Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Erdhi dhe shkoi z. Escobar, po tash?
E premte, 10.12.2021, 09:04 PM
ERDHI DHE SHKOI Z. ESCOBAR – PO TASH?
Nga
Frank Shkreli
Ja shkoi në
Tiranë, shikoi, u përshëndet me disa dhe u këthye. Fjala është për Zëvendës
Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike
dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Z. Gabriel Escobar. Nuk
besoj se me vizitën e tij në Tiranë fitoi gjë, për t’iu referuar asaj thënjes
së famshme të Jul Çezarit, “Veni, vidi, vinçi”, megjithëse Z. Escobar nuk
kishte ardhur për të fituar gjë fare, pasi ishte një vizitë krejt e zakonshme,
pjesë e një vizite rutinë në rajon. E tillë ishte para njoftuar edhe nga
ambasada amerikane në Tiranë.
Por, siç e ka
zakon media shqiptare, prisnin se diplomati i lartë amerikan do vinte në Tiranë
mbi një kal të bardhë dhe do zgjidhte të gjitha problemet e politikës
shqiptare—madje prania e tij do të zgjidhte edhe problemet brenda Partisë
Demokratike, se zyrtari i lartë do të sillte informacion aq të dëmshëm kundër
Sali Berishës sa që do ta asgjësoj atë para Kuvendit të planifikuar të
demokratëve me 11 dhjetor.
Por po të dëgjoje
disa media të oborrit, para vizitës së zyrtarit amerikan në Tiranë, ai po vinte
në Shqipëri me një shkop të madh për tu renë disa kokave dhe po të ishte nevoja
marinsat amerikanë janë gati jashtë Tiranës, të gatëshëm të kontrollonin rrugët
e Tiranës, për t’i ndalur hovin Sali Berishës, si rrejdhim i mbështetjes për
‘të, në “foltoret” e kohëve të fundit. Asgjë nuk ndodhi, veçse u harxhuan kot
aq shumë orë debatesh boshe, sa që analistët do të kishin bërë më mirë t’i
kalonin ato orë me fëmijtë dhe me familjet e tyre.
Nëqoftse shikojmë
për fitues dhe humbës të kësaj vizite, krejtësisht të zakontë, media shqiptare,
ose më mirë të them një pjesë e madhe e medias shqiptare, ishte humbëse, sepse
parashikuan se me ardhjen e Z. Escobar në Tiranë do bëhej nami, “heads will
roll”, sipas asaj frazës anglisht. Unë nuk prisja namin nga kjo vizitë, prisja
vetëm që për të pasur një pasqyrë më të qartë se ç’po ndodhë në Shqipëri në
këtë kohë krize politike, me një shkrim modest, i kisha bërë thirrje zyrtarit
të lartë amerikan, që gjatë vizitës së tij të parë në Shqipëri, përveç
ambasadës dhe karakterave të zakonshëm të politikës shqiptare, të takohej edhe
me grupe të tjera, të përjashtuara nga proceset politike të këtyre 30-viteve,
ashtuqë të ketë një ide se çfarë mendon pjesa tjetër e shqiptarëve që nuk i
pyet askush, për asgjë.
Fatkeqësisht,
duket se ai nuk u takua me askënd tjetër, përveç zyrtarëve të ambasadës, të
qeverisë Rama dhe të përfaqsuesve të Partisë Demokratike që kontrollohet nga
Lulzim Basha. Grupet jo-qeveritare janë humbës nga kjo vizitë, pasi Z. Escobar
nuk u takua me ndonjë prej tyre, por edhe unë jam humbës që bëra thirrje për
një takim të tillë që nuk ndodhi, për asgjë tjetër, veçse nga përvoja ime kam
parë se zyrtarët amerikanë kanë nevojë të dëgjojnë edhe zëra të tjerë të
shoqërisë shqiptare -- dhe jo vetëm të marrin informacionin nga qarqet zyrtare
të qeverisë shqiptare, qoftë edhe opozitës, si dhe nga ambasada. Megjithse një vend i vogël, shoqëria shqiptare
është mjaft e ndërlikuar dhe nevojitë njohje më të mirë nga të huajt, duke
pasur edhe historinë jo të largët të Shqipërisë, si pikë referimi.
Por uroj që
Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA për Çështjet Europiane dhe
Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Z. Gabriel
Escobar, të largohet sadopak fitues nga vizita e tij e shkurtër në Tiranë, me
një shije sadopak të vogël, për faktin se sa e çuditshme, për të mos thënë e
çmendur, është politika shqiptare. Dhe i vetdijshëm se kur në kazanin e asaj
politike futen edhe gishtërinjë të huaj – ajo politikë humb fare busullën e
normalitetit dhe atëherë as dreqi nuk e ve në terezi, madje as edhe një zyrtar
i një vendi mik si, Z. Escobar. Por uroj që Z. Escobar të këtë porositur ambasadën
tonë në Tiranë se klasa politike shqiptare pas 30-vjet “post-komunizëm”, ka
nevojë që vetë t’i zgjidh problemet e saja të vet-krijuara, pasi Shqipëria
është e tyre dhe e popullit shqiptar, që kjo klasë politike përfaqëson. Dhe se
është në dorë të shqiptarëve të vendosin vet se kush do jenë udhçheqsit e tyre,
tani dhe në të ardhmen.
Atëherë, pasi
vizita e Z. Escobar në Tiranë, erdhi e shkoi -- çfarë do ndodhë në skenën
politike shqiptare të shumë pritur, për dy tre javët e ardhëshme. Unë besoj se
sa i përket Amerikës, asgjë dramatike nuk do të ketë në skenën e politikës
shqiptare, lajm i keq ky ndoshta për disa që presin ndërhyrjen amerikane për
t’i rregulluar “punët e Shqipërisë” -- duke pasur parsysh shpalljen “non grata”
të Dr Sali Berishës nga ana e Shteteve të Bashkuara. Fatkeqësi që ka ardhur deri në këtë pikë, por
siç duket dy kuvendet e planifikuar të Partisë Demokratike do të mbahen. Do të
zgjidhen zyrtarë të ri, Partia Demokratike do mbijetojë, Shtetet e Bashkuara,
siç deklaroi edhe Z. Escobar në Tiranë, do bashkpunojnë me Partinë Demokratike,
spas interpretimit tim, kushdo që ta drejtojë atë. Nuk besoj se në këtë mes,
Washingtoni nuk do të ndërhyjë, se pse nuk ka të drejtë dhe as nuk dëshiron të
ndërhyjë në punët e brendshme të një partie të një vendi anëtar të NATO-s. A u kujtohet debati para 8 vitesh mbi
çeshtjen e armëve kimike. Të gjithë thonin në atë kohë se Amerika ose NATO do
ia impononte Shqipërisë që t’i pranonte armët kimike nga Siria. Frank SHKRELI/ Amerika nuk do t’i imponojë Shqipërisë shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë | Gazeta Telegraf
As kësaj radhe,
Amerika nuk do të imponojë një zgjidhje për demokratët shqiptarë. Ata duhet t’i
zgjidhin vet mosmarrveshjet midis tyre. As Partia Demokratike, as Shqipëria nuk
janë vasale të Shteteve të Bashkuara as të ndonjë vendi tjetër. Historikisht,
kjo nuk është në natyrën e politikëbërjes së Shteteve të Bashkuara karshi
vendeve mike dhe aleate, megjithëse nga ndonjëherë, në rastin e Shqipërisë,
mund të duket e tillë sepse vet politika shqiptare kërkon dhe lejon ndërhyrje
të tilla të ngutshme dhe të pa menduara mire nga ndonjë individ ose ent zyrtar.
Por, normalisht, nuk ndodh ashtu. Shtetet e Bashkuara kanë ndjekur,
vazhdimisht, një politikë pragmatike ndaj zhvillimeve politike në Shqipëri, me
ndonjë përjashtim të vogël, ndoshta. Ashtu do të ndodh edhe tani.
Besoj se fjala
pragmatizëm, është edhe mesazhi që doli nga vizita e djeshme në Tiranë e
Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA për Çështjet Europiane dhe
Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Z. Gabriel
Escobar.