E marte, 04.10.2022, 04:03 AM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: 'Vlerat e përbashkëta' amerikano-shqiptare dhe vizita e Escobar në Tiranë

E enjte, 09.12.2021, 09:25 PM


“VLERAT E PËRBASHKËTA” AMERIKANO-SHQIPTARE DHE VIZITA E DIPLOMATIT TË LARTË AMERIKAN, Z. GABRIEL ESCOBAR NË TIRANË

Nga Frank Shkreli

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë njoftoi se më 9 dhjetor, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Z. Gabriel Escobar, do të zhvillojë vizitën e tij të parë në Shqipëri, “me qëllimin për të thelluar miqësinë tonë të ngushtë, e mbështetur në vlerat e përbashkëta demokratike.”

Kam venë re se Ambasada Amerikane në Tiranë, sidomos, kohët e fundit, thekson shpesh, “vlerat e përbashkëta demokratike” midis dy vendeve tona. Unë nuk e dijë se çfarë barometri të vlerave të përbashkëta përdorë ambasada jonë në Tiranë kur i cilëson si të “përbashkëta” vlerat demokratike, por që kurrë nuk i identifikon se cilat janë këto vlera të përbashkëta” midis Shteteve të Bashkuara – vendit më të përparuar dhe demokratik në botë, me Shqipërinë e sotëme pseudo-komuniste.

Me një vend ish-komunist, i cili edhe pas tri dekadave të shembjes së Murit të Berlinit – dhe ndryshe nga shumica e vendeve ish-komuniste evropiane – vazhdon të mos distancohet nga e kaluara e saj komuniste dhe as nga krimet e komunizmit dhe për më tepër ende nuk gjenë forcë morale as politike për të dënuar krimet e komunizmit enverist në Shqipëri. Me një vend, regjimi aktual i të cilit jo vetëm që refuzon, në mënyrë arrogante, të përballet me të kaluarën kriminale komuniste, por që me ndihmën e mbështetsve të tij perëndimorë në Tiranë, e paraqet veten si një vend “humanitar” i kohëve tona, që pranon strehimin e refugjatëve afganë.  Por harrojnë se, ndërsa kryeministri i këtij vendi të quajtur Shqipëri, po merrte dekoratën në Nju Jork për këtë “akt humanitar”, në të njëjtën kohë mijëra shqiptarë po largohen nga Shqipëria dhe trojet shqiptare duke u bërë vetë ata, refugjatë në dhe` të huaj, në mëshirë të dikujt tjetër, diku në botë – pikërisht si rrjedhim i keq-qeverisjes 30-vjeçare së kësaj klase politike fatzezë, të korrupsionit, padrejtësive, papunësisë, drogës dhe dyzina problemesh të tjera, përfshir mungesën e zgjedhjeve të lira – si barometri kryesor i demokracisë.  Janë probleme këto që numërohen vazhdimisht në raportet ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut dhe mbi gjëndjen e përgjithëshme në Shqipëri. Por që, siç duket, nuk i lexo kush, as qeveria shqiptare as diplomatët ndërkombëtarë në Tiranë, të cilët i mbyllin sytë para problemeve të mëdha politike dhe ekonomike me të cilat përballet sot Shqipëria – duke na e paraqitur atë vend si një “kopsht me lule”, si një demokraci perëndimore, vlerash të përbashkëta me Amerikën, pretendojnë ata.

Z. Escobar, ju uroj qëndrim të këndëshëm në Shqipëri. Me fat që je në Tiranë me rastin e 31-vjetorit të protestave të studentëve shqiptarë në Tiranë. Ju do të takoheni me Kryeministrin dhe me zyrtarë të tjerë si dhe me stafin e ambasadës tonë në Tiranë. Të gjithë këta do të japin përspektivën e tyre se si po shkojnë (ose nuk shkojnë) sot punët në Shqipëri. Mendimet e mia mund të jenë të influencuara nga vlerat amerikane të lirisë dhe demokracisë, pasi për më shumë se një gjysëm shekulli jetoj në Amerikë. Si shtetas amerikan me origjinë shqiptare, si një person që pa kurrfarë interesi, jam munduar të veproj gjithmonë dhe modestësisht, për të mirën e Shteteve të Bashkuara dhe të Shqipërisë, sidomos në interesin më të mirë të marrëdhënieve amerikano-shqiptare – ashtuqë që Shqipëria vërtetë të arrinte nivelin e ndarjes “së vlerave demokratike”, me Shtetet e Bashkuara.  Por, megjithë sukseset e arritura deri tani, besoj se kushdo që sot pretendon se marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve tona bazohen në “vlerat e përbashkëta”, amerikano-shqiptare, ofendon vlerat e vërveta amerikane dhe gënjen brutalisht shqiptarët.

Kështuqë, i nderuar Z. Escobar, nëqoftse nuk e ke në agjendë, gjejë kohë të takosh -- në këtë 31-vjetor -- ndonjë pjesëmarrrës ose grup pjesmarrësish në protestat studentore të vitit 1990, nëqoftse ka mbetur ndonjë në Shqipëri sepse pothuaj të gjithë të zhgënjyer janë arratisur/refugjatë, anë e mbanë botës – “si afganët sot”.  Të zhgënjyer dhe të dëshpëruar nga kjo klasë politike e korruptuar dhe e papërgjegjshme, të cilën diplomacia amerikane e ka përkrahur dhe e përkrah edhe sot si një regjim me të cilin Shtetet e bashkuara ndajnë “vlerat e përbashkëta demokratike”. Me modestinë më të madhe do të sugjeroja që në këtë përvjetor të protestave studentore anti-komuniste në Shqipëri, të gjejsh kohë dhe të takohesh gjithashtu edhe me ndonjë të përsekutuar ose grup të pëndjekurish nga komunizmi, 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit, për të dëgjuar -- nëqoftse je i interesuar – pikëpamjet e tyre se si po shkojnë punët në Shqipëri, 30-vjet pas “shembjes” së komunizmit zyrtar.  Në këtë 31-vjetor, ju siguroj, Z. Escobar se, këto dy grupe shqiptarësh, por jo vetëm, e ndjejnë veten të abandonuar nga Shtetet e Bashkuara – aleati i tyre natural do thonin ata -- por edhe të përjashtuar nga atdheu i tyre –Shqipëria – të cilin 31- vite më parë, ata e dëshironin si e “gjithë Evropa”, me vlera perëndimore, por ja ku është Shqipëria, aq larg Evropës sa ishte edhe në vitin 1999.

Z. Escobar, janë këto dy grupe shqiptarësh, ndër të tjera -- që të pakën dhe mos tjetër, duhet të dëgjohen dhe jo të përjashtohen nga diplomacia amerikane.  Në vend të mbështetjes amerikane, pa kushte, të një klase politike të indoktrinuar në ish-regjimin komunist dhe që gjithnjë beson se, “komunizmi ishte në anën e duhur të historisë” dhe se regjimi i Enver Hoxhës kishte, “të mira e të këqia”, ka grupe të tjera interesi që meritojnë vëmendjen, nqëoftse vërtetë jemi të ingeresuar të zhvillojmë “vlerat e përbashkëta” midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë – pikëspari, vlerat e lirisë dhe të demokracisë dhe vlerën e jetës së shenjtë dhe të paprekshme –mbrojtja e jetës së njeriut, mbi të gjitha.

Mbështetësit -- qofshin ata edhe në nivelet më të larta të qeverisë shqiptare -- të vlerave të regjimit komunist të Enver Hoxhës – njërit prej regjimeve komuniste më barbare në botë, nuk kanë asgjë të përbashkët me vlerat amerikane, Zoti Escobar. Këtë duhet ta heqin nga mendja, njëherë e mirë diplomatët amerikanë, qoftë në Washington, qoftë në Tiranë.  Them, nuk kanë gjë të përbashkët sepse për më shumë se dy shekuj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, megjithë sfidat dhe zhgënjimet, nga koha në kohë, janë të kushtuara ndaj parimit se të “gjithë njerëzit janë të krijuar të barabartë” nga Perëndia.  Se për dekada populli amerikan ka luftuar në mbështetje të lirisë për veten dhe për të tjerë përtej oqeanit -- që duan t’i pranojnë vlerat amerikane -- në mbështetje të parimeve dhe vlerave të lirisë, demokracisë, të drejtave të njeriut, për të gjithë pa dallim, dhe tolerancës. Të gjitha këto si një trashëgimi e traditës së vlerave dhe virtyteve amerikane drejt përparimit të idealit të lirisë dhe demokracisë në këtë vend dhe në botë.  Megjithë të metat dhe sfidat gjatë historisë, kjo është një trashëgimi ose vlerë amerikane që bashkon dhe që, njëkohësisht, edhe respekton opinionet e ndryshme që shpeshëherë janë edhe në konlikt me njëra tjetrën. Këto janë virtytet amerikane, si të thuash, që vërtetë, përcaktojnë madhështinë dhe shkëlqimin e vlerave amerikane. Të thuhet se këto vlera amerikane kanë diçka të përbashkët me vlerat e një regjimi në shekullin XXI, që refuzon të dënojë krimet e komunizmit, është imorale, e pa përgjegjëshme dhe diçka shumë e gabuar.  Për më tepër, ti thurësh lavde një regjimi dhe klase politike nostalgjike për komunizmin, e cila për 30-vjet “post-komunizëm”, ka përjashtuar nga jeta politike, jo vetëm të përndjekurit dhe viktimat e komunizmit por edhe rininë trimëreshë të 1999-tës, për angazhimin e saj që solli “ndryshimin”.

Në njoftimin e Ambasadës amerikane në Tiranë, me rastin e 31-vjetorit të protestës anti-komuniste së studentëve shqiptarë, thuhet se, “Ne jemi krenarë që kemi qëndruar në krah të popullit shqiptar atëherë dhe do të qëndrojmë krah tij ndërsa ata përqafojnë të ardhmen.”  E vërveta është një vlerë tepër e rëndësishme amerikane që të pasqyrohet me fjalë dhe me vepra se Shtetet Bashkuara janë krahë mbarë popullit shqiptar, pa dallim, dhe jo vetëm në krah të një segmenti të shoqërisë shqiptare. Fatkeqësisht, për mirë ose për keq, ju Z. Escobar duhet të jeni në dijeni se shumë shqiptarë, mbrenda dhe jashtë Shqipërisë, mendojnë se Ambasada amerikane është bërë palë me Partinë socialiste në fuqi. Një dukuri e tillë – edhe nëqoftse është një perceptim i gabuar -- nuk  shërben për më të mirën për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve amerikano-shqiptare. Prandaj është e rëndësishme që ju të gjeni kohë dhe të takoheni me përfaqësues të ish-studentëve të protestave 30-vite më parë -- megjithse shumë prej tyre sot janë të përjashtuar nga pjesëmarrja në politikë -- dhe me përfaqsues të shtresës së të përndjekurve politikë dhe viktimave të komunizmit, edhe këta të përjashtuar dhe të harruar nga qeveritë e këtyre 30-viteve, por që do të thonë se e ndjejnë veten të abandonuar e të përjashtuar edhe nga ndërkombëtarët, përfshir Shtetet e Bashkuara. Një takim i tillë me ta, Z. Escobar, do të ishte vërtetë një gjest që do pasqyronte një prej vlerave amerikane – mbrojtjen e të drejtave dhe lirive bazë për të gjithë shqiptarët, pa dallim -- si dhe mbështetjen e tolerancës ndaj mendimeve ndryshe. Përjashtimi, historikisht, mund të jetë një vlerë shqiptare, por nuk është as nuk duhet të jetë një vlerë amerikane, madje as në një mjedis politik siç është Tirana zyrtare!



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Frank Shkreli: Vlerat amerikane nuk kanë asgjë të përbashkët me vlerat e regjimit komunist të enver hoxhës! Frank Shkreli: Jehona e veprës herotike e Adem Jasharit në diplomacinë botërore Frank Shkreli: Pushofsh në paqe Bob Dole - Miku ynë i shtrenjtë Frank Shkreli: Ambasadori William Walker - Punoni për kauzën që bashkon të gjithë shqiptarët Frank Shkreli: Zonja Kim, prej sot nuk je më ambasadorja ime! Frank Shkreli: At Anton Harapi dhe At Gjon Shllaku, viktima të barbarizmit më ekstrem komunist Frank Shkreli: Djalli komunist nuk mund të bashkëjetojë me shenjëtorët, z. kryeministër! Frank Shkreli: Dr. Rifat Latifi - Me emërimin tënd, fiton Kosova! Frank Shkreli: Senati kërkon më shumë transparencë dhe qartësi nga Presidenti Biden Frank Shkreli: Dita Botërore e Lirisë dhe kujtimi i viktimave të komunizmit Frank Shkreli: Nuk vritet pafajësia, z. kryeministër! Frank Shkreli: Fund Mosndëshkimit të Krimeve kundër Gazetarëve Frank Shkreli: Liria e Fjalës dhe ''foltoret'' e Sali Berishës Frank Shkreli: Ç'punë kanë taksapaguesit amerikanë me promovimin e kulturës otomane në Shqipëri?! Frank Shkreli: Klubi i turpeve të përbashkëta Frank Shkreli: At Gjergj Fishta fati i kombit shqiptar Frank Shkreli: Ndërroi jetë Gjenerali Amerikan Colin Powell Frank Shkreli: Një diplomat amerikan që nuk heshti kur duhej të fliste Frank Shkreli: Ambasadorët vizitojnë kampin komunist të Spaçit Frank Shkreli: Nobel 2021 – Liria e Fjalës parakusht për demokracinë dhe paqen

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora