moti, edhe përkundër faktit se sot Kosova qëndron më mirë në sundimin e ligjit se të gjitha vendet e rajonit. Pra edhe Bashkimi Europian po vepron njëjtë si Serbia, me gjuhën e diplomacisë që presionin e orienton tek pala e dobët.

Na thonë se keni obligim t'i zbatoni marrëveshjet e nënshkruara. E ju zotërinj burokratë të Brukselit pse nuk po e zbatoni obligimin për liberalizimin e vizave?

Pse këto standarte të dyfishta?

Kuptohet lehtë: standartet e dyfishta bëjnë pjesë në diplomacinë e forcës, në diplomacinë e të mbështeturit për muri. Ky dialog qartazi është shndërruar në një platformë që i shërben Serbisë në rrugën e integrimit europian, derisa Kosovës nuk i garantohet asgjë në këtë drejtim. Në këtë pikëpamje unë jam për rezistencë ndaj presionit që po na bëhet. Sepse vetëm ata që rezistojnë mund të fitojnë diçka. Ata që ulin kokën dhe pranojnë gjithçka që u kërkohet, nuk do të marrin asgjë më shumë se fjalët e bukura, të cilat i merr era e parë që fryen.

_________

Në historinë e tij të gjatë Prizreni ka parë e përjetuar ngjarje nga më të rëndat e më të shëmtuarat. Një të tillë po e përjetonte edhe në mëngjesin e hershëm të 13 dhjetorit të vitit 1924. Qyteti vlonte nga njerëz të armatosur. Ata bartnin shenja dhe uniforma të ndryshme. Serbë, rus dhe shqiptarë ishin bërë bashkë për të sulmuar Shqipërinë dhe rrëzuar qeverinë e Nolit. Shtabi i gjithë asaj ushtrie përbëhej nga dy shqiptarë, Ceno Bej Kryeziu dhe Muharrem Bajraktari, si dhe nga një gjeneral serb dhe një gjeneral rus, i ushtrisë së shkatërruar të Carit. Në Kukës kishte vënë pritë Bajram Curri me malsorët e tij, por fati i betejës dihej qysh në fillim. Askush nuk mund ta ndalte artilerinë e Pashiqit, e cila ishte vënë në dispozicion që shqiptarët të masakronin njëri tjetrin për të marrë pushtetin në një shtet që ende funksiononte vetëm në letër.

Në të njëjtin mëngjes vetë Zogu me trupa të tjera serbe, ruse e shqiptare do të niste sulmin nga drejtimi i Dibrës. Kështu, një nga kronikat më të shëmtuara në historinë e shqiptarëve, atë ditë do të zinte vend në faqet e saj.

Në atë pasdite Noli u nis drejt Durrësit për t'u larguar përgjithmonë nga Shqipëria. Në gjysmë të rrugës i thotë shoferit të tij: Duhet të kthemi edhe njëherë në Tiranë, kam harruar në zyrë dorëshkrimin e përkthimit në Shqip të Rubairave të Omar Khajamit.

Çfarë situate ironike, mbase edhe tragjike! Intelektuali më i madh shqiptar i kohës e kishte humbur betejën politike me banditët dhe krejt çfarë mund të bënte ishte të shpëtonte nga duart e tyre përkthimin në shqip të njërës prej kryeveprave të letërsisë botërore. Ëndrra e tij demokratike kishte marrë fund nën rrebeshin e intrigave shekspiriane, të cilat në Ballkanin e asaj kohe ishin mënyrë e jetesës. Ai i njihte me themel intrigrat e kriminelëve në tragjeditë e Shekspirit, por nuk ishte në gjëndje të luante rolet e tyre, ndërsa armiqtë e tij, që nuk kishin dëgjuar kurrë për Shekspirin, i jetonin ato role në teatrin e politikës shqiptare. Noli ishte shqiptari i parë që kishte shkruar për Makiavelin, por nuk bëhej dot makiavelist. Armiqtë e tij, që se kishin dëgjuar kurrë emrin e Makiavelit, jetonin e vepronin si makiavelistë të pamëshirshëm. Kështu fati politik ishte në anën e tyre.

_________

Leo Freundlich, hebreu që dëshmoi masakrat e kryera mbi shqiptarët nga ushtria serbe gjatë pushtimit të Kosovës në vjeshtën e vitit 1912, thuhet se ka shkruar këtë fjali: "Shqiptarët kanë kujtesë të shkurtër, aq të shkurtër saqë xhelatët e tyre të djeshëm i thërrasin miq, pas një kohe të shkurtër".

Gjithë kjo marrja e bashkëpunimit kriminal me strukturat paralele në veri, gjithë këta tendera të dhënë nga qeveritë e Kosovës për kompanitë mafioze të Radojçiqëve e Veselinoviçëve, a nuk e vërteton krejtësisht mendimin e këtij miku të madh të shqiptarëve, të dhënë në një kohë kur kishim fare pak miq. Gjykojeni vetë!

_________

Ciceroni, filozofi e juristi i famshëm romak, e kishte një bibliotekë private shumë të pasur. Në mesin e atyre që kujdeseshin për bibliotekën ishte edhe një skllav ilir. Një ditë, kur Ciceroni nuk ndodhej në Romë, skllavi ilir vodhi një sasi të madhe librash, i nxori në treg, i shiti shpejtë e shpejtë, futi paratë në xhep, hipi në një anije tregtarësh dhe iku për në Iliri. Kur Ciceroni u kthye dhe mori vesh lajmin, u tërbua krejt. Pa humbur kohë i shkroi letër guvernatorit romak të Ilirisë me kërkesën që t'ia gjente hajdutin e librave. Guvernatori i premtoi se do të përpiqej, por duhej ta kishte parasysh faktin se Iliria ishte e madhe dhe kush dreqin mund t'i binte në fije se ku është futur hajduti. Natyrisht ai nuk u gjet kurrë. E tani thonë se ilirët nuk janë paraardhësit tanë.????

_________

Ditë më parë e pashë një intervistë të Noel Malcolmit, dhënë për një tv të Tiranës.

Kufiri midis Kosovës dhe Shqiprisë është kufi artifical, thotë historiani më i mirë ndërkombëtar i Ballkanit.

Një sondazh i fundit i publikuar sot tregon se mbi 76 përqind e shqiptarëve të Shqipërisë janë për bashkimin me Kosovën.

Kështu ideja e këtij bashkimi, e shtypur për një kohë të gjatë nga shumë faktorë, gradualisht po e rifiton legjitimitetin e saj përballë aleancës së heshtur të feudalëve politikë vendorë me propagandën antibashkim të fqinjëve tanë. Asgjë nuk është më e fortë se një ide të cilës i ka ardhur koha, thotë shkrimtari i madh francez Viktor Hygo. Për kohën e brezit tonë kjo ide është është Kosova e Shqipëria nën një çati të përbashkët.

_________

Vitet '90 nuk ishin vetëm vite të terrorit të madh shtetëror. Ishin edhe vite të territ të madh. Vazhdimisht kishte ndërprerje të rrymës. Qirat dhe gazi për llamba shiteshin me sasi të mëdha. Ishte gëzim i madh kur vinte rryma. Serbët aso kohe kujdeseshin që edhe në natën e vitit të ri ta kalonim pa rrymë.

Edhe pas luftës ndërprerja e rrymës ishte problem i përditshëm. Dhe përsëri ajo ndjenja e gëzimit kur vinte ajo dhe sharjet e hidhërime kur ndërpritej. Kam menduar se këtë gëzim nuk do ta përjetoja më, por ja që sot e pashë se e kisha gabim. Sot pas sa vitesh u detyrova me shku në market për të ble qirinj. Derisa më kujtohej koha e territ të para luftës, e pyeta shitësen me ironi : A keni llamba me gaz? Jo, më tha. U largova duke shpresuar që të mos kenë kurrë. Në kuptimin që të mos i kërkojë tregu.

_________

Ja një çështje për diskutim:

Çfarë ishin kapitalistët e parë?

Kjo pyetje i mundonte filozofët në fillimet e kapitalizmit perëndimor. Linja filozofike nga Adam Smith deri te Maks Veber ishte e prirur t'i mendonte kapitalistët e parë si sipërmarrës paqësorë. Marksi mendonte ndryshe. Për të kapitalistët e parë ishin kryesisht batakçinj, zuzarë dhe kriminelë.

Çfarë mendoni: cili interpretim është më adekuat për ta shpjeguar origjinën e kapitalizmit të ri ballkanik, që lindi pas rënies së komunizmit?

Merreni si pikënisje të analizës listën e fundit të zezë të Amerikës për vendet e Ballkanit.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora