Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Tahir Bezhani: Stuhi përmallimi

| E premte, 10.12.2021, 09:05 PM |


Tahir Bezhani:

Homazh në njëmujorin e ikjes nga mesi jonë i poetit të mirënjohur tropojan, z. Zeqir Lushaj.

Fotoja e mbramë me mikun tim, poetin Zeqir Lushaj, fillimtetor, 2021, Gjakovë

STUHI PËRMALLIMI...

(Zeqir Lushajt, poetit të Malësisë së Gjakovës)

Nga Shëngjini në drejtim të Valbonës

Fryjnë erëra të tërbuara

Valët e detit kanë marrë dallgë

Ndrydhin dhimbjen ofshamave

Një lot shpirti rri i heshtur, porsi plagë

Qan Valbona me dhimbje pa ndalë

Këngët janë ngrirë në vaje përmallimi

Mall ndjen shkëmbi, bari e mali

Për poetin që i puthte në lule t‘ballit

Në pejza te shpirti

I mbante deri në Amerikë

Zemra gjak i pikonte kur thurte vargje

E atje lart te Shkallët e Grisë

Përgjithmonë iu ngri shikimi

Te Blini e shtroi shtratin

E pushimit në përjetësi

Me krenari babën e thirri:

Ku je o Sadik Selmani i Grisë

Eja së bashku kohërat t’i pleqërojmë

Këmbëkryq ulur n’postajë të dhisë

Ashtu siç na mësoi Leka i Malësisë

Tash

Stuhi malli gulçon pa pushim

Atyre shpateve të Grisë...

Dhjetor, 2021