E premte, 07.08.2020, 02:05 AM (GMT+1)

Komente

Enver Robelli: Rrahja e një teologu islam

E marte, 09.12.2008, 08:47 PM


Rrahja e një teologu islam

Nga Enver Robelli*

Rrëfimi për mulla Feratin dhe për një katund të komunës së Kamenicës, është simptomatik për nivelin e shumë hoxhallarëve të etnisë shqiptare në Jugosllavi, pas Luftës së Dytë Botërore. I lidhur me dreqin, me pushtetin dhe me milicinë, mulla Ferati, në vitet ‘50-të, ishte angazhuar me mish e me shpirt në përshpejtimin e shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi. Ai u thoshte shqiptarëve se duhet te deklarohen si turq, ai i bënte gati defterët me emrat e njerëzve, ai shkonte në Shkup dhe ua ndreqte letrat për t‘i përzënë ata sa më shpejt në fushat e Anadollit.

Për fat të mirë, disa banorë refuzuan t‘i shënojnë emrat e tyre në listat e mulla Feratit. Ata thanë: “Jo, nuk jemi turq”. Pastaj protestuan edhe disa të tjerë. Në fund, vetëm disa familje u larguan në drejtim të Maqedonisë, dikush mbeti atje, dikush vazhdoi rrugën drejt Turqisë. Për shkak të rolit të tij, mulla Ferati u dënua me burg, natyrisht pasi në pushtet erdhën disa shqiptarë, që zyrtarisht thoshin se janë komunistë, e më shumë ishin patriotë. Mulla Ferati ishte një diletant.

Xhabir Hamiti është një intelektual me njohuri të thella të fesë islame. Arsimimi dhe karriera akademike e profesor Xhabir Hamitit është impresionuese, jo vetëm për rrethanat kosovare. Përgatitja e tij shkencore, veprat e tij, dëshmojnë se në Kosovë ka teologë që mendojnë me kokën e tyre dhe nuk i nënshtrohen propagandës fetare. Hamiti ka doktoruar në Universitetin e Sarajevës në temën “Studimet e shqiptarëve për Kuranin gjatë shekullit XX”.

Më parë ai i ka përsosur studimet kuranore në Liban, ka përfunduar fakultetin e shkencave islame në Universitetin e Medinës. Duke qenë intelektual i paprishur nga helmi i ekstremizmit fetar vahabist dhe selafist, Hamiti e mbron fenë tonë islame ashtu siç e kemi trashëguar nga prindërit, nga paraardhësit tanë, me porosinë e madhe: Nuk ushtrohet dhunë në emër të zotit!

Kundër Xhabir Hamitit u ushtrua dhunë. E rrahën disa persona, të cilët, siç ka treguar profesori, ishin pothuaj te maskuar. Me gjasë, ata janë disa ekstremistë, që prej vitesh po e importojnë një version paramodern të islamit, i cili burimin e ka në shkretëtirat e beduinëve arabë. Ata bien në sy në Prishtinë dhe gjetiu në Kosovë me mjekrat e tyre si tufa të misrit, me pantallona të shkurtra dhe kapela haxhinjsh.

Me këtë pamje ata dëshirojnë t’i tregojnë opinionit se janë myslimanë të vërtetë dhe se të tjerët janë të pafé. Kjo është një gënjeshtër e madhe! Sepse pamja e jashtme kurrë nuk është dëshmi e devotshmërisë fetare. Madje, profesor Hamiti, në një intervistë për gazetën “Java”, me të drejtë ka theksuar se është kundërshtar i atyre që po mundohen ta keqpërdorin shaminë dhe ta rendisin atë në listën e prioriteteve fetare islame.

E vërteta është se shamia ka shumë pak të bëjë me traditën islame. Në Kuran, lista e rregullave të veshjes për një femër, është shumë e shkurtër. Profesori, Reinhard Schulze nga Instituti i Shkencave Islame dhe i Filologjisë Orientale në Universitetin e Bernës ka theksuar në një referat se, shamia në traditën e Profetit nuk ka domethënie religjioze.

Në Kuran shkruan se besimtarët duhet t’i bartin “rrobat e devotshmërisë”. Kjo, sipas profesor Schulze, domethënë: “Besimtarët duhet t’i mbulojnë vendet e turpshme”. Tani mund të pyesim: A është koka pjesë e turpshme e trupit?

Natyrisht që në këtë pyetje nuk do të dinin të përgjigjeshin personat që e rrahën Xhabir Hamitin, sepse ata - si armiq të (pa)vetëdijshëm të Kuranit - mendojnë se bindjet e tyre të mbrapshta mund t’ua imponojnë të tjerëve me grushte. Në Librin e Shenjtë, po ashtu thuhet se femrat duhet të bartin një lloj shalli apo mbulese mbi gjoksin e tyre, me fjalë të tjera: nuk mund të ecin me gjinj përjashta.

Ky rregull i veshjes dallon nga periudha paraislame, kur femrat bartnin pak rrobe. Sipas profesor Schulze, në ilustrimet e para nga shekulli i 10-të, valltaret e Profetit Muhamed shihen gjysmë lakuriq. Në Kuran, tërthorazi kërkohet që të mbulohen ato pjesë të trupit të femrës, të cilat mund të ngjallin ndjenja erotike te meshkujt, por askund nuk bëhet fjalë për mbulimin e fytyrës.

Nëse vahabistët dhe selafistët e sotëm, pra nëse këta përfaqësues të rrymës esktreme të islamit kërkojnë mbulimin e femrave, nga frika se nuk mund t’i kontrollojnë epshet e tyre, atëherë ky është problem i tyre moral, fetar, social dhe kulturor.

Në intervistën e lartpërmendur, dhënë gazetës “Java”, profesori Xhabir Hamiti ka thënë se “toleranca është fundamenti bazë i besimtarit. Ajo është kërkesë e zotit. Sjellja e mirë, drejtësia, dashuria dhe butësia mes njerëzve pa dallim, është kërkesë hyjnore. Unë islamin si fé nuk e shoh si diçka të ngurtë, statike, siç mund ta shohë dikush tjetër”. Në qëndrimet e tij publike, Hamiti ka mbrojtur islamin autokton shqiptar dhe është deklaruar kundër ndikimeve të kulturës së huaj në traditën fetare të myslimanëve në Ballkan.

Në fakt, kemi të bëjmë me një pseudokulturë statike, e cila nuk ka ndryshuar me shekuj. Ithtarët e saj, sot, kërkojnë që femrat të vishen si pinguinë dhe t’i nënshtrohen vullnetit arbitrar të mashkullit. Ithtarët e këtij versioni të keqinterpretuar të islamit do të dëshironin që në sheshin “Nëna Tereza” të organizoheshin orgji të kamxhikosjes së mëkatarëve fetarë. Kjo mundësi, atyre nuk u duhet lejuar.

Duhet të reagojë shoqëria. Edhe ajo civile. Duhet të deklarohen edhe më zëshëm krerët e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK). Fenomeni i vahabizmit dhe ekstremizmave të tjerë fetarë, nuk është i ditës së djeshme. Sidomos pas luftës në Kosovë, janë futur shumë organizata të ashtuquajtuara bamirëse nga vendet arabe, të cilat bashkë me bukën dhe kripën që ua dhurojnë skamnorëve, sjellin edhe disa shishe me helm fetar.

Këto rreziqe i ka parë profesori Xhabir Hamiti dhe ka reaguar si intelektual i guximshëm. Teologët e tjerë e kanë futur kokën në zall. Kundër rrahjes së profesor Hamitit nuk reagoi deri më tani asnjë politikan, ndonëse dihet se heshtja nuk i ka zgjidhur kurrë problemet. Zakonisht, politikanët e Kosovës dinë ta keqpërdorin fenë gjatë fushatave zgjedhore, dikush bën poza me priftërinj, dikush me hoxhallarë.

Tani, asnjë pushtetar nuk kërkoi nga policia zbulimin e sulmuesve. Por, opinioni i Kosovës nuk do të befasohej nëse policia e Kosovës, pas disa ditësh, do t’i nxirrte para kamerave televizive tre agjentë zviceranë, të cilët do t’i akuzonte për sulmin kundër Xhabir Hamitit. Sepse tashmë, politikanët dhe policia e Kosovës janë të ushtruar për prodhimin e spektakleve me pasoja të rënda për vendin.

*Enver Robelli është gazetar i të përditshmes zvicerane “Tages Anzeiger”



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora