E merkure, 24.04.2024, 09:04 PM (GMT+1)

Mendime

Florim Zeqa: Letër e hapur kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku - Kthene besimin e elektoratit!

E diele, 12.12.2021, 12:09 PM


Letër e hapur kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku

Reformone partinë, kthene besimin e elektoratit!

Ideja e kësaj letre të hapur publike më lindi pas një thënje dykuptimëshe të kryetarit aktual të LDK-së, Lumir Abdixhikut, po e citoj; “Unë nuk e dëmtojë asnjëherë LDK-në, e ruaj si shtëpinë time”! Pa e ditur motivin e kësaj thënje të kryetarit të LDK-së, në mendje më erdhën qindramijëra anëtarë besnik të LDK-së rugoviane, të cilët me dashuri të madhe e ruajtën amanetin e Ibrahim Rugovës, tri shkronjat e arta LDK.

Nëntë muaj të humbura për LDK-në

I nderuari kryetar i LDK-së, Lumir Abdixhiku, momentumi kohor në të cilin ju u zgjodhët kryetar i katërt më radhë i partisë së parë politike shqiptare në hapësirat politike ballkanike, ju obligon të jeni të matur në deklarata publike dhe më konkret në veprime praktike.

E them këtë për faktin se LDK-ja nuk ka më kohë për të humbur me eksperimente politike, kërkon veprime energjike në reformimin dhe konsolidimin e brendshëm strukturor, me organizimin e kuvendeve zgjedhore nëpër të gjitha degët, nëndegët dhe aktivet, pavarësisht rezultateve të fundit të zgjedhjeve lokale.

I nderuari kryetar Abdixhiku, edhe pse kanë kaluar nëntë (9) muaj nga koha e mbajtjes së Kuvendit të jashtëzakonshëm zgjedhor të LDK-së të 14 marsit 2021, në të cilin ju u zgjodhët kryetarë i partisë (me mandat dy vjeçar), nuk ndodhi asnjë iniciativë e juaja për reformim të partisë!

Për të mos u ndalur në mënyrën e ardhjes së pararëndësit tuaj (Isa Mustafa) në krye të LDK-së, edhe ai kishte ardhur me premtimin për reforma në LDK. Mirëpo, jo që nuk i bëri asnjëherë reformat në subjektin që e sundoi për 11 vjet rresht, e katandisi siq është më së keqi. Nga një parti solide dhe prijetare të proceseve politike dhe të zhvillimeve demokratike e ktheu në patericë të partive tjera, përderisa në zgjedhjet e fundit parlamentare e solli LDK-në buzë greminës me vetëm 12 %.

Nuk ka pasur sesi të përfundonte ndryshe, kur nga ardhja në krye të LDK-së e pararëndësit dhe mentorit tuaj politik Isa Mustafa, elektorati i LDK-së nuk e shijojë asnjëherë kënaqësinë e fitores, por vetëm dëshprimin e humbjeve të njëpasnjëshme.

Mirëpo kjo situatë nuk e shqetësonte aspak humbësin serik e të gjitha zgjedhjeve! Pse ta shqetësonte, kur humbjet e partisë i kthente gjithnjë në fitore personale duke iu bashkangjitur në pushtet partive rivale.

Kësisoji Isa Mustafa duke e krijuar një grup të fuqishëm klientelist rreth vetes nga humbës serik të zgjedhjeve, përmes kontrabandimit të besimit (votës) të elektoratit besnik rugovian ktheheshin në pushtetarë të gërditshëm dhe neveritshëm për qytetarët e vendit.

E njëjta situatë ka ndodhur dhe ende po vazhdon të ndodhë edhe në nivelin lokal, ku humbësit serik të zgjedhjeve për interesa personale i vardisen secilës parti që vjen në pushtet në nivelin komunal, duke e lënë në harresë elektoratin e zhgënjyer dhe thyer shpirtësisht.

I nderuari kryetar Abdixhiku, nëntë (9) muaj nga ardhja juaj në krye të LDK-së nuk janë shumë, por edhe nuk ishin pak për të filluar reformimin e LDK-së.

I humbe 9 muaj pa bërë asnjë hap para në drejtim të rimëkëmbjes politike të LDK-së.

Rezultati i zgjedhjeve lokale meritë e kandidatëve

Pas debaklit të pësuar në zgjedhjet parlamentare, rezultatet e zgjedhjeve lokale në dukje të parë janë një infuzion i mirë për imazhin e LDK-së, por nëse i analizojmë me kujdes rezultatet në komunat e mëdha, atëherë ky rezultat nuk është edhe aq impresionant dhe shpresëdhënës për LDK-në siq ju e proklamoni në vazhdimësi!

E vetmja fitore e madhe dhe e pastër si loti është ajo e Gazmend Muhaxherit në Pejë. Fitorja e Prishtinës në balotazh nuk erdhi si produkt i fitores së kandidatit Përparim Rama, por si hakmarrje e partive të tjera ndaj LVV-së, këtë e dëshmon rezultati i raundit të parë të zgjedhjeve në Prishtinë, e cila u përmbysë në balotazh me ndihmën e partive tjera.

Humbja e komunave të mëdha si Mitrovica, Prizreni, Podujeva, Ferizaji, Gjakova dhe Gjilani në asnjë rrethanë nuk kompensohen me fitoren e Prishtinës. Sikur të mos ndodhte humbja e z. Arben Vitia në Prishtinë, përseri LDK do të mbetej në margjinat e fitores në zgjedhjet lokale sa i përket fuqisë elektorale në nivel vendi.

Për këtë arsye, i nderuari kryetar Abdixhiku, rezultati i zgjedhjeve lokale nuk është kriter matës i punës tuaj si kryetarë i LDK-së, por është meritë e sukseseve të kryetarëve komunal të cilët me punën e tyre i kanë bërë për vete qytetarët në komunat e tyre.

Fillo reformat përmes kuvendeve zgjedhore e jo të emërimeve nga lartë

I nderuari kryetar Abdixhiku, nëse e keni me gjithë mendje deklaratën tuaj “Unë nuk e dëmtojë LDK-në, e ruaj si shtëpinë time, atëherë pa humbur kohë duhet të filloni me zgjedhjet e brendshme në LDK nga baza elektorale, nga poshtë-lartë, gjegjësisht me mbajtjen e kuvendeve zgjedhore, të lira dhe transparente në secilën degë, nëndegë dhe aktiv të LDK-së pavarësisht rezultatit zgjedhor.

Pra, zgjedhjet e brendshme janë testi i parë demokratik për ju e jo zgjedhjet komunale! Duhet të dëshmoheni para elektoratit rugovian të LDK-së se jeni duke ndjekur frymë tjetër me atë të Isa Mustafës, ndryshe nuk funksionojnë më maskaradat mashtruese me mbajtjen e kuvendeve zgjedhore të orkestruara nga lartë.

Nuk duhet të ketë më kuvende zgjedhore nëpër degë me nga një kandidat për kryetar sikurse deri më tani, nuk duhet të ketë më ndërhyrje nëpër nëndegë se kush duhet të zgjedhet për kryetar nëndege apo delegat për kuvendin komunal, por duhet t’iu ipet hapësisë të gjithëve që dëshirojnë ta sfidojnë veten me kandidaturat e tyre nga aktivet, nëndegët dhe degët…, i fundit duhet të mbahet Kuvendi qendror i LDK-së në Prishtinë me përbërje krejtësisht të re, e cila pa asnjë llojë ndikimi apo presioni duhet të zgjedhë strukturat e reja drejtuese të partisë në mënyrë transparente, të lirë dhe demokratike, filluar nga Këshilli i Përgjithshëm, kryesia dhe kryetari i ri i partisë.

Vetëm në këtë mënyrë mund ta bindni elektoratin se jeni në rrugë të mbarë të ruajtjes dhe forcimit të LDK-së. Reformimi i partisë dhe kthimi i besimit në elektorat bëhet duke i ofruar rrethë vetës figurat themeltare, aktivistët dhe veprimtarët e devotshëm të LDK-së, duke iu dhënë hapësirë veprimi aktivistëve dhe veprimtarëve që e mbajtën mbi supet e tyre barrën e organizimit të aktiviteteve të LDK-së në këto 3 dekadat e fundit, të cilët edhe në kohët më të vështira i qëndruan besnik amanetit të tri shkronjave të arta LDK. Ndryshe, çdo ikje nga vlerat dhe amaneti i figurave themeltare e dëmton LDK-në dhe ulë kredibilitetin tuaj si kryetar i partisë.

Prandaj, nëse me të vërtetë e doni LDK-në siq e thoni në deklarata publike, atëherë i nderuari kryetar Abdixhiku demonstroje në vepër e jo më fjalë dhe atë jo më largë se në ditët e para të janarit 2022. Për shkak se çdo vonesë në këtë drejtim do të jetë e kushtueshme për LDK-në, për shkak se zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare mund ta zënë të papërgatitur LDK-në e fragmentizuar pas 14 shkurtit 2021.

Hapni rrugë ndryshimeve substanciale në LDK

Lideri i ardhshëm i partisë i dalë nga zgjedhjet e rregullta, të lira dhe demokratike duhet të jetë një figurë unifikuese, i pranueshëm nga të gjithë, simbol nxitës për kthimin e të gjithë të larguarëve nga ky subjekt politik.

I nderuari kryetar Abdixhiku, reflektimi i juaj pozitiv si kryetar partie, i kryesisë dhe Këshillit të Përgjithshëm për reformimin dhe konsolidimin e partisë, gjegjesisht për hapje rrugë të ndryshimeve reale dhe substanciale, do të thotë hapje rrugë atyre që e kanë dijen, vullnetin dhe guximin për ta kthyer besimin e elektoratit në subjektin e traditës demokratike, për ta kthyer LDK-në rugoviane një herë e përgjithmonë kah vlerat e saj themeltare.

Caktimi i një grupi punues nga figura unifikuese, nga veprimtar të devotshëm dhe të dëshmuar të frymës politike rugoviane për përgaditjen e zgjedhjeve të rregullta dhe demokratike brenda partisë, do të krijonte kushtet për një proces të rregullt zgjedhor në LDK, do të hiqte të gjitha dilemat për mundësinë e ndikimit të liderit në caktimin e kandidatëve nëpër forumet e reja të partisë.

Vetëm mundësia e shprehjes së lirë të vullnetit të elektoratit dhe reformimi i thellë nëpër aktive, nëndegë dhe degë do të garantonte kushtet për krijimin e një bazamenti të shëndoshë dhe qëndruseshëm, të pastër dhe prospeures të LDK-së, për të qenë e gatshme të dali në ballafaqim me elektoratin në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të rregullta apo të jashtëzakonshme qofshin ato.

Ka ardhur momenti i fundit që LDK-ja të reformohet dhe freskohet me kuadro të reja, të përgaditura dhe të specializuara, me veprimtar të orëve të para të LDK-së si në Kosovë dhe gjithë andej vendeve evro-perëndimore, të cilët janë të gatshëm në mënyrë vullnetare të  kontribuojnë edhe një herë për të mirën e vendit sikur në vitet e '90-ta, pa asnjë kompensim material, pa asnjë ambicie pushteti apo privilegji shtetëror, për t'ju treguar dezertorëve dhe mercenarëve, mashtruesve dhe matrapazëve, karrieristëve dhe lakmitarëve të pushtetit sesi punohet për shtet dhe atdhe pa llogaritur në poste dhe privilegje personale.

LDK-ja dhe Rugova për shqiptarët janë dy simbole të shenjëta të historisë së re të Kosovës, të papërseritshme, të paharruara dhe të pashlyerara në kujtesën historike të brezave.

LDK-ja rugoviane është vlerë dhe pasuri kombëtare, është vetë historia dhe gurthemeli i shtetit të Kosovës. Andaj, mbrojtja e kësaj vlere kombëtare është obligim i secilit prej nesh, qoftë ai anëtarë apo mbështetës i filozofisë politike rugoviane, pra edhe i juaji kryetar Lumir Abdixhiku.

Në fund, i nderuari kryetarë Abdixhiku, urojë që të mos i përseritni më dy gabimet që i bëre në fillim të drejtimit të partisë me shpërblimin e dy figurave që e sollën LDK-në në kuotat më të ulëta historike, përkatësisht me shpalljen “Kryetar Nderi” të shkatërruesit të LDK-së (Isa Mustafa) dhe shpërblimin që i bëre me sigurimin e kuorumit në Kuvend abuzueses dhe mashtrueses së dekadës (Vjosa Osmanit) e cila i dërgojë mbi 100 mijë vota të LDK-së në taborrin tjetër!

Me respekt e dashamirësi: Florim Zeqa

Orsago (TV-Itali)           12.12.2021



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora